back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Revista Letrare (1944) – Nji revistë e re

Gazeta

Mitrushi, Vedat, Sterio, Nexhati
Mitrushi Kuteli, Vedat Kokona, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu 1944

Revista Letrare (1944) – Nji revistë e re

Themelonjës: Mitrush Kuteli, Sterjo Spasse, Nexhat Haki, Vedat Kokona

Njeri i kujdo soji dhe në cilëndo kohë jetoftë, porsa të shofi një send të ri, qëndron i habitur, i afrohet, e kqyr, mundohet të mbledhi vehten dhe pastaj dëshiron ta preki e ta njohi mirë e ma mirë. Nga habia kalon në kreshërinë, nanën e njohnive.
Kjo më ndodhi mue me Revistën Letrare Nr. 1, që doli në dritën e kësaj bote me ofshe e me gëzime, ku rron e vret jetën e vet njeriu i shkolluem ndoshta, por jo i qytetnuem.
Kërshëria më mësoi ta shof me kujdes dhe të them me vetvehte:
1.Në “Pragun e Punës”: Grupi Themelonjës: ka dashtë t’i japë një grusht mjegullës së zezë që na ka veshë sytë e shpirtit e na ka ba të fshajmë dhe të gjejmë udhën e punës, që të ketë të drejtë edhe brezi i ri që të bërtasi nesër e ta përmendi në kohët shumë më të vona.
Pa vepra s’ka kërkim të drejtësisë por fikje dhe vdekje.
2.Vija e Vitit Letrar 1943, Izedin Jashar Kutrulia – Z.I.J. Kutrulia, pseudonimi si duket ban llogaritë e veprave letraro-politike të shkrueme prej shqiptarve gjatë vitit 1943. Zotnia i tij është pendëtar i mirë dhe nuk i bën hesapet pa hanxhinë. Por penda e Kutrulisë nuk është e fortë vetëm në hesape, por edhe e lehtë dhe prekëse në telat e zemrës: kur ajo këndon ata që e ndëgjojnë gëzohen e qajnë, kësaj i thonë art i pendës!
3.O kurbet – o ukubet – Sterjo Spasse – Me të vërtetë ukubet ka qënë kurbeti për shqiptarët: Nisesh burri i dheut me hejbe krahëve ose me pushkë ose me një mjet e mendim dhe e shkonte jetën në vende të largëta; e nganjëherë edhe në fund të dynjasë. Kur i thonë: Gratë, familja, gruaja me fëmijët përgjëroheshin për kurbetllinë, të cilin ndoshta edhe nuk e shihnin me sy fare në jetë të jetës, kjo është kënga që thotë “Plaga e kurbetit”. Kjo pjesë shkruhet prej z. Sterjo Spasse, i cili me pendën e tij mundohet si e si t’i japi dritë shqiptarit të ri; pra nuk e përdor pendën për tregëti. Ai është vetë Xha Tomi, që rron gjithmonë në kasolle i përvuajtur si manushaqeja në ferrë.
.
Revista Letrare (1944)
Revista Letrare (1944)
4.“I vdekuri dhe i gjalli” (rrëfim), Mitrush Kuteli. Këtu na del me gotën me musht të shijshëm, shkrimtari i ri: z. Mitrush Kuteli. Ka vumë në majë të gjuhës përrallën “I vdekuri dhe i gjalli”. Në pjesën e parë tregon zakonet shqiptare që na thuajse i harruem, e na duket sot si çudi. Mushtukurku, fituesi, fton edhe atë që ka pas njoft ai, e fisin vdekurit, një të vdekur që i derdh edhe venë mbi vorr, që t’ja ndjejë erën dhe të ngrihet për me e pimë të bekuemen, që ia ka dashtë zemra fort. Fantazija e tija është e gjallë dhe pagane. Në pjesën e dytë paraqitet sqena e legjendës së Garentinës ose si e kanë edhe grekët: “Të nanës me të nantë djemtë”. Por ka një ndryshim, se si i vdekuni i gjallun i Kutelit nuk shkon kaluar, por në kambë dhe ruen zakonisht edhe veshjen shqiptare. Por qëllimi kësaj përralle duket se asht ky: “Trupi asht kafaz i ndyet që mban të mbyllun pjesën ma të pastër e ma të shenjtë qi e ka njeriu: shpirti e fantazija e këtij fluturon dhe na kujton përshkrimet e Tolstoit në copën “Famulli”.
5.Për kokën tënde, (vjershë), Ali Asllani: Poezija asht një bè që ban njeriu, e dalun nga shpirti. Titulli edhe për përkdhelje, Ali Asllani shprehet si flet zemra, e cila plaket vetëm kur shkon në vorr bashkë me trupin se ajo porsa e shef të bukurën dhe të hijeshmen kërcen dhe do të dalë nga krahënori.
6.Lëkurë gjarpri: Hekuran Lumi: Me kët portret ka godit mirë veprat e bame pa u mendue mirë gjatë ktyne 4 vjetve, prej atyne qi i thonë vetes prijës, por që e shkatrruan lumninë e popullit. Duhet ta këndojë njeriu i pa faj, edhe i pjekuni e i moçmi fajtuer që të merren vesh së paku, qoftë edhe vonë.
7.Mineja: Nexhat Hakiu: Mineja është lozonjare e gjallë, i tërbon trimat, që përdredhin mustaqet nga halli se nuk mund t’i afrohen. Mineja asht bareshë mali dhe ajo mund të merret vesh por me një hollësi të madhe s’merret vesh, si Taneja me të dashurin e saj me anën e fyellit. Gruaja asht mistike dhe kënaqet me misticizmin, por Mineja e Nexhatit ka një mjeshtëri tjetër: ajo përdor për me u duk, shelegun që mban në krahanor si fëmijën e vet qi ëndërron; gratë e katundit ndizen, dridhen nga inati dhe nga zilija.
8.Letërsi Ballkanike: Novela e shkrimtarit bullgar, Jordan Jovkov, “Shibili” e përkthyeme nga Sterjo Spasse, asht novela tipike ballkanase, dhe si e tillë i përshatet ma së miri shpirtit shqiptar. Novela asht përkthye fort bukur në gjuhën shqipe, dhe mbush një zbrastinë në letërsinë tonë që nuk e njef aspak prodhimin letrar të Ballkanit, ndonse jemi fqinjë. Faqeja Ballkanike që ka çelë që në numrin e parë “Revista Letrare”, përuron një etapë krejt të re në letërsinë tonë dhe ky hap asht për t’u lavdërue me të vërtetë. Lexonjësit e kësaj faqe do të jenë në gjendje me balancue letërsinë e fqinjëve tanë me atë tonën.
.
Shkrimtari Sterjo Spasse
Shkrimtari Sterjo Spasse
9.Letërsi e huej (Frënge): përveç faqes ballkanike “Revista letrare” – urojmë qi të vazhdojë edhe këtë faqe – si e ka nisë me numrin e parë. Në këtë numër na paraqitet me një poezi të Andre Chenier të përkthyeme nga Vedat Kokona: “Vasha Tarentine” e Andre Chenierit në gjuhën shqipe flet me nektarin e vërtetë të poezisë origjinale; kaq bukur është tretë në gjuhën tonë, ndjenja e hollë e të madhit Chenier.
10.Selectae: Aleksandër Xhuvani: Babai i arsimtarëve të dalun nga gjini i Normales së Elbasanit, nuk pranë së punuemi për të mirën e kombit dhe për lavrimin e gjuhës shqipe. A. Xhuvani asht ai qi i vu themelet gjuhës shqipe me punën e parreshtun dhe të pazevendësueshme deri më sot.
11.Të huajt për ne – Ja edhe një faqe origjinale në vetvete dhe shumë e dobishme që ka marrë përsipër “Revista Letrare”. Këtë herë na paraqiten mendimet e Gabriel Louis-Jaray për Shqipërinë, mendim këto ku të përmbledhuna, e ku qekuna nga Manush Peshkëpia.
Revista ka një të metë, dhe lumturisht kjo e metë asht teknike: nuk ka pamje të bukur, as e praktikshme me u ruejtë në koleksion: Mëkat! Por një fjalë popullore thotë: “Mos i shiko gunën. por shikoji punën”
Nënshkruar nga E.
.
Botuar në Gazetën “Bashkimi i Kombit”, 1944, –
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.