back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ringjallja e Enver Hoxhës nga Frank Shkreli

Gazeta

Frank Shkreli
Frank Shkreli

Ringjallja e Enver Hoxhës nga Frank Shkreli

Nuk mjaftonte portreti po duheshin edhe ylli i kuq dhe drapri e çekani të bolshevizmit kriminal stalinian. Turpi i kalon kufijtë dhe fyerja ndaj popullit shqiptar është një akt neveritës i pashembëllt. “Koka bën, koka pëson”, për të keqën e tyre e kanë, sepse në koshin e plehrave kanë me perfundue. Shqiptarët e din mirë se ç’kriminelë ishin po ata që kanë dalë me i ba homazhe atij varrmihësi të Shqipërisë e të shqiptarve. Djajtë e kuq vazhdojnë të adhurojnë kryedjallin e tyre që piqet në flakët e ferrit, ku do të përfundojnë dhe ata vetë. Luciferi do të jetë shumë i kënaqur që po i shtohen rradhet e djajve, por edhe ka frikë mos i marrin pushtetin, dhe prandaj i pllakos në rrathët më të thellë të fundit të skëterrës dhe jo si në Shqipëri ku kullosin të patrazuar, bile akoma me privilegje që u akordohën bujarisht nga pushtetarët e rij me huqe të vjetra dhe me teserat e kuqe të partisë në xhepin nga ana e zemrës, aq e qajnë kohën e shkuar kur merhumi diktator u fërkonte kokën dhe i përkëdhelte, pavarsisht se pastaj ua këpuste kokën fët, dhe ata e falendëronin për këtë akt, dhe i thur lavde edhe para vdekjes: “rrofsh sa malet”, pse ishte meritë të humbësh jetën nga dora e këtij far xhelati, ose të kalbësh në burg duke i uruar çdo vit ditëlindjen. Të tillë pra janë veteranët nostalgjikë të shtrigës parti.
O zot si e lejon një të tillë mynxyrë!!!
Redaksia e Revistës “Kuqe zi”

Numri jubilar i revistës "Kuq e zi"
Numri jubilar i revistës “Kuq e zi”

Thonë se është pjesë e historisë, andaj si i tillë duhet të respektohet, madje edhe në ceremoni zyrtare, siç ndodhi me vendosjen e portretit të diktatorit komunist shqiptar, siç duket në fotografi, pas kryeministrit, në ceremoninë zyrtare të përkujtimit të 29 Nëntorit. Në vend që Enver Hoxha dhe regjimi i tij gjakatar të akuzohen për krime politike dhe abuzime ndaj popullit të vet, portreti i Enver Hoxhës, i cili konsiderohet si njëri prej diktatorëve më të mëdhej të Europës dhe të botës shpaloset, për herë të parë pas rënies së komunizmit në Shqipëri, gjatë një ceremonie të sanksionuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare.
Nuk duhej të ndodhte një gjë e tillë! Pse ndodhi kjo, kush e vendosi dhe kush e miratoi praninë e portretit të diktatorit? Asnjë njeri nuk ka dhënë ndonjë përgjigje zyrtare, as qeveria as ndonjë zëdhënës i saj. Por analistë kanë mbrojtur këtë masë, duke komentuar aty këtu se pse mos të vendoset portreti i Enver Hoxhës, pasi ai është pjesë e historisë shqiptare dhe si i tillë porteti i tij e ka vendin dhe meriton të vendoset në një ceremoni shtetërore siç ishte ajo e 29 Nëntorit.
Fatkeqsisht, është e vërtetë se Enver Hoxha është pjesë e historisë shqiptare, por ky fakt nuk justifikon glorifikimin e tij, duke ngritur portretin e tij gjatë një ceremonie që synonte nderimin dhe kujtimin e sakrificave të dëshmorëve të kombit. Unë nuk sugjeroj që Enver Hoxha të fshihet nga historia. Përkundrazi, ai është pjesë e historisë, andaj si pjesë e historisë që ai është, Enver Hoxha nuk duhet të harrohet kurrë, por të kujtohet si njëri prej diktatorëve më të njohur të botës për tmerret dhe krimet e regjimit të tij kundër një popullësie të pafajshme. Historia shqiptare nuk e zgjodhi atë.
Ai iu imponua historisë shqiptare nga agjentët sllavo-komunistë. Këtë gjë nuk e meritonte kombi shqiptar, dhe as historia shqiptare nuk e meritonte Enver Hoxhën. Për më tepër, as Shqipëria e sotme nuk e meriton portretin e tij. Enver Hoxha duhet të mbahet mend si dishepulli më i devotshëm i Stalinit, diktatorit, i cili vrau e preu, burgosi dhe dërgoi miliona njerëz të pafajshëm në kampet e përqëndrimit duke krijuar një gjenocid të vërtetë në ish Bashkimin Sovjetik dhe në Europën Lindore, njësoj si Hitleri, mos më shumë. Enver Hoxha vrau e internoi me mijëra familje shqiptare, që nuk ishin dakort me sistemin e komunist që ai i imponoi vendit dhe kombit, por ai njëkohësisht spastroi me dhunë edhe radhët e Partisë Komuniste, disa nga më të afërmit e tij ideologjikisht, përfshirë edhe zhdukjen e ajkës intelektuale të vendit, të kohës së tij. Është e vërtetë se ai nuk vrau e preu sa Hitleri dhe Stalini, jo se nuk ishte i aftë moralisht të bënte një gjë të tillë, por sepse nuk kishte as miliona shqiptarë për të vrarë dhe as hapësirën gjeografike për të bërë krime të tilla, jo se nuk kishte vullnetin dhe dëshirën për të zhdukur ata që ai i konsideronte armiqtë e tij dhe të sistemit komunist që ai përfaqsonte, qofshin qenë ata edhe me miliona në numër.
Krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij komunist duhet të jenë patjetër pjesë e historisë, ashtu siç janë krimet e nazismit, komunizmit dhe krimet e të gjithë diktatorëve anë e mbanë botës, me qëllim që ato regjime dhe krimet e tyre kundër njerëzimit, të mbahen mend për personifikimin e vërtetë të natyrës së të keqes dhe që krimet e tyre të mos harrohen kurrë nga brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.
Enver Hoxha dhe regjimi i tij duhet të kujtohen në histori për aleancat e tija ideologjike me armiqët, historikisht, më të mëdhej të kombit shqiptar, të cilët nuk ia donin të mirën shqiptarëve as atëherë, as sot, as kurrë, duke filluar nga lidhjet e ngushta të tij dhe të komunistëve shqiptarë me sllavo-komunistët e Titos, të cilët në të vërtetë e krijuan Partinë Komuniste Shqiptare, kët pjellë të huaj sllavo-aziatike. Pastaj, historia duhet t’i njohë Enver Hoxhës ”meritën” e madhe fatzezë për kombin shqiptar, edhe për lidhjet e tija të ngushta me diktatorët më të egër që ka njohur shekulli i kaluar: Lidhjet e tija me Stalinin, aleancën me Mao Tse Tungun e Kinës së Kuqe që çoi si rrjedhim, në një spastrim të kulturës dhe traditave shekullore shqiptare, përfshirë edhe zhdukjen e të drejtës për të ushtruar lirshëm besimin, ndërkohë që mori vendimin absurd, duke shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë.
Më në fund, ai u prish me të gjithë këta, ndonëse të gjithë ata i kishin parë gënjeshtrat e sistemit të tyre, që sipas Enverit, të gjithë kishin devijuar nga rruga e drejtë e marksizëm-leninizmit dhe e deklaronte veten si i vetmi marksist-leninist i vërtetë në botë!!

29 Nentori 2013 Varrezat e Kombit
29 Nentori 2013 – Varrezat e Kombit

Aty nga fillimi i viteve ’70, Enverit nuk i kishte mbetur mik në tokë, iu shuan flakët e revolucionit ndërkombëtar, u ndërprenë aleancat ideologjike dhe mbeti i vetëm duke ushtruar, në emër të “komunizmit të vërtetë” shtypje e mizori mbi popullin shqiptar pa kurrfarë ndëshkimi nga askush. Me fjalimet e tija ai sugjeronte se ishte një zë i diskredituar – brenda dhe jashtë vendit – që i fliste vetvetes në errësirën shpirtërore dhe morale që kishte kapluar jo vetëm atë personalisht  dhe regjimin e tij, por fatkeqsisht edhe gjithë Shqipërinë.
Si burrë shteti që ishte, ai fliste haptas për përdorimin e dhunës për të likuiduar armiqtë e modelit të tij komunist, sidomos brenda vendit, gjë që e realizoi me shumë sukses dhe i shpalli luftë gjithë botës. Realiteti ishte Enveri kudo, kurdoherë dhe përgjithmonë…
Enver Hoxha duhet të jetë pjesë e historisë shqiptare, jo për t’u venë në piedestal, por për t’u studiuar nga historianët e paanshëm me qëllim për të zbuluar të vërtetën e mizorive të regjimit të tij. Sa familje shqiptare të ashtuquajtura “të prekura” njohim secili prej nesh, që në një mënyrë o në një tjetër, vuajnë edhe sot e kësaj dite, brez pas brezi, pasojat e atij sistemi, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Enver Hoxha dhe regjimi tij duhet të njihen dhe të studiohen nga historia me qëllim që krimet e tij kundër njerëzimit të zbulohen dhe të dokumentohen me shpresë që të mos përsëritën më.
Shpalosja e portretit të Enver Hoxhës në atë tubim zyrtar në Tiranë ishte një shuplakë ndaj viktimave të komunizmit dhe familjeve të tyre në Shqipëri dhe kudo të përhapur nëpër botë. Ishte një glorifikim dhe justifikim i paturpshëm i krimeve të regjimit të Hoxhës.
Në vend që Tirana zyrtare të riabilitojë figurën e Enver Hoxhës, të hapë dosjet që shqiptarët dhe bota të shohin krimet e regjimit të tij! Përndryshe, siç ka thënë edhe fituesi i Çmimit Nobel, Elie Viezel, “Cila është alternativa? Për të mos thënë të vërtetën? Të lejohet që e vërteta të zhduket? Të lejohet që e vërteta të zhduket së bashku me viktimat?” Siç duket, ky ishte qëllimi i atyre që shpalosën portretin e Enver Hoxhës më 29 Nëntor.
Shpalosja e portretit të Enver Hoxhës më 29 Nëntor, ishte në të vërtetë një kurorëzim i mosveprimit të politikës shqiptare të këtyre 20-viteve të kaluara, e cila ka refuzuar të hapë dosjet, ka heshtur ose aktivisht ka mohuar dhe përgënjeshtruar të vërtetën mbi krimet e regjimit të Enver Hoxhës si dhe të vërtetën mbi vrasjet dhe zhdukjen e mijra viktimave të këtij regjimi, fati as varrezat e të cilëve nuk dihen as sot.
Megjithëse fjala gjenocid qe përdorur fillimisht për krimet që kanë ndodhur në kampet naziste të përqëndrimit për të përshkruar masakrat naziste dhe Gulagun komunist sovjetik, përcaktimi i kësaj fjale i referohet edhe akteve që regjime të ndryshme komuniste, përfshirë regjimin enverist, kanë ndërmarrë gjatë qeverisjes së tyre, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ”Me qëllim për të zhdukur pjesërisht ose në terësi, një grup nacional, etnik, racial ose fetar”, e që sipas OKB-së përfshinë edhe dëmet mendore dhe kufizimet e ndryshme ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Quaje si të duash, luftë klasash ose gjenocid, kjo ësht historia e komunizmit jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë. Andaj, Enver Hoxha si përfaqsuesi kryesor i këtij regjimi, do e s’do, është pjesë e kësaj historie të tmerrshme të kombit shqiptar, por kjo nuk justifikon që portreti i diktatorit Hoxha të shpaloset gjatë një ceremonie zyrtare, të sponsorizuar nga qeveria e sotme shqiptare, për herë të parë të këtyre 20 e sa vjet pas rënies së komunizmit. Duke gjykuar nga heshtja zyrtare e Tiranës, duket se vendimi për ngritjen e portretit të Enverit është marrë me aprovimin e plotë të udhëheqjes më të lartë të qeverisë shqiptare.
Kë donte të kënaqte qeveria duke lejuar një spektakël të tillë më 29 Nëntor? Është për t’u habitur për arrogancën e heshtjes që pasoi këtë vendim, megjithë kërkesat nga organizata të përndjekurish dhe nga media për një shpjegim zyrtar të shpalosjes së portretit të diktatorit. Askush nuk ndjen asnjë përgjegjësi për të shpjeguar arsyet e marrjes së vendimit për vendosjen e portretit të dikatorit në një ceremoni të tillë dhe në një vend publik, për herë të parë në dy dekadat e fundit të Shqipërisë postkomuniste. Me këtë heshtje, papërgjegjësia institucionale ka arritur kulmin!

29 nentor 2013
29 nentor 2013

Ndryshe nga Kuvendi i Shqipërisë, Parlamenti europian ka miratuar një numër rezolutash dhe deklaratash për të kujtuar dhe nderuar viktimat e komunizmit dhe ka caktuar 23 Gushtin si ditën për të kujtuar me, “dinjitet dhe paanëshmëri”, të gjitha viktimat e regjimeve totalitare dhe autoritare. Për ata që mund të kenë harruar natyrën e vërtetë të komunizmit, Komisionerja për Drejtësi e Bashkimit Europian, Viviane Reding ka thënë se, “Regjimet totalitare përfaqësojnë mohimin e dinjitetit njerëzor si dhe shkeljen e të gjitha të drejtave themelore të shoqërive tona, të ndërtuara në bazë të demokracisë dhe të respektit për rendin dhe ligjin. Ne jemi të detyruar që viktimave të këtyre krimeve, si dhe familjeve të tyre t’u ofrojmë simpatinë, mirëkuptimin dhe të jemi të vetdijshëm dhe të ndërgjegjëshëm ndaj vuajtjeve të tyre. Çdo viktimë e cilitdo regjim totalitar ka të njëjtin dinjitet njerëzor dhe si e tillë meriton prej nesh drejtësi, kujtesë dhe njohje të vuajtjeve të tyre!”.
Të nderuar pushtetarë të qeverisë dhe të Kuvendit shqiptar: Ju e shpalosët zyrtarisht portretin e Enver Hoxhës, po kur do të kujtoni dhe të “nderoni me paanëshmëri” edhe viktimat e pafajshme të regjimit të tij?
(Marrë nga revista “Kuqezi” nr. 79/2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.