Rosa
tregim nga Muçi Xhepa
Maja e shpatës. Diktatura kishte shpatë me majë kundër popullit të saj. Pesëqind vjet Perandoria Osmane, me shpatë gjysmëhëne, nuk kishte prerë aq koka sa preu për pesëdhjetë vjet diktatura komuniste. Vitet shtatëdhjetë ishin vite terrori. Neroni kishte marrë goditjen e parë. Antikrishti nuk mund t’i shmangej vdekjes. Sinjali kishte ardhur i fortë. Zemra që kishte prodhuar veç vdekje, po jepte shpirt vetë. Truri i të marrit nga mungesa e oksigjenit krijonte armiq kudo edhe brenda grupit të ngushtë të kriminelëve që e kishin mbështetur. Filloi të godasë të parët në ushtri. Ashtu kishte bërë edhe Stalini, babai i tij shpirtëror. Lufta e Dytë Botërore e gjeti Ushtrinë e Kuqe pa gjeneralë, ndërsa Stalini e ndiqte luftën me hartë të shkollës së mesme.
Në mbledhjen e Kabinetit të Luftës më 29 tetor 1942, Çurçilli duke sqaruar hedhjen me parashutë të Hesit tha:
-Hesi vuante nga melankolia. Ne u përpoqëm ta bënim të fliste. Ai na dha shansin e fundit për paqe me Gjermaninë dhe rastin t’i bashkoheshim atyre në luftë kundër Rusisë.
Përgjigja e Çurçillit kishte qenë e prerë: – No.
Sigurimi i shtetit ishte maja e shpatës. Me Sigurimin i kishte futur tmerrin edhe vetë Bllokut.
Gruaja e Myftiut do të deklaronte se kur shikonin Gazin-69 të ndalonte pranë shtëpisë tyre, të gjithë trembeshin. Dridheshin se mos kishte ardhur të arrestonte Myftiun. Pra, trembej Myftiu, Kryetari i Internim-Dëbimit, që s’kishte lënë të madh e të vogël pa internuar në kampet e shfarosjes. Neroni i kallte datën me shpatën e Demokleut edhe vetë Myftiut.
Torturat e Sigurimit mjerë kush i provonte. Gërshetim i metodave të Inkuizicionit Stalinist me ato aziatiko-maoiste, të cilat Neroni i ushtronte në mënyrën më primitive. I provoi edhe Shehu, Feçorri, maja e majës së shpatës. I tjetërsuar, Shehu dëshmonte në gjyqin e tij.
-Më keni torturuar me format më të rënda. Nuk latë gjë pa më bërë.
Përdhunuesi protestonte!! Shehu që përdori thesin si mjet torture. Mbulonte kokën e të burgosurave dhe i dhunonte seksualisht. Jo klasës së përmbysur. Thesin ua hodhi në kokë vajzave të komunistëve. Dëshmoi një këngëtare e dëgjuar që bënte stazhin e partisë. Alida Hisku quhej ajo. Shkroi edhe një libër. U botua në Gjermani. Përdhunimi me thes drithëroi edhe femrat gjermane që e kishin hequr vetë nga Ushtria e Kuqe.
Eh, ta dinte Çurçilli se çfarë do të vinte më pas! Vetëm në parajsën e proletariatit botëror, Bashkimin Sovjetik u ngritën 2.000 kampe përqendrimi. Skllevërit modernë, kundërshtarët politikë, në kampet-burg do t’i nështroheshin filozofisë komuniste: “Të shtrydhim gjithçka nga një i burgosur politik në tre muajt e parë; pastaj, ne nuk kemi më nevojë për të”. Pra, le të vdesë.
Terror ishte në kulmin e tij. Sigurimi i shtetit, maja e mprehtë e diktaturës komuniste, po torturonte dhe ekzekutonte gjeneralët. Në Elbasan zhvillohej gjyqi kundër kryeinxhinierit që drejtonte punimet e veprës më të rëndësishme të diktaturës, Metalurgjinë e Zezë “Çeliku i Partisë”. Neroni e quante, “Çlirimi i Dytë i Shqipërisë”, ndërsa në qelitë e errëta të Degës së Punëve të Brendshme Elbasan, xhelatët e tij torturonin Shkëlqim Bumçin. Qyteti zgjohej e ngrysej i terrorizuar.
.
Por, terrori s’e kishte trembur dot një djalë të ri, mikun tim Albert Llazarin. Shoqëria e thërriste, Rosa. Trim mbi trima. Kur pa oficerin e Sigurimit t’i godiste të vëllanë, si luan u lëshua mbi të dhe me grushtat e njomë e rrëzoi për tokë kriminelin. Në qendër të qytetit. E panë të gjithë. U shemb për tokë sigurimsi. Hoxhës iu thye maja e shpatës. Rosa godiste papushim për të gjithë të goditurit. Përpëlitej antinjeriu. Nxorri armën. Grushtat e Rosës ia fluturuan në ajër. Skena heroike zgjoi shpresat e mbarë rinisë. Diktatura do të shembej një ditë. Në revolucionin antikomunist të viteve ’90, Rosa do të printe në ballë mes flakëve për liri.
Regjisori Istvan Szabo në filmin “Sunshine – Drita e Diellit” nëpërmjet personazhit Gustav trajton fenomenin, “Rosa”, në formën e kundërt të tij, në shfaqjen deheroizuese. Personazhin kryesor, Adamin, e kryqëzojnë lakuriq. Pasi e lidhin dhe e godasin për vdekje, një gardian e spërkat me ujë të ftohtë në temperaturë tepër të ulët. Adami kthehet në skulpturë prej akulli. I biri, Ivani, bashkë me të burgosurit e tjerë qëndrojnë pasivë. Regjisori Szabo qëndresën pasive e gjykon nëpërmjet personazhit Gustav. Ky do të dialogojë me nipin, Ivanin.
-Ku ishe ti, kur po të torturonin babanë?
-Aty.
-Sa ishin ata që po e kryenin aktin?
-Gjashtë.
-Po ju?
-Gjashtëqind.
-Gjashtëqind dhe nuk vepruat? Nuk i mbërthyet prej gryke?
-Ata kishin armë.
-Do të vriteshin disa nga ju, por të tjerët do të shpëtonin ama.
E takova Rosën vite më vonë. Nuk kishte ndryshuar. Po ai trim, demokrat i palëkundur. Asnjë ankesë që e kishin lënë pa punë. Asgjë nuk kishte përfituar gjatë ndryshimeve të mëdha. Këpucari i talentuar i brezit tim, që me talentin e tij na kishte gëzuar në vitet e varfërisë së thellë, nuk ishte thyer.
.
-Punoj shofer taksie. Lodhem, por fëmijët i bëra me shkollë. Degën që dëshiruan, atje ku e kishin talentin. Pa aprovimin e këshillit të lagjes apo organizatës bazë të partisë.
Qeshte Rosa me shpoti. Prind i lumtur.
I prekur nga miku im i vjetër më erdhi ndërmend shprehja te Dhjata e Vjetër.
“Cast thy bread upon the waters: for thou shalt find it after many days”.
Thirrja për njerëzinë të veprojë me besim se e mira që bën nuk humbet kurrë.
.
(Tregim nga libri “Në sirtar, tregime” i autorit Muç Xhepa.)
Albert Lazari (Rosa) hero i një tregimi në libër.