back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Romani “Pse’’ i S. Spasses dhe fillesa moderne e prozës shqipe – nga Behar Gjoka

Gazeta

Sterjo Spasse (1914-1989)
Sterjo Spasse (1914-1989)

Romani “Pse’’ i S. Spasses dhe fillesa moderne e prozës shqipe

nga Behar Gjoka

Krijimtaria e gjerë letrare e Sterjo Spasses, siç ka vënë re historiografia letrare, zë fill me romanin Pse? Ky tekst origjinal si frymë dhe kompozim, rrëfim dhe shprehësi, pamëdyshje shënon një gur kilometrik të shkrimit letrar autorial, por njëherësh edhe një shteg fillimtar të lavrimit modern të prozës, me gjasë të romanit të shkruar në gjuhën shqipe. Romani, ashtu si shumica e vlerave të shkrimit letrar, sidomos të pjesës së parë të shekullit të njëzetë, pra të periudhës më të ndritshme të letërsisë shqipe, pra të harkut kohor, 1912-1939, që për hir të së vërtetës, bën kthesën e letrave shqipe, nga problematika e mprehtë sociale dhe nga realizmi, si koncept dhe model përjetues dhe pasqyrues i realitetit letrar, ka përjetuar kalvarin e plotë të mbijetesës së letrares, në kontekste dhe rrethana të pazakonta:
A-Shfaqja e bujshme e tekstit romanor dhe shkëlqimi i plotë i tij, në kohën e botimit, përkatësisht në vitet 1934-1935, si një ngjarje e përveçme e letërsisë së viteve ’30, kur rrëzëllitën shkollëza dhe rrymëza në skenën kulturore dhe letrare.
B-Letnimi dhe ndalimi i leximit të librit më të mirë të shkrimtarit, ashtu si jo pak vepra me vlerë të disa shkrimtarëve të së kaluarës, të cilët binin ndesh me parimësinë e realizmit socialist. Romani “Pse?”, i S. Spasses, u mbyll në sepetet e mykut ideologjik, kryesisht për shkak të pranisë së pesimizmit të thellë dhe formalizmit, të rrokshëm në hapësirat e tekstit.
C-Rigjetja dhe rivlerësimi i romanit Pse?, menjëherë pas viteve ’90, ku fillimisht u botua, në mënyrë që të merrte fund marrëzia e lënies në hije të një kryevepre letrare. Urojmë që ardhja e mbrame e romanit Pse?, të jetë vërtet një rikthim përfundimtar në panteonin e letrave shqipe, madje të analizohet dhe shqyrtohet në të gjithë treguesit e vetë, që të zbulohet si përvojë shkrimi, si akt i hedhjes së themeleve të ligjërimit modern të romanit shqiptar.
Fati i romanit Pse?, një vepër unike e letërsisë shqipe, një model literariteti, madje tepër kurajoz për kohën dhe më përtej saj, të sjellë ndër mend Harold Bloom, kur shprehet: Aty na duket se hasim, në mos veten a miqtë, medeomos një realitet ekzistues, qoftë bashkëkohor, qoftë historik, pohuar në librin Si dhe përse të lexojmë. Pandarazi me të vjen edhe vetë fati i ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, me gjithë dritëhijet kohore, vetvetiu nxjerrin në evidencë dy problematika, mbase dy çështje thelbësore:
.
Sterjo Spasse - Romani "Pse?!"
Sterjo Spasse – Romani “Pse?!”
Nga njëra anë: Teksti romanor, kaq i ngjeshur në shenjëzime artistike, në figurimin e personazheve, pa përjashtim të gjithë vijnë të skicaur, por krejt i gdhendur shpaloset Gjoni, protagonisti i librit, që është po ai variant i botuar në krye të herës, me ato shenja fillimtare, me atë formë shprehje të patjetërsueshme, të cilën autori, pavarësisht furtunave të ashpra të kohës së monizmit dhe të modelit të realizmit socialist, nuk bëri as më të voglën ndërhyrje ose rregullim, që në fakt do të cënonte variantin parak dhe kohën shkrimore, por me siguri do të kishte mjegulluar dëshminë letrare.
Në anën tjetër: Në rastin e romanit Pse?, të Sterjo Spasses, por edhe të veprës së gjerë letrare të At Fishtës, Faik Konicës, Zef Skiroit, Ernest Koliqit, Et’hem Haxhiademit, Dhimitër Paskos, etj., konteksti i leximit, pra rrafshet e ndryshme kohore, duket sikur i ngjisin në majë apo i hedhin në greminë, një tekst dhe një segment letrar.
Beteja në mes tekstit dhe kontekstit të leximit dhe rileximit, është e hapur dhe, kur është fjala për vepra cilësore, siç përfytyrohet nga lexuesit dhe studiuesit përgjithësisht romani Pse?, që ndërkaq shënon një kreyvepër të autorit, po kaq edhe një roman i zanafillës moderne të tipologjisë së prozës së gjatë, në këtë rast triumfi i plotë është i tekstit letrar. Madje, në një kuptim më të ngushtë, dritëhijet e kontekstit të leximit, të distancës dhe afërmit, janë thjesht segmente të përthyerjes kohore, pra të një leximi të prekshëm me hijedrita, me gjasë, më tepër janë hapësira për të shijuar rrafshet e shumëfishta të një teksti letrar të mirëfilltë. Thelbi modern i shkrimit letrar të romanit Pse?, në brendi dhe formë, megjithatë pohuar si tipar, që në krye të herës, pra sapo libri pa dritën e botimit, ndonëse tashmë më tepër paraqitet si e nënkuptuar edhe kur ndalohet si tekst, përbën në fakt pistën shqyrtimore, nga do të duhet orientuar studimtaria e shqipes, po kaq, nga rreket të hedh dritë, sadopak edhe kjo qasje, verifikuese e vlerave të bartura në këtë roman. Moderniteti i librit Pse?, si frymë dhe atmosferë, si strukturë dhe teksturë shkrimore, tejet i rrokshëm në shpalimin e vetë, me shumë gjasa i hapësirës tekstologjike, lidhet me shumëçka që bart në tipologjinë e vetë, por materializmi i këtillë, i rrëfimit dhe shprehësisë së shqiptuar, mundet që të kërkohet, veçmas në disa rrafshe:
.
Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu (1944)
Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu (1944)
Së pari: Në rrafshet tërësore të këtij romani, të brendisë dhe formës, të mesazhit dhe shprehësisë, të cilat e bëjnë një vepër unike të fillesave moderne të romanit shqiptar, e po kaq edhe njërin nga librat me të mirë të Spasses, mbase kryeveprën e tij.
Së dyti: Në rrafshet e rrokshme përmbajtësore, ku gjejmë të ngërthyera kalvarin e kohës, si fat i qenies shqiptare, i dashurisë së shumëngjyrtë, i përfshirjes në shtjellat e filozofisë së kohës, kontrasti qytet-fshat, po kaq marrëdhënia e vetë qenies shqiptare me paranë, me pamjet e mjerimit të skajshëm, një problematikë e gjerë, që vetvetiu përçon dimensionin e pakohësisë, të dhëniemarrjes së qenies me realitetin e gjerë dhe faktik, megjithatë të një përthyerje imagjinare, në teksturën e pentagramin e larmisë rrëfimore, që na zbulohet përmes ditarit, që dukshëm e tejkalon kronikën, pothuajse në të gjithë parametrat.
Së treti: Shenja mbase kryeshenja unike dhe përdëlluese, me romanin shqiptar në përgjithësi është klima filozofike, që përcjell teksti i romanit Pse? Filozofikja, jo si materie ideologjike dhe dogmatike, por si frymë dhe përjetim, e bashkëshoqëruar me anësim nga pesimizmi dhe mbyllja në vetmi, duket se buron nga leximi i autorëve me të shquar të frymës së filozofisë moderne, Niçe, Shopenhaur, si dhe i shkrimtarëve të shquar të kohës, si Tolstoi, Dostojevski. Pra, shtysa për konceptuar dhe shkruar këtë tekst është librore, por ndjesia që përcillet, është e plotë si një dëshmi letrare, pavarësisht sfondit filozifik, që e mbështjellë materien tekstologjike. Në fakt rrafshet filozofike të rrokshme në tekstin e romanit, janë po kaq të pranishme në poetikën e Migjenit, nga njëra anë, e vendosin shkrimin letrar të dy autorëve, në koherencë të përfillshme me lavrimin letrar të përbotshëm, nga ana tjetër, filozofikja e tyre, gjithnjë si atmosferë, ose është e pashqyrtuar, ose është parë si një kufizim ideor i shkrimtarëve. Përballja me këtë aspekt dhe shenjë autoriale, madje tepër të rrokshme në substancën tekstologjike, do të ndihmonte për të vënë tekstin e romanit në vendin ku i takon, në hierarkinë e letrave shqipe.
Së katërti: Forma e gjetur e ditarit, një formësim zbulues i universit të brendëshëm të personazhit, si botë dhe karakter, si pasqyrë e përthyerjes së shpirit njerëzor, që është e pranishme edhe në romanin Sikur të isha djalë të Haki Stërmillit, pa asnjë dyshim, është tregues strukturor, për ta vendosur në kohë ndodhinë, por ndërkaq formësimi si ditar disa mujor, e ndërthurur me poetikën e rrëfimit dinamik, i jep tekstit një frymëmarrje tjetër. Fillesa e romanit si një kronikë e komponuar me ditarin e Gjon Zaverit, që është epiqendër e universit të romanit Pse?, realisht nis me: 1 tetor 193… dhe mbyllet pak ditë pas 31 korrikut 193…, ku vitet të shpien në vitet ’30, të shekullit të kaluar, ndërsa koha imagjinare, e një segmenti të caktuar, shtrihet në harkun kohor, tetor-korrik të atij harku kohor.
Me daljen në dritë të romanit, qysh në krye të herës, ndër të tjera theksohet: Ky roman meriton të këndohet e të studiohet, mbasi ka një vleftë shoqërore, nga mjeshtria e shkrimit, nga tema e sidomos shoqërore, cilësira që librin e bëjnë tërheqës. Romani Pse?, një libër shpirti dhe ëndrrash, një eksperiment letrar i përfunduar, i sendërtuar në formën e ditarit, një cak fillimtar i shkrimit të autorit, pret që të lexohet dhe vlerësohet, më në fund në meritat dhe shenjat që përçon. Nga toni dhe ngjyrat është një roman tronditës dhe melankolik, çka e përthekson si tipar edhe fundi pa lumturi, ikja makabër nga kjo botë, pa e gjetur dhe pa u nginjur me dashuri, nga brendia, human dhe shoqëror, vijon që të mbetet edhe sot e kësaj dite unik në letrat shqipe dhe ka si të ngjashëm Verterin e Gëtes. Romani i parë i autorit, me titullin domethënës dhe provokues, Pse?, është edhe roman i dashurisë, me gjasë i kërkimit të saj, roman filozofik dhe psikologjik, ndonëse mendimi vjen i shoqëruar me kalvarin e të jetuarit, midis qytetit dhe fshatit. Po kaq, romani i parë i shkrimtarit, ndërkaq është edhe një vepër sociale dhe realiste. Është sociale për nga depërtimi në vatrat që e dhunojnë dashurinë dhe individin, ku përvoja skicohet si molo e saj. Është realiste, si poetikë e kritikës së hapur ndaj realitetit të kohës, që e vriste pa mëshirë dashurinë dhe vlerat e tjera humane, e sidomos individin. Këto rrafshe tërësore dhe përfaqësuese shërbejnë për të plasuar romanin e individit, e fatit të qenies, me gjasë e krizës së plotë e të shumëfishtë , ku ka rënë njeriu, një cilësi e rrokshme e modernitetit, të pjesës së parë të shekullit të njëzet.
.
Marrë nga muri i FB i Behar Gjokës, 27 gusht 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.