back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Rrëfime e dhimbje rreth Kishës së Vaut të Dejës – nga Ndoc Selimi

Gazeta

Kisha e Vaut të Dejës - Pak para hedhjes në erë
Kisha e Vaut të Dejës (pjesa shtese) – Pak para hedhjes në erë

Rrëfime e dhimbje rreth Kishës së Vaut të Dejës

nga Ndoc Selimi

Në vazhdim të aventurave komuniste kundër fesë e objekteve të kultit në Shqipëri le të ndalemi pak te tragjedia e kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, i vetmi monument i arkitekturës romaniko-gotike në Shqipëri, që siç thotë regjisori i madh Lec Shllaku: “Mbetet një plagë e pashërueshme në gjoksin e kulturës e të historisë sonë kombëtare”. (L. Shllaku “Shtegtimi i monumenteve” Shkodër, 2004,fq. 135)
Se kur u ndërtua kjo kishë nuk dihet, por Zahariat e gjetën aty kur u bënë zotër të Danjës. Shën Mëria e Danjës është e rrethuar prej një cikli të tërë gojëdhënash. Besohet se këtu është bërë kurorëzimi i Skënderbeut me Donikën, prandaj quhet edhe si kishë kushtimore e Heroit. Këtu u bë edhe pajtimi midis Kastriotit e Dukagjinëve me ndërmjetës Ipeshkvin e Drishtit, Pal Dushmani dhe populli e quan “Kisha e Dejës, e Zojës së Pajtimit të Popullit”. Brenda truallit të rrënojave të kësaj kishe ndodhet edhe varri i Lekë Zaharisë. Në gërmimet e mbas viteve nëntëdhjetë është zbuluar ky varr dhe brenda është gjetur një krah pëllumbi në terrakotë.
.
Kisha e Vaut të Dejës
Kisha e Vaut të Dejës
Shën Mëria e Danjës i qëndroi shekujve. Asnjë invazor nuk arriti ta prishë. Sipas të dhënave u bë një marrëveshje me turqit për mosdëmtimin e kësaj kishe duke paguar një taksë të majme nga populli i zonës. Edhe pse ishte kjo marrëveshje, dejasit nuk u zunë besë turqve dhe kështu bënin roje me radhë vetë populli.
Pas Luftës së Dytë Botërore, me dekretin Nr. 6 datë 15.01.1963 shpallet “Monument Kulture. Mbrohet nga Shteti Kisha e Shën Mërisë në fshatin Vau i Dejës”. Në shtator të vitit 1967, filluan punimet në Hc e Vaut Dejës dhe kjo kishë, sëbashku me një shtojcë tjetër, projekt i Kole Idromenos, fillimisht kthehet në fjetinë për punëtorët e më vonë në shtëpi kulture.
Në vitin 1969, shkon për vizitë në HC kryeministri i vendit, i cili i habitur, gjoja, se shikon një kishë akoma në këmbë (se të tjerat i kishte rrafshuar revolucioni antikulturor i vitit 1967), jep urdhër që të minoset. Me 30 maj 1969, hidhet në erë ky objekt i një rëndësie të veçantë shpirtëror e historik. Pra, atë që s’e bëri Sulltan Mehmeti turk, e bëri Mehmeti Xhahili shqiptar duke e groposur në një ditë kishën që populli e kishte ndërtuar e ruajtur për gati njëmijë vjet.
.
Kisha e Vaut të Dejës, në prerjen 1000 Lek
Kisha e Vaut të Dejës, në prerjen 1000 Lek
Studiuesi Zef Mark Zeka tregon: Ishëm në Vaun e Dejes pjesëmarrës në ndërtimin e Hc. Na mblodhën në një meting, ku do të fliste i deleguari i K. Partisë rrethit Shkodër. Mbasi përshkroi punën që po bëhet e në fund doli aty ku ishte porositur: “Puna juaj për veprën energjetike është e lavdishme, por mos të harrojmë se jo larg kësaj vepre të dritës, bile as një kilometër, ndodhet një godinë që përhapë errësirë, prandaj, tha ai, brenda ditës sotme duhet zhdukur…”
Dhe studiuesi Zeka vazhdon: “Bashkë me mua në këtë takim ishte edhe humoristi i njohur Gjosho Vasia, përgjegjës i kino klubit hc, i cili kur dëgjoi fjalët e të deleguarit, mbas pak minutave, u ngrit nga karriga, ku ishëm ndenjur bashkë duke më dhënë sinjal me brryl dhe pastaj u ngrit e doli në koridor dhe kur u kthye pashë që sytë ishin të përlotur!”
E kuptuam se bëhej fjalë për Kishën e Shën Mërise e shekullit XII, e cila tre ditë më vonë pas kësaj “porosie” qe kthyer në një grumbull gurësh nga plasja elektrike me dinamit!
Te libri “Shtegtimi i Monumenteve” në fq.142, mjeshtri i skenës Lec Shllaku duke bërë fjalë për shkatërrimin e kësaj kishe thotë: “Mos thoni kurrë që djajtë janë më të këqinj… Në kohën tonë kjo qe humbja më e rëndë që pësoi vendi në panagjirin e kombeve të qytetëruara”. Ndërsa inxhinieri arkitekt Aleksandër Meksi thotë: “Minimi i kësaj kishe u quajt mburrje nga vandalo-shkatërruesit, ndërsa ne e quajtëm skandal dhe krim ndaj kulturës shqiptare. Ishte i vetmi monument tërësisht i ruajtur. Kishte edhe piktura në brendësi. Nga 1967 nuk funksiononte si kishë, por kishte të shkruar në derë: “Monument Kulture. Mbrohet nga Shteti“. (A. Meksi, intervistë).
.
Varri i Lekë Zaharisë në themelet e kishës së Vut të Dejës. Brenda varrit kishte një krah pllumbi në terrakotë.
Varri i Lekë Zaharisë në themelet e kishës së Vut të Dejës.
Brenda varrit kishte një krah pllumbi në terrakotë.
Sot piktura e kishës së Shën Mërisë në Danjë është përjetësuar në vlerën monetare njëmijë lekëshe të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, që shumë e përdorin e pak e njohin.
“Rastësia apo… diçka tjetër madhore shpëton disa copa afreskesh nga kjo kishë, të cilat ruhen akoma sot?” Moikom Zeqo shpjegon: “Mbas hedhjes në erë të Kishës së Vaut të Dejës, për një rastësi, ndodhi që disa piktorë të njohur si S. Shijaku, D. Jukniu, B. Kaceli etj., së bashku me një grup studentësh të pikturës që ndodheshin për një ekspozitë në veri, ata vizituan gërmadhat e kësaj kishe dhe disa studentë arritën të zgjedhin e të marrin si kujtim disa afreske nga muret e rrëzuar”. (M. Zeqo, “Gjon Pagëzori” – Shenjti Anonim në Vaun e Dejës, artikull, 4 mars 2010).
Pas shembjes së komunizmit, këto ish studentë, ndër ta edhe piktori i njohur Zamir Mati, patën dashurinë dhe mirësinë t’i sjellin në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës dhe M. Zeqo vazhdon: “Kisha e Vaut të Dejës nuk ekziston më, por ne tashmë kemi në dorë dy afreske, Krishtin në Kryq dhe portretin e Gjon Pagëzorit. Dy afresket e Vaut të Dejës janë mbase të vetmet që ruhen nga shekulli XII dhe që përfaqësojnë një stil kaq të njohur dhe kaq të veçantë siç është stili romaniko – gotik që e lidh artin pikturik shqiptar me artin e Kishës Latine, me artin evropian dhe atë italian, pra me gjenezat e vërteta euro-perëndimorë të kulturës mesjetare shqiptare“. (M. Zeqo, po aty). Më 1930, prifti i kësaj famullije Dom Nikoll Sheldija pat ndërtuar edhe një shtesë bri kishës së Shën Mërisë me të njëjtin stil, e cila ishte vepër e piktorit Kolë Idromeno dhe që u minos po në këtë datë!
.
Kisha e rë e Shën Mërisë së Vaut të Dejës e ribërë mbas viteve '90 në afërsi të asaj që u hodh në erë!
Kisha e rë e Shën Mërisë së Vaut të Dejës e ribërë mbas viteve ’90
në afërsi të asaj që u hodh në erë!
 
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.