Romani “Lindja, fëmijëra dhe rinia e klonit Nicolaus Bonadei”
i mjeshtrit Shpend Sollaku Noé
nga Maksim Rakipaj – shkrimtar e përkthyes – Itali
Afërmendsh, çdo libër i një autori si miku im i nderuar Shpend, librat e të cilit janë botuar gjithandej, ngjall interes të madh kudo. Sidomos i fundit, sfidues, gërricës për shumëkënd, një thriller që të mban në ethe deri në faqet e fundit. Nuk është libri i parë që lexoj prej tij, por ky libër veçanërisht, më bën të krenohem që e kam mik. Kompetent në gjithçka shkruan e përshkruan, në çdo temë që shtjellon, saqë edhe në mos qofsh në një mendje me autorin, detyrohesh ta lexosh me përqendrimin më të madh dhe do s’do do ta miratosh, pastaj të përsiatësh me vete dhe të nxjerrësh kushedi sa përse…
Me dy fjalë brendia: shkencëtari italian Alfio Bonadei bashkë me të shoqen beratase, mjeken Nevia Kapinova, klonojnë Leninin. Autori na shpie në Moskë, ku njihemi me Otar Kutais, njërin nga bashkëpuntorët, pastaj gjendemi te mauzoleu i Leninit, në Milano, Bolzano, Shanghai, Londër, Romë, Durrës, Berat…
Është koha kur në një konferencë shkencore në Londër shpallet klonimi i parë i një gjitari: në Skoci është klonuar delja Dolly. Shtypi fillon spekullimet: si do ta presë Vatikani, po bota? Është etike kjo gjë? Do të ketë klonim njerëzor? Do të lejohet? Shkencëtarin italian e bren zilia: ai ka kryer i pari në botë klonimin njerëzor, madje ka klonuar Leninin! Po sikur dikush tjetër të kryejë një klonim të një njeriu çfardo dhe të marrë meritat si pionier i klonimeve njerëzore? Këtë Alfio Bonadei nuk mund ta pranojë kurrë!
E shoqja nuk është e një mendjeje; ka pranuar të jetë nëna e klonit, por e ka mbajtur ajo në bark për 9 muaj! Duke qenë nëna natyrale e tij, ajo trëmbet nga zhurma që mund të shkaktohet, sepse kështu mund të humbasë të birin! Klon apo jo klon, Nicolaus Bonadei është djali i saj, jo i shkencëtarit Bonadei!
Por ambicja dhe padurimi i Alfios e bën të vetën. E keqja ndodhi…
Si? Ju ftoj ta lexoni sa më parë këtë roman. Pastaj mbylleni librin dhe hapni mendjen tuaj. Sepse, mendoj, ky është dhe qëllimi i autorit, që rreket të çfaqet i paanshëm në roman.
Autori mund të kishte zgjedhur ndonjë figurë tjetër për ta klonuar: artist, këngëtar, poet, ushtarak, shkencëtar, supermodele… Përse pikërisht Leninin, që shkon e le në Shqipëri në fund të romanit? Cili është mesazhi i tij?
Vladimir Iliç Lenin është njeriu që udhëhoqi revolucionin bolshevik, që krijoi kampet e përqëndrimit; ishte krijuesi i asaj ideologjie që i shkaktoi njerëzimit mbi 100 milion viktima; ishte ai që shndërroi Rusinë në një laborator të madh ku u eksperimetua komunizmi, i cli më pas u eksportua nëpër botë dhe dështoi kudo dhe në të gjitha trajtat e tij.
Shqipëria ishte një minilaborator ku u eksperimentua trajta më e ndyrë e këtij komunizmi. Eksperimenti atje u mbyll ashtu si u mbyll. Tani po e mbyt korrupsioni, mafia. Tjetër eksperiment ky.
I dashur Shpend, mos është ky roman një kumt i koduar yti, se dhe ky eksperiment do të dështojë si të tjerët?
Faleminderit, mik. Meriton shumë ti. Të gjitha çmimet e mundshme. Sepse je njerëzor dhe artist i madh.
Maksim Rakipaj, Lucca, 4 shkurt 2023