back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Revolta e Qafë-Barit – Dy anë të një medalje – 34 vite me vonë Lekë Mirakaj dhe Lekë Imeraj – 22 Maj 1984 – një krim që s’u qartësua kurrë

Gazeta

12 të dënuarit e Revoltës së Qafë-barit - 22 maj 1984
12 të dënuarit e Revoltës së Qafë-barit – 22 maj 1984

Revolta e Qafë-Barit – Dy anë të një medalje –

34 vite me vonë Lekë Mirakaj dhe Lekë Imeraj

22 Maj 1984 – një krim që s’u qartësua kurrë

Me 14 qershor 2018, Lekë Mirakaj, ish i burgosur politik,
duke folur për revoltën e Qafë-Barit në filmin dokumentar
“Guximtarët e Qafë-Barit”, në serinë e dokumentarëve të “Dosja K”
ndër të tjera si dëshmitarë ka dhënë këtë intervistë,
e cila mund të ndiqet edhe në linkun e paraqitur më poshtë.
Do të përpiqemi të sjellim dëshmitë e pjesës më të madhe
të pjesëmarrrësve në këtë revoltë të ndodhur 36 vite të shkuara!
.
Leke Mirakaj
Leke Mirakaj

Dëshmia e Lekë Mirakajt në dokumentarin Dosja K

“Në ngjarjen që ndodhi në Qafë-Bari kam qenë aty dhe e kam përjetuar”, thotë Lekë Mirakaj.
“Trajtimi në Qafë-Bari ishte edhe më i keq se sa ai në Spaç. Norma ishte e detyrueshme. Duhej të nxirrje 5 vagonë me mineral, që do të thoshte 10 tonë mineral për çdo njeri. Planet e punës dhe sasia e mineralit që duhej nxjerrë vinin nga Ministria, nga Komiteti i Partisë, por edhe nga Komanda. Secili nga këto institucione caktonte normën e vet. Normat ishin shumë të larta dhe për t’i realizuar, përdorej dhunë mbi të dënuarit. Kështu që u krijua një situatë shumë e tensionuar brenda kampit. Nëse një i dënuar nuk e realizonte normën, pasi kthehej bashkë me brigadën, e merrnin dhe të shoqëruar me një polic e dërgonin përsëri në frontin e punës, në galeri, që të plotësonte normën që kishte mbetur. D.m.th. megjithëse i dënuari kishte punuar për 8 orë, natën, përsëri nuk e linin të flinte, por e dërgonin përsëri të punonte. Kjo gjë i kishte acaruar shumë njerëzit. Ndodhte edhe me rojet e burgut. Kishte nga ata që bënin thjesht detyrën, për të marrë rrogën e tyre. Situata brenda burgut ishte e qetë. Njerëzit nuk ziheshin. Qëllonte që ndonjë prej rojeve ishte njeri i keq, nopran, që zbatonte gjoja rregulloren me egërsi, atëherë ndodhnin sherre se njerëzit acaroheshin. Kjo situatë u krijua në Qafë-Bari”.
Revolta e 22 Majit nisi në shkallët dhe sheshin e vogël para kampit. Lekë Mirakaj i kujton edhe detajet e nisjes së konfliktit…
“Atë ditë, Sokol Zefi, djalë nga malësitë e Tropojës, nga Lekbibaj, djalë i fuqishëm, i dënuar 22 vjet, shoqëronte afër telave një djalë tjetër, Ndue Pisha, i cili s’kishte bërë normën dhe donin ta kthenin në galeri. Zefi i kundërshtoi. Ishte e papranueshme t’i kundërshtoje komandës. Ata ndërhynë me forcë. Këta djemtë që ishin të dënuar ishin djem të fortë, nga malësia dhe ishin shokë e miq me njëri-tjetrin. U bënë grup dhe i ndaluan policët që të merrnin shokun e tyre. U krijua një situatë e tensionuar, u përleshën me njëri-tjetrin dhe policët u tërhoqën.
Atëherë filluan bisedimet gjoja për të zgjidhur situatën. Të dënuarit u shprehën se ishin dakord të zbatonin urdhrat e komandës, por ama nuk lejonin që të prekeshin fizikisht. Ra çanga. Na rreshtuan të gjithëve. U bë apeli. Pas apelit na futën në mensë dhe mbyllën derën. Këta djemtë që u konfrontuan e kishin parashikuar se mund të ndodhte diçka dhe u grumbulluan që të gjithë në fund të sallës. Unë i kam njohur të gjitha ata dhe duke qenë se ishim pak a shumë nga e njëjta krahinë, kisha edhe njëfarë afërsie me ta. Ndërkohë nga dera e vogël e mensës i thërrisnin njerëzit një e nga një. Por bënin një marifet: thërrisnin një spiun dhe pastaj një nga grupi i djemve. Por djemtë ishin marrë vesh me njëri-tjetrin që, nëse do t’i godisnin, do të bërtisnin. Thërritën një djalë nga Durrësi, i cili quhej Kostandin Gjordeni. Sapo doli nga dera, e goditën. Ai ulëriti dhe në atë kohë shpërtheu i gjithë kampi”.
Gjetja e eshtrave te Tom Ndojes dhe Sokol Sokolit - vrare ne Revolten e Qafe-Barit
Gjetja e eshtrave të Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit –
vrarë ne Revoltën e Qafë-Barit
Në revoltë u hodhën parulla të tilla si: “Poshtë komunizmi”, “Rroftë Perëndimi”, “Poshtë diktatura”, “Duam liri” etj. Sheshi u përgjak. Të burgosurit politikë, reaguan menjëherë. Nuk kishin më çfarë të humbnin. Futeshin çdo ditë 1500-2000 metra nëntokë për të nxjerrë pirit. Norma ishte e lartë, material kishte pak. Kushtet e ushqimit e të fjetjes ishin shumë të këqia. Trajtoheshin me përçmim edhe pse ishte kamp me të dënuar politikë ku vuanin qindra të burgosur intelektualë.
Të gjithë rojet që ishin brenda në mensë dolën me vrap jashtë. Shpërthyem derën dhe dolëm jashtë. Por, të burgosurit kishin kaluar një eksperiencë të hidhur nga Spaçi. Para 11 vitesh, pikërisht në të njëjtën ditë, më 23-24 maj, kishte ndodhur e njëjta gjë. Kështu që njerëzit u stepën pak. Por sidoqoftë, djemtë, të cilët ishin më të revoltuarit, dolën dhe zaptuan kampin. Rojet ikën.
Atë djalin nga Durrësi, e qëlluan edhe me plumb në shpatull dhe sot, për turpin e kësaj shoqërie demokratike që kemi krijuar, nuk i japin të drejtën e dëmshpërblimit, me pretekstin se ka qenë terrorist. Ndërsa terroristët që e qëlluan brenda në kamp, sot marrin edhe pensione speciale dhe medalje si veteranë.
Nga momenti që u hap zjarr të dënuarit i shtrënguan rradhët dhe u sulën të egërsuar, dhe kjo ofensivë i zbrapsi policët dhe gardianët… Nga ai moment për disa orë kampi do të ishte në duart e tyre…”
Të burgosurit aty e vunë përpara policinë. Policët e lëshuan, e dorëzuan kampin. Në një prej dëshmive të tij, Kostandin Gjordeni i plagosur atë ditë në revoltën e Qafë barit thotë:
“Ata hapën zjarr kundër nesh. Mbi të burgosurit e pambrojtur është qëlluar me pushkë, pistoletë e automatik. Unë u qëllova me plumb në shpatull. Pak minuta më pas kam parë sesi aviatori nga Shkodra, Aleksandër Sokoli është sharruar me automatik, duke rënë i vdekur në vend, kurse Haxhi Baxhinovskit ia thyen të dy këmbët me qytën e armëve. Revolta zgjati disa orë. Unë mora plumb në shpatullën e majtë. Të nesërmen e përleshjes kampi u dhjetëfishua me roje, ushtarë e policë…”
Revolta e Qaf-Barit ngriti në këmbë shumë shpejt të gjithë kupolën e regjimit. Helikopterë, tanke, autoblinda, ushtarë, policë dhe vullnetarë të regjimit komunist nxinë të gjithë zonën. Revolta u shtyp me dhunë. Dhjetëra të burgosur u plagosën nga dhuna dhe armët. Përforcime për kampin erdhën nga Mirdita, Puka, Lezha, Tirana e Shkodra. Regjimi më të vërtetë ishite tronditur nga ajo ngjarje.
Për fundin e revoltës Lekë Mirakaj kujton: “Pastaj erdhën forcat e ndërhyrjes së shpejtë, reparti 326, zëvendësministri Zylyftar Ramizi dhe një zëvendësministër tjetër. Filluan tratativat me atë grupin e të burgosurve.
Nga eksperienca e Spaçit, njerëzit ishin pak të stepur, sepse e dinin se çfarë mund të ndodhte. Por edhe ata djemtë nuk donin që të sakrifikonin të gjithë kampin dhe vendosën që të dorëzoheshin, por me disa kushte që të dënoheshin për atë që bënë, por jo të keqtrajtoheshin fizikisht. Kur vendosën këta që të dorëzoheshin, Zylyftar Ramizi u bë trim. E mbaj mend si sot. Kishte hipur mbi tarracën e derës dhe e ngriti zërin. Jo vetëm që s’e mbajtën fjalën, por sapo u dorëzua i burgosuri i fundit, filluan t’i torturonin në mënyrë çnjerëzore. Një infermiere që vinte na mjekonte herë pas here, na tha që aq shumë i kishin torturuar, saqë vetë kryetari i degës largohej kur i torturonin, se nuk mund t’i shihte!”.
Pasi Revolta u shtyp në kamp u krijua gjendje terrori. Disiplina u bë më e hekurt dhe dhuna ushtrohej mbi të gjithë të dënuarit politikë pa përjashtim. Dëshmia e Lekë Mirakajt për terronin në kamp pas shtypjes së revoltës sjell shumë detaje mbi aktet e dhunshme:
“Pastaj në kamp filloi terrori. Lanë aty një farë Lekë Ymeri, i cili ishte nga Lekbibaj, malësor demek. Ai ka bërë namin me të burgosurit, se ishte si i plotfuqishëm. Pothuajse ndaj të gjithë të burgosurve u përdor dhuna fizike. Gjenin një pretekst të kotë, çfarëdo që të ishte, që nga vizat e çarçafit, që nga minutat e zgjimit, si e si të dhunonin të burgosurit. Pra, pas asaj ngjarjeje na kanë torturuar. Ajo ishte një ngjarje, që po të donin, ata e kishin evituar, por nuk deshën ta bënin. Arsyen se përse e bënë nuk e di. Por si se ajo ngjarje mund të ishte evituar. Është për të ardhur keq sepse u pushkatuan dy njerëz. Ishte gjithashtu edhe një burrë që quhej Sandër Sokoli. Ishte inxhinier ushtarak që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik. Kishte qenë drejtor në Uzinën e Armëve në Poliçan. Ishte nip i Sadik Bekteshit dhe dhëndër i Enver Halilit, që ishte n’atë kohë ministër i Drejtësisë. Sandri kishte dy fëmijë dhe natyrisht që gruaja e ndau, por ai ishte burrë zotëri. Besonte në ideologjinë komuniste, sepse kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik. Sjelljet e regjimit këtu i konsideronte të gabuara. Ishte njeri i ndershëm. Atë e torturuan dhe i thyen shtyllën kurrizore. Pastaj pasi vdiq e varrosën në kodrat aty përreth. Nuk di nëse ia kanë gjetur varrin. Pra, pas asaj ngjarjeje njerëzit në kamp janë torturuar shumë dhe kjo ka vazhduar për një kohë të gjatë…
Pasi mbaroi revolta na ulën të gjithëve në shesh, ndërmjet mensës dhe fjetoreve. Forcat speciale të 326-ës na silleshin rreth e rrotull. Megjithëse ishte ngrohtë se ishte fundi i majit, ata xhupat me pambuk ne i mbanim me vete, të lidhura pas brezit, që po të na çonin në birucë t’i kishim me vete. Na thërrisnin një e nga një. Ata persona që kishin spikatur më tepër në revoltë, i merrnin. Në fund dolën ata që kishin qenë duke punuar me komandën në përpilimin e listave. Dhe kush ishin? Dy njerëzit më ordinerë që ekzistonin në burg. Se regjimi ka përdorur edhe këtë lloj metode. Merrnin të burgosur ordinerë nga burgu i Bulqizës, i dënonin gjoja për agjitacion e propagandë sikur kishin folur në burgun ku ishin, i sillnin në burgun tonë dhe i përdornin si spiunë. Njëri ishte hajdut. E kishte kaluar tërë jetën e tij nëpër burgje. Edhe mburrej për vjedhjet që kishte bërë. Këtë njeri, Sigurimi i Shtetit e kishte si dëshmitar kryesor. Ishte dhe tjetri, një njeri imoral, ordiner. Me këta punonte Sigurimi”, përfundon dëshminë e tij Lekë Mirakaj.
.
Marre nga https://shqiptarja.com/lajm/dosja-kguximtaret-e-qafe-barit-leke-mirakaj-deshmoj-revolten-e-22-majit-84?fbclid=IëAR1IDA-GSX5ykFIdnlVjePc6bTsBMUzfXr2ljIUsq-AgXJ8BNIVQjR5Zb4E
 
Me 29 Gusht 2018, z. Lekë Imeraj, i cili në vitin 1984 ishte me detyrën
e oficerit të drejtimit të Drejtorisë së Zbatimit të Vendime Penale në MPB, (1983-1991)
dmth rreth dy muaj e gjysëm më vonë i ka dhënë këtë përgjigje,
përmes një akuze për shpifje dhe trillime. E cila më së shumti i ngjan një fletë rrufeje,
dhe për një krim ku ai ka qenë i pranishëm dhe në detyrë nuk rrëfen asnjë të vërtetë
por vetëm respektin ndaj ligjeve, kur dihet që e vetmja gjë që nuk funksiononte
në Shqipëri nuk ishte ligji, por vetëm terrori. Mëgjithatë lexuesit le të gjykojnë vetë!
Do përpiqemi ta shoqërojmë të vërtetën me dëshmi të gjithë atyre
që kanë qenë pjestarë të kësaj revolte…!
.
Lekë Imeraj - shkrimtar e përkthyes
Lekë Imeraj – shkrimtar e përkthyes

Zoti Mirakaj, ju jeni bërë zëdhënësi i një shpifje!”

nga Lekë Imeraj

Përgjigje: Zotit Lekë Mirakaj
I nderuar Mirakaj, në filmin dokumentar “Dosja K. Guximtarët e Qafë-Barit”, të cilin e pashë rastësisht, u njoha me deklaratën tuaj kundër meje. Nëpërmjet filmit, pas 34 vjetësh, pa u takuar kurrë bashkë, pa më njoftuar, si burri burrin, e marr vesh nga ju se, sa i tmerrshëm paskam qenë.
Megjithse deklarata e juaj ishte shumë brutale dhe banale, për të qënë i sinqertë, nuk u merzita aspak. Kjo për faktin se, është vetëm një shpifje e paturpshme kundër meje. Po, po, ju vetëm keni shpifur.
Megjithatë, më çuditi. Më çuditi për faktin se:
Si është e mundur që, njerëz të cilët pretendojnë se janë dënuar në kohën e diktaturës, me gënjeshtra dhe shpifje të dëshmitarve të rremë, sot në liri, bëjnë të njejtën gjë. Pra, shpifin për njerëzit e pafajshëm.
Si është e mundur që, ata të cilët mendohen të dënuar të ndërgjegjes, tregohen kaq të pandërgjegjshëm sa, me shpifjet e tyre, mundohen të kryqëzojnë njerëz të pafajshëm. Ku është ndërgjegja e tyre? A mund të mendohen ata, të denuar të ndërgjegjes?
Si është e mundur që, njerëz të cilët pretendojnë se, në kohën e diktaturës, kanë vuajtur nga arbitrariteti i punonjësve të MPB, sot sillen po në atë mënyrë, si ata, duke injoruar dhe shkelur ligjin?
Pyetjet e çudisë janë të pafund por, kot po filozofoj unë.
Shqipëria po përjeton stinën e gjatë, gati 30 vjeçare, të shpifjeve, gënjeshtrave, trillimeve, fallsifikimeve. Edhe ju bëni punën tuaj këtu.
Shpifja ka tri motive kryesore të cilat mendohen: Krijimi i tensioneve sociale (duke nxitur hakmarrjen), përfitimi, detyrimi (kur dikush e detyron dikë të shpifë)
Në rastin tuaj, e përjashtoj hakmarrjen ndaj meje. Unë nuk ju njoh, nuk besoj se mund të jemi takuar ndonjëherë bashkë. Me siguri që, edhe ju, nuk më njihni mua. Nëse do të më njihnit, nuk do të deklaronit kurrë një gjë të tillë kundër meje. Jam shumë i sigurt se ju, kurrë në jetën tuaj nuk keni pësuar ndonjë ligësi nga unë. Për këtë, shprehem i sigurt për faktin se, nuk ka asnjë të dënuar të asaj kohe, politik apo ordiner, të cilit unë mund t’i kem bërë ndonjë ligësi. Dhe ju, jeni njeri ndër ata, dhjetëra dhe qindra, me të cilët unë kam pasur të bëj.
Nëse ju, dëshëroni të krijoni tensione sociale, jeni paguar apo detyruar që të deklaroni një gjë të tillë kundër meje, nuk mund ta them. Atë e di ndërgjegja e juaj.
Sot, shpifja nuk është vetëm shpifje. Ajo është bërë një mjet i rëndësishëm fitimi. Nuk mund të them se e keni bërë për fitim.
Unë nuk mendoj se jeni ju “fabrikues” i shpifjes. Fabrikuesët e saj janë ish kolegët e mi, ata të cilët, hamendësisht (them hamendësisht pasi unë nuk kam qënë në burgun e Qafë-Barit ditën e rebelimit të burgosurve me datën 22 maj 1984), kanë ngrënë ndonjë lugë çorbë të thartuar dhe tani, në vend që t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të përgjigjen për ligësitë e tyre, mundohen të më përdorin mua si “kokë turku”. Ata e fabrikuan dhe e shpërndanë tek disa ish të burgosur politikë, të cilët, kanë aftësi për të përhapur shpifjet. Të paktën dy nga ata i njoh dhe e di se kush janë. Nëse i kanë paguar, nuk mund ta them. Ju, pritët aq gjatë për ta deklaruar shpifjen por, më në fund, e deklaruat. Nuk mund të them nëse jeni paguar.
.
Burgu i Qafë-barit
Burgu i Qafë-barit
Ajo që unë mund të them për ju është se, ju keni gabuar. Keni shkelur ligjin themelor, Kushtetutën. Për moral nga ana juaj, as që mund të flitet fare.
Diku në Kushtetutë, në kapitullin mbi të drejtat e njeriut thuhet: Askush nuk mund të deklarojë fajtor një njeri, i cili, nuk është deklaruar më parë, fajtor nga një organ gjyqsor. Ju e keni bërë këtë. Unë nuk jam gjykuar kurrë për një gjë të tillë.
Ju, i nderuar Mirakaj, në monologun tuaj, keni shkelur disa herë ligjin, raste të cilat do t’i theksoj më poshtë.
Dhe tani, kini durim dhe lexoni të vërtetën mbi aktivitetin tim lidhur me rebelimin e disa të burgosurve në Qafë-Bari: Me datën 22 maj 1984 (ditën e rebelimit), në orën 14.35 minuta, nga zyra ime në Tiranë, jam lidhur në telefon me komandantin e burgut të Qafë-Barit. E mbajë mend shumë mirë orën pasi, kisha rreth 50 minuta që kisha bërë kërkesën në centralin telefonik civil për lidhje. Më kërkohej urgjent informacion lart për rebelimin. Në atë kohë, drejtoria e burgjeve nuk kishte lidhje direkt me burgjet dhe lidheshim nëpërmjet centralit telefonik civil.
Me komandantin e burgut, Riza Musollari, kam zhvilluar këtë dialog:
Unë: Hë Riza, si duket gjendja?
Ai: Gjendja është normalizuar. Grupi i rebelve u dorëzua menjiherë pas ardhjes së zëvendësministrit. (këtë e thoni edhe ju, z. Mirakaj, në monologun tuaj). Zëvëndësprokurori i Përgjithshëm urdhëroi arrestimin e të dyshuarve si organizatorë të rebelimit dhe i dërguam në Degën e P. Brëndshme Pukë. Na njoftuan se kanë arritur.
Unë: Ka dëmtime në njerëz nga palët?
Ai: Jo. Në njerëz nuk ka demtime, nga asnjëra palë. Ka vetëm demtime materiale tek të dënuarët…
Pra, siç e shikoni, z. Mirakaj, unë kam qënë në Tiranë në kohën e rebelimit në burg. Atherë, si qënkam unë dora e hekurt e shtypjes së rebelimit në burg? Sado i gjatë që mund të ishte shkopi im, nuk mund të arrinte tek burgu, rreth 150 km. larg nga zyra ime. Jo, i nderuar mik!
Pra, ju keni shpifur ose, jeni bërë zëdhënsi i një shpifje. Pak rëndësi ka. Shpifja ka dalur nga goja e juaj.
Nëse keni sadopak ndërgjegje, ju duhet të më kërkoni falje mua, ish të burgosurve politikë dhe gjithë atyre që i keni ushqyer me një shpifje të tillë. Nëse jo, unë nuk do t’ju urrej.
Unë vërtetë kam shkuar atë ditë në Qaf-Bari por, vonë, rreth orës 22, atëherë kur gjithçka ishte likuiduar brenda orës 13. Unë edhe nëse isha ai që më mendoni ju, nuk kishte mbetuar asgjë për mua. Jam njohur me informacionin e komandës për zhvillimin e ngjarjeve, për arrestimin e të dyshuarve si organizatorë të rebelimit, për vdekjen e një të burgosuri, etj.
Të nesermen, bashkë me komandën kemi bërë riorganizimin e vendeve organike tek të dënuarët pasi kishte shumë ndryshime për arsye se disa u transferuan dhe të tjerë u shkarkuan.
Kam qeshur kur dëgjova në monologut tuaj se, unë, pas rebelimit, paskam qëndruar disa kohë aty si mëkëmbës dhe dorë e hekurt e qeverisë. Sipas jush, paskam qënë i tmerrshëm, paskam bërë namin. Konkretisht nuk thoni asgjë për bëmat e mia. Pra, sipas jush, nami u bëkërka edhe kur tjetri nuk bën asgjë. E çuditshme!
Fjala “mëkëmbës”, në kohën e diktaturës, nuk është përdorur. Secili kishte funksionin e vet dhe bënte punën e vet. Ndoshta ju e keni trashëgimi nga familja, nga babai juaj i cili, si kryefashist i Shqipërisë që ishte në kohën e pushtimit italian, njëkohësisht, ishte edhe mëkëmbës i kryefashistit botërorë, Benitto Musolini, në Tiranë.
E vërteta është se unë, të nesërmen, pasdite, jam larguar nga burgu. Natyrisht që më vonë kam shkuar aty, në funksionin tim, ashtu si dhe tek të gjithë burgjet e tjerë.
Funksioni im ka qënë riedukimi, patriotik dhe social-juridik. Sot quhen punonjës social. Unë nuk kam pasur forca ushtarake nën komandën time, nuk kam drejtuar dhe as komanduar të tilla.
Eshtë folur se unë, si dorë e hekurt, kam shkuar me helikopter nga Tirana për të shtypur rebelimin. Jo zotrinj, nuk është e vërtetë. Me helikopter kanë shkuar zëvëndësministri, zëvëndësprokurori i përgjithshëm dhe drejtori i burgjeve.
Eshtë folur se unë, kam urdhëruar arrestimet e të dyshuarve si organizatorë të rebelimit. Kjo është fantazi skizofrenësh. Siç e thashë më lart, unë nuk kam qenë fare aty kur janë bërë arrestimet por, edhe sikur të kisha qënë, ç’punë kisha unë me arrestimet kur aty ishte zëvëndësprokurori i përgjithshëm, njeriu kompetent për gjithë republikën për lëshim urdhërash arresti.
Në monologun tuaj, ju i merrni kompetencat e mjekut ligjor, kur flisni për shkakun e vdekjes së viktimës. Aty ju gaboni tri herë:
E para: Megjithse ka një akt ekspertize nga mjeku ligjor për shkakun e vdekjes së viktimës ku thuhet se: Vdekja ka ardhur nga infarktit në zemer, ju, nuk e përmendni fare këtë fakt. Përse?
E dyta: Ju deklaroni se, shkaku i vdekjes ishte thyerja e shtyllës kurrizore. E deklaroni pa asnjë dyshim, me shumë kompetencë. Nuk sqaroni asgjë më shumë, kur, ku, nga kush ndodhi thyerja e shtyllës kurrizore. Cili është roli juaj në këtë rast, i dëshmitarit apo i mjekut ligjor? Apo i ngatrrestarit?
E treta: Më çudit fakti që, ju, për 34 vjet, e keni heshtur këtë krim. Nëse është ashtu, përse nuk keni denoncuar, edhe vrasësit, edhe mjekun për dëshmi të rreme në aktekspertizën e tij, mbi shkakun e vdekjes? Njeriu i mirë, nuk e llomotitë krimin por, e paditë kriminelin.
Vetëm me këtë thënie, ju, keni shkelur tri herë ligjin: Keni marrë përsipër kompetencat e tjetrit, nuk keni denoncuar krimin ose, shpifni.
Eshtë interesant fakti se, në atë film dokumentar pra, në të njejtin film, jepen tri versione të ndryshme mbi shkakun e vdekjes të viktimës (të të njejtit person).
Ju thoni: Atë nuk e vranë, i thyen shtyllën kurrizore. Folësi, sipas një dëshmitari tjetër thotë: E sharruan me automatik, në oborrin e burgut. Mjeku ligjor thotë: Për shkak të infarktit në zemer. Të paktën ju, dëshmitari i dytë dhe regjizori i filmit, nuk patët mundësinë te merreshit vesh me njeri-tjetrin dhe, të dilnit me një version? Tregjikomedi. Ngatrrestarë të keqinj!
Në monologun tuaj, ju thoni se, një i burgosur u plagos me plumb në shpatull. Tjetri thotë se, në oborrin e burgut u hap zjarr dhe u vranë disa të burgosur! E vërteta është se, asnjë plumb armë zjarri nuk ka rënë brenda rrethimit të burgut atë ditë dhe kurrë. Ju vetë e keni thënë se, organizatorët u dorëzuan menjiherë, pas ultimatumit të zëvëndësministrit. Përsëri shpifje, gënjeshtër. U bëtë gazi i botës, he burr! Të paktën merruni vesh me njeri-tjetrin para se t’i fabrikoni dhe hidhni në tregun social gënjeshtrat dhe shpifjet tuaja.
I nderuar Mirakaj,
do të doja që, ne të dy, të ballafaqoheshim para një gjyqtari të ndershëm, Leka kundër Lekës, pa dëshmitarë, ushtarakë apo spiun burgjesh dhe të flisnim mbi të vërtetën lidhur me akuzën që, ju, më bëni mua. Por, unë nuk kam ndërmend t’ju padis juve për shpifje. Jo se nuk e meritoni por, jeni i humbur. Jeni i humbur si shpifës. Dhe unë, nuk ballafaqohem me shpifësit.
PS: Në vend të fjalës “revoltë” unë kam përdorur fjalën “rebelim” pasi nuk ka qenë revoltë. Nuk përmbushte asnjë nga elementët e revooltës. Ka qënë thjeshtë një rebelim, i shkaktuar nga reaksione emocionale të çastit.
Me respekt Lekë Imeraj – shkrimtar dhe përkthyes.
Materiali i marre nga https://www.facebook.com/leke.imeraj/posts/1909899042402508?hc_location=ufi
.

Familja Mirakaj - ne interrnime
Familja Mirakaj – (Leke Mirakaj ne qender) ne interrnime
Z. Imeraj!
Sa për sqarim.
Nuk jemi takuar asnjëherë bashkë. Nuk kam thanë as se keni ardhur me helikopter, as se keni shtypur rebelimin. Kam thane thjesht atë që e pohoni edhe Ju, se keni qene në vazhdim. Ju thoni për riedukim, ne thjesht e quanim “Dhunë”. Nuk besoj se keni ardhë për të pa se sa bukur na trajtojshin ish kolegët tuaj, që paskan hangër “lugën me çorbë të prishun!” Se çfarë kanë “shpifur” kolegët tuaj, nuk e di, se as atëhere dhe as sot nuk kam pasë kontakte me ta. Kam thanë se u plagos Gjordeni, nuk besoj se Ju e mohoni. Se çfarë thonë e shkruejnë individ të tjerë pak rëndësi ka për mue.
Sandër Sokoli vdiq në tortura, banu pak serioz, e si do thonte mjeku ligjor “vdiq në tortura”. Nuk e dij nëse keni qenë prezent kur “I paska ra infrakt Sandër Sokolit…” Mund t’i shmangeshit argumentit nëse nuk keni qenë prezent e t’i linit të tjerët të gënjejnë.
Nuk kam thanë se Ju personalisht na keni torturu, po Ju ishin i plotfuqishëm kur na torturonin. Gjatë asaj periudhe shumë pak nga të dënuemit nuk kanë kalue në birucat në kodër. Edhe unë kam qënë vizitor i tyne dhe dhjetë ditë rresht kam shijue metodat e riedukimit, nga “punonjësit socialë” E thashë ma sipër nuk jemi takue bashkë, po unë e dija kush jeni Ju, ashtu si e vija re kuriozitetin tuaj kur qëllonte që të shkëmbeheshim, ndoshta ishte kurioziteti, meqë ishim pak a shumë të së njejtës krahinë, e unë isha i biri i atij armikut që ndoshta edhe të parët tu mundet ta kenë pasë mik, e janë krenu me miqësinë e tij. Deri sa nuk pate përdorë sharjet, ishe në të drejtën tande për t’u shfajsu. Kur mungojnë të vërtetat dhe argumentat, hyjnë në veprim sharjet! Boll keq Leke, ja kishe kursy vehtes pak malsorllëk. Do miq tuej këtu në Amerikë janë edhe miq të mi. E unë herët ua kam pase thanë, kur ti i mburreshe se sa shumë kë ndërtue me të burgosunit… U kam folë për historinë e Qafës-Barit.
.
Lekë Mirakaj, ka lënë këtë shënim në faqen e Lekë Imerajt!


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.