back to top
15.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Ringjallja e shtypit – Përshëndetje Arbërisë Dr. Lazër Radi

Gazeta

Lazer Radi 1916-1998
Lazer Radi 1916-1998

Ringjallja e shtypit – Përshëndetje Arbërisë nga Dr. Lazër Radi

“…Këto fjalë janë t’urta, të vërteta e që i kanë hije një atdhetari të vërtetë. Është nevoja t’u mbushim mendjen shqiptarve, se shpëtimi i tyre, buka e tyre do të dali nga vullneti, nga forca e karakterit të tyre, nga puna. Puna e bekuar, e hijshme, puna që s’e pakson njerinë, por e rrit e bën burrë dhe njeri të vërtetë…”
Faik Konica (Revista Albania)

E njoha “Arbërinë” që në vogëli të saj. E pashë të zbukurohej e të bahesh e mençun. Siç të gëzon nji fëmijë i mbarë që rritet mirë, ashtu të gëzon edhe nji organ kulturor që fillon i pakët, por me synimin për me kërkue dhe për me gjetë vetveten… Për afro gjysëm shekulli të diktaturës së kuqe, në Shqipëri u arrit të mohohet gjithçka e vlerë në fushën e kulturës dhe të mendimit shqiptar. Mohimi ishte pak. U bà çmos që të zhbihet me rrënjë nga trualli i kësaj toke.
Dy brezat e fundit të rinisë sonë qenë ata që paguan ma randë kët përndjekje kulturore.
Në kushtet e nji varfnie ekonomike dhe të mosnjohjes së plotë të krijuesve dhe të shkrimtarve të mëdhenj të kohës parakomuniste, e vështirson ripërtëritjen dhe riprodhimin e ayne veprave që janë aq të nevojshme sot, jo vetëm për ngritjen patriotike të rinisë sonë, po edhe për formimin e tyne kulturor.
Është dicka që nuk mund të mohohet: Gjatë diktaturës shumë letër u nxi e shumë botime u nxorrën në treg! Tragjedia niste aty ku mediokrit e kulturës, konsideronin si të përsosun, si kulm letrar e mendor çdo gja që shtampohej prej tyne!

Revista Arbëria 10 -1993
Revista Arbëria 10 -1993

Breza të tanë u përkundën në djepin e gënjeshtrave dhe mashtrimit. Sa keq për kët rini të masakrueme intelektualisht. U vranë, u burgosën, u dëbuan me qindra kollona të inteligjencës shqiptare. Nuk them se me këta që mbetën në Shqipëri dhe që u konformuen nuk u nxi letër!! Po çfarë u shkrue? Vetëm mashtrime, vetëm gënjeshtra, vetëm dizinformim. Doni nji vërtetim për këtë? Shihni libraritë e qyteteve të kthyeme në dyqane zarzavatesh!
U vra kultura. U vra mendimi shqiptar.
Ishim studentë, konviktorë, – me mjete shumë të pakta financiare… – e megjithatë, prisnim pa durim, ditën e caktueme të daljes së nji reviste ose periodiku! Me ankth e me dëshirë të ndezun prisnim poezitë, prozën letrare, studimet aq të çmueshme, polemikat aq interesante në të gjitha fushat e mendimit dhe kulturës. Ku janë sot revistat që shënuën epokë në lëvizjen intelektuale shqiptare? Ku asht “Hylli i Dritës”, ku asht “Përpjekja shqiptare”, ku asht “Illyria”, ku asht “Shkëndija”, ku asht “Bota e Re”? Ku janë??!!
Ku do të ishte sot mendimi shqiptar sikur dora mizore mos ta ndërpriste daljen e këtyne periodikëve dhe zhdukjen e tyne, nga qarkullimi?Si do t’ishim sot nga kjo pikpamje sikur mos t’ishin masakrue aq tërbueshëm njerëzit e ditunisë dhe kulturës. Kemi humbë kohë? Sigurisht!!! Për me e fitue kët kohë të humbun, do të na duhen përpjekje të mëdha, do të na duhet që njerzit e sidomos rinia, të familjarizohet me dituninë, me mendimin, me lirinë e mendimit, e mos të kërkojnë nëpër kioska “Erosin” apo “Kunjin” etj., etj., por revistat e kulturës, të mendimit, të ditunisë. Kjo ka me na ndihmue me ecë përpara e ti afrohemi Evropës.
“Arbërisë” i uroj me gjithë zemër që të bahet nji revistë e kërkueme, nji revistë që sado pak të mbulojë boshllëkun e madh shpirtnor të krijuar në fushën e kulturës në vendin tonë. Me njerëz të përkushtuem, serioz e të ditur, mund t’ia arrijë qëllimit fisnik. (Arbëria 10, prill 1993)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.