back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Rrëfim për nji andërr t’gjatë, që nji ditë u ba libër! – nga Desantila Qerimaj

Gazeta

Desantila Qerimaj - Arie t'krisuna - Kompozim
Desantila Qerimaj – Arie t’krisuna – Kompozim

Rrëfim për nji andërr t’gjatë, që nji ditë u ba libër!*

nga Desantila Qerimaj

Nji natë u ula buzë shtratit e përballë vedit në provë. Ishte dimën i vjetit 1994. Shkrova “Gjana në vargje”, për rrugën e fëminisë e adoleshencës që m’fliste nëpërmjet dritores t’nji dhome gjumi ku andrrat s’kishin emna as ftyra, veç imagjinatë t’pakjartë. Ato fjalë s’ekzistojnë má askund, me tanë përpjekjet e mia me i ruejtë ndër portofolat e panumërt t’jetës. Por vetvetja që kërkova mbet. Rreth ngjarjeve të shumta t’jetës, gjej nji emnues që përcakton anën ma t’ngrohtë temen, ftuese, t’heshtun e t’zhurmshme, qiellore e tingullore, mistike e t’panjoftun, po edhe ma kapriçoze: Poezia. Në ndjehet a shkruhet, s’ka randsi…
Nji ndër ngjarjet që kujtoj shpesh, asht kur jam regjistrue për edukim ma të naltë “Higher Education” në Londër. Profesoresha tha:
-Formularët në t’cilët ju keni me spjegue vedin i keni përballë, janë pak të gjatë, sepse ju duhet me dijtë m’e shitë vedin e çka dini shtrejtë, për m’u pranue në kët’ kurs!
-Si mund të shitet vedi shtrejtë? – pyes.
Ajo ndal pak sekonda shikimin te un’, kontrollon emnin tem.
-Ti je e huej Desëntajla, sa gjuhë din?.
-Dy gjuhë: italisht dhe anglisht, kuptoj pak edhe norvegjisht, po s’e flas! – i gjegjem.
-Je italiane?
-Jo jo, jam shqiptare, por di dy gjuhë, italisht dhe anglisht.
-At’herë ti din tre gjuhë, edhe gjuhën tande të nanës (mother tongue), – thotë e ekzaltueme dhe habia e gëzueme ia mbushi ftyrën. – Asht e mrekullueshme. Kjo asht diçka që mundet m’u shitë shtrejtë!
Shikimet e klasës sillen kah un’. Qeshi lehtë me buzë të mbylluna, mendueshëm. Ndjehem e dukshme. Heshti. Mendoj kalvarin e dhimbshëm, t’përjetshëm të “duhet me ba ma shumë” të shqiptarit, kalvarin e t’huejit. Këtu e kam pa vedin gjithmonë edhe me poezinë. Bash në kët pikë. Duhet me ba ma shumë. Duhet gjithmonë me ba ma shumë.
Uroj, ky libër të përcjelli: se poezia asht diçka ma shumë prej vedit. Ma shumë prej tokës, ujit, qiellit, diellit e trishtimit, diçka ma shumë prej lumtunisë, hanës, duerve, syve e lkurës teme. Uroj ta kem “shitë shtrejtë”, gjakun, fjalën, kohën e dashninë! Uroj të kem dijtë me përqafue mallin, brengën, ikjen e ardhjen te lexuesi…
Kur pashë librin në librari, u ndjeva mjaft e emocionueme, m’u rikthye gjithçka në kujtesë. Nata e parë që kam shkrue poezi. Hera e parë që më kanë lexue… Poezi t’shpërndame në blloqe e vite. Takime. Kujtime… Mbështetja e parë dhe e mbarë këtu në fb e lexuesve e shkrimtarëve që lexoj e vlerësoj, (ishte shtysë jo pak domethanëse, që ma riktheu dëshirën me shkrue), mbështetja e pandalun e Leon Lekaj, qysh me poezitë e mia të para, postue po këtu, gjej rastin me e falenderue me zemër t’lumtun për shumçka e për mendimin estetik. Nën t’njajtën dritë falenderoj Shqiptar Oseku për mendimin estetik. Falenderoj Shtëpinë Botuese “Jozef”, drejtuesin e saj Aurel Kaçulini, për mbeshtetjen e realizimin mbi kërkesat e mia të botimit. Falenderoj toliart.co.uk për kopertinën. Dhe me shpirt e zemër të hapun ndër duer falenderoj Jozef Radi, për redaktimin, punën e mbështetjen e jashtzakonshme, shtysën e vazhdueshme e këshillat e detajueme, që un’ të sillja ma t’mirën teme. Falenderoj lexuesin! Si instrumentiste, e ndjej duartrokitjen, asht toka ku instrumentisti, kësaj here poeti, lëshon tinguj, fjalë, lule, fara e bimë. Uroj t’çilin, t’nisen, t’ecin, t’bajnë rrugën e prekjes e ngjitjes, e t’përfundojnë në ndjeshmëninë tuej njashtu si duertrokitjet rrokin ndigjuesin me interpretuesin, muzikën me ne, sallën e botën me ne…
Pë t’interesuemit, ‘Arie t’krisuna’ mund ta gjeni te libraria Adrion në Tiranë, tek Libraria Ora e Shkodrës në Shkodër, dhe për ata që jetojnë jashtë Shqipnie, online tek adrionltd.com.
 
Me përjetimin e vjeshtës
po risjell vjeshtën teme prej librit
me gëzimin që m’keni lexue, që m’keni dashtë,
e me besimin se dëshironi me m’lexue.
.
Vangjush Mio - Vjeshtë në Dardhë
Vangjush Mio – Vjeshtë në Dardhë

Vjeshtë

(shkëputë nga libri “Arie t’Krisuna”)

Kaloj përmes teje, shikimthyeme
mes gjethesh të shplame që kanë nisë m’u grrye.
Ke me ardhë tue lajmërue, un’ gjithnji pres,
si nanë e ngarkueme, që s’ka nevojë me ia kujtue vedit
përkujdesjen e dhomave t’përgjumuna,
akordet e ndjeshme lëkundë deri n’rrëzim,
perdet e syve ndrysh për çdo emocion,
mungesën e zhurmës n’shtatin e qytetit zymtue.
Ti je ditar pa gërma, shije që risjell ndër mend
tempujt e të vërtetave të dhimbshme, detnat,
zbaticat e lkurës e ndjenja që s’ecin má.
Mundem me t’pasë.
Jo kot gjendem n’pushtetin tand
tue mbjellë vyshkje që duhen përjetue.
Ti mbyt gjithçka mbrendë kutisë ku ruej
lule të vjetrueme, lindun qysh n’mars, brengë e vogël
kthye ma vonë n’kopësht që ka me vdekë.
 
Kaloj përmes teje, po ti ke mbrritë
matanë meje, aty ku s’ka má vend për kohë.
 
Ps. Për promovimin e librit, uroj e shpresoj t’ketë nji lajmrin në t’ardhmen, mbasi çeshtja e Covid, m’i vështirson mundsitë.
Ju falenderoj!!!
.
*Titulli redaksional, radiandradi.com
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.