Rishkrimi i Historisë, nevojë e Shoqërisë
nga Av. Xhafer Sadiku
Pyetja që bëhet shpesh se a duhet rishkruar historia e Shqipërisë, më shumë se një përgjigje kërkon një analizë për të qartësuar disa çështje, si: Kur është shkruar historia? Kush e ka shkruar? Mbi cilat kritere? A pasqyron të vërtetën?
Që në fillim duhet thënë se ne nuk kemi patur traditë në historiografi me përjashtim të disa botimeve me iniciativa private, por që nuk mbështeteshin në dokumente arkivore. Të vetmet botime, disi të besueshme, ishin ato të gazetarëve të huaj me mision në Shqipëri.
Përpjekjet e para serioze u bënë nga Mbretëria Shqiptare më 1937, me rastin e festimeve të 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. U krijua komisioni shtetëror i quajtur “25 vjet vetëqeverim”, me degët e tij në nënprefektura. Komisioni e përqendroi punën në grumbullimin e dokumenteve dhe listimin e atyre që do të nderoheshin me atë rast.
Me gjithë punën e mirë as ai nuk i shpëtoi subjektivizmit, ç’ka vërehet me lehtësi po të studiohet dokumentacioni i fondi përkatës. Duhet theksuar se ato vite nuk pati ndonjë botim të mirëfilltë të historisë, por si arritje e rëndësishme duhet konsideruar krijimi i Arkivit Qendror të Shtetit dhe Bibliotekës Kombëtare.
Me fitoren e komunistëve, ata i dhanë rëndësi të veçantë propagandës dhe përgatitjes së teksteve për shkollat, e në janar 1945, përcaktuan kriteret për shkrimin e historisë së Shqipërisë dhe historisë së letërsisë shqipe.
Letërsia dhe arti ndikojnë në ndryshimin e botës, ndërsa historiografia në indoktrinimin kombëtar. Duke qenë kështu, Partia Komuniste (PPSH) përcaktoi si kriter të vlerësimit të njerëzve qëndrimin ndaj regjimit.
Sipas këtij parimi u bë ndarja i mirë – i keq, patriot – tradhtar, ndërsa raportet me faktorin ndërkombëtar, rajonal e fuqitë e mëdha, u përcaktuan sipas ndarjes mik – armik.
Ky quhej parimi i luftës së klasave, i ngritur në normë kushtetuese. Në fakt, klasa nuk kishte pasi që ato u zhdukën, por ishte lufta e pushtetit komunist kundër një pjese të popullit të quajtur si armike.
Sipas këtij “parimi”, kundërshtarët politikë të PKSH, si Balli Kombëtar dhe Legaliteti, u konsideruan bashkëpunëtorë me pushtuesin dhe u demonizuan nga historiografia, letërsia dhe arti. Patriotë me influencë, kundërshtarë realë apo të supozuar të Partisë, u shpallën armiq dhe iu mohua kontributi i tyre në të mirë të Atdheut. Këtij rregulli iu nënshtruan edhe krerë të PKSH (PPSH) që u dënuan nga shokët e tyre si “tradhtarë”.
Botimi i tekstit të Historisë së Shqipërisë, më 1965, është dëshmia më e mirë e hartimit të historisë duke u bazuar jo në dokumente dhe kritere shkencore, por në veprat e marksizëm-leninizmit dhe kujtimet e krerëve komunistë të Shqipërisë. Bibliografia e tekstit e vërteton plotësisht sa u tha më sipër.
Kështu, vetiu vjen përgjigja se historia duhet rishkruar. Por cilat do të ishin rrugët që duheshin ndjekur?
Megjithëse ka kaluar një çerek shekulli dhe kanë ndodhur shume ndryshime, këto vërehen pak në historiografi dhe historinë e letërsisë. Po të lexohen tekstet e botuara nga institutet e vendit, konstaton se, atyre që historiografia zyrtare i njeh si figura pozitive, u janë fshehur të metat duke i kthyer në mite, ndërsa të tjerëve që “njihen” si “tradhtarë” u janë fshehur anët pozitive dhe sakrificat për Atdhenë, duke vazhduar demonizimi i tyre. Kjo verehet edhe në historinë e letërsisë, ku vazhdon mitizimi i autorëve të realizmit socialist, ndërsa nuk u është dhënë vendi që meritojnë shumë të tjerëve, pa përmendur këtu shumë të rinj të talentuar. Natyrshëm lind pyetja: Çfarë mund të ndryshonte?
Së pari, duhet ndryshuar metodologjia dhe qasja ndaj historisë. Kriteri bazë duhet të ishte e vërteta dhe rruga për tek ajo shkon nga dokumentacioni arkivor.
Së dyti, pasqyrimi i periudhave të historisë të bëhet një e tërë dhe jo e fragmentarizuar. Fjala vjen, periudha e pushtimit (1939-1944), duhet pasqyruar e plotë, e pashkëputur, e parë nga disa këndvështrime dhe vlerësimi i provave të bëhet me të njëjtin kriter.
Së treti, duke vënë në dukje anët pozitive dhe negative të subjekteve për të cilët shkruhet, qartësohen kontributet e tyre jo në raport më Partinë, por me Atdheun.
Së katërti, duhej që krahas tekstit të historiografisë zyrtare të ishte edhe teksti alternativ. Natyrisht, jo siç ka ndodhur deri më sot, kur më alternativ është kuptuar vetëm ndryshimi i emrit të autorit dhe jo përmbajtja e tekstit.
Rishkrimi i historisë vetëm mbi kritere shkencore do t’i shërbente edukimit të brezave me të vërtetën, të shkëputjes së shoqërisë nga e kaluara dhe vendosjes së paqes sociale, të munguar prej 73 vjetësh.