Rikthimi i Ivanajt përmes veprës së plotë të Lazër Radit
nga Jozef Radi
Rikthimi i figurës së intelektualit dhe eruditit Mirash Ivanajt, përmes një botimi të ri, tashmë të plotësuar e të redaktuar me kujdes, 23 vite mbas botimit të parë prej Dr. Lazër Radit, është një ngjarje që meriton vëmendje dhe përshëndeje. Edhe pse ky lloj vlerësimi nuk bën më pjesë në etikën tonë, le ta trajtojmë këtë rikthim të plotë si pjesë e korpusit të veprës së plotë të autorit, me ngjyrat më të thjeshta të mundshme, si dëshmi e një pune që s’ka rreshtur së plotësuari, edhe pse vazhdimisht ka shkuar dhe mund të shkojë e vënë re, e patrajtuar si duhet po edhe e shpërfillur qëllimshëm… Kjo gjë tashmë nuk përbën risi, dhe pak rëndësi ka. E rëndësishme është që sot, (22 shtatori i vitit 2018 përkon edhe me rastin jubilar të 65 vjetorit të largimit nga jeta të profesor Mirash Ivanajt) kjo vepër rivjen në formën e saj më të plotë, me gjithë përpjekjet e autorit në të gjallë të tij, për ta plotësuar, saktësuar dhe pasuruar, dhe të përcjellë në kohra më të paqshme e më zemërgjera ndaj vlerave dhe personazheve. Kjo vepër tashmë e plotë, duhet konsideruar si ndër përpjekjet më serioze për ta sjellë sa më të vërtetë, më të plotë e nga më sa më shumë burime figurën e profesor Ivanajt, po njëherësh edhe për të dëshmuar se nuk ka qenë fort e lehtë për t’ia mbrritur kësaj pune.