back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Rrëfim dashurie për Shkodrën – Rikard Ljarja

Gazeta

Shkodra nga Rozafa
Shkodra nga Rozafa

Rrëfim dashurie për Shkodrën – Rikard Ljarja

Nji ndalesë e vogël mbi Shkodrën e Rikard Ljarjes

nga Jozef Radi

Rikard Ljarja njihet si aktor po edhe si regjizor i mjaft filmave të ashtuquejtun të “realizmit socialist” Para disa vitesh e kisha lexuar ket shkrim të gjatë që ai e quan hymn për qytetin e tij: Shkodrën, dhe me thanë të drejtën e kisha vlerësue mjaft si shkrim. Para do ditësh e lexova sërish, dhe e pashe me nji sy tjetër krejt këtë fluturim të tij mbi shumë elemente të jetës së këtij qyteti… të cilat më pëlqeu t’i përcillja edhe unë…
Sigurisht mbi nji aktor dhe regjizor të njoftun të filmit shqiptar, asht e pamundun të mos bien edhe do paragjykime, po paragjykimet me kohë edhe bien o në mos zvoglohen. Po ka paragjykime që edhe mbesin… Sepse faktet shpesh janë kokforta. Dhe nji prej tyne asht se në periudhën njizetekatër vjeçare postdiktaturë, pothuajse s’kemi asnji film artistik, pothuaj kinostudio asht ba inekzistente, subvencionimet nga ana e shtetit për filma ku të jepet me realizëm e vërteta e pesëdhjetë viteve të shkuara nën nji diktaturë të egër nuk jep askush, poas për të vërtetën e këtyne 24 viteve s’kujtohet askush që të ngulet në kujtesë. Pra nuk ekziston pothuaj asgja. Duket sikur asht nji porosi e madhe që thotë “lerini të ushqehen me filmat e realizmit socialist, si nji mallkim ogurzi: Kthehuni o të mjerë, atje ku keni qenë, Ju nuk meritoni ta mësoni të vërtetën tuej, ju nuk meritoni të jetoni dhe të gjykoni ndryshe nga formati, nga korniza e hekurt ku ju futi realizmit socialist…
Po le ta kapërcejmë kët detaj dhe të kthehemi te shkrimi në fjalë. Sigurisht edhe mbi aktorin dhe regjizorin Ljarja mund të bjerë ndonji paragjykim. Unë mund të them qetësisht se këtë shkrim e vlerësoj mjaft, e vlerësoj si nji hymn për qytetin e tij të lindjes, si nji “mea culpa”, is nji ndjesë në formë dashnie ndaj qytetit që i ka dhanë aq shumë kulturës dhe historisë shqiptare… që i ka dhanë aq shumë jetës së secilit prej nesh.
Prandaj e paraqes sot kët shkrim. Kushdo që përpiqet me e paragjykue dhe me i rrudhosë buzët e konsideroj si diçka të padrejtë.
Gjej rastin ta falenderoj zotin Ljarja, për kët hymn plot dritë për qytetin e vet: Shkodrën…

Aktori dhe regjizori Rikard Ljarja
Aktori dhe regjizori Rikard Ljarja

Rrëfim dashurie për Shkodrën

Rikard Ljarja

E lashta, e bukura, e vuajtura… “zonja” që kërkon ringjalljen

Udhëtim imagjinar
mbi “majat” e legjendës
dhe rrugëtimet e pëllumbave
të një qyteti-mit

Ringjallja më duket se po vjen.
Sapo kalon urën e bahçallekut, kalon edhe kthesën e kalasë të pret një tufë pëllumbash. Kur mbrrin te sheshi mbas hotel “Rozafës”, pëllumbat janë të pafarë.
Një mrekulli.
Duket një gja e vogël?
Pëllumba!? E mandej! Pëllumba ma. A s’ke pa kurr-a?
Po te kryqëzimi përkarshi Kishës së Shën Kollit, në katin e tretë, pëllumbave u asht lirue nji dhomë, i asht lirue edhe ballkoni. Në pallatin përkarshi pëllumbat janë tarracë.
Pëllumba, pëllumba, pëllumba…
Frynë erë e mirë. A nuk e ndjeni?
Ky asht një sinjal i fortë paqeje dhe qetësie.
Ma në fund.

Pellumbat...
Pellumbat…

Nuk asht e para herë që në gropën e Shkodrës jeta rifillon aty ku dikur kishte mbet. Nuk asht ndonjë fenomen që s‘ka ndodh edhe në vende të tjera, por në Shkodër ka disa veçori që ndikohen nga shumë faktor.
Të shohim gjeografinë: Gropa e Shkodrës, 18 metra mbi nivelin e detit, asht e rrethueme me male dhe me ujna: Taraboshi, Shkambi i Kalasë, Maranaj, Cukali, Bokat e Rrencit… Fusha e Mbishkodrës, që pa dyshimin ma të vogël asht krijesa e fundit e epokës së akullnajave. Kiri, Buna 44 km e lundrueshme, Drinasa që sot asht ba Drin, Liqeni…
Bie shumë shi, dhe vera asht shumë e nxehtë.
Shkodra asht e vendosun në qendrën e Shqipnisë së vërtet në ultsinën perëndimore. Dhe asht kryeqendra e Gegnisë. Kjo asht shumë e randsishme.
Ngritja e këtij qyteti humb në mjegullën e parahistorisë. Legjenda shumë e njoftun e Rozafës, asht e përhapun gjithkund në Ballkan, por unë do të doja ta kishte zanafillën pikërisht në Shkambin e Kalasë. Mendoj kështu, sepse nuk besoj të ketë një vend tjetër në Ballkan ku natyra të ofron kushte ma optimale për të ngritë një kështjellë. Kështu njerëzit parahistorikë të kësaj treve e kishin gjysmë të gatshëm vendin për jetesë dhe ma shumë për mbrojtje. Ishin kohë të egra. Homeriane.
Ende gurët ciklopikë rrethues janë pak ma poshtë mureve të sotme të kalasë.
Kështu.
Mandej fillon historia: Për herë të parë emni në të shkrueme i del Shkodrës nga një shkrimtar i lashtë, grek – Hekateu.
Shkodra ishte qyteti i Labeatëve.

Kështjella e Rozafës - Shkodra
Kështjella e Rozafës – Shkodra

Ma vonë erdhën Ardianët edhe këta po ilirë. Mbretnesha Teuta e Ardianeve prej këtu u përpoq t’i kundërvihet superfuqisë romake që kishte pushtue gjithë botën e atëhershme, dhe lajmësit e saj u vranë e ajo mandej i hodhi në një pus.
A ka faj lajmësi? Mirëpo Teuta kështu e mendoj. Dhe prej kësaj kohe, afërsisht nga viti 168 para Krishtit, kjo tokë për pesëqind e sa vjet ishte nën sundimin romak.
Mirë a keq rraca mbijetoi.
Kur Perandoria Romake u nda përfundimisht, Shkodra që ishte kryeqendër e veriut e mbeti nën Bizantin e për disa kohë vazhdoj të lulëzoje, derisa dyndjet e barbarëve paganë sllavë që vërshuen nga stepat e acarta të Azisë tue mbulue pothuej të gjithë Ballkanin, sollën shkatërrim.
Me gjithë lëvizjet e popullatës, shfarosjen, zvogëlimin e sajë, bërthama u mbajt fort mbas kristianizmit, sepse Shkodra ishte qendër e Peshkopatës Kristiane. Kristianizmin, Lajmin e Mirë, në këto treva e përhapi apostulli Pal. Pra duam a s‘duam, ne jemi popull apostolik.
Mandej nëpër shekuj (se nuk due të hy në hollësi) herë shtyhej Bizanti e herë sllavët edhe për pesëqind vjet të tjera.
S’duhen me harru edhe kryqëzatat që s’pushuen nga 1095 deri me 1291. Pothuej të gjitha kaluen mbi këtë territor.
Asht interesant një fakt i çuditshëm: Mbi rracën, ilire që banonte në këto troje, në të gjitha përzimjet, se pa as ma të voglin dyshim çdo pushtues a kalimtar do të lente në rrugë mbeturina, nuk ka shumë gjurmë të dukshme vulëlanse. Për një kërkues të vëmendshëm pushtimi romak la shumë edhe në gjuhën e sotme. P.sh. Në kangët e Kreshnikëve dhe edhe në të folmen e sotme të malcove, ngjyrës së gjelbër i thonë: E verdh – “verde”. Të folmes “kodra mbas bregut” – “pallavra”, “cikllopit” – “katallan” – Katalan, nga krahina e Katalonjës, se kush e di ç’masakra kanë ba kryqtarët kur kalonin në këto anë). Po kur mendon se shumë kombe të mëdha e humben plotësisht gjuhën dhe identitetin e tyne, jam i detyruem të pohoj se rraca e jonë ka një forcë të jashtëzakonshme për të mbijetue dhe për të ruejt të gjitha tiparet thelbësore të origjinës.
Kombe, si p.sh. Thrakët u asimiluen e nuk figurojnë kërkund ma. Një pjesë e madhe e popujve të Europës, kanë humb gjuhën e tyne e kanë krijue dialekte të latinishtes që ishte gjuha e pushtuesit dhe e sundimtarit: rumunët, spanjollët…
Edhe nga ana antropologjike shqiptarët vazhdojnë të jenë një racë e bardhë me karakteristika të përcaktueme qartë, kur disa komshive tonë u ka ndrrue jo vetëm ngjyra e lëkurës, por edhe tiparet. Kjo ose tregon që kemi një vitalitet të fuqishëm përthithës dhe asimilues, ose nuk jemi përzi. Kjo e dyta asht pak e besueshme, asht e pamundun. Kështu që mendimi i parë më duket ma i drejtë.
Kjo nuk do të thotë se nuk kemi marr e dhanë fjalë, kostume, muzikë, gjellë. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi marrë vese, virtyte e mendësi prej të gjithë atyne që kaluan këtu, apo prej atyne që i kishim komshi të dijtun e të qytetnuem, apo prej atyne që na u banë ma vonë komshi. Po të ishte ndryshe do të ishim një komb i përçudnuem.
Gjatë gjithë këtyne hyrje-daljeve nga një pushtues i huaj në një tjetër, Shkodra pati disa lulëzime dhe krijonte gjithmonë fizionomi. Prej kësaj pra, prej gjithë cilësive që e shquanin, sidomos nga pozicioni i saj gjeografik dhe begatia natyrore.

Rozafat - 14 mars 1914
Rozafat – 14 mars 1914

Të gjitha këto krijojnë mikroklimën e këtij qyteti të çuditshëm që sado të rrëzohet prapë mbërrin të knellet, të çohet në kambë, e të qëndrojë fort.
Me ndamjen e Perandorisë Romake, se vija ndarëse qëlloj të jetë mbi këtë trevë, herë vinte kultura bizantine e herë kultura romane kristiane. Në fund erdhi kultura turke. Gjithë këto mbishtresa ndikuen në formimin e karakterit të sotëm kombëtar. Sot na duket çudi sjellja e shqiptarit që shpesh në rrethanat e reja ban “çmenduri”. Por… në thelb, në bërthamë asht pa as ma të voglin dyshim në kuptimin e përgjithshëm trashigimija stërgjyshore ajo që i ve vulën gjithçkaje. E përsëris pozicioni gjeo-politik i kësaj toke asht faktor determinant. Kjo tokë na qëlloj, mirë e keq e jona asht, s’i kemi hy n’hak kërkujt. Të tjerët na kanë lakmue, na kanë gërga, na kanë pushtue, na kanë coptue, na kanë vra, na kanë përzanë, na kanë marr trunin…

Shkodra Intelektuale 1924 (Kel Vila me X)
Shkodra Intelektuale e 1924-es

Nga kjo tokë kanë dalë disa papë, perandorë, mbretën që kanë sundue shtete të mëdha, si në Romë, Kostandinopojë, Egjipt. Guvernatorë që ndërtuen shtete nga fillimi, si Pashko Vasa… arkitektë që ndërtuen kryeqytete, si Filip Shiroka që ndërtoi Bejrutin, sa pashallarë nga kjo tokë sunduen në Turqi? Asht e pamundun të rreshtohen njerëzit e dijtun që shërbyen në shtete të tjera në të gjitha dijet dhe profesionet. E si mund të jemi ndryshe nga si jeni tashti? Mbetem një shtet i vogël. Një proverb thotë: “Ma mirë mut se i vogël”. Nuk asht banalitet. Proverbi thotë thelbin e të qenit i papërfillshëm. Shpesh ia vemë fajin vetes: Nuk merremi vesh me njeni-tjetrin, duam të jemi të gjithë të “parë”. E vërtetë. Shqiptari kërkon të jetë i lirë, i lirë deri në absurd. Ky asht pra ai shtresimi i mija vjetëve, kjo asht përzimja e shumë kulturave që me dhunë na kaluan përsipër e na shtypën. Shtypja e poshtërimi i gjatë krijon kundërshti, dhe kur vjen mundësia shpërthen në veprime absurde. Por shqiptari kur qëllon të jetë i besës, edhe sot e kësaj dite asht i besës deri në fund, po kur qëllon të jetë i pabesë, dhe nganjëherë asht, asht i pabesë deri në fund. Në situata ekstreme, kur rrezikohet të qenit, geni i lashtë zgjohet fuqishëm në anën ma pozitive të tij. Shfaqja ma spektakulare e këtij zgjimi ishte në 1999, kur rrezikohej të qenit e gjysmës së kombit prej gjenocidit të fundit serb. Këto jemi ne. A thue e gjitha kjo për fajin tonë? Nuk e besoj. Mbi të gjitha kulturat, fetë, ideologjitë, shqiptarin e bashkon të qenit shqiptar kudo qoftë e ç‘fardo që të mendoj e të deklarojë për veten. Nuk mund të dalë jashtë lëkurës së tij. E kjo asht shumë e rëndësishme. Shqiptari mysliman asht shqiptar deri në fund, nuk asht as arab e as turk, bile e din edhe vetë prejardhjen e të parëve të tij. Kristiani shqiptar nuk asht as roman e as grek si po duen me thanë.

Shkodra Muzikore (Martin Gjoka ne fund)
Shkodra Muzikore (Martin Gjoka ne fund)

Mbas kësaj qyteti filloi të bjerë. Kjo nga shkëputja e tregtisë me Ballkanin e brendshëm si rezultat i ndeshjeve të Austro-hungarisë dhe Turqisë, nga goditjet e herëmbashershme të Serbisë e të Malit të zi, bile lakmia e Serbisë e Malit të Zi shkoj deri aty sa edhe mbas shpalljes së pavarësisë ta rrethojnë Shkodrën për muaj të tanë, ta shtërngojnë me uri, ta pushtojnë. Por fuqitë e mëdha i detyruan serbët e malazezët të largohen nga qyteti dhe pavarësisht se Shkodra ishte njohur botërisht si pjesë e Shqipërisë, në vend që t‘i bashkohej edhe politikisht shtetit të ri, u mbajt nga fuqitë ndërkombëtare. A nuk ju duket analoge gjendja e sotme e Kosovës? Lakmi, lakmi, lakmi.
Asht një fakt i pamohueshëm se qyteti mori një pamje orientale në shumë pikëpamjet: ndërtimi i banesave, gjellët dhe mënyra e ushqimit, tregjet (pazari me bexhisten), gjuha e folun u mbush me turqizma dhe arabizma etj. etj. s‘kishte si të ishte ndryshe. Për 500 vjet Stambolli ishte metropoli dhe prej andej vinte gjithçka. Bashkësia e krishterë përpiqej të jetonte ndryshe, sepse vazhdonte në njëfarë mënyre lidhjet me Venedikun dhe Europën, me tregtinë dhe kishën romane, prandaj edhe qyteti në njëfarë mënyre u nda në lagje të përcaktuese qartë: të krishtera dhe myslimane. Bashkësia ortodokse ishte një bashkësi e vogël me pak vendali që duhet të kishin mbetur kur këtu sundonte Bizanti, dhe me disa familje të ardhura kryesisht nga Struga e Ohri. Këto familje kryesisht merreshin me bukëpjekje dhe amëlcina. Mrekullia asht se këto ndarje në lagje sipas besimeve, mungesa e krushqive etj. etj. nuk kishin fare lidhje me mardhanjet bazë të qytetarëve. Qytetarët shkodranë e pavarësisht nga besimet ndjejnë thellë në vete që janë qytetarë shkodranë.
Në shekullin e XIII dhe në XIV, Shkodra u forcue shumë. Zejtaria e metaleve: ar, argjend, armë. Lëkura, lesh, mëndafsh, (mbani mend, s‘kishte shtëpi në Shkodër që s‘kishte një mand në oborr deri vonë, mëndafshi u ba një artizanat shumë i fuqishëm dhe fitimprurës). Skela e qytetit ishte porta e tregtisë me brigjet e Adriatikut dhe ma tutje deri në brigjet e Afrikës. Për anijet e mëdha ishte Shirqi, porti i drithit sidomos.
Mbas vdekjes së pushtuesit sllav, Stefan Dushanit, Shkodra u ba qendra e principatës së veriut nën sundimin e Balshës së Parë, në vitin 1360. Mandej djemtë, e nipat e tij nuk muejtën ta përballojnë presionin e Republikës së Venedikut që ishte fuqizuar së tepërmi dhe ishte ba fuqia ma e madhe detare, tregtare dhe pushtuese e gjithë Adriatikut e deri në brigjet Mesdheut, deri në Rodhos bie fjala, kështu që ia dorzuen qytetin Serenissima-s së Shën Markut. Lulëzimi i qytetit vazhdoj edhe ma me hov. U krijuen punishte të specializuese për përpunimin e lëkurve të të gjitha llojeve, sepse landa e parë, lëkuret, ishin me shumicë, falë fushave të begata që rrethojnë Shkodrën dhe maleve që ishin një burim shumë i vlefshëm për lëkurët e kafshëve të egra, si harusha, dhelpna, lepur, mace, etj. Tregtia me Venedikun dhe gjithë Mesdheun i pasunoj qytetarët e Shkodrës dhe krijoj disa shtresa të pasunish. Kur e ke barkun plot atëherë duhet ushqye edhe shpirti. Kështu lindën artet, që nga filigramat e qendistarisë së rrobave të ditëve të festave e edhe ditëve të zakonshme, e deri te filigramat e punimit të argjendarisë e armeve, gdhendja e tavaneve, krijimi i kangëve…
Mandej erdhi kasaphana dhe terri.

Xhamia e Plumbit Shkoder
Xhamia e Plumbit Shkoder

Nga Azia mbrritën turqit Selxhukë, hordhi e pafarë. E ma vonë turqit Osmanllij. Këto të fundit të organizuem ma së miri dhe me ambicie të fuqishme filluen ekspansionin drejt Ballkanit me synimin për të zanë qendrën e Europës.
Nuk po hy n’hollsi se s’jam as i këtij zanati, po deshta me mbrrijtë deri me 1479, kur vet Sulltani ambicioz Mehmeti i II Pushtuesi erdhi në dyert e Shkodrës, derdhi topat e randë, ma të fuqishmit për kohën, e për muaj të tanë i rrahu muret e kalasë. U ba luftë e përgjakshme e ma në fund kështjellarët e dorzuen kalanë me marrveshtje.
Sipas disa dokumentave të gjetura në Venedik, shkodranët nuk deshën ta dorëzojnë Kalanë, por Venedikasit që luftonin brenda në Kala u justifikuen me mungesën e ushqimeve, por siç doli ma vonë, ushqime kishte edhe për muej të tanë. Përgjegjësit për këtë dorëzim u dënuen nga Republika e Venedikut.
Marrveshtja u ba në mes Venedikut e Turqve. Një pjesë e shkodranëve të asaj kohe ishin largu e msheh në rrethina, pjesa tjetër, në bazë të marrveshtjes munden të largohen duke marr me vete pasurinë tundshme. U larguen nëpër Bunë e s‘u kthyen ma kurrë. Dëshmia e priftit Marin Barleti, e humanistit të madh, e shkruar në gjuhën zyrtare të Europës së asaj kohe, në latinisht, asht tronditëse, rënqethëse dhe shpresëdhënëse.
Shkatërrimi ishte i përmasave të jashtëzakonshme. U shkatrruen qytete aty rrotull që nuk mbrritën ma kurrë ta marrin veten, si Drishti, Deja e ndonjë tjetër. U shndërruan kishat në xhami. E para ishte kisha e Shën Stefanit, dëshmorit të parë të krishterimit, brenda në Kala. Pastaj kishat e manastiret e Ajasmës (Najazmes-s. gr.). Ikona e Shën Marisë së Këshillës së Mirë, e Kishës së Zojës poshtë kalasë “iku fluturim” drejtë Gjenacanit, ku asht edhe sot e kësaj dite. Sipas një legjende qyteti i Gjenacanit asht themelue nga fisi i Ginicve (pagan!) Ndoshta ikona shkoj te njerëzit e vet(!)
Sot asht tamam koha që simbas shembullit të Turqisë që e ktheu Kishën e Shën Sofisë në Stamboll ashtu siç ishte para pushtimit të Konstandinopolit, të kthehet edhe Kisha e Shën Stefanit e kalasë.
Çuditërisht, Shkodra me mundime të mëdha, duke u përshtat, duke ndrrue fe, duke u ripopullue, filloj të ringrihet. Të paret ndrruen fe krerët, me të vetmen arsye: Ruajtjen e privilegjeve dhe pronave. P.sh Djali i vogël i Mamices, kur gjthçka mbaroj, u konvertue. Ndërroj edhe mbiemrin: nga Topia e bani Toptani. Toptan në turqisht d.m.th. “e gjitha bashkë”, domethënë ruejti edhe nga ana fonetike diçka nga mbiemri dhe njëkohësisht përmblodhi gjithë pronat e dajës. Toptan. Interesante asht se ata nuk harruan asnjëherë se janë shqiptarë, pavarësisht se të gjithë të konvertuarit e quejshin veten turq, kurse kristianëve u thoshin ltin (latin). Në fillimet konvertimi ishte sa për sy e faqe.
U mundova t’ia gjej shkakun kësaj force që e çon në kambë këtë qytet të bekuem që në shekuj ka qenë i lakmuem, e asht, por duhet të them që këto ringritje të herëmbashershme të këtij qyteti duhet të kenë edhe diçka të mistershme, ndoshta diçka mistike ma mirë…
Apo po ia fus kot!

Shkodra ne 1940
Shkodra ne 1940

Kjo ringritje mbas shkatërrimit të gjithçkaje nga pushtimi i Turqve Osmanllij nuk ishte e fundit. Shkodra do të ketë edhe të tjera shkatërrime.
Pra kur hyn turqit në Shkodër nuk mbet asgja. Ata që tepruen merreshin me bujqësi për të mbajte frymën. Me që Shkodra ishte në kufij të perandorisë, u ba qendër sanxhaku dhe aty u vendos një garnizon i fortë ushtarak. U deshën vite që të fillonte edhe njëherë jeta aty ku kishin lanë. Në sanxhakun e Shkodrës u përfshi Mali i zi dhe Kosova. Sigurisht, kufij në kuptimin e sotëm nuk kishte. S’kishte se si të kishte. Ishim brenda kufijve të Perandorisë.
Për ato arsye që thashë ma parë, rritmi i zhvillimit u përshpejtue. Në vitin 1617, Shkodra arriti në 400 shtëpi, nuk ishte pak, dhe në vitin 1664 kishte 15 lagje.
Kush ishin banorët e rij? Sigurisht të parët ishin katundarët e katundeve përreth e malësorët: krajanët, anamalasit, hotjanët, zadrimorët, dukagjinasit, shaljanët e pukjanët… dhe tek-tuk edhe ndonjë qytetar i vjetër që nuk mbërriti të largohej për në Venedik. Shkodra prapë u rimëkamb. Të gjitha profesionet e mëparshme u rinoritën. Tregtia me Venedikun, Raguzën e me vendet e tjera të Adriatikut u rivendos. Ma së fundmi lulëzoj. Kështu lindën edhe shkruesit e parë në shqip. U përkthye e u shkrue për herë të parë Ungjilli. U shkrue në shqip, në rrethinat e Shkodrës. Kjo do të ishte një ngjarje e madhe për kulturën shqiptare. Një bum i jashtëzakonshëm, sepse po ngjizej ndjenja e konceptit të kombit. Lindën muzikantët e qytetit, artistët e qendistarisë, ndërtuesit, arkitektët dhe poetët.
Shkodranët nga gjithë këto përzierje dhe sigurisht jo në një çast, formuan atë që mund të quhet karakteri kolektiv, që ma së miri pasqyrohet në artet, në mardhanjet shoqnore. Asht e padyshimtë që regjimi politik ndikon fort në formimin e karakterit individual dhe kolektiv. Ideologjitë gjithashtu. Duke qenë të shtypun për një kohë të gjatë, mijra vjet nga pushtues racash të ndryshme edhe karakteri i banorëve të kësaj treve, si i gjithë trevave ku banojnë vendasit shqipfolës, mori disa veçori që nganjëherë duken kontradiktore. Diku thellë-thellë asht parahistoria e trashëgueme në trevat e thella: paganizmi, me zakonet mitet, legjendat, organizimin e fisit. Në vitet ‘50 mbas Krishtit, Apostulli Pal shkeli në këto treva dhe përhapi kristianizmin. Duke qenë se kristianizmi ishte feja që u përvetsue me dëshirë nga Ilirët paganë, dhe kishte rrotull 1500 vjet jetë deri ditën që erdhën pushtuesit Osmanllij, ajo hyni thellë në vetëdijen dhe pavetëdijen e kësaj race si besim dhe si kulturë. Nuk kishte se si të ishte ndryshe. Toka e jonë asht në zemër të Europës.
Qartë?!

Shtepi karakteristike shkodrane
Shtepi karakteristike shkodrane

Le të kthehemi edhe një herë aty ku e lamë, te Shkodra. Disa gaca prush kishin mbet nën hi, e sapo u hodhën do ashkla e dikush u fryni zjermi mori edhe nji herë hov e nxeu e e ndriçoj prapë qytetin. Po kryenaltët shkodranë, mbasi e pranuen pushtimin se nuk kishin nga t’ia mbajshin, mbasi një pjesë ndrruen edhe fe…
…Por mbi krye nuk durojshin t‘i sundojë nji turk, e kështu, pak me mend, pak me dredhi, pak me forcë, pak me përshtatje, në krye të qytetit doli një burrë pa as ma të voglin dyshim i zoti. Ky ishte Mehmet Plaku Bushatliu. Duke e ndie vedin vendali e duke e dijtë edhe prejardhjen e tij (që na sot nuk e dimë saktësisht) arriti të bashkojë gjithë krahinën e Shkodrës pa as ma të voglin dallim feje, kulture, etj. Nën sundimin e tij Shkodra vërtet lulëzoj.
Për herë të parë në ketë periudhë lindën edhe “partitë”: Tabakët dhe terezitë. Dy “parti” që kishin interesa të ndryshme tregtare dhe secila donte të kishte influencën e saj në Kala. Sigurisht (sipas “karakterit kombëtar”) këto dy “parti” vriteshin e priteshin, i digjnin shtëpitë njeni tjetrit deri sa ma në fund Mehmet Plaku vente dorë vetë. Po kjo nuk i pengonte të pinin raki, të këndonin, të qitnin bejte e të banin humor.
Karamahmuti, i biri i Mehmetit iu vërsul ushtrive turke dhe e zgjanoj pashallëkun, krijoj të ardhuna të mëdha, dhe zejtaria mori nji hov të papamë. Pazari i Shkodrës gjallonte nga puna e tregtia. Portet Ulqinit, Tivarit, Bunës, Obotit ishin portat që e lidhnin me botën. Popullsia shkoi 45 mijë banorë. 60 firma tregtare shkodrane kishin agjencitë e tyne në Trieste, përveç shumë agjencive që ishin në gjithë brigjet e Mesdheut. Tregtia me Kosovën lulëzonte. Karvanet e mushkave e të kuajve çonin mallna në Kosovë, bile edhe krypë (tashti vonë më kanë pyet për Lec Krypën në Kosovë, Lec Ndrekën, nji shkodran i vërtetë që e mbylli jetën si aktor i Teatrit Migjeni). Nga Kosova vinin në Shkodër qylyma Gjakove, produkte mishi, groshë e shkëlqyer etj, etj. U krijuan familje të shquara si Kamsët (Mëkamsi-(ët) u ringritën aty ku kishin qenë para pushtimit), Suma, Çoba, Parruca, Gjylbegu, Dodmasej, Ashikët… Meqenëse Shkodra u ba kryeqendër e gjithë Ballkanit Perëndimor, menjëherë u hapen edhe përfaqësi të huaja. Rusia, Franca, Austro-hungaria, Republika e Venedikut, etj. kishin përfaqësitë e tyne diplomatike. Përveç mejtepeve u hapen edhe shkollat e mesme të françeskanëve, dhe jezuitëve. Në to nuk u regjistruan vetëm nxanës të besimit katolik, por edhe familjet myslimane i çojshjin fëmijët e tyne atje, p.sh. Faik Konica, Qemal Stafa, Xhemal Broja aty e mbaruan shkollën e mesme (Përmenda vetëm tre emna publikë, se shkolla e jezuitëve kishte edhe mësues të besimit mysliman e edhe dhjetra nxanës të tjerë të këtij besimi). Aty jepej nji arsim i përgjithshëm shumë i kualifikuem.
Karamahmutit iu hap oreksi. Mbasi futi nën zotnim gjithë Shqipninë e Mesme, iu vërsul Shqipërisë Juglindore. Papritë, meqë Serbia i mori Ulqinin e Tivarin, dy porte jetësore, shkoj t‘i shpëtojë, por nuk fitoj këtë radhë. E kapën dhe e vranë. Edhe sot, kokën e tij të balcamosun e mbajnë në muzeun e Cetinjës, dikur kryeqytet i Malit i Zi. Ushtritë e Mehmet Plakut e të Birit në shumicën e tyne ishin të përbame nga luftëtarë trima të malcive përreth Shkodrës, të cilët në shumicën dërmuese ishin të besimit katolik. Nuk e përmend kot këtë fakt sot. Asht ajo që thashë ma sipër. Asnjiherë nuk harrojnë këta vendali se janë shqiptarë. Asnjiherë nuk e kanë harruar malcorët, se Bushatlijtë pak vite përpara… ishin si ata, të të njetit besim. Nuk luftojshin Bushatlijtë kot me turqit. Kjo vetëdije i lidhte… Sigurisht që kishin edhe njëmijë arsye të tjera, po të qenit shqiptar, i bashkonte “myslimanët” Bushatlij edhe kundër Turqisë. Kështu ishin shqiptarët e atyne kohëve. Kështu jemi ne. Apo ma mirë, kështu duhet të jemi. Shembulli ma domethënës asht varrimi i nanës së nënkryetarit të qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit: Dom Nikoll Kaçorri, prifti katolik, nënkryetar qeverie, e varrosi nanën me hoxhë. Kështu pra…

Rozafa nga Beltoja
Rozafa nga Beltoja

Fuqitë Ndërkombëtare ndejën në qytet deri në fillim të luftës së parë botnore. Në Qershor 1915 atë e pushtuan edhe njiherë malazezët, në janar 1916, hynë në Shkodër ushtritë austro-hungareze. Mbasi kapitulloj Austro-hungaria, në Shkodër hynë ushtritë franceze. Përfundimisht në Maj 1920, ma në fund Shkodra ishte Shqipni.
Ma në fund.
Fuqitë e mëdha (Shtat Krajlat) e coptuen Shqipninë në kohën kur Perandoria Turke po kapitullonte, në pesë copa. Europa nuk donte të krijonte nji “Turqi të vogël”, as “nji shtet mysliman” në zemër të Europës. Asnjiherë nuk e kanë thanë, e prapë nuk do ta thonë, po fakti që shqiptarët e Kosovës i lanë si pakicë nën serbët e krishterë, shqiptarët çamë i lanë si pakicë nën grekët e krishterë, e kështu me radhë, dibranët shqiptarë nën maqedonët (bullgarë!) të krishterë, dhe në përgjithësi rreth kufijve të Shqipërisë së sotme janë me shumicë të krishterë, kjo duket qartë. Bën muuuu. Në kët kohë përzunë edhe shqiptarët e Podgoricës. Dhe sot ata janë qytetarë shkodranë, s‘kanë se si të jenë ndryshe.
Në periudhën e Republikës e të Mbretnisë, Shkodra vazhdoi të jetë e begatë.
Prodhimi, tregtia, qejfi…
Shkollat, shoqnitë kulturore, studentët e shkolluar në Europë ktheheshin dhe përkthenin ligje, letërsi… Filloj botimi i revistave dhe gazetave derisa arriti një numër të konsiderueshëm për kohën, rreth 45. Nga tradita mijavjeçare që asnjiherë nuk u këput, (megjithëse shpesh shkoj deri në fije t‘penit) lindi letërsia me temë aktuale. U botue romani i parë i letërsisë në gjuhën shqipe me temë nga rrethimi i Shkodrës prej forcave serbo-malazeze, nga Don Ndoc Nikaj. Lindi poema homerike “Lahuta e Malcis” me të njejtën temë, poezia lirike, shfaqjet teatrore, bandat e para muzikore, futbolli për herë të parë, u ndërtue stacioni i parë meteorologjik në Ballkan. Filloj ndërtimi i industrisë së lehtë. U ngritën fabrikat e para të prodhimit të alkoolit, të sapunit, të përpunimit të lëkurëve, të prodhimit të këpucëve, të prodhimit të çimentos. Shkroi poezi të pakrahasueshme Migjeni, prozë Ernest Koliqi. Kishte vite që botohej revista “Hylli i Dritës”, revistë që edhe sot e kësaj dite zor se i arrihet shoqja nga serioziteti shkencor, nga begatia e letërsisë, (Prof. Çabej në këtë revistë botoi një pjesë të madhe të studimeve të tija).

1938 - Shkodra: Mikpritese e Kultures
1938 – Shkodra: Mikpritese e Kultures

Lindi kanga qytetare.
U larguan jargavimat orientale që këndoheshin deri atëherë nga muzikantë të talentuar si Osja i Falltores, Zef Gurashi, etj. Lindi “Jarja” një gjini lirike e paparë kërkund në Ballkan, një gjini e barazvlefshme me “arien” që shkruhej e këndohej në të njejtën kohë në operën italiane. “Per mue paska kenë kysmet” asht një kryevepër e melodisë shkodrane, që do të pasohej nga qindra të tjera kangë. Të gjitha me autor, me emën e mbiemën. Isa Alibali nji qytetar që e do Shkodrën dhe kulturën e saj po shkruen pa pushim, për kangën, për kompozitorët, për njerëzit e kulturës. Duhet t‘i themi të gjithë “Faleminderit” me za të naltë.
Shkollat, shoqnitë kulturore, studentët e shkolluar në Europë krijuan një jetë të pasun intelektuale dhe artistike. S’kishte se si të ishte ndryshe, tradita vazhdonte. Unë vetë kam pa para shumë vitesh në arshivën e familjes Laca një fletëpalosje të një koncerti vokal lirik, piano dhe kangëtar, ekzekutuar në vitet ‘700. Kanga, piktura, arkitektura, drama, teatri, letërsia… arti ishte në maja. Kudo këndohej, luhej teatër, shkruheshin drama, pihej raki, qiteshin bejta… Humor, humor, humor…
Po vajzat… Ma t‘bukrat e botës. “Ujë pusi e vajza Rusi”.

Kol Idromeno - Dasma Shkodrane
Kol Idromeno – Dasma Shkodrane

Nuk kishte asnjë lloj krimi, asnjë vjedhjeje. Të gjitha dyert ishin të hapuna. Paqe, paqe, paqe…
Meqenëse të gjithë merreshin me art, të pervetshmit, mjeshtrit, të talentuemit delshin vetë. Poezia e të gjithë llojeve, nxori kolosin Gjergj Fishta, që ishte edhe arkitekt, politikan për Shqipni, njeri që bante edhe humor të hollë tipik shkodran; mjeshtrin e madh Ndre Mjedja, poetin modern e të papërsëritshëm Migjeni, prozatorin Ernest Koliqi. Piktorin Zef Kolombi, Simon Rrota. Rilindasin e madh Kolë Hidreomeno, piktor, mjeshtër i portretit e i kompozimit, punues i hekurit të rrahur, fotograf dhe ma së fundi arkitekt: Veprat e tija arkitektonike janë vepra artistike: 1).Shtëpia në lagjen Badra e Lec Boriçit, pronarit të minierave të Rubikut. Duke shfrytzue një sipërfaqe të vogël, në një trekandsh në mes të dy rrugëve arrin që të rrisë sipërfaqen banuese duke krijue të gjitha ambientet: e banimit, të çlodhjes të shërbimeve. 2).Shtëpia e Çobës në Gjuhadol. 3).Në fund të rrugicën ku unë banoj edhe sot e kësaj dite, në Rus përkarshi Kishës së Shën Kollit në shtëpinë e ndërtueme mbi nji jerevi dy ndarjesh nga im atë, Kolë Hidromeno ndërtoj një shtëpi për vete, po që nuk jetoj asnji dite. Ia dha me qira Prof. Guzhonit e të tjerëve me radhë deri sa e shiti. Sot aty jeton familja Zylja, një familje shumë e nderueme. 4).Vila që banorët e Shkodrës i dhuruan Mbretit Zogu i Parë në Shirokë që asht në mjerim të plotë si gja pa zot. 5).Kafja e madhe në mes të qytetit. E sa e sa banesa të tjera që mendoj se ka ardhë ora të inventarizohen e të ruhen së paku nga Bashkia e qytetit si vlera të papërsëritshme të kulturës qytetare shkodrane.
Bandat muzikore u forcuen e u bane profesioniste. Në konceptin vulgar, profesionist kemi nënkuptue atë që merr rrogë e s‘ban punë tjetër. Po s‘asht ashtu. Nuk kishte shtëpi në Shkodër që nuk kishte një instrument. U shkruen drama e melodrama. Melodrama jo në kuptimin e sotëm, po ishin drama të muzikueme, afër gjinisë së operas. Dekoret sigurisht në shumicën e tyne i bani Kolë Hidromeno.
Martin Gjoka një muzikant e pedagog i pafjalë, nxori direkt apo indirekt gjithë brezin që njohim ne sot: Tish Daija, Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tonin Harapi… Martin Gjokës i përket hymni i famshëm triumfal, hymni që u propozue të jetë kryefjala muzikore e shtetit të ri të Kosovës. Thuhet se një pjesë e veprave të tija janë në arshivën e shtetit. U takon historianëve të muzikës të merren me të, e t‘i hapin pak vend në kulturën shqiptare, aty ku e meriton, asht në nderin tonë e jo të atij, se ai ka dekë e ka shkue e nuk di ma gja.
Si kudo edhe në Shkodër njerëzit vdesin. Respekti për të vdekunit tregon një shkallë të naltë qytetnimi, dhe kjo duket qartë në vorret e Rmajit. Asht një varrezë monumentale e mendueme qartë nga arkitekti Zojzi që ndërtoj edhe Kapelën në ballë, por që mbeti e pa përfundueme plotësisht.

Pllaka Perkujtimore - Shkodra
Pllaka Perkujtimore – Shkodra

Shkodra u pushtue nga forcat fashiste më 10 prill 1939. Sepse më 7 prill sapo vuni kamën në urën e Bahçallekut oficeri italian që printe, u vra. Kështu ushtria u detyrue të tërhiqet e të rregulloj punët me njerëzit e vet brenda qytetit. Thuhet se pagoi nga pesë napolona flori për atë që delte e i priste me tufa lulesh. Gjinden të tillë kudo, edhe në Shkodër kishte. Kështu me 10 prill u futën në qytet. Një dëshmitar nga Vunoi që në atë kohë punonte në Shkodër si inxhinier, ka dëshmue: Qytetarët e ndershëm shkodranë në shenjë proteste, vunë në krah shiritin e zi e dolën në rrugë të heshtun. E besoj. Me shumë mendje ata mbajtën zi për lirinë që u hupi. Nuk mund t‘i dilej përballë një fuqie të tillë si Italia. Asht e famshme parafjala e revistës “Hylli i Dritës”. Sarkazma për “mirëseardhjen” si dikur centurionët asht e jashtëzakonshme për atë që do me e marrë vesh. Por Italia për arsye propagande derdhi pare të madhe në Shqypni e edhe në Shkodër. Italia “katolike” ndërtoi në Parrucë xhaminë me dy minare. Që këtu duket propaganda. Me gjithë pushtimin duhet thanë se Shqypnia nuk e pati fort keq. Filluen ndërtimet. U shtue mirëqenia. Nëqoftëse në Itali mblidheshin ndihma nga popullsia për luftën, nji pjesë e atyne pareve derdhej edhe këtu. Por fashistizimi u përbuz. Shumë nëpunës bankash, profesorë e nëpunës të tjerë, refuzuen të veshin uniformën fashiste. Nisi rezistenca. Shkodrani, si gjithë shqiptarët nuk duron kend mbi krye. Grupet antifashiste filluen të organizohen. Mirëqenia nuk vazhdoj gjatë. Gjithë bota ishte në luftë.
…Mandej erdhën partizanet.
Në qendër të qytetit, aty ku asht rrethuar lulishtja si pjesë e oborrit të xhamisë, edhe tashti asht një lapidar i ngritun për të përkujtue formimin e brigadës së fundit partizane që do të vazhdonte luftën mbas kufinit shtetnor. Kjo ndodhi me 29. Së paku kështu ishte e shkrueme në lapidar deri pak kohë ma parë, sot një dore e ka fshi datën. Me datë 29 Nandor kanë luftue, apo kanë formue brigadën partizanët(!). Nji pjesë e mirë e brigadierëve të brigadës së fundit ishin të mobilizuem, kjo tregon se shteti i ri ishte organizue e po fillonte punën. Puna e dytë mbas formimit të brigadës ishte arrestimi dhe eleminimi i të gjithë atyne që mund të ishin të damshëm për regjimin që po instalohej. Dhe çuditërisht Shkodra paska qenë në shumicën e saj antishqiptare, tradhtare, fashiste, antikomuniste(!) (Botimet e para në shtyp për komunizmin në Shqypni erdhën që në vitin 1905, nga Shkodra, kjo sipas studiuesve në institutin e studimeve në K.Q.)
Gjyqe partizane. Në emër të popullit. Dhunime fizike çnjerëzore. Tortura. Thyemje kockash. Ulërima e rrahje kambësh partizane përtokë: “Plumbin tradhtarëve”. Sekuestrime. Nxjerrje në mes të rrugës me nga nji batanije në kurriz. Pushkatime mbas murit të vorreve të Rmajit. Ekzekutime me krye në gjiriz. Ku e ke fshehë arin, arin, arin…?? Prapë tortura. Nuk mjaftonin burgjet. Sekuestroheshin shtëpi të mëdha treqindvjeçare, të familjeve të vjetra, dhe shndërroheshin në burgje. Armiq. Tradhtar. Pothuaj i gjithë qyteti paska qenë tradhtar(!). He! Çudi! Po çudia ma e madhe ishte se torturuesit, pushkatuesit, gjykuesit ishin të gjithë djem të rij, nji pjesë gjimnazistë e një pjesi tjetër me siguri bari apo djem barinjsh, të indoktrinuem që të çfarosnin “borgjezët gjakpirës”, që në nji situatë tjetër do të ishin djem të urtë, mund të ishin shkollue, të ishin ba familjarë të mirë, e prind të mirë. Sigurisht nji pjesë e tyne u banë, nji pjesë tjetër pësoi fatin e viktimave të veta, dhe nji pjesë vazhdon të jetojë, ndoshta edhe të na japë mend për demokracinë.
Po ç‘ishte gjithë kjo urrejtje?! Urrejtje kundra dijes, kulturës, qytetnimit të një qyteti të lashtë e të formuar plotësisht si qytet evropian?

Dugajt e Reja naten...
Dugajt e Reja naten…

Hajde gjeje?!
Mos ishte një kompleks kolektiv inferioritetit?! Mos kishin gisht komshijtë që e kanë lakmue, dhe partizanet ishin vegla të pavetëdijshme të përpunueme? Me që nuk e shtinë në dorë ta rrafshojnë?
Ballkanas!!
Në Greqi thonë: E pyeten: Çfarë do të deshe? U përgjigj: Unë asgja, po mos t‘i pjellë dhia Vasilit. Njisoj. ballkanas.
Asnjë pushtim nga të huajt nuk bani aq shumë vrasje, tortura e çfarosje sa ardhja e partizanëve në këtë qytet të butë, në këtë qytet që punonte, këndonte, bante letërsi të kalibrit të naltë. Nji urrejtje vërtet e çuditshme!!
Pak ma vonë të talentuemit e “parrezikshëm”, arsimtarë, kangëtarë, kompozitorë, aktorë, mjekë, profesorë të latinishtes e të gjuhëve të huaja në përgjithësi, ekonomistë e inxhinjerë, të mirëkontrolluar, si këlyshë të rrahun, u eksportuan në pjesë të tjera të vendit. Të gjithë këta intelektualë të mirëfilltë, krijuan kulturën e re që po instalohej, krijuan brezin e ri të intelektualëve të mbas luftës në të gjitha fushat e dijes dhe të profesioneve. Janë qindra emna që e bane kët punë me ndershmëni e me devocion. Nuk dinin ta banin ndryshe. Publikimi i emnave të tyne do të zinte faqe të tana…
Ndoshta nji herë tjetër.
Ndoshta ia vlen.

Shkodra martire - Prennushet
Shkodra martire – Prennushet

Pushteti i ri e dinte mirë se çfarë bante. Shkodrës iu hoq gjithçka. Pasunia: Gjithë florini i fituar me djersë. Afërsisht 60 piano i morën “miqtë” tanë jugosllavë, përveç qindra librave të sekuestruar në bibliotekat e shkollave e të qytetarëve, dhe mallnat e magazinave, me shumicë. Shtypja e këtij qyteti vazhdoj gjatë dhe bani punën e saj. Disa breza mërdhiten. Por jehona, jehona e kulturës, e humorit e muzikës vazhdoj gjatë. U shkruen e u ekzekutuen opera e opereta, orkestra simfonike e qytetit dha disa koncerte. Prek Jakova, nji kompozitor e organizator i jashtëzakonshëm ishte strumbullari i muzikës. Trupa e teatrit shkëlqeu me regjisor si Andrea Skanjeti, Lec Shllaku, me aktorë të jashtëzakonshëm si Zef Jubani, Ndrek Prela, Tinka Kurti… Enver Hoxha, kur pa shfaqjen e “Koprracit” të Molerit në sallonin e teatrit të shkollës së jezuitëve, u entuziazmue aq shumë sa dha urdhën që të ndërtohej nji teatër i ri. Mjeshtëria e naltë e Zef Jubanit i fali Shkodrës atë ndërtesë që edhe sot e kësaj dite qëndron në mes të qytetit. Po ngadalë ngadalë, si pa u marrë vesh, arti e kultura po shuhej. S’kishte se si të ishte ndryshe. Fukarallëku po mbulonte gjithçka. Ishte e vështirë të mbijetoje.
Asht e pamundur që në këtë qytet të mos qeshet, të mos këndohet edhe kur ke halle të mëdha. Në kulmin e fukarallëkut e të shkatërrimit të gjithçkaje, shkodranët dinë të bajnë humor, të tallen, të tallen edhe me veten. Humor të idhtë.
Dhe kështu vazhdoj gjatë.

Rikard Ljarja e Roza Xhuxha (Anagnosti)
Rikard Ljarja e Roza Xhuxha (Anagnosti)

Kanë kalue shumë vjet. Shumë transformime kanë ndodhë. Edhe në njerëz, edhe si shoqni Shkodra ka shumë transformime. Diku ma sipër më duket se thashë që regjimet politike, ideologjitë, ndikojnë në karakterin e individit dhe për rrjedhojë edhe të shoqërisë. Edhe Shkodra nuk ka shpëtue nga ky rregull. Megjithatë, ka pas individë që kanë arritë të përballen edhe me dhunën e fuqishme propagandistike. Janë strukë në vetvete dhe kanë qindrue. E mandej? Sa pare ban?!
Sot një pjesë qajnë të shkuemen e largët. Shohin andrra me sy haptë. Bile shkojnë 500 vjet mbrapa: Djemtë (sot ndoshta te 70-at) e tregtarëve të dikurshëm, që jo për fajin e tyne mbeten të pashkolluem, pa pasuni, e pa dije, u shkon mendja që të kenë protektor një stërstërnip të Gjergj Kastriotit me banim në Napoli. Nuk të vjen të qeshësh?! Nuk të kujtohet Don Kishoti? Të mjerët, bahen qesharakë, sepse kujtuan që u erdhi vërtet dita, dhe s’dinë nga t’ia mbajnë nga që i besuan shumë gjatë rrenat! Të tjerë marrin arratinë ku të munden se “i mbyten malokët”. A s’ishin edhe ata disa kohë ma parë “malokë”?! Prapë të tjerë, kërkojnë të krenohen me stërkatragjyshat, me dyert e mëdha e ku di unë se çfarë. “S’pyet kush, kush ke kenë, po kush je”.
Sot Shkodra asht ripopullue. Të ardhunit e ndjejnë që nuk asht e mjaftueshme me veshë kostum e kravatë që të jesh qytetar. Tjetër gja asht qytetaria. Apo jo? Duhet të mendojnë e të jetojnë si qytetar. Ta zbusin gjakun e ta lanë në nji anë atë që po duen me e quajte “Kanun”. Ka kohë që i ka ikë koha. Vërtet “Kanuni” ishte kushtetuta që e mbajti gjallë këtë racë, po ka shërbye para tetë mijë vjetëve (sipas nji studiuesi japonez). Sot jetojmë në mijëvjeçarin e tretë. Si mund të na pranojë Europa kështu!
O vllazen, të vdekurit nuk ngjallen ma. E bashkë ma ta nuk ngjallet as kanuni, as pasunia që ju asht grabitë. Luftën e fituen partizanët, ka mbaru ajo punë. “Mjerë kujt i hangri bytha dhe, se i gjalli e ka dermanin”. Duhet mbledhë mendja mos me u ba gazi i botës. Duhet pa përpara.
Dhe unë ndjej se Shkodra po sheh përpara. Ka një bum ndërtimesh e restaurimesh. Qyteti po shtrihet atje ku duhet. Drejt ujit. Drejt Kalasë. Atje ku ka qenë, atje ku asht formue në mënyre të natyrshme mija vjet ma parë, si të gjithë qytetet e Europës. Shiroka s‘ka kenë kurrë katund, nuk asht marr kurrë me bujqësi, dhe sot po lidhet e po bahet me të vërtet një lagje e qytetit në mënyre krejt të natyrshme. Natyra ia ka falë këtë mundësi dhe shkodranët po çfrytëzojnë me mençuni. Mendoj se urbanistët do të mendojnë edhe për morinë e biçikletave, për nji korsi të vogël në rrugët që ma në fund po asfaltohen. Arkitektët kanë fatin të projektojnë me mendësitë e sotme europiane. Arkitektura e Shkodrës mendoj se duhet të jetë moderne, tue shfrytezue mendësitë e ndërtimit të sotëm europian e botnor, si nga ana figurative, funksionale, teknologjike etj., sepse ndërtimet e sotme do të vazhdojnë të jetojnë gjatë dhe do të pasqyrojnë mendësitë e qytetareve të kohës kur u ndertuen. Pasunia e ndërtimit tradicional mendoj se do të ndjehet kudo në ndërtimet e reja. Dekori i qytetit ndikon shumë në psikologjinë e banorëve të tij. Prandaj ka randesi. Asht kollaj me dhanë mend, por s‘mund të rri pa folë.

Shkodra - Udhkryqi ujnave
Shkodra – Udhkryqi ujnave

Shkodranët vazhdojnë të pinë raki, e kanë rregullue dorën, nuk e bajnë ma të butë, dy gradë mbi ujë. Shkodranët vazhdojnë të këndojnë, vazhdojnë të qesin bejta, vazhdojnë të bajnë humor. Mençuria e shkodranit të thjeshtë shndërrohet në batutë, në nji thanje, pa e mendue gjatë, po duke e ndi thellë, duke pa rreth e rrotull, ndoshta në mendyrë krejt të pavetëdijshme. Këto kohë në Shkodër nuk i thonë ma Sali, as nga ato epitetet me të cilat e thrresin miqtë e afërt që e rrethojnë, e as nga ato epitetet që shpesh i ndigjojmë edhe në T.V. Këto kohë shkodranët i thonë: Salvator. Ky epitet asht thelbi i asaj që dishrojnë shkodranët. Nuk ka nevoje për koment.
Besoj që së shpejti Bashkia do të gjej do fonde e orkestra simfonike do të mblidhet e do të vazhdojë të japë koncerte. Ndoshta si orkestër e Radio Shkodrës(!). Janë të gjitha mundësitë. Dashamirët e teatrit e të varjetesë s’duhet ta lanë veten të myken. S’paska djem e vajza të talentuem ma në Shkodër?! S’paska spektatorë që kërkon të shohë shfaqje të nivelit?
Asht e pamundun.
Shkodranët e ndjejnë me gjithë poret se diçka po ndodh përreth…
Por Shkodra asht e randë, peshon shumë e i duhet kohë të çohet në kambë e të fillojë me ecë, i duhet edhe hapsinë… Ajo e ndjen se hapsina po i krijohet ngadalë ngadalë përreth… E ka fillue ta ngrejë kryet nalt, pa shit mend, pa kujtue se asht kërthiza e botës, me punë, me mund, me djersë.
Ringritja ka fillue. Tharmi, fara e Shkodrës asht aty. Kushdo që të hyjë e të jetojë në këtë qytet do të fermentohet plotsisht e do të shndërrohet në qytetar shkodran. Kjo asht me provë: Sot ka çam shkodran, podgoriçan, gjirokastrit, libohovit, e lab shkodranë, s‘po them për dukagjinas, pukjanë, kelmendas, ulqinakë, dibranë e ku e di unë se sa e sa soje të tjera… Edhe familja e nderueme hebreje Shvarc që i dha dritë Shkodrës, dhe familja Arditi që ia pakësoj dhimbjet fizike me ilaçe shkodranëve, janë tipike shkodrane s’mund të jenë ndryshe.
Tharmi asht i fortë, hyn thellë në gen dhe trashëgohet. Duhet të jetë ajo mistikja, ajo hyjnorja, misteriozja forca që e ngre në kambë dhe e ban të shkëlqej këtë qytet. Kjo po ndodhe edhe tashti, fermentimi ka fillue…
Optimizmi i im duket krejt idiot kur Shkodra sot ka ende qinda e mija halle. Por unë besoj tek urtësia e shkodranëve, te kanga e shkodranëve, te anekdotat, te terjaqijtë e rakisë e të krapit tavë, te shpirti paqësor e i butë i shkodranëve, te talentet e pafundme që ka nxjerrë, nxjerr, e do të vazhdojë me nxjerrë kjo gropa e jonë e Shkodrës në të gjitha fushat e dijes…
Pëllumbat janë ogur i mirë…
Figura e pëllumbave asht si prej hartimi gjimnazisti, po vërtet Shkodra, si dikur asht mbush me pëllumba, s‘mund të rri pa i përmend.
https://groups.yahoo.com

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.