back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Revolucioni që hëngri bijtë e vet! – nga Pëllumb Lamaj

Gazeta

Pellumb Lamaj
Pellumb Lamaj

Revolucioni që hëngri bijtë e vet!

nga Pëllumb Lamaj

Ishte herët në mëngjes kur në korridorin e birucave u dëgjuan hapa policësh dhe përplasje dyersh e llozësh. Nuk kaloi shumë kohë dhe hapat e gardianëve u ndalën përballë qelisë sime dhe pasi hapën derën, dy gardianë më shoqëruan te dhomat e hetuesisë, ku përgjegjësi i birucave më zgjati këpucët dhe një kuletë me fotografi që i kisha me vete ditën që isha arrestuar.
Më lidhën dorë për dorë me një tjetër të dënuar dhe na nxorrën në oborrin e burgut ku qëndronin edhe të dënuar të tjerë në rresht, e të lidhur dy nga dy. Pas disa minutash u hap porta e madhe prej metali dhe një makine e mbuluar krejt hekur që i shembëllente një makine frigoriferike, u fut brenda oborrit që rrethohej me mure të larta betoni ku në çdo cep qëndronte një vendroje ushtari me automatik drejtuar nga ne. Ishte ”autoburgu”, kjo makinë përbindësh që nuk ndalte së transportuari mijëra e mijëra fatkeqë të pafajshëm në gjitha skajet e Shqipërisë, ku egzistonin shumë kampe pune të detyruar. Ndërkohë që prisnim në radhë, të heshtur për të hipur në autoburg, nga porta e madhe u nisën drejt nesh kryetari i degës së brendshme Llambi Peçini i shoqëruar nga nënkryetari Meramet Hila. Na hodhën nga një shikim përbuzës përzjerë me urrejtjen artificiale pasi ne nuk kishim kryer asnjë faj as kundra tyre e as kundra popullit në emër të të cilit na kishin arrestuar e dënuar. Ndërkohë Meramet Hila, m’u afrua më vështroi me qesëndi e duke u ngërdheshur m’u drejtua:
”Të dolëm borxhit, por ti si armik e bir armiku, jo vetëm na refuzove, por dhe nuk pranove t’i bëje apel dënimit. Tani shko dhe nxirr mineral me thonj. Dhe dëgjo këtu: – m’u drejtua duke tundur një fshikull që mbante në dorë; – Harroje dajon dhe amerikanët se dhe po u kujtuan një ditë për ju, ne do ju vrasim juve të parët… dhe pastaj ata! – dhe u largua duke përplasur mbi beton çizmet e meshinës. E pashë gjithë urrejtje dhe në moment i thashë: 
”Le t’ia lemë kohës! Ajo do dëshmojë gjithçka. Ti do e ngresh i pari flamurin amerikan!”
.
Ideologu i marksizmit shqiptar - Zef Mala (1915-1979)
Ideologu i marksizmit shqiptar – Zef Mala (1915-1979)
Ai u kthye menjëherë si bishë dhe ngriti fshikullin për të më goditur, por zëri i Llambi Peçinit bëri që ta ulë dorën. “Lëre, mos u lodh kot me atë, me kokën që ka ai do ngordhë në burg!” – dhe u larguan të dy për nga zyrat e Degës së Brendshme që ishin jashtë rrethimit. Hipëm dy nga dy në autoburg ku na priste një errësirë e thellë që përzjerë dhe me heshtjen tonë të injektonte një ndjenjë frike. Autoburgu u nis dhe nje Zot e dinte se për ku…
Nuk di sa kohë kaloi dhe autoburgu ndaloi. Jashtë dëgjuam zëra e britma policësh që me përzjerjen e dyerve të hekurta na dhanë sinjalin se kishim mbrritur në destiancion. Dera e autoburgut u hap dhe policët na zbritën dy nga dy, siç ishim të lidhur. Për muaj të tërë s’kisha parë qiell dhe diell me sy e duke thithur ajrin e freskët dhe me sytë gjysëm të mbyllur drejt qiellit, ndjeva një lehtësi. Në oborr na mbajtën disa minuta dhe pasi na dhanë nga dy batanije të vjetra e të grisura që kundërmonin erë myk, na futën në një dhomë të madhe me krevata dërrase trekatëshe të mbushur me tym duhani ku mund të ishin rreth dyzetë-pesëdhjetë të dënuar. Vendosa bataniet në cepin e dhomës ku gjeta një hapësirë ku u shtriva i lodhur e i dërmuar.
Ishte herët në mëngjes kur u zgjova nga zhurma e britmave të policëve dhe përplasjes së kazanëve të supës. Ishte servirja e mëngjesit e pasi e gëlltitëm atë copë bukë dhe supën, policët na bënë shenjë për në banjo e pasi mbaruam nevojat personale na urdhëruan për në ajrosje. Ajrosja ishte oborri ku të dënuarit dilnin për tridhjetë minuta. Ishte një oborr rrethuar me mure të lartë betoni ku sipër mureve dalloheshin gardhet me tela me gjëmba dhe në çdo kënd truproja ushtarësh të armatosur. Disa të dënuar nisën të lëvizin nëpër oborr dhe të tjerë zunë nga një vënd rrëzë mureve për t’ju shmangur rrezeve të diellit. Zura dhe unë një qoshe pranë murrit dhe u ula në çimento. Një i dënuar m’u afrua dhe më zgjati një cigare. “Faleminderit, – i thashë, nuk e pi!” “Mirë për ty – më tha ai, por ja që helmi do helm e vetëm ky na ka mbetur. Bën mirë të lëvizësh pak -vazhdoi ai – je i ri, e në Spaç të presin galeritë!” – dhe nisi të lëvizë nëpër oborr.
Në çast e kuptova që ajo që quhej ajrosje pas gjithë atyre torturave në qeli nuk ishte gjë tjetër veçse metoda që përdornin vrasësit tanë për të na ringjallur nga kufomë që ishim katandisur në skllevër të përjetshëm, por me një ndryshim nga skllevërit, shpresa për të fituar lirinë tek ne nuk do të egzistonte dhe këtë e mësova më mirë kur shkova në Spaç dhe pashë me sytë e mi se si arrestoheshin sërish ditën që mbushnin dënimin pa dalë nga kampi duke marrë një dënim të ri. Duke vështruar herë muret e larta prej betoni e herë qiellin që dukej i copëtuar nga telat me gjëmba dhe ata fatkeqë që zvarriteshin në oborr ashtu të çoroditur, zhele-zhele dhe pa shpresë, një i dënuar që rrinte ulur me një tjetër të moshuar e me syze ma bëri me dorë të shkoja pranë tyre.
U çova dhe u ula në atë pak hije ku qëndronin dhe ata këmbëkryq. 
”Në mos gaboj, ti erdhe dje nga hetuesia?” – m’u drejtua ai.
“Po, – i thashë – nga ju kemi?”
“Nga Vlora!” -ju përgjigja.
“Sa të kanë dënuar?” – vazhdoi ai.
“Pësembëdhjetë vjet!” – i thashë
“Sa vjeç je?”
“Nëntëmbëdhjetë!” – ju përgjigja shkurt.
“Eh mor bir, – psheretiu ai, unë e kam filluar që nga dyzetepesa hyr e dil! A do ta ndezësh një cigare?”
“Faleminderit, – i thashë – po nuk e pi!”
“Unë po shpij pak këmbët – më tha ai – ti mund të bësh pak muhabet me Zefin!” – dhe nisi të ecë me hapa të ngadaltë.
Kaluan disa çaste dhe burri i moshuar që rrinte krrusur me një palë syze të mëdha miopi theu heshtjen, por pa lëvizur kokën e me vështrimin ngulitur larg.
“Eh mor bir, ti je i ri e me moshë kalohet çdo gjë!”
“Ashtu është!” – i thashë
“Në Vlorë kam pas miq, Sadik Premten, Mynyr Xhindin, Neki Ymerin e të tjerë!”
“Më falni, – i thashë, – por nga ju kemi?” 
”Nga Shkodra, Zef Malaj më quejnë!”
Në çast një ndjenjë emocioni më përshkoi të tërin. I burgosuri që bisedoja ishte një nga protagonistët e lëvizjes komuniste në Shqipëri, të cilin si shumë të tjerë Enver Hoxha e kishte eleminuar dhe quajtur antimarksist e që emrin e tij e kisha ndeshur në tekstet shkollore të Historisë së P.P.SH. Ai ishte dënuar që në fillimet, kur banda bolshevike e Hoxhës erdhi në pushtet me burgje e internime… e tani i verbuar, ngryste vitet e pleqërisë në burg.
“Emrin tuaj e kam dëgjuar dhe lexuar në tekstet shkollore – i thashë – dhe më vjen mirë që bisedojmë. Edhe personat që ju më përmendet i kam dëgjuar të përmenden në bisedat familjare! – vazhdova – Sadiku është në Francë ndërsa dy të tjerët besoj edhe ti e di, si i vranë nga prapa shpine!”
Ai mbështeti kokën pranë murit të betonte dhe pasi mori frymë thellë vazhdoi: “Të gjithë ne që ishim kundër jugosllavëve e paguam në një formë a në një tjetër. Më vjen mirë që dike gjëra që nesër historia t’i shkruajë se s’ka më mallkim se një popull që nuk shkruan historinë e tij të vërtetë!”
“Më falni, – vazhdova – a mund t’ju bëj ndonjëe pyetje?”
“Po, – vazhdoi ai pa lëvizur kokën, nëse ka përgjgje për to!”
“Si ka mundësi, – i thashë – që Enver Hoxha një aventurier që s’mbaroi dot një vit në universitet me burs shteti pa qenë as kryetar grupi komunist u vu ne krye të lëvizjes dhe PKSH?”
Ai tundi kokën e pas pak m’u përgjegj.
.
Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit
“Ka vetëm, vetëm një fjalë: Jugosllavët! Ne ishim të rinj, me ëndrra, kishim qenë me studime jashtë shtetit në vende të qytetëruara dhe donim që edhe atdheu ynë të zhvillohej. Përqafuam një Lëvizje që nuk e dinim fundin, ndërkohë që Hoxha u dirigjua dhe u përkrah nga emisarët serbë, të cilët e dinin shumë mirë si vihej në pushtet. Takimin e fundit me Miladin Popoviçin e pata aty nga vera e vitit 1944, dhe pasi biseduam për pak kohë, më tha të dilnim jashtë për pak ajër të freskët. Bëmë disa hapa dhe ai ndali e m’u drejtua: Zef, çfarë mendimi keni për Kosovën. Në çast unë ju përgjigja lirshëm: Kosova është shqiptare dhe do të zgjidhet me plebishit! Ky do të ishte dhe takimi i fundit me Miladinin. Prej asaj dite, si shumë të tjerë unë do të konsiderohesha armik i partisë dhe jeta ime do të përfundonte si shumë të tjerë, në kampe, burgje, internime. Emisarët serbë injektuan vrasjet pas shpine dhe terrorin, ndërkohë që ne si komunistë të moderuar ashtu dhe nacionalizmi nuk ishim të përgatitur për luftë civile. Natyrisht që s’duhet mohuar dhe faktori i jashtëm që ishte dhe vendimtari!”
Ndërkohë u dëgjua zëri policit që na bërtiste të futeshim brenda. Ishte herët në mëngjes. Të nesërmen kur një i burgosur i shoqëruar me disa policë hyri në dhomën tonë dhe nisi të lexojë një listë me emra përfshiu dhe emrin tim. Kush dëgjoi emrin të marrë sendet personale e të dal në oborr. Në Spaç – tha dikush që kishte ardhur për në spital e priste të kthehej në kamp. Shkova pranë qoshes ku qëndronte Zefi dhe i thashë që po na transferojnë për në Spaç, duke i shtërnguar dorën.
“Zoti qoftë me ju!” – më tha me një zë të mekur.
“Edhe juve ju dhëntë zoti shëndet – vazhdova – dhe dalçi shëndoshë nga spitali!
Ishte fund dhjetori. Kishin kaluar disa muaj dhe nga një i dënuar që vinte nga spitali i burgut të Tiranës mësuam se Zef Malaj kishte vdekur. Ashtu si Tuk Jakova e Halim Xhelo edhe protagonistit të lëvizjes komuniste dhe kryetarit të grupit komunist të Shkodrës, Zef Malaj i ishte mbyllur përfundimisht goja. Ate natë në errësirën e galerisë së piritit në zonën e dytë, nuk më ndahej fytyra e Zef Malajt. Dhe vetvetiu thellë nga shpirti më dolën disa rreshta:
E moj kuçedër e kuqe/ Si nuk u ngope me gjak
Edhe pjellën tënde hëngre/ Si s’të plaska ai bark.

.
*Ditari i Burgut
 Spaç, Dhjetor 1979
marrë nga gazeta DIELLI
.
Zef Mala (Shkodër, 14 prill 1915 – Tiranë, 26 dhjetor 1979) – publicist dhe intelektuali më në zë i së majtës shqiptare. Themelues dhe kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe i Partisë Komuniste Shqiptare. I dënuar në periudhën e Mbretërisë, të Pushtimit dhe të komunizmit. Vdiq në burg! dhe në Në vitin 2002 u botua vëllimi “Vox Populi” nga të bijat, një përmbledhje e veprës së tij të shkruar. I cilësuar nga P. Zef Pllumi si njëri prej intelektualëve më ndikues të Shqipërisë së Re, është gjithashtu një ndër komunistët e orëve të para që ka shprehur pendim për kontributin për fitoren e kolerës së zezë që mbolli zi, lotë, gjak dhe helm në zemrën e një populli të shumëvuejtun.
Marre nga wikipedia
.

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.