back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Rrëfime nga fshati me emër tmerri… nga Eduard M. Dilo

Gazeta

Leka Tasi - "Grabjani rrëzë kodrave"
Leka Tasi – “Grabjani rrëzë kodrave”

Rrëfime nga fshati me emër tmerri… nga Eduard M. Dilo

Mbi librin “Grabiani Rrëzë Kodrave” i intelektualit Lekë Tasi

Kjo vepër letrare me vlera të mëdha për historinë nëpër të cilën kaloi vendi ynë nën diktaturen enveriane…
Lekë Tasi, pas romanit të tij të parë “Korridori me Vetratë” dhe një sërë shkrimesh në shtypin periodik shqiptar shfaqet para publikut me një kryevepër – do ta quaja – dëshmi e gjallë me të vërteta rrënqethëse nga jeta që kaloi ajo pjesë e popullit tonë, që çnjerëzisht vuajti, në mënyrë krejt të padrejtë e të padenjë nën thundrën e diktaturës enveriane.

Intelektuali Lekë Tasi
Intelektuali Lekë Tasi

“Grabjani Rrëzë Kodrave”

Skena, personazhe, historia nga fshati i internimit” kështu e titullon librin, ku është një pasqyrë e gjallë, me të vërteta tronditësë e therëse, që asnjëherë ata që i kanë provuar s’kanë për t’i harruar. Vepra, që në faqen e parë, deri në fund, të mban të mbërthyer e gjithë ankth, për episodet nga jeta reale, të paraqitura rrjedhshëm, thjesht e me një të vërtetë absolute, mbajtur ditar në ato kohë, në atë realitet aq të dhimbshëm e të tmerrshëm. Eshtë ajo e vërtetë jo fort e largët, që ne përjetuam, është jeta e atyre familjeve që vuajtën të qenit Shqiptar në Shqipëri!
Personazhet janë reale, në njërën anë janë ata që kënaqin epshet djallëzore të djajve të kuq, që vetëm kur pijnë gjak njeriu ndihen të lumtur dhe në anën tjetër kemi të skalitur po me emrat realë njerzit e vërtetë që përpiqen dhe luftojnë me djajtë, për të mbijetuar në këtë kasaphane afro gjysmë shekullore që kudo reklamohej e trumbetohej si “parajsa e vërtetë…”

Petro Zheji 1929
Autori i Parathenies: Petro Zheji 1929

Siç shkruan në Parathënie i madhi Petro Zheji: “Janë shkruar edhe të tjera dëshmira letrare mbi vuajtjet e popullit tonë ndën komunizëm. Po ky tregim i gjatë, në formë ditari, ka diçka të veçantë. Autori është edhe vetë një nga personazhet e shumta që përshkruan, që vuan dhe ai si shumë të tjerë dënimin e padrejtë të një internimi çnjerëzor që kapërcen kufinjtë e çdo imagjinate të mundshme dhe që jepet me kthjelltësi e korrektësi të mahnitëshme në një varg skenash e episodesh rrënqethëse me të gjitha ngjyrat e mugëta të një ferri dantesk…
Autori nuk mjaftohet me një përshkrim fizik të ngjarjeve, por kërkon e zbulon, përmes analizash të gjata, të kujdeseshme, të thella e të hollësishme psikollogjike, politike, filozofike rrënjët e fshehta që i motivojnë.
Dhe, falë një stili të shtruar e të qetë si ai i një shkencëtari që heton me durim, kërrusur në laborator mbi mikroskopin e tij, viruset e sëmundjes, e bën dhe lexuesin të kuptojë, të shohë, të prekë, të marrë pjesë shpirtërisht ne gjithçka.
Asnjë nga të dënuarit nuk e ndjen veten fajtor, në mos qoftë thjesht e vetëm fakti i të qenurit krejt i pafajshëm sipas Drejtësisë, sipas Zotit, por jo sipas Padrejtësisë që çqeveriste vendin sipas djallit “la bestia trionfante”, të cilit duket se i është dhënë (dhe s’dihet për sa kohë akoma!!) një pushtet i pakufishëm.

Lekë Tase midis Dine Dines dhe Eduard Dilos
Lekë Tase midis Dine Dines dhe Eduard Dilos

Shfaqet para nesh, si në një fantazmagori të frikshme, një galeri personazhesh krejtësisht të skalitur, që japin e marrin ditë e natë në një dyluftim të rrezikshëm dhe të pabarabartë me djallin, duke u përpjekur të shpëtojnë jetën e tyre, dhe më shumë se jetën, dhe më shumë se çdo gjë tjetër shpirtin e tyre të pavdekshëm. Thotë Krishti në Ungjill: “ç’i vlen njeriut sikur të fitojë qoftë dhe tërë botën, por të humbasë shpirtin e tij?” Dhe sa e vështirë, sa ishte pothuajse e pamundur të mos e lije të shuhej atë shkëndijë qiellore në atë kaos Ferri ku i Ligu, përmes përfaqësuesve më të zellshëm të pushtetit (njerëz të Sigurimit, spiune, provokatorë, kryetare këshillash, shkurt një ushtri e tërë me pleh njerëzor të këtij lloji…) thurte rrjetat e intrigës, ngrinte i palodhur me një mendjepjellori të pashterrshme gracka dinake, të holla, të paparashikueshme, kjo pikërisht përbën një nga temat qëndrore të kësaj vepre, të cilës Autori i kushton një përqëndrim të veçantë!”.
Autori si një kirurg i rrallë me një bisturi mjeshtri – do të citoja ndoshta si xhevair aq të rrallë librin në tri volume të pavdekshme të krenarisë letrare shqiptare “Rrno vetëm për me tregue…” të At Zef Pllumit – na ka dhënë duke u bërë dhe një analizë të thellë, të ngjarjeve reale që çdo ditë pillte dhe vinte në veprim ajo mendje djallëzore e perverse e regjimit.
Sa tronditëse, sa rrënqethëse janë ngjarjet e përshkruara në “Grabjanin rrëzë kodrave”- në fshatin me emër tmerri dikur, e që sot duhet të jetë një muze për vitet e diktaturës. Është fshat tmerronjës ku mbijetonin ata njerëz të mrekullueshëm, që padrejtësia dhe ligësia i trajtonte çnjerëzisht, biles dhe më keq se në burgjet ferr që kish ndërtuar komunizmi.
Në libër gjen të përshkruar me vërtetsi të përditshmen – në një ditar që ka mundur të shpëtojë gjallë falë fatit – përballë atyre veglave qorre, që ishin gjithçka vetëm për të menduar jo ndryshe, po vetëm siç i kishte porositur partia, sepse ashtu përfitonin diçka dhe ndjeheshin mirë…
Nuk ishin vetëm sigurimsat që vepronin e silleshin keq me të internuarit, por dhe brigadierët, përgjegjësat, shitësat bile edhe nxënësit e shkollës që i godisnin me gurë jo vetëm shtëpitë e të internuarve, por dhe vetë të internuarit…!!

Grabiani - nji kamp interrnimi
Grabiani – nji kamp interrnimi

Këta injorantë, skllevër të partisë, me atë krenarinë kriminale ngaqë ishin injorante, dhe donin të tregoheshin se diç ishin dhe mundoheshin të jepnin mend ata që vetë s’kishin një gram.
Tefta, personazh real – motra e autorit – të bën ta duash e ta admirosh për qëndrimin e saj të pamposhtur që mban, duke u kacafytur pa ju trembur syri, me gjakpirësit… Mbledhjet dhe demaskimet që mundoheshin të sajonin, dhe ajo me papërkulshmërinë e admirueshme, i kthente demaskimin ndaj saj në diskreditim ndaj atyre që e drejtonin. Dhe për ta mposhtur Teftën, këtë grua shqiponjë të vërtetë mali, nga ato të rritura në Dhembel, organizuan arrestimin e saj.
Fjala e saj në gjyq mbetet një emblemë, që kur e lexon, për një kohë të gjate e ke me vete ngado që të shkosh…
Presion të madh psikologjik i bënë Teftës rreth familjes që siç i thoshnin ata “të kanë braktisur”, por Ajo me zgjuarsinë dhe pamposhtjen që e karakterizonte iu përgjigj menjëhere me një zë të fortë: “Nuk kam familje që të më braktisë mua, ata do të vijnë edhe në fund të botës, veç nëqoftë se ju nuk i kini lënë…!”
Gjyqi qesharak mbushur me dëshmi të rreme kur po i afrohej fundit, Kryetarja i drejtohet Teftës: “Ç’ke për të thënë?” Tefta, gjakftohtë dhe prerë i thotë: ”Asgjë!” Gjykatësia: “Me një fjalë je dakord me pretencën e prokurorit?” – Tefta: “Jo, dakord nuk jam…, por mëshirë nuk kërkoj, drejtësi e di që nuk jepni, aq më tepër për ne të internuarit. Prandaj s’kam ç’të them!”
Eshtë me të vërtetë pikë kulmore e librit jeta e Teftës, kur paraqitet “kalvari i jetës së saj (1979-1982) me një dëshmi të rrallë, në mos unike në detajimin e saj!”.
Mendoj se ky libër është një Testament i gjithë atyre që vuajtën e mbijetuan nën atë diktaturë çnjerëzore, ai është një kryevepër që edhe të mëdhenjtë e letërsisë po të ishin gjallë, do ta lexonin me endje.
Nëse do të ishte kjo kryevepër e përkthyer në gjuhë të huaja, sidomos në anglisht, ashtu siç po veprohet dhe me kryeveprën tjetër “Rrno vetëm për me tregue”, bota do të mësonte se çdo të thotë diktaturë komuniste që kaloi vendi ynë. Mbarë njerëzimi do të mësonte të vërtetën lakuriq, tamam ashtu si e përjetuam dhe e provuam mbi shpinë, në të ashtuquajturën “parajsë shqiptare”.

Lek Tasi kuadrot dhe e shoqja Keti
Lek Tasi kuadrot dhe e shoqja Keti

Në mbyllje po citoj përsëri parathënien, e profesor Petro Zhejit: “Fjala e autorit shndërron si një shkop magjik, gjithçka prek në ar poetik. Prania dhe pjesmarrja e tij thuajse mbinjerëzore, si ajo e një Shenjti, në të gjithë vuajtjet e imagjinueshme dhe të paimagjinueshme, të cilave u nënshtrohen shokët e tij fatkeqë të internimit është kaq e gjallë, kaq thellësisht e ndjerë, e vërtetë dhe kaq komunikuése sa pas leximit të veprës, të këtij procèsverbali krimesh të padëgjuara të kryera pas mburojes së ligjit mbi viktima krejt të pambrojtura si dhe të pasojave të tyre katastrofale psikologjike s’qëndron dot indiferent dhe pasiv ndaj së keqes në bote, ndaj asaj që Leopardi quante me terma poetike “…il brutto Poter che ascoso, a comun danno impera…”. Ndjen se diçka ka lëvizur, se diçka ka ndryshuar për të mirë në thellësinë e shpirtit tënd. Kaq e madhe është fuqia sugjestionuese, bindëse dhe purifikonjëse e këtij shkrimi”.

Eduard M.Dilo e Lekë Tasi në Sh.B.A
Eduard M.Dilo e Lekë Tasi në Sh.B.A

Piktori Lekë Tasi
Nën çdo gjë dhe mbi çdo gjë që ndodh kundër logjikës më elementare nxjerr kokën paraja. Se nuk ma merr mendja që një specialist të ketë mendimin e sinqertë që dy dylym vend me vjetërsira të çmueshme sa s’ka në Durrës të jenë të padenja për të qëndruar ashtu. Dëmi është i madh, por jepet edhe rasti që njerzit të tregojnë veten. Të marrin atë ovull të shitjes tyre dhe të tërhiqen në një azil luksoz të padenjesisë së tyre. Tre here e habitshme, sepse thyesit e bankave kanë se paku anonimatin deri në një aksion të policise, kurse këta e kanë të shkruar në ballë një herë e përgjiithmonë…
E habitshme… tre herë…

Lekë Tasi - Tabllo pikture...
Lekë Tasi – Tabllo pikture…

Kush është Lekë Tasi?

Lekë Tasi u lind më 1929 në Athinë.
I ati, Koço Tasi, ish-anëtar i Parlamentit dhe i qeverisë, kishte emigruar në fund të 1924-s si opozitar i Zogut. Riatdhesohet më 1941. Leka, studion muzikë dhe në periudhën 1946-1967; punësohet si violençelist në Radio, Filarmoni dhe më vonë në Teatrin e Operës.
Në l975 internohet familjarisht në Grabjan të Lushnjës, ku kalon 15 vjet. Fryt i kësaj periudhe të vështirë është libri i tij me titull “Grabjani rrëzë kodrave”, botuar në 2009. Emërohet inspektor në Sekretariatin e Fesë më 1991, ku shërben deri në l998. Pas vitit 1998 jeton si artist i lirë: pikturë dhe letërsi. Merr pjesë në disa ekspozita pikture dhe shkruan artikuj në shtyp, duke u përqendruar më shumë në korrigjimin e shtrembërimeve të periudhës komuniste në historiografi.
Ka botuar gjithashtu romanin “Korridori me vetratë” më 2004.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Më vjen keq që nuk munda ta njoh Lekë Tasin, kur m’u dha mundësia për skenografinë e një grupi teatri që ngritëm në Grabian, aty nga mesi i viteve’80, sepse nga përgjegjësi i shtëpisë së kulturës në Grabian, u propozua emri i tij, por ne zgjodhëm Lekë Pervizin, i cili punonte si dizenjator tek ne dhe ia njihnim më mirë aftesitë në skenografi.
    Gjithsesi, të dy ishin shumë të talentuar, të dy quheshin Lekë, dhe të dy ishin të persekutuar me internim: njëri në Grabian dhe tjetri në Plug!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.