back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Robert Prifti, shkrimtari që shkroi në diktaturë 45 vjet letërsi klandestine me gjuhën e Dantes – Dhurata Hamzai bisedoi me Edgar Priftin

Gazeta

Robert Prifti - 45 vjet Letërsi klandestine nën diktaturë
Robert Prifti – 45 vjet Letërsi klandestine nën diktaturë

Robert Prifti, shkrimtari që shkroi në diktaturë

45 vjet letërsi klandestine me gjuhën e Dantes

Edgar Prifti bisedoi Dhurata Hamzai

I biri, Edgar Prifti, njëshi i basketbollit të “Partizanit” në vitet ’80,
në një intervistë ekskluzive për Report TV rrëfen:
Si shkroi Robert Prifti për diktaturën dhe pasojat vepra origjinale në italisht.
Shkrimet minucioze me lupë dhe romani klandestin që shkoi në Itali në ‘87-n.
Historia e panjohur e dorëshkrimeve që u botuan pas 45 vjetësh e të tjera.
Edgar Prifti bisedoi Dhurata Hamzai
.
Robert Prifti (1925-1993)
Robert Prifti (1925-1993)
Robert Prifti! Ai është një autor i letërsisë shqipe, i më të lirës krijimtari të shkruar ndonjëherë në periudhën e diktaturës komuniste. Lindi në Korçë më 15 dhjetor të vitit 1925, dhe u largua nga jeta më 22 tetor të vitit 1993 në Tiranë, ende pa e parë të botuar veprën e tij.
E nisi krijimtarinë nga fillimet e viteve ’50, në Shqipërinë e diktaturës, aty në zgrip të ndonjë pushkatimi apo varjeje në litar, sikur ngjau me Vilson Blloshmin, Trifon Xhagjikën apo Havzi Nelën. Zotërues i mbi pesë gjuhëve, por edhe i një kulture të gjerë e diturive të rralla, Robert Prifti shkruante në vende të fshehta transkripte me lupë, në gjuhën italiane nën dy pseudonime “Robert Elin” e “Trevor Elin”.
Prej manuskripteve të ngjizura imët, letërsia e Robert Priftit, do të bëhej e njohur pasi të mërgonte në mënyrë klandestine, për t’u botuar së pari në gjuhët që ishte shkruar, shumica në italisht. Vite më pas, një pjesë e veprave nisën të përktheheshin nga i biri Edgar Prifti në gjuhën shqipe. Në Itali janë bërë objekt studimi, por në Tiranë të paktë janë ata që e kanë drejtuar vëmendjen nga letërsia e Robert Priftit…
Por ora e kujtesës troket sërish… Djali i Robertit, Edgar Prifti, ish basketbollisti i Partizanit në vitet ’80, lojtari inteligjent i skuadrës që vlerësohej dhe kërkohej edhe nga trajnerët e huaj, fanella numër 4, që sot mban titullin “Mjeshtër i Madh” – rrëfen në një intervistë ekskluzivisht për Report Tv, odisenë e një krijuesi të rrallë të letërsisë shqipe. Edgari zgjedh të flas përtej të qenit biri i Robert Priftit, ku na jep mundësinë të njihemi me një degëzim të ri të historishkrimit të letërsisë shqipe; kolanën e rrallë me 8 vepra, që shënohet me romanet, “Shenjtori i dhunës”, “Dielli i të vdekurve”, “Syri i Polifemit”, etj, me veprat filozofike, me poezitë, por edhe me të tjera dorëshkrime në pritje të botimeve të reja.
Në intervistën me Edgar Priftin, në kemi hedhur vetëm hapin e parë të njohjes së një letërsie të shkruar underground, në kushtet e mungesës totale të lirisë së fjalës; ku ai na tregon sesi u shkrua për diktaturën, të parë në lupën e të atit të tij, Robert Priftit.
Pjesa tjetër mbetet një fenomen që duhet studiuar…!
.
Edgar Prifti rrefen per Robert Priftin me Dhurata Hamzain
Edgar Prifti rrefen per Robert Priftin me Dhurata Hamzain

Para se të flasim për Robert Priftin, këtë autor fatkeqësisht të harruar, na intereson të dimë se si janë krijuar librat e tij? -Roberti në mesin e viteve ’50-’60-s ka filluar të shkruaj, së pari (gjenden) disa poezi të shkruara me laps në shqip dhe pastaj çdo gjë më tej e ka shkruar vetëm italisht. Roberti dinte tetë gjuhë, por duke qenë se shpirtërisht Shqipëria ishte më afër Italisë, e mendoi t’i shkruante këto vepra në italisht dhe tentoi ta nxjerrë romanin e parë “Syrin e Polifemit” të rishkruar, mbasi i erdhi ftesa nga nipi, në një kaligrafi minucioze shumë të vogël, të cilin ai e shkroi me lupë. Në shqip është botuar në 280 faqe, ndërkohë që ai e kishte hedhur vetëm në 16 fletë D4.

Ky është një roman autobiografik, mirëpo nëpërmjet jetës përshkruante marrëdhëniet midis njerëzve, midis grupeve të njerëzve, midis partiakëve të asaj kohe. Roberti donte ta botonte tek “Montadori” në Itali, jo nën emrin e vet, por “Trevor Elin”. Pas kësaj antropologu kultural italian Mauro Geraci që po merret me hulumtimin e veprës dhe jetës së Robertit dhe që do të bëjë në Romë një libër antologjik për të, ai do të sqarojë më mirë nëpërmjet analizës që do të bëjë, se kur datojnë këto vepra, kur i ka filluar, kur i ka shkruar këto poezi, apo romane.
.
Si ishte jeta e Robertit këtu në Shqipërinë e diktaturës, në atë Shqipëri që për intelektualët u krijuan lloj-lloj situatash, ndonjëherë tragjike, ku ne dimë diçka që edhe familja juaj pati trazime në marrëdhëniet me politikën e kohës? -Roberti lindi në Korçë, dhe kur ai ishte rreth dy vjeç, familja e tij u transferua në Tiranë. Ai ndoqi liceun e asaj kohe dhe pastaj u diplomua në biokimi dhe pastaj ai vazhdoi dyvjeçarin e lartë në biokimi, që ishte universiteti i kohës. Robertin e çuan pas shkollës si profesor në gjimnazin e Peshkopisë për rreth një vit e gjysmë, ku ai i jepte të gjitha lëndët kryesore atje. U kthye në Institutin e kërkimeve shkencore bujqësore dhe pastaj u dërgua në Maliq për analizat e panxhar-sheqerit. Pastaj u transferua u kthye në Tiranë dhe dha mësim në gjimnazet “Ismail Qemali”, “Qemal Stafa”, “Partizani” dhe pastaj ndodhi që u transferua për në Surrel, një fshat rrëzë Dajtit, arsyeja sepse në një mbledhje të Këshillit Pedagogjik ai u shpreh për reformat e mësimdhënies, që të merreshin e të huazoheshin metodat më përparimtare. Dhe kështu Roberti kishte bazat të forta të greqishtes së vjetër, të latinishtes, ndërsa italishten e kishte mësuar në lice, dhe pastaj ai dinte gjermanisht dhe spanjisht, etj. Ai ishte autodidakt. Nuk shkoi asnjëherë jashtë shtetit, përveç në ‘87-n, kur ai tentoi të botonte këtë roman që kishte rishkruar në 16 fletë, e kishte futur poshtë çantës me qëllim që ta kalonte në doganë, për të mos e kapur.
Dorëshkrime të Robert Priftit
Dorëshkrime të Robert Priftit
Me gjermanishten ju ishit edhe të familjarizuar, për sa i përket origjinës së nënës suaj, apo jo. Na e tregoni edhe këtë histori të degës së familjes s tuaj dhe të familjeve të tjera shqiptare, që nga martesat me të huaj krijonin edhe situatën që të ishin më të vëzhguar nga sistemi diktatorial? -Gjyshi im nga ana e mamasë quhej Luigj Kodheli. Mbaroi studimet për Financë në Itali. U kthye dhe në 1911-n mori pjesë në luftën e Koplikut, pastaj në vitin 1913-n mori pjesë në Kongresin e Triestes ku do të diskutoheshin edhe fatet e atdheut. Dhe është një listë e tërë ku është edhe emri i Luigj Kodhelit së bashku me Hilë Mosin, Fan Nolin e të tjerë atdhetarë. Në 1920-n merr pjesë në betejën e Malësisë së Madhe. Këto janë të dokumentuar, sepse në gazetat e asaj kohe shkruhet se kur vdiq Luigj Kodheli, deputeti Kolë Mjeda citoi vlerat e tij patriotike, dhe kur ai mori një të ftohtë të rëndë, atëherë Presidenca e Kryesisë së Republikës së asaj kohe e çoi në Gavos në Zvicër për të kuruar, por nuk mundi dhe vdiq në vitin 1930. Unë kam ndjekur shumë dokumente të asaj kohe, ai ka qenë vlerësuar si Inspektor i Përgjithshëm i Kryesisë së Republikës. Ishte i dhënë pas punës. E donin, madje aq sa, siç thotë tezja, populli i Shkodrës nuk e la që ta çonin me karrocë në Varret e Katolikëve, por e mbajtën mbi sup deri atje….
Pra, si u njoh Luigji me vjehrrën e Robertit. Maria ishte gjermane, por nga një krahinë e aneksuar e Çekosllovakisë. Gjyshja erdhi në Shqipëri, pasi mbaroi gjimnazin me një mision ndihmash. Ishte kohë e Luftës së Dytë Botërore atëherë. Kështu ajo njihet me Luigjin dhe, pasi martohen, lindin edhe katër vajza: Rozmarina Kodheli, pastaj ishte Kerina, Gizela, dhe Luigjina Kodheli. Kerina dhe Gizela fatkeqësisht vdiqën. Mamaja ka mbaruar Universitetin në Rumani për inxhiniere agronome, po mamaja u sëmurë e ra në koma, kur unë isha 12 vjeç dhe Roberti 41 dhe ajo mbeti e paralizuar për 38 vjet të tjera.
Ngjarje e dhimbshme…!
….por kishim dhe tezen. Jetonin në një shtëpi me tezen. Tezja i binte në mënyrë të mrekullueshme pianos. Ishte fjala që do ta çonin për studime në Hungari. Mirëpo dikush tjetër do ta zinte vendin e saj.
Roberti ka jetuar në një shtëpi në mes të tingujve të Bach-ut, Debussy-s, Smetana-s, Mozart-it, Liszt-it, Çajkovski-t dhe bibliotekës që ishte mbushur me koleksionet e Goethe-s, Shakespeare-t, Dostojevski-t, Freud, etj
.
Po shkrimtaria, nga cilat rrethana apo mjedise sociale shoqërore u frymëzua për Robertin? – Roberti ka qenë i ri dhe duke parë se nuk shkonin shumë gjëra, pra ndodhte e kundërta e asaj që thuhej, e kundërta bëhej, ai që 18-19 vjeç ishte simpatizant i Ballit Kombëtar dhe u mundua të bënte diçka. Kështu ai nisi të shkruante dhe i ka analizuar fenomenet, dhe jo vetëm kaq po ka bërë analizat e gjuhës, ka krijuar neologjizma në italisht, ku ka shënime të panumërta. Pra, ka një valixhe të tërë me dorëshkrimet e tij.
Kam parasysh librin “Shenjtori i dhunës,” që aty duket që ajo që ai ndjente për kohën, për regjimin, ishte një bindje tejet e brendshme dhe tejet e veçantë edhe për intelektualët e kohës, sepse ka pasur diçka më përtej se analiza që i bëhet regjimit, një analizë që nuk flitet vetëm për rrethanat e asaj që përjetuam ne këtu në Shqipëri, por edhe për rrethanat mbarëbotërore. Pra, libri i tij flet për të gjithë ngërçin që ka ndodhur me Europën e me botën pas mbarimit të dy luftrave, është një analizë pothuajse e një sociologu, filozofi, por ka edhe një ndjesi shkrimtari që duket gjithandej.
.
Robert Prifti në rininë e tij
Robert Prifti në rininë e tij
Cilës periudhe i përket krijimtari e tij? A mundesh ta ndash disi, meqë ti je marrë edhe me përkthimin e librave, në disa faza krijuese? – Roberti e ka përjetuar të gjithë kohën. Ka qenë i ri në kohën çlirimit dhe vdiq në 1993-shin. Por si ka filluar të ndryshojë mentaliteti, botëkuptimi i Robertit. Kjo shihet tek letra e 1952-shit, kur punonte në Korçë, ai ia çonte në italisht letrat shoqes së vet. Ata nuk ishin martuar, në 1953-shin u martuan. Ato janë letra shumë interesante. Roberti nuk ka datuar asgjë dhe të ndash veprat sipas periudhave, për mua dhe shumë njerëz të letrave është e vështirë. Por, jo vetëm unë, edhe studiues italianë që kanë nisur të studiojnë veprën e Robertit janë interesuar të dinë. Ndoshta këto letra që dolën në dritë vetëm pas vdekjes së tij, nëse i futen një analize kimike të bojës, ose të letrës se ai përdoret ku lloj-lloj letrash, mund të datohen, por ai shkruante fshehur, shkonte shpesh tek Kisha e Prokopit, tek Liqeni, shkonte në Durrës që të shkruante.
.
Ku i vinte këto letra. Nuk e shihte njeri? Sepse dihet historia e shkrimtarëve që kanë shkruar përtej konceptit administrativë të diktaturës në Shqipëri, ku vetëm për këtë janë pushkatuar ose burgosur? -Këto letra, këto manuskripte, u konstatuan pas vdekjes së tij. Unë isha në Gjermani kur vdiq im at. Atë e varrosën kushërirat e mia dhe për këtë u jam mirënjohës. Xhorxhi Mita, burri i njërës nga vajzat e xhaxhait i kishte mbledhur dhe unë jam habitur kur i kam parë. Mua më kujtohet telefonata e fundit e Robertit, kur ai më mori në telefon dhe tha: “Jam shumë i mërzitur.” dhe me tej “Do jem i lumtur të botoje veprat e mia.”. Ishte ëndrra e tij, që ai kishte pasur në dekada. Por unë nuk i dija këto. Tani që unë i shoh, unë nuk guxoj të futem në lëkurën e tij. Ai më mbante larg nga të gjitha këto. Nuk donte të më ngatërronte. Ai lexonte libra të ndaluar, dhe i mbante fshehur. Kur unë i thosha: “Ku i gjen këto libra?”. Ai thoshte se: “Nuk ka ç’të duhet ty!”, sepse ai kishte merak se mos u thosha shokëve dhe kisha probleme. Ai me sa duket manuskriptet dhe librat i fshihte në një depo të shtëpisë që kishim jashtë, me rrangulla dhe mjete pune, dhe sa herë thoshte se: “Do marr ca dru”. Mirëpo dru kishte në shtëpi. Ai sillte dru, por vonohej kur vinte. Pra me vite të tëra ai fshihte gjithçka. Kur unë kontrollova në morinë e dorëshkrimeve, zbulova se ka shkruar plot poezi, të titulluara dhe patitulluara, sepse nuk ka arritur t’i sistemojë, ka ndërruar jetë. Dorëshkrimet e tij përmbajnë rreth 400 poezi. Vëllimi i tretë, përmban aforizma dhe mendimet e tij, ku në njërën prej tyre thotë: “Atdheu për të nuk është aty ku është e drejta, por aty ku është lindur, atje dhe vdes për të drejtën.”
Në një kohë kur doli në Itali unë i thashë: -Tani rri baba në Itali, mos u kthe. “Jo, Edi, më tha. Unë do të mundohem të botoj librin dhe do të kthehem.”
Ndërkohë është edhe një tjetër aforizëm e shprehur në një dialog imagjinar me një skeptik.
.
Skeptiku e pyet: -Ti nuk ke bërë aq sa nuk ke mundur të guxosh, është kjo urtësia jote?
Roberti i përgjigjet: -Unë kam bërë më shumë se do kishe guxuar të bëje ti. Kam folur. Kam dashuruar.
Skeptiku: -Fjalët e tua kanë qenë të censuruara, nuk i ka dëgjuar njeri, atyre u dëgjohet vetëm tingulli!
Roberti përgjigjet: -Por tingulli ka gjithmonë një jehonë..!
.
Shkrime të punuara me lupë nga Robert Prifti
Shkrime të punuara me lupë nga Robert Prifti

Pra, kjo është historia e një vepre që u botua pas vdekjes dhe natyrisht që ka mesazhe shumë të mira. Robert Prifti që nuk pati fatin të ishte një nga shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë gjatë diktaturës, jo se nuk ishte, por se ai donte të shkruante në mënyrën e vet origjinale. Ndërkohë ai kishte një krenari të tijën, që ishit ju, një personazh jo pak i njohur për kohën. Si u futët në botën e sportit? Çfarë ndjente babai juaj në atë periudhë që ju merreshit me sport dhe kishit edhe sukses, natyrisht. Ishit një emër i njohur? – Eh! Babai sigurisht e priti mirë, kur unë i thashë dikur që më kanë thënë të futem në basketboll. “Patjetër! – më tha, por unë pata një periudhë ndërprerjeje, sepse njëherë ai më pa në Durrës dhe më tha, – Je nxirë, do ta lësh sportin!”. “Si ta lë? -i thashë…” Atëherë paskam patur një të ftohur të fortë, e më kishin thënë se paskësha zemrën e zmadhuar, por me vizitat e vazhdueshme me dhe me këmbënguljen e trajnerëve, unë ju ktheva sportit. Por nuk ishte tifoz i “Partizanit”, me të cilin luaja unë ishte tifoz i “17 Nëntorit”, dhe donte të fitonte ai, por nuk i vinte keq që unë isha me “Partizanin”.

 .
Megjithatë, “Partizani” ishte më i famshëm në atë periudhë, ishte më popullori ndër skuadrat e admiruara? -Sigurisht, por ai edhe krenarinë e kishte të përmbajtur, edhe elozhet i kishte të përmbajtura. Nuk i rrahu ndonjëherë shpatullat e veta për atë çka ishte. Ishte modest.
 .
Në daljet jashtë shtetit kam mësuar se keni marrë vlerësime të veçanta për strategjitë e lojës suaj në basketboll… -Eeh, ishte kohë vërtetë e mbrapsht. Ne kemi luajtur basketboll vërtetë shumë të mirë për atë kohë, për kushtet që kishim në Shqipëri. Madje një pjesë e lojtarëve tanë mund të luanin me sukses edhe jashtë. Mua më kanë kërkuar në Francë të luaj, edhe me Eczacıbası-n më kërkuan të luaja. Mirëpo ishte e pamundur të citoheshin këto propozime, e jo më të viheshin në jetë. Sigurisht! Por që kështu ishte koha. Por ne u munduam në ato kohë të mbrapshta dhe ndoshta ka qenë një nga të vetmet drita ku njerëzit shikonin një hapësirë, sportin. Jepnin spektakël. Domethënë neve përpiqeshim me mënyrën tonë që brenda atyre kornizave, brenda atyre mureve të Pallatit të Sportit t’u jepnim lirinë sportdashësve.
.
Robert Prifti mbas viteve '90
Robert Prifti mbas viteve ’90
Le të kthehemi prapë tek vepra e babait tuaj, sepse kjo është kryetema edhe e kësaj interviste. Për sa i përket punës që keni bërë ju, çfarë duhet bërë më tej, jo vetëm nga ju si indnivd, por edhe nga institucionet? -Unë në vitin 1994, mbasi vajta ne Gjermani ishte hera e parë që u ktheva dhe mora në dorë valixhen në dorëzim. Shihja atë mori dorëshkrimesh, por nuk kisha absolutisht kohën për të filluar punën me to. Domethënë koha e fillimit të punës daton në tetorin e vitit 2007. Atëherë firma ku punoja unë u shkri. Ato që kishte shkruar babai në makinë e shkrimit i rishkruaja në kompjuter. Mbasi rishkruaja një faqe roman, hapja dhe faqen tjetër, ku bëja përkthimin nga italishtja në shqip.
.
Nuk keni pasur frikë, se dëmtoni disi stilin, atë nuancën gjuhësore që i vjen krijuesit, ndryshe nga kuptimësia gjuhësore? -Ju kuptoj. Unë tentova që t’i hedh dorëshkrimet e tij në kompjuter, njëherë, por Amik Kasoruho, që e kishim mik shtëpie, kur mori vesh për veprën e Robertit, më tha “Pse s’e kthen veprën e Robertit në Shqipëri?”. “Si ta përkthej?” – i thashë. “Po përktheje ti, – tha, – se unë nuk ta përkthej dot, kam shumë punë. Ta redaktoj unë, ta kthej mbrapsht.” Dhe fillova pastaj. U lodha shumë, por ishte një kënaqësi që unë kisha mundësi të flisja me babanë tim dhe kjo sikur ma hiqte atë lodhje. Roberti kërkonte vetëm pjesëmarrje. E bëri vetëm për pjesëmarrje, për t’i treguar botës për atë çfarë ndodhte në Shqipëri, duke rrezikuar jetën e vet. Unë i thosha, “Baba ç’bën kështu?!”, por ai më thoshte, “Edi, po më kapën, mos më kërko askund!”. I dinte gjërat shumë mirë, e duke menduar këtë, unë nuk e kam vazhduar këtë punë për një trill timin apo emër timin. Unë e konsideroj një mision, që të mos harrojmë se ka pasur njerëz që kanë menduar ndryshe, që ta kishin këtë Shqipëri më të mirë, që ishin patriotë. Unë e di këtë, sikur edhe njerëz që u përkisnin atyre që kishim në krye e dinin se baballarët e tyre e kishin gabim… Por do kthehet edhe buzëqeshja në këtë vend, siç thoshte Roberti.
Roberti është botuar në Itali, dhe vepra e tij u ka interesuar edhe italianëve, të cilët kanë nisur ta studiojnë, por pse të jetë italiani që ta fillojë i pari, këtë, kur ne kemi institutin e albanologjisë, për shembull, dhe letërsia e Roberti është pjesë e letërsisë së vendit të tij.
.
B.K./G.M./Shqiptarja.com
https://shqiptarja.com/lajm/robert-prifti-shkrimtari-qe-shkroi-45-vjet-letersi-klandestine-me-gjuhen-e-dantes-gjate-diktatures?
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.