back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Robert Shvarc – “Nderi i Kombit” – portret i nji artisti përmes atyre që e njohën

Gazeta

Presidenti i Republikes dekoron Robert Shvarc
Presidenti i Republikes dekoron Robert Shvarc

Robert Shvarc – “Nderi i Kombit”

– portret i nji artisti përmes atyre që e njohën

Me 6 maj 2016,
Aristea Mima – Shvarc tërheq Dekoratën “Nderi i Kombit”,
me të cilën Presidenti i Republikës, zoti Nishani,
nderon (pas vdekjes) të madhin Robert Shvarc.
Motivacioni: “Poetit të lindur dhe përkthyesit plot gjallëri e integritet njerëzor,
në shenjë mirënjohjeje për shqipërimin e kryeveprave letrare
të autorëve gjermanë kryesisht të “brezit të humbur”,
të cilat i solli aq besnikërisht tek lexuesit e të gjithë brezave,
si dhe për njohjen e lexuesve gjermanë
me disa nga autorët më të shquar bashkëkohorë shqiptarë”.

Ju falemnderit, zoti President, për vlerësimin e lartë!
“Mos t’u harroftë emri!” – thotë një fjalë e urtë e popullit tonë. Dhe Ju sot e bëtë këtë. Roberti do të thoshte: “Mos e harroni gjuhën shqipe!”
Më lejoni t’Ju citoj disa nga vargjet e tij:

“Në paç luftuar gjer në fund,
dhe vuajtur në paç shumë,
mëshirës më s’ia ke nevojën,
dhe s’ke nevojë as për ndonjë çmim.
Dhe as për lavdërim
për krenaren qëndresë,
për të madhin guxim.
Mjafton që ti,
nga mjerimi i thellë,
u ngrite përsëri
gjer tek më e larta
Fisnikëri!”

Anissa Markarian midis Robert Shvarc dhe Ariste Mima - Shvarc
Anissa Markarian midis Robert Shvarc dhe Ariste Mima – Shvarc

Oh, fjala, fjala, fjala!
Fjala mbretëreshë, fjala burrneshë, fjala e zhdërvjelltë në vendin e vet. Fjala kryekomandante dhe ushtar i thjeshtë!
Më ka ndodhur të jem e pranishme në çastet e ethshëm kur, i pakënaqur, i tallazitur, huqemadh e i papërtuar, zhbironte fjalorët, apo krahasonte përkthime në gjuhë të tjera, në kërkim të FJALËS. Atë që e pengonte të përmbyllte punën, që nuk e ngopte, nuk e paqësonte. Fjalën që e lexonte dhe e rilexonte me zë të lartë; e rrokëmonte, e nënvizonte, e fshinte dhe e rishkruante; e shoshiste, e shkarraviste; e hulumtonte, e kthente përmbys dhe e rindërtonte. Me ngulmin legjendar të kërkuesve të arit që lajnë, shpëlajnë, qëmtojnë, përzgjedhin qindra kilogramë zhavorri lumi gjer çastin e lumtur kur në fund të sitës, përshkëndrit befas çikërrima e mineralit të çmuar: fjala-flori.
Fjala e kulluar, e aratuar, e pasuruar, e tingëlluar! Fjala, aq mjeshtërisht e shqipëruar!
Sikur Goethe, Remark, Cvajg, Brecht, Schiller, Hajne, të kishin folur e shkruar vetëm një gjuhë: Shqipen e Shvarc-it.
Anissa Markarian
(marrë nga faqja e FB e Anissa Markarian, 6 maj 2016)

Robert Shvarc (1932-2003)
Robert Shvarc (1932-2003)

Robert Schvartz

E puthuna e Jetës (fragment)

***
“Kur bota ka me falun, e prap me fjalë të zjarrta
prej zemre dalë e n’zemër pa droje tue na hy –
kur ju, dëshira t’pastra t’andrrave të arta
kumbim keni për t’gjetun, e kur o jetë un’ ty
kam me t’dashnue përsri me flakën kapërthyese
të zemrës valimtare, të gjakut djaloshar,
kur britma, dal nga gjini, t’vikas’ ngadhnjyese:
E due, e due un’ jetën, si kurr’, si kurr’ ma parë!
…Por andrrat mbetshin andrra, e n’vorrin tem të thellë
ushtima e britmës seme më digjte në krahnuer,
çdo gja që kam dashnue, çdo gja që n’mend kam sjellë
plague m’asht përgjithmonë, dërrmue nga grusht mizuer… „
Mesnatë, 21 Janar 1956

***
Përkthimi i tij në ato kohë, herë pas here ishte privilegj i disa miqve të paktë, të cilët pasi i lexonin dorëshkrimet e tij fshehurazi, pa dashje dhe me euforinë që i jepte e ndaluara, e bënin atë objekt të njerëzve që paguheshin për të spiunuar. Them se përkthimi është art, pavarësisht se shumë e quajnë të lehtë dhe e marrin përsipër pa paragjykim. Kur lexon përkthimet e Shvarcit ndihet frymëmarrja, saktësia, ndihet krijimi. Kur lexon “Harkun e Triumfit”, gjuha e tij është aq e shkrythët, sa të duket se po i jeton ti që po lexon, rrugicat dhe klubet e natës që shtrihen ndën Harkun e famshëm…”
Flora Nikolla

Perkthyesi dhe Poeti Robert Shvarc
Perkthyesi dhe Poeti Robert Shvarc

Robert Shvarc per gjuhen shqipe

“Në përkthim kam dashur t’u tregoj të gjithëve se gjuha shqipe është sa e vjetër aq edhe e pasur dhe me të mund të bësh mrekullira…”

***
“…gjuha e vendit tënd është e shenjtë. Duke e mbrojtur atë, mbroni identitetin e kombit”.

***
“Ndiej respekt të veçantë për nënën time që është nga Elbasani dhe për pedagogët e mi që më mësuan e më servirën bukurinë e shqipes, e cila të krijon hapësira, që të përkthesh nga çdo gjuhë”
http://www.ata.gov.al

Edvin Shvarc (i biri) per Robert Shvarc

Figura e tij më është skalitur në kujtesë dhe e tillë do të mbesë gjithmonë, siç e kam pikturuar dikur me lapsa kinezë me bojëra: një burrë zeshkan e shtatshkurtër, gjithmonë i veshur shik (veshje dhe pamje, për të cilat është kujdesur ime ëmë me shumë përkushtim e me shije të hollë), me kostum dhe kollare të pandashme, me një pardesy ngjyrë ulliri të errët, me kapelen e zezë republikë ngahera majë kokës dhe me cigaren që s’i shqitej nga buzët ironike, megjithëse për një periudhë kohe, pinte duhan edhe me llullë. Një njeri i mistershëm nga jashtë e fjalëpak, për ata që nuk e njihnin, me një koracë mbrojtëse të padepërtueshme, por tepër i butë e i ndjeshëm nga brenda, sidomos ndaj padrejtësive të çfarëdolloji, me parime të forta e të palëkundura, që mbante gjithmonë fjalën e dhënë edhe pse shpeshherë mund t’i duhej të sakrifikonte diçka apo shumëçka nga rehatia e vet. Një njeri që e kuptonte vetë i pari kur e kishte gabim, por që rrallëherë bënte prapakthehu. Një baba i rreptë, por gjithsesi një prind krenar për të birin, i kujdesshëm deri në kulm për familjen, për mirëqenien e saj si dhe për mënyrën se si do t’i rritej trashëgimtari i vetëm, por mund të them që nuk dinte të përkëdhelte, megjithëse im atë ka mbajtur ditar për njëfarë kohe kur kam lindur unë.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Osmon Kaceli: Me kët rast i uroj jetë të gjatë Aristesë, dhe sa ma shumë suksese Anisës!

    Zeneli Edlira: Inteletual i rrallë! Përkthyes brilant.. Lum kush e ka njohur dhe ka pas fatin e të qëndruarit pranë tij. Sa kemi nevojë për kësi njerzish..

    Miranda Kazazi Gusatto Nga më të mirët e më të shkëlqyerit përkthyes që kemi pasur..!!

    Irena Stein-steinova: Thonë se: “Perëndia me një dorë të vret dhe me dorën tjetër të pret.”
    Brezi ynë, brezi që vuajti shumë nga diktatura, brezi i privuar nga të drejta elementare, por përballë këtyre vuajtjeve Perëndia na vuri pranë njerëz të veçantë, njerëz të mrekullueshëm që na e ngjyrosën jetën tonë me ngjyra të tilla që mbizotëronin mbi ngjyrën gri te errët të diktaturës dhe shërbyesit e saj. Nderime për z. Shvarc dhe për secilin nga këta njerëz që na qëndruan pranë, na edukuan, na formuan dhe kanë lënë mbresa në shpirtërat tanë.

    Rozina Guli: Ç’mrekulli, madhështore!!!! s’ke nevojë as për mëshirë” e ase për “çmime”
    Kur njeriu e vlërson vetveten …
    ato janë “brusha”… nuk të duhen gja…
    Pushoftë në Paqe!

    Niko Ljarja Sigurisht një shqipërues me kulturë…

    Rebeka P. Jegeni: Legjendar… vetëm këtë fjalë mund të them për të madhin Z.Shvarc!!

    Alma Zgjani Shvarci na dhe kënaqësinë të lexojmë kryevepra si në origjinal… e mbaj mend gjithmonë me cigare në gojë.

    Klaudia Gargjola Shllaku: Ishte inteligjent intelektual… deri në fund… dhe artist sa të dush…!

    Mira Zverku: Përkthyesi i famshëm i Remarkut të madhërishëm!!

    Rozi Buxhuku: Janë kushërinjtë e mi Miranda e shoqja e Robertit është motra e Prokop Mimës dhe Anisa që është në mes është mbesa e tyre vajza e motrës tjetër

    Rozi Buxhuku: Sa mirë bërë që e postove me kishte marrë malli.

    Miranda Kazazi Gusatto Rozi ky link eshte postuar nga Jozef Radi?

    Lola Xhafaj: Një intelektual paar excelence dhe një përkthyës super i talentuar.

    Artur Dema: Kot nuk thonë që, Përkthyesi i mirë, është më i mirë se Shkrimtari që ka shkruar veprën. Pa asnjë lloj diskutimi, Robert Shvarc (Schëarz) ishte një përkthyes brilant. Ai njihte gjuhën Shqipe në mënyrën me perfekte. Ashtu siç njihte dhe gjuhën Gjermane. Falë këtyre njohurive, Robert Shvarc i dhuroi Shqiptarëve kryeveprat e Letërsisë Gjermane. Për mijra e mijra Shqiptar emri i tij do të mbetet i pa harruar. Pushoftë ne paqe.

    Kazanova Aliaj: I madhi Shvarc… dhe ju Jozef që i kujtoni këto kolosë të fjalës që dhurune gjithçka kur fjala u nëpërkambë, gjuha e letërsia e huaj u ndalu!! Këto modele janë përmendore të pavdekshme të sfidave të fuqishme me përkthimet e krijimet e tyne, me të cilët qytetaret. Vazhdonin andrrat e tyne. Faleminderit!!

    Ariana Spahiu Cilka: Oxhaku mbetet oxhak Rozi.

    Rozi Buxhuku: E ti i njeh Arjana! E di se kush janë.

    Koco Lako: Një poliglot dhe shkencëtar i madh.

    Irena Vangjeli: Faleminderit z. Radi për këtë përmbledhje kushtuar të madhit Robert Shvarc. Koloset e gjuhes shqipe, të shqiperimit të autoreve me të spikatur boterore na dhane nje pjese të edukimit. Midis tyre Shvarci, mirënjohje e pakufi. Faleminderit dhe mirënjohje edhe për mbështetjen që patën në familje sidomos për fisnikëri, përkushtim, përkujdesje. Mirënjohje Ariste.

    Merita Varfaj: Nga mjerimi i thellë/ u ngrite përsëri/ gjer tek më e larta/ fisnikëri! Kjo vlen për Z.Shvarc dhe jo vetëm..!

    Natasha Pasholli: Bukuri flet gjithçka!!!

    Sabri Xhebexhiu: E kam lexuar disa si dhe ”Harku i triumfit” i të nderuarit Shvarc

    Erieta Koliqi Gajtani Njerëz të rrallë… si për çudi tuj rregullu librat, mora në dorë sërish Harkun e Triumfit dhe… nji faqe, dhe nji iu riktheva prap! Nuk mundesh të shkëputesh… Përkthyes i madh?

    Luiza Musta: Njeri tepër i rrallë, karakter i veçante dhe i pathyeshem, përkthyes që të mrekullon. Ndjehem me fat që e kam njohur nga afër Shvarcin mik dhe njeri, që rrallë, shumë rrallë të bje rasti të takosh. Vargjet e sipërsjella në krye të këtij postimi jane hiç me shumë e hiç më pak, shfaqje e karakterit të tij. Faleminderit që na e risollet Robertin në këtë postim.

    Su Durrs Kam patur fatin të lexoj origjinalin dhe përkthimin flitet për biografine e Fouche. Nuk mund ta përshkruaj kënaqësinë e të shijuarit Zvaigut neë shqip nga supertalenti Robert Shvarz.

    Zhuliana Jorganxhi Shpirt i Bukur Poeti

    Mikut tim të ndritur poet, përkthyesit Robert Shvarc
    Ky prill pikon shi pikëllimin,
    në zemrën time dhe në sy!
    I bukur shpirt I një poeti,
    diku në qiell shkon bëhet yll!

    Meropi Matlija: Kam pas fatin ta kisha koleg në Radio Tirana ku Roberti punonte prej vitesh si përkthyes i gjuhës gjermane, por kam pasur fatin e madh që ta kisha edhe shok e mik. Arti i tij i krijimtarise letrare i kalonte shumë herë caqet e përkthimit
    Ai ishte brilant në punën që bente. Padrejtësitë nuk i duronte dhe reagonte me forcë pa ju dridhur qerpiku. Mbaj mend mirë që nga një rast i tillë ka punuar me vite në koridorin e studiove atje ishte i qetë në një tavolinë me atë makinën e vogël të shkrimit.
    Roberti kishte zemër te madhe dhe ishte shume i brishtë si njeri. I pëlqente e bukura, shumë i thjeshtë dhe vlerësonte punën e mirë të të tjerëve.
    Do ta kujtojmë dhe vlerësojmë gjithmonë atë dhe veprën e tij të mrekullueshme.

    Jozef Radi: Ju falenderoj të gjithëve për këto shënime të mrekullueshme të lena për një intelektual, që edhe mes llumit mbeti brilant… dhe s’ka kohë që mundet ta vdesë…

    Viki Frani: Sa significativa!

    Frida Vokopola-Gjoka: Im shoq ka punuar me të shpesh dhe midis shumë historive njera me goditi. I kishin çuar të birin e një zv. ministrit për të punuar në sektorin e gazetave. Aty u gjend edhe im shoq. Ai në mënyrë të prerë i tha shefes që unë nuk e firmos marrjen e tij, edhe pse e dinte kush ishte. Dhe nuk u tërhoq deri në fund. Dhe u tha: Ai që e meriton këtë vend është një bir punëtori por shumë më i aftë se ai tjetri.

    Henrik Ristani: I pavdekshëm përkthimi i “24 ore nga jeta e një gruaje” i Zvajgut… çfarë ndryshimi ka me këto përkthimet mizerje që bëhen sot… sa memzi e kupton qe janë në gjuhën shqipe…

    Eda Strazimiri: Profesoresha ime me e dashur!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.