back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Robert Schwatz – Përkthyesi që brakisi poezinë – Gëzim Hajdari – nga Libri “Gjëmë – Genocidi i Poezisë Shqipe”

Gazeta

Robert Shvarc (1932-2003)
Robert Shvarc (1932-2003)

Robert Schwatz –  Përkthyesi që braktisi poezinë

Gëzim Hajdari – 2010

Shkëputur nga Libri “Gjëmë – Genocidi i Poezisë Shqipe”

Përkthyesi i shquar i gjermanishtes Robert Schwartz (1932-2003) u lind në Sarajevë në një familje me origjine hebreje.
Për t’u shpëtuar arrestimeve naziste trasferohet në Shqipëri në vitet ’30. Në fillim vendoset në Shkodër, e më pas në Tiranë. Shumë të afërm të familjes së tij u shfarosën në kampet naziste. Babai i Schwartzit ishte nga Elbasani. Në 1944, komunistët arrestojnë tre anëtarë të familjes së tij së bashku me gjyshin, i cili vdes në burg.
Në 1949, Roberti përjashtohet nga Instituti Teknik i Tiranës, si shoku i disa personave të dyshimtë që arrestohen nga policia si “armiq të pushtetit popullor”. Nga ajo ditë, emri i tij regjistrohet në dosjet e Sigurimit si njeri i dyshimtë. Madje, ditën e vdekjes së Stalinit, rrezikon të përfundojë në burg, sepse kishte guxuar të qeshte, në një ditë të tillë “zije”, kur bota mbarë – tok me ta dhe Kadareja – qante humbjen e Planetit Stalin.
Schwartz nisi të botojë poezi në moshën 16 vjeçare. Nga ’57 deri në ’61, është talenti më pjellor e më premtues në poezi dhe në prozë.
Heq dorë nga krijimtaria origjinale në momentin që Shqipëria u prish me Bashkimin Sovjetik, pasi nuk pranonte kompromise me regjimin e Enver Hoxhës. Vendos t’i kushtohet përkthimit të klasikëve gjermanë si Remark, Feuchtwangeri, Brecht, Zweig dhe shkrimtarëve të shquar botërorë.
Ndërkohë dosja e tij mbushet me denoncime ziliqare dhe spiunët vullnetarë. Punon për mëse 10 vjet si shef i Marrëdhënieve me Jashtë në Drejtorinë e Turizmit shqiptar. Ndërsa nga 1967 deri me 1983 në Radio-Tiranën, ku tërhiqet me zor në “propagandën e Jashtme”. Akuzohet se përkthente autorë ebrej dhe se shpërndante nën dorë shkrime të Frojdit, Kafkës dhe se fliste për ta nëpër kafenetë e Tiranës.
Më 1977, dosja e Schwartzit mbushet përfundimisht. Ministria e Brendshme ia përcjell hetuesisë, ndërkohë që oficerët e Sigurimit këshillonin shokët e tij: “Mos rrini me të, se i ka ditët të numëruara!”
.
Amik Kasoruho dhe Robert Shvarc ne vitin 1956
Amik Kasoruho dhe Robert Shvarc ne vitin 1956
Autori i këtyre fjalëve – më 1999 – do të ishte kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael! “Sidoqoftë nuk më arrestuan dhe kjo ishte një nga çuditë e mëdha të këtij vendi!”, – kujton Robert në një nga letrat drejtuar birit të tij. Falë hetuesit, një simpatizant i përkthyesit të madh, që Schwartz nuk u arrestua për agjitacion e propagandë. Dosja e tij u mbyll, por nuk shpëtoi pa një qortim nga ana e “sekretarit të partisë për çështjet e ideologjisë dhe kulturës” të qytetit të Tiranës, i cili i tha se s’duhej të fliste keq për Partinë, mbasi veç të tjerash isha edhe përkthyes i disa fjalimeve dhe veprave të shokut Enver…! Sekretari nuk harroi të përmendte edhe “biografinë e keqe”, sipas së cilës, gjyshi i Schwartzit kishte qenë në burg dhe se nëna Parti e kishte mbyllur një sy në këtë çeshtje dhe më kishte dhënë gjithmonë dorën…!
Ky sekretar në atë kohë ishte drejtor i Muzeut Kombëtar!
.
Gjëmë - Genocidi i Poezisë Shqipe
Gjëmë – Genocidi i Poezisë Shqipe
Të paharrueshme janë përkthimet në shqip të autorëve si Goethe, Heine, Shiller, Brecht, Fojtvanger, Markez e të dhjetra autorëve të tjerë.
Poezitë e Schwartz-it shkruara në vitet ’50, sot i ruan një miku i tij i fëmijërisë, shkrimtari dhe përkthyesi Amik Kasoruho, edhe ky i dënuar nga diktatura me 7 vjet burg dhe 25 vjet internim.
Kontributi i përkthyesit të shquar gjerman është vlerësuar nga Shqipëria dhe Gjermania. Qeveria shqiptare i ka akorduar çmimin “Mjeshtër i madh” e “Qytetar Nderi” i Tiranës”.
Robert Schwartz vdiq në moshën shtatëdhjetë vjeç.
.
Marrë nga Libri “Gjëma – Genocidi i Poezisë Shqipe” i Gëzim Hajdarit, 2010 – fq 286-289.
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.