Roli i Faik Konicës në gazetarinë dhe letërsinë shqiptare
nga Thanas L. Gjika
(me rastin e 120-vjetorit të themelimit të revistës Albania)
Faik Konica
është një ndër figurat më të shquara të historisë, të letërsisë
dhe të kulturës sonë kombetare.
Me formimin e tij solid,
me talentin e spikatur
dhe me punën e palodhur dhe të shumanshme,
ka kontribuar për formimin e kulturës sonë kombetare
me fizionomi europiane
që nga viti 1895, kur u diplomua në Dijon të Francës,
deri më 1942, kur i mbylli sytë në Boston MA (SHBA).
Revista Albania shkollë e gazetarisë shqiptare
Revista Albania, të cilën Faik Konica e themeloi në nëntor të vitit 1896 dhe filloi ta botonte në mars të vitit 1897, doli nën kujdesin e tij në shqip, frëngjisht e turqisht deri në shkurt 1909, në Bruksel e Londër. Ky koleksion me rubrikat e shumta publicistike, letrare, historike, etnologjike, sociologjike, gjuhësore, etj, të shkruara kryesisht prej penës brilante të editorit, përbën kryeveprën ose veprën monumentale të Faik Konicës. Asnjë studim shkencor me synime serioze nuk mund të bëhet për periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare në çdo fushë të saj pa shfrytëzuar koleksionin e kësaj reviste. E themi këtë sepse kjo revistë në saje të aftësive të drejtorit luajti rolin e tribunës më të rëndësishme politike, kulturore e letrare të botës shqiptare. Në faqet e saj u afruan dhe botuan në të dy dialektet kryesore të shqipes shumica e talenteve të reja të kohës nga të gjitha trojet shqiptare dhe të gjitha kolonitë shqiptare. Ajo u bë ura më e rëndësishme për lidhjen e kulturës dhe të politikës shqiptare me atë evropiane bashkëkohore.
Revista Albania me problemet që trajtoi me llojet publicistike që lëvroi, me stilin letrar e gjuhën e përpunuar u bë një shkollë e vërtetë e gazetarisë shqiptare, kurse Faik Konica, mësuesi kryesor i saj. Aty debutuan së pari dhe u stërvitën Visar Dodani, Mit’hat Frashëri, Shahin Kolonja, Fan Noli, Gjergj Fishta, Filip Shiroka, Mihal Grameno, Hil Mosi, etj, etj, shumë prej të cilëve nxorrën pastaj organet e tyre të shtypit, duke pasur për model pikërisht shkrimet e revistës Albania. Në faqet e kësaj reviste Konica, jo vetëm konsolidoi dhe e ngriti më tej nivelin e artikullit, lajmit, fejtonit, kryeartikullit, pamfletit, shënimit, që kishin lëvruar para tij, Jeronim de Rada, Anastas Kullurioti, Nikollë Naçua, etj, por lëvroi i pari disa lloje të tjera të publicistikës si portretin, peisazhin, skicën, komentin, etj…
Në drejtim të poetikës dhe të etikë së gazetarisë Faik Konicën e ndihmuan talenti i tij i lindur, shijet estetike, kultura e tij e gjerë e fituar në shkollat më të mira të kohës, leximet e shumta në disa giuhë të huaja, si dhe përvoja jetësore familjare, personale dhe shoqërore. Falë këtyre të dhënave, ai arriti të bëhej shumë shpejt një mjeshtër i përdorimit të figurave letrare dhe i zbulimit të karaktereve dhe situatave komike. Talenti i fuqishëm, kultura poliedrike dhe e thellë, si dhe atdhedashuria e zjarrtë, bënë që nga pena e tij të delnin shkrime të fuqishme të qarta për nga idetë dhe të bukura për nga forma, të cilat lexoheshin e lexohen edhe sot me ëndje të veçantë.
Koleksioni 12-vjeçar i revistës Albania, me 126 numrat që u botuan gjatë viteve 1897-1909, nuk ka si të mos quhet një vepër e plotë dhe komplekse e Faik Konicës. Brenda këtij koleksioni ka me dhjetra vepra të plota, si poezi, skica, portrete, artikuj, etj, etj, të shkruara prej editorit të revistës. Për këtë arsye, thënia e Nolit: “Faiku nuk na la asnjë vepër të përfunduar…” duhet quajtur e nxituar, ose thjesht shaka e papeshuar mirë. E quajmë thënie të nxituar ose shaka e papeshuar mirë, sepse Noli na ka vënë vetë në dijeni se kur ishte në Egjipt në vitin 1906, kishte lexuar te shtëpia e Spiro Dines gjithë koleksionin e deriatëhershëm të revistës Albania. Ai gjithashtu i kishte lexuar gjatë vitit 1922 dhe tregimet e gjata humoristike Katër përralla nga Zululandi, nuk ka pse të mos i konsideronte vepra të plota. Prandaj mendojmë se më 1962, kur Noli e formuloi atë shaka, ka pasur parasysh faktin që Konica, si autor i talentuar, nuk la vepra të gjata letrare të plota, si romane, poema dhe drama origjinale, ose të përkthyera.
Faik Konica themelues i prozës moderne shqipe.
Që nga viti 1897, kur filloi të publikonte skicat, portretet, tregimet e shkurtra dhe deri në fund të viteve 20-të të shekullit të XX-të, kur botoi në gazetën Dielli tregimin Katër përralla nga Zululandi (1922), romanin Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit (1924), të cilin edhe pse e kishte përfunduar, nuk e botoi të gjithin, dhe reportazhin e gjatë Shqipëria si m’ u duk (1929), Faik Konica mund të themi se u afirmua si shkrimtari ynë më i mirë i prozës së shkurtër dhe të gjatë shqipe të kohës. I krahasuar me lëvruesit e tjerë të prozës së shkurtër shqipe gjatë Rilindjes si Konstandin Kristoforidhi, Lumo Skëndo, Asdreni, Mihal Grameno, Milo Duo, Hil Mosi, Nuçi Naçi, Papa Kristo Negovani, etj, si dhe me lëvruesit e prozës së gjatë letrare si Dom Ndoc Nikaj, Mihal Grameno, Foqion Postoli, Andon Frashëri, Sterio Spasse, Mehdi Frashëri dhe romancierë të tjerë të tre dekadave të para të shekullit të XX-të, Faik Konica qëndron në një nivel më të lartë artistik, për nga ndërtimi kompozicional i veprës dhe për krijimin e personazheve, për gjuhën, figuracionin, etj. Konica u shqua jo vetëm për pastërtinë dhe pasurinë e gjuhës, por dhe për koncizitetin dhe elegancën e stilit, përdorimin mjeshtëror të gjuhës si mjet për individualizmin e personazheve. Gjuha e prozës së Konicës duke qenë gjuhë e veprave realiste, rrjedh natyrshëm. Personazhet e tij shprehen dhe kuvendojnë si në jetën e përditshme dhe jo me një gjuhë të kërkuar letrareske si flasin personazhet në veprat e letërsisë romantike.
Përmes forcës së talentit të vet Faik Konica, ndonse ishte larguar prej atdheut që në rininë e hershme, mundi t’ia bëjë autopsinë shoqërisë shqiptare të viteve ’20 të shek XX-të më mirë se bashkëkohësit e tij që jetonin brenda vendit.
Mesazhi ideor i këtyre veprave konsiston në luftën për të demaskuar mentalitetin prapanik që sundonte në Shqipërinë e asaj kohe. Ky mesazh nuk transmentohet përmes lotëve, si bënin shkrimtarët sentimentalistë, as përmes patosit të ngritur emocional plot deklaratizëm, si bënin shkrimtarët romantikë, por përmes vënies së gishtit në plagët reale të shoqërisë shqiptare për të cilën prozatori Konica synonte një jetë më të mirë. Pikërisht duke treguar se dashuria ndaj atdheut dhe popullit mund të shfaqej jo vetëm duke ekzaltuar të kaluarën heroike, si kishin bërë shumica e rilindasve, por edhe duke zbuluar të vërtetën e hidhur, duke kritikuar gjendjen reale, me qëllim që të luftohej për përmirësimin e saj, Konica krijonte njëherazi mendësinë moderne të të menduarit dhe prozën letrare moderne shqipe. Kështu Konica shpinte përpara letërsinë tonë realiste të filluar para tij prej Andon Zako Çajupit me botimin e veprës Baba Tomorri (1902), prej Mihal Gramenos me komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe (1905) dhe skicat e portretet e viteve 1908-1923, prej At Gjergj Fishtës me këngët e poemës Lahuta e Malësisë (1902-1909) dhe përmbledhjes satirike Gomari i Babatasit (1923), prej Dom Ndre Mjedës me vëllimin poetik Juvenilja (1917), prej Asdrenit me vëllimin poetik Endrra e Lotë (1912), etj, etj.
E veçanta e Konicës është se ai e konsolidoi realizmin si metodë krijuese në prozën letrare shqipe, metodë e cila do të bëhej shkolla sunduese e letërsisë sonë në vitet 30-të të shek. XX-të me tregimtarë të talentuar si Ernest Koliqi, Migjeni, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, etj.
Nismëtar i kritikës letrare shqipe
Në fushën e kritikës letrare Faik Konica është ndër kritikët e parë letrarë tek ne. Penës së tij i takojnë panoramat e para për zhvillimin e letërsisë sonë dhe kritikat e para për vepra të veçanta. Ai të çudit me njohjen e gjerë të procesit historik letrar shqiptar që nga autorët e vjetër deri te krijuesit bashkëkohore, në një kohë kur ende nuk ekzistonte asnjë histori për letërsinë shqipe. Shënimet dhe esetë e tij në këtë fushë janë më shumë shije dhe bien në sy për formimin e tij teorik në aspektin estetik.
Si kritik letrar Konica të bën për vete me aftësinë dhe intuitën e tij për të kapur e venë në dukje të veçantën, tiparet individuale të çdo autori e vepre për të cilin shkruan. Duke folur për veprën e Jeronim De Radës ai ngre lart poemën Këngët e Milosaos për figuracionin e saj.
Midis veprave të Naim Frashërit, poezitë e përmbledhjes Lulet e Verës, i quan gracioze dhe të freskëta. Me rastin e vdekjes së Naimit (1900), Faiku shkroi portretin më të goditur, një himn të vërtetë për poetin, duke e vlerësuar si njeri, si atdhetar dhe si poet të talentuar. Midis tjerash ai arsyeton: “…detyra t’u hapij sytë botës e shtrëngojin të mos ngjitej më sipër se kuptimi i popullit të Shqipërisë…” Pra, sipas Konicës ky poet kishte forcë talenti për të hartuar vepra me nivel shumë më të lartë artistik, por që utilitariteti dhe atdhetaria nuk e lanë të ngrihej në nivelet që ai mund të ngrihej për nga forma artistike.
Konica e rendit At Gjergj Fishtën ndër poetët me vlera të njëmendëta artistike dhe si prijës intelektual. Filip Shirokën e quan poet kombëtar mbas shestjes së Naim Frashërit, autor të soneteve tingëlluese. A.Z. Cajupin e vlerëson për ngjashmërinë me poezinë popullore dhe përkthimin e frymëzuar të Përrallave të La Fontenit, etj.
Duke mos e ndjekur nga afër zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqipe që zhvillohej në atdhe, mendojmë se Konica i ka njohur pak, ose nuk i ka njohur fare veprat e Lasgush Poradecit, Migjenit, Mitrush Kutelit, Ernest Koliqit, etj të cilët nuk i ka përmendur as në veprën Shqipëria: Kopshti shkëmbor i Evropës Jug-Lindore, të cilën e hartoi më 1939. Nga shkrimtarët që ka dashur dhe ka vlerësuar më shumë Konica, është Fan Noli.
Për këtë autor, ai theksoi që më 1910: Fan Noli të kujton klerikët e Rilindjes italiane, kurse më 1939, e cilësoi shkrimtarin më të madh të kohës për veprën Historia e Skënderbeut dhe për përkthimet e goditura të veprave të William Shakespeare-it, të Rubaive të Omar Khajam-it, të romanit Don Kishoti të Miguel de Servantes-it dhe të disa poezive nga letërsia amerikane. Si njohës i mendimit teorik, por dhe i procesit praktik të krijimtarisë letrare, Faik Konica i përmblodhi si askush shkurt parimet themelore të hartimit të veprave letrare, publicistike dhe eseistike në shkrimin “Lutje për shkrimtarët”, ku nënvizon se “…duhen shkruar vetëm për gjëra me vlerë, mbasi të jetë bërë një punë këmbëngulëse për njohjen e çështjes për të cilën do të shkruhet me paanësi (nënkupto: me objektivitet dhe larg politizimit – Th. Gj.) dhe me giuhë të pastër e të bukur…” Parime këto të vlefshme edhe për çdo krijues të ditëve tona.
I jemi borxh Faik Konicës
Me sjelljen e eshtrave të Faik Konicës në atdhe vihet në vend amaneti i tij, por ne ia kemi borxh vlerësimin sa më të plote të vlerave këtij talenti, i cili me aq sa njohim deri sot, është padiskutim krijuesi i mendësisë moderne shqiptare, i mendësisë europiane, ku duam të shkojmë. Mirëpo që të mund ta studjojmë dhe vlerësojmë në mënyrë të plotë këtë figurë poliedrike të Rilindjes e pas saj, na duhet së pari të mbledhim e të botojmë veprën e tij të plotë. Gjetja, grumbullimi dhe botimi i kësaj vepre kërkon punë të përkushtuar, dashuri e pasion ndaj atij që shkriu jetën dhe pasurinë e vet për të mirën e popullit dhe të atdheut. Kur ta kemi realizuar një botim sa më të plotë e sa më shkencor të veprës së Faik Konicës, atëhere kuvendimi i tij me popullin e vet do të jetë i giallë dhe përfitimi ynë do të jetë i madh…
(Botohet me disa korrigjime të pakta në krahasim me variantin e botuar në gazetën Rilindja Demokratike, Tiranë, 4 maj 1995, f. 2)
Shënim: Shoqëria atdhetare Vatra e Amerikës e shpalli vitin 2016 – Viti Konica, me rastin e 120 vjetorit të themelimit të revistës Albania. Ajo mori përsipër që gjatë këtij viti të ndihmojë financiarisht botimin në gjuhën shqipe të dy romaneve të panjohur të Faik Konicës, shkruar më 1908 frëngjisht. Këto dy vepra të plota letrare i zbuloi, i përktheu dhe i pajisi me një hyrje të gjerë studjuesi Fotaq Andrea. Gjetja e këtyre dy romaneve të hartuar frëngjisht prej Konicës është një tjetër fakt që tregon se Faik Konica e pati aftësinë dhe vullnetin të na linte vepra të plota letrare me dimensione të gjata si romani.