back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Roli i Putinit – nga Madeleine Albright

Gazeta

Madeleine Albgright (15 maj 1937- 23 mars 2022)
Madeleine Albgright (15 maj 1937- 23 mars 2022)

Një analizë e jashtëzakonshme,
përshkrim pikë për pikë i situatave që bota po kalon sot,
e zonjës Albright, në vitin 2007, që dëshmon se ajo kishte një aftësi
të rrallë për me i parapà rrjedhat politike.
Agim Morina

Vladimir Putin
Vladimir Putin

Roli i Putinit

nga Madeleine Albright

“Problemi për politikën e ShBA-së ësht se një Rusi konfidente ësht gjithashtu një Rusi e sigurt në vetvete dhe, në një farë mase, prap një Rusi e hidhur. Ndërsa Amerika flet për ëndrrën e një Europe demokratike dhe të bashkuar, Moska vazhdon ta shohë Europën si një konkurrente bashkëpërfituese, një vend ku shtetet e mëdha përpiqen të sjellin shtetet më të vogla në sferën e tyre të ndikimit. Kështu, rusët e panë zgjerimin e NATO-s si një përpjekje nga Shtetet e Bashkuara për të zgjeru ndikimin e saj në kurriz të tyre. NATO-ja i tejkaloi kundërshtimet e Jelcinit në vitet ’90-të kur u përball me Miloseviçin dhe shpërfilli paralajmërimet e Putinit në dekadën e tashme kur pushtoi Irakun. Që nga 11 shtatori, ushtria amerikane dhe aleatët e saj janë vendosë në Afganistanin fqinj.
Për me luftu terrorin, Shtetet e Bashkuara krijuan baza ushtarake në Uzbekistanin fqinj (përkohësisht) dhe në Kirgistan. Për me mbështetë demokracinë, kemi marrë pjesë në përpjekjet për me siguru integritetin e zgjedhjeve në Ukrainë, Gjeorgji dhe Azerbajxhan duke u përpjekë me forcu shoqërinë civile brenda vetë Rusisë. Për m’u mbrojtë kundër Iranit, administrata e Bushit bëri me dije planet për me instalu objekte antiraketore në Poloni dhe në Çeki. Me pak fjalë, kur në vitet e fundit rusët hodhën shikimin nga dritarja e dhomës së tyre e ndenjes, ata panë Dajë Samin, të paftuar (të paktën prej tyre), duke bë zhurmë para oborrit të tyre.
Në shkurt të vitit 2007, Putini vendosi të shprehte qartë kundërshtimet e tij ndaj përpjekjeve tona. Duke folë në një Konferencë Sigurie në Mynih, ai akuzoi Amerikën për tejkalimin e kufijve të saj, provokimin e një gare të re të armëve bërthamore, minimin e institucioneve ndërkombëtare, keqpërdorimin e krizës në Gjirin Persik dhe përpjekjen për të çu përpara interesat e veta përmes maskës së mbështetjes për demokracinë. Ai tha se Uashingtoni ishte përgjegjës për “një hiperpërdorim pothuajse të pakontrolluar të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe për përpjekjen për të kriju një botë me “Një qendër autoriteti. Një qendër të forcës. Një qendër të vendimmarrjes… një zotni, një sovran.” Më vonë ai shtoi një pikëçuditëse aty ku nuk nevojitej të ishte, duke krahasu politikat e ShBA-së me ato të nacistëve.
Administrata e Bushit u përgjigj me gjakftohtësi dhe filloi të përpiqej, nëpërmjet diplomacisë së heshtur, të rregullonte marrëdhëniet. Presidenti kishte arritë tashmë në përfundimin se kritikat publike ndaj politikave të brendshme të Putinit ishin të pakujdesshme, për mos me thënë të turpshme, pasi që në fillim të mandatit të tij presidenti kishte kriju një përshtypje pozitive për karakterin e Putinit. Megjithatë, as edhe një vizitë në shtëpinë e familjes Bush në Kennebunkport, nuk arrijti të ëmbëlsonte sezonin e pakënaqësisë së Putinit. Ai vazhdoi të gjente gabime në politikat amerikane për mbrojtjen nga raketat dhe për Kosovën, masandej vendosi me i ngritë prap në qiell bombarduesit bërthamorë të Rusisë për patrullime të rregullta.
Kushtetuta kërkon që ai të largohet nga posti i presidentit, por Putini megjithatë do të gjejë mënyra për të vazhdu ushtrimin e pushtetit. President, kryeministër apo manipulues në prapaskenë? Nuk do të jeni në gjendje me e dallu ndryshimin. Kjo do të thotë se çdo lëvizje e ShBA-së në fqinjësi të Rusisë – për shembull, ftesa për Ukrainën ose Gjeorgjinë për m’iu bashku NATO-s – do të kundërshtohet. Mundeni me u përpjekë me e shmangë problemin duke u shty kah Moska, por kjo do të komprometonte premtimet e bëra ndaj fqinjëve të Rusisë dhe ka të ngjarë që më vonë të çojë edhe në më shumë vështirësi. Sipas mendimit të Putinit, “rënia e Bashkimit Sovjetik ishte një fatkeqësi e madhe gjeopolitike”. Ky nuk ësht një opinion i përhapur gjerësisht në kryeqytetet si Talini, Vilniusi, Tbilisi dhe Varshava. Pra, nëse Kremlini vazhdon me kursin e tij të fundit, do të ketë një testim të vazhdueshëm të nervave. Kam frikë se një demarkacion i ri që ndan Perëndimin nga Lindja do të gdhendet në tokë, një vijë që na e përkujton Perden e Hekurt, ndoshta jo edhe aq të ashpër. Një ndarje e tillë mund të thellohet lehtësisht me kalimin e kohës, duke thellu mosbesimin dhe duke përkeqësu tensionet me çdo stërvitje ushtarake ose zgjedhje të kontestuara.
Në çdo përballje diplomatike, Rusia do të ketë dy avantazhe. Së pari, të qenët anëtare e përhershme e Këshillin e Sigurimit, ia mundëson asaj që të pengojë përpjekjet tona për të punu përmes këtij organi. Së dyti, ashtu si Venezuela, Rusia ka naftë dhe gaz. Amerika dhe Europa i kanë kërku Moskës të lejojë më shumë investime të huaja në industritë e saj të energjisë dhe t’i mundësojë botës qasje të papenguar. Kremlini ka lëvizë në drejtim të kundërt, duke përqendru kontrollin në kompanitë e mëdha shtetërore. Putini e ka lëshu dhe e ka ndalë gazin natyror të Rusisë për t’ua kujtu europianëve se ai mundet me i ndalë furnizimet në çdo kohë. Kompanitë ruse janë bë gjithashtu ndërtuesit kryesorë të reaktorëve bërthamorë civilë, një industri që ka fillu me lulëzu për shkak të ankthit rreth ndryshimeve klimatike globale. Nëse Rusia kthehet në statusin e superfuqisë, një arsye do të jetë se bota ka nevojë për energji dhe Moska e ka atë për me djegë sa të dojë.”

Madeleine Albgright, “Memo to the President Elect: How we Can Restore America’s Reputation and Leadership”, 2007
24 Mars 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.