Retorika politike e konfliktit dhe shëndeti i njeriut
nga Ilir Hashorva
Në atmosferën e ndezur të këtyre ditëve, qoftë në Amerikë, për shkak të fushatës për zgjedhjet presidenciale, e qoftë në Shqipëri, ku atmosfera është në mënyrë permanente e ndezur dhe e helmuar nga politikanët, dëgjimi i një psikiatri amerikan të universitetit Harvard, i cili dha një leksion për përfundimet e një studimi mbi faktorët kryesorë ndikues mbi lumturinë dhe shëndetin e njeriut, kthehej me të vërtet në një antidot qetësues.
E ndoqa fjalën e tij përmes një videoje që gazeta “Washington Post” ua kishte shpërndarë përmes postës elektronike shumë personave, ndërmjet tyre, edhe mua.
Në një sallë të mbushur me studentë dhe personel të atij universiteti, ku binin në sy shumë studentë aziatikë, interesi për kulturë i të cilëve është i dukshëm këtu në Amerikë dhe njëkohësisht është edhe një arsye për të kuptuar se përse vendet e tyre po bëjnë përparime të jashtëzakonshme, dr. Robert Waldinger po fliste për rezultatet paraprake të një studimi i cili kishte filluar në vitin 1938, pra, më se 75 vjet më parë, dhe vazhdonte ende.
Salla ku fliste psikiatri ishte e zhytur e tëra në qetësi, vëmendja e të gjithëve ishte përqendruar te lektori dhe secili bluante me mend fjalët e tij. Nuk kishte as thirrje, as britma, as fishkëllima miratimi, apo kundërshtimi nga të pranishmit. Lektori, me një zë të butë e të qetë, ngadalë, tregonte për projektin i cili kishte për qëllim të zbulonte faktorët më të rëndësishëm për një jetë të lumtur, të shëndetshme e të gjatë. Në fillim të studimit ishin zgjedhur 724 persona, të gjithë të rinj, qoftë nga universiteti e qoftë nga shtresat më të varfra e më të ulëta të shoqërisë së Bostonit të asaj kohe. 60 prej tyre jetonin ende dhe ishin të moshës rreth 90 vjeç. Jeta e tyre do të ndiqej me hollësi nga çdo pikëpamje. Prej tyre disa kishin lindur të varfër e më pas u ngritën në shkallët më të larta të shoqërisë amerikane, të tjerë lindën të pasur dhe gjatë jetës ranë poshtë e më poshtë, disa u alkoolizuan e të tjerë kaluan në skizofreni.
Po të pyesësh njerëzit në përgjithësi, tha lektori, se ç’gjëra konsiderojnë si më të rëndësishmet për jetën e tyre, në shumicë të përgjigjen se paraja është më e rëndësishmja, dhe se fama apo suksesi janë, po ashtu, të rëndësishme dhe të krahasueshme dhe të lidhura me paranë. Në bazë të rezultateve të projektit, sipas profesorit Waldinger, nuk ishin aq të rëndësishme as paraja, as fama dhe as suksesi: rëndësinë e dorës së parë për një jetë të lumtur, të shëndetshme, emocionalisht të qetë e të gjatë e kishin marrëdhëniet e mira e të ngushta që krijonte njeriu me të tjerët: me familjen, me shokët, miqtë e me komunitetin. Personat që ishin të kënaqur me ato marrëdhënie, dilnin të ishin më të lumturit dhe më të shëndetshmit, ndërsa personat e pakënaqur me ato marrëdhënie, apo personat që e kalonin jetën të izoluar, ishin më pak të kënaqur, shëndeti i tyre binte më shpejt, funksionimi i trurit ngadalësohej dhe jetonin më pak. Në lidhje me marrëdhëniet me të tjerët, nuk kishin rëndësi numri i marrëdhënieve, por cilësia, sinqeriteti, intimiteti dhe stabiliteti i tyre. Me shumë rëndësi ishte që njeriu të shmangte sa të mundte konfliktet me të tjerët. Konflikti dobësonte shëndetin dhe shkurtonte jetën.
Kur mbaroi, plot përulësi, duke bashkuar pëllëmbët e duarve para gjoksit, ashtu siç përshëndesin hindutë, dr. Waldingeri u largua nga skena, i shoqëruar me duartrokitje plot nderim e respekt nga të pranishmit. Të gjithë ata që ndodheshin në sallë, por edhe ata që e dëgjuan fjalën e tij të regjistruar, si puna ime, pas dëgjimit, u ndjenë më të qetë, u vunë në mendime dhe shumë mund të kenë modifikuar edhe pikëpamjet e tyre në lidhje me përparësitë që duhet të ndjekin për të bërë një jetë më të mirë e më të plotë.
Tashti të vijmë në realitetin tonë.
Sot në Amerikë po zhvillohet fushata për zgjedhjen e presidentit të ri. E kam ndjekur fushatën, sidomos atë të kampit republikan dhe shikoj se si kandidatët, duke krijuar një situatë konflikti ekstrem, kacafyten me njëri tjetrin në mënyrën më banale, duke bërtitur, sharë, fyer e akuzuar me gjithfarëlloj mënyrash njëri tjetrin dhe ndjekësit e tyre, në salla të mbushura plot, brohorasin, bërtasin, fishkëllejnë e tundin parulla, që, në mënyrë histerike, shprehin mbështetjen për kandidatin e tyre dhe urrejtjen e përbuzjen për kundërshtarin e tij. Dëgjoj Donald Trumpin në Karolinën e Veriut tek u kërkon njerëzve të tij, me zë të fortë e të ngjirur, të nxjerrin jashtë dikë që shprehet kundër tij dhe i shoh ata tek e shtynë dhe e përplasin viktimën nga një anë në anën tjetër, e qëllojnë atë me grusht dhe, më në fund, e arrestojnë. Shoh më pas në Universitetin e Ilinoit në Çikago të ndodhin skena të përleshjeve masive midis përkrahësve të Trumpit dhe kundërshtarëve të tij. Në Ohajo, Trumpit i prishin dhe i ndërpresin tubimin. Trumpi, që predikon konfliktin, dhunën dhe urrejtjen, po vjel frytet e hidhura të predikimeve të tij. Shoh tek ne, në Elbasan, ku numrin dy për nga rëndësia dhe vlerat në Partinë Socialiste, desh e rrahën, sepse doli kundër politikës së numrit një të partisë. Kam parë apo dëgjuar skena të tilla të shëmtuara, madje edhe më të ashpra, të ndodhnin edhe në Partinë Demokratike dhe shoh vazhdimisht skena të tilla, aspak të hijshme, të ndodhin në parlamentin tonë “pluralist”.
Çfarë ndryshimi midis skenave vulgare e barbare, ku politikanët u flasin militantëve të tyre dhe skenave humane, ku parashtrojnë mendimet njerëzit e kulturës!
Atmosfera helmuese e konfliktit që krijohet në tubimet politike, ku politikani mbledh mijra njerëz të cilët i ndërsen kundër kundërshtarit të tij dhe i kthen në militantë fanatikë, duket se, nga ana e shëndetit, sidomos të atij psikik, atyre u bën shumë keq. Militanti, me tru të shpëlarë dhe gjykim të bllokuar, në një gjendje shqetësimi e agjitimi të vazhdueshëm, flet, grindet, shan, nëm, përbuz, plot helm e urrejtje, palën tjetër, jo vetëm në ato tubime, por edhe jashtë tyre: edhe në shtëpi, edhe në kafene, edhe në punë, edhe në rrugë, edhe në komentet që bën në gazeta dhe kudo që të ndodhet, madje edhe në gjumë. Retorika e egër dhe sjellja vulgare e politikanit ndaj opozitarit, transplantohet në çast, në mënyrë të shumëfishuar te militanti.
Në qoftë se do të kisha mundësi, do t’i sugjeroja dr. Waldingerit që, po ta shihte të arsyeshme, të mundshme dhe të dobishme, të ndikonte në nisjen e një studimi të ngjashëm me atë për të cilin foli, që të vëzhgonte ndikimin që kanë retorikat e egra të politikanëve në tubimet politike në shëndetin mendor dhe emocional të atyre vetë, por, sidomos, të atyre që i dëgjojnë e që i ndjekin. Një studim i tillë, mund të përcaktonte jo thjeshtë nëse ato tubime politike ndikojnë apo jo në psikikën e njeriut, gjë që në njëfarë mase kuptohet edhe intuitivisht se ndikojnë, por edhe shkallën e atij ndikimit dhe do të shërbente, njëkohësisht, dhe për të vendosur rregulla të posaçme për ndalimin e sjelljeve të papërgjegjshme të politikanëve në paraqitjet publike, qoftë edhe për hir të mos dëmtimit të shëndetit të përkrahësve të tyre
Nju Jork, mars, 2016