back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Rrëfimet e jetës sime… nga Bedra Kaba (pjesa e I)

Gazeta

Bedra Kaba
Bedra Kaba

Të rrëfesh do të thotë të jesh i lirë…

Jozef Radi

Bedra Kaba, është nji prej vajzave të shumta që fati e detyroi ta jetonte pjesën ma të madhe të jetës së saj në nji kamp interrnimi, ku i jati, Myslym Kaba nji burrë i urtë e i shtruar nga Dibra edhe pse kishte qenë partizan, i mjaftoi veç arratisja e njerit prej djemve, dhe së bashku me shtatë fëmijët e tij t’i ngryste ditët e mbrame të jetës së tij, bile edhe të vdiste atje në kampin e Savrës… Sigurisht e bija e tij, Bedra luftoi gjithë jetën të mbaronte nji shkollë, të kishte nji ëndërr, të punonte në nji punë të përshtatshme me shkollën që kreu, të kishte një dashuri dhe nji ditë të martohesh diku, mjaft që të ikte prej atij kampi dhe ta hiqte at barrën e rëndë që i kish rënduar qysh fëmijë, e që ndoshta edhe sot i dhemb më tepër se askujt, qoftë edhe për faktin e thjeshtë se ndjehet e parealizuar, po edhe pse vëllai i vogël i saj ende vazhdon të jetojë aty në kampin e dikurshëm të vuajtjes së tyre familjare, në Savër…
Rastësia më ndihmoi që t’i ndjek me vëmendje gjithë shënimet e lëna në murin e saj të fb, ku gjithë miqtë e saj e kuptojnë se ajo krahas rrëfimeve të thjeshta të jetës së saj, rrëfen edhe mjaft për jetën dhe historitë e shumë prej shoqeve e shokëve të saj, rrëfen ashtu siç i ka ndjerë dhe siç i ka përjetuar ajo, ato ngjarje… Edhe unë e konsideroj rrëfimin e Bedrës nji mrekulli, sepse s’është e lehtë të kesh kurajo e të tregosh; s’është e lehtë që ç’ka ke vuajtur të gjesh forcë n e duhur brenda teje dhe ta dëshmosh… sepse të dëshmosh s’është vetëm detyrë, po është edhe humanizëm, edhe moral… të dëshmosh mbi të gjitha është liri; të dëshmosh do të thotë se po lufton që e keqja të mos përsëritet… jo vetëm për ty, po për askënd në botë…
Janë të shumët djemtë dhe vajzat e kampeve, që mund ta rrëfenin histori shumë më të dhimbshme e më tragjike se Bedra, që mund t’i dëshmonin vuajtjet e tyre, në ato përmasa që ata i kanë të shkruara në lëkurë e shpirtin e tyre… sepse jo vetëm bota, po as ne vetë ende s’e kemi kuptuar si dhe sa duhet diktaturën e tmerrtë shqiptare dhe krejt zgjatimet e saj oktapodhiane që ende tendosen ndër kohra… E pra Bedra e ka bërë, dhe e bën përditë kët gjë… e ka bërë dhe e bën me mjaft thjeshtësi, por me kurajo e mjaft dinjitet… Ndjehem mirë që jam ndër përgëzuesit e vazhdueshëm të punës dhe kurajos së saj!
Ajo sot është nji shembull për t’u admiruar… është pikërisht ky admirim ndaj punës së saj më shtyu t’ia mbledh me kujdes mjaft prej këtyre shënimeve të saj dhe t’i bëj vend të respektueshëm edhe në sitin tim… Ato janë nji ditar i vogël, por që mund të plotësohen përditë, si nji mozaik me gurë shpirtërorë dhimbjeje i një gruaje që vazhdon ta ruaj me kujdes at vajzën e dikurshme dhe ëndrrat e saj…
Bedra sot ndjehet një grua e zhgënjyer dhe e zemëruar me realitetin shqiptar, por ajo ka mbetur nji grua me kurajo, me energji pozitive, me besim në Zot, me nji forcë shpirtërore të admirueshme, me shpresën se e mira edhe pse mund përbuzet, s’mund të mposhtet kurrë… Prandaj Bedra meriton edhe mirnjohjen e krejt atyre që kanë aq shumë histori e dhimbje për të treguar, po që pakkush prej tyre e ka gjetur nji kurajo të tillë…
Sepse të rrëfesh të vërtetën tënde do të thotë të çlirohesh shpirtërisht… do të thotë të ndjehesh i lirë… dhe Bedra e ka bërë dhe e bën perditë kët gjë… prandaj Bedra meriton të quhet e të vlerësohet si Njeri i Lirë…
8 korrik, 2013

Pamje nga Savra
Pamje nga Savra

Rrëfimet e jetës sime…

nga Bedra Kaba (pjesa e I)

17 korrik, 2013
Mbasi i qepa dhe hekurosa çarçafët e bardhë me një tantellë, i vendosa mbi divan të palosura me kujdes, e thashë: Kur të vijë vajza t’i shohë. Ajo vjen dhe unë i them: I mbarova shihi njëherë, si të duken? Ajo më thotë: “Po bukur o ma, po sa u lodhe kaq muaj me 60 mijë lekë bëjnë një palë çarçafë… Ja i blije dhe kaq!!
Nuk fola… por mendja me shkoi diku larg nga ideja e të rinjëve të sotëm tek ajo e jona dikur!!!
Edhe ajo i ka bërë ca vjet por as që mendon se duhet të bëjë një pajë për t’u martuar… Me shaka ndonjëhere thotë: Për ça të kam unë ty…!!
Mu kujtua koha kur mbarova shkollën dhe fillova punën… Gjithë vajzat e reja të barakave të Savrës, krahas punës së rëndë në bujqësi n’ato pushimet e drekës bënin tantella me grep, qëndisnin, ose bënin triko me shtiza. Dhe unë nën shembullin e tyre fillova të qëndis, por shumë ngadalë dhe ngathët. Një ditë nëna më thotë. “Lëre, t’i bëjë motra se ti mezi po qëndis, po unë prap këmbgulja ashtu nga pak.
Më pëlqente kur i shihja shoqet e mia të punonin gjithë pasion. Aty n’ato punëdoret e tyre ato harronin se ku jetonin, harronin punën e rëndë, duke u futur në fantazinë e qëndisjës së luleve, gjetheve, zogjve, palmave… duke ëndërruar me mendjen e tyre edhe Fatin që mund t’i shpëtonte nga ajo jetë e vështirë që u duhej të bënin. Ndjeheshim vërtet të lumtura kur nga duart tyre dilte diçka e bukur dhe artistike. Ato vajza aty në internim ishin vërtet një mrekulli… Ndërsa bënin pajen e tyre ato e e ndërtuan të ardhmen e projektuan me mendje dhe skaliten durimin dhe besimin. Dhe me forcën e atij besimi të gjitha ëndërruan at Princin e tyre… që mund t’ua ndryshonte jetën, ndoshta edhe për më keq, por jo aty, në kampin ku ndëshkohej një jetë lirie… Kjo ishte mundësia e vetme dhe e fundit e nje vajze në internim… martesa diku… diku larg, ku s’e njihnin, vetëm aty jo… Ndryshe ti do të mbeteshe një burgosur përjetë në at vend skëterrë që quhej Savër, po edhe Gradishtë, Gjazë, Grabian, Çermë, etje….
Martesa për to, ndoshta mund të ishte fillim i një lirie… por ndoshta edhe i një robërie në forma të tjera… që ti s’i kishe provuar kurrë… Kështu po ëndërroja dhe kështu si unë edhe shumë prej shoqeve të mia….

Autobuzi i 100 hektarshit - Hamdiu
Autobuzi i 100 hektarshit – Hamdiu

14, korrik 2013
Jetova midis dy botëve… në atë që mund të isha si ata dhe në atë që nuk mund të bëhesha si ata… sepse jetoja midis barakave dhe me errësim në biografi… Kjo gjë mbase me vrau ngadalë në shpirt… sepse në çdo hap ti përballeshe me problemin tënd… herë ta bënin më të lehtë e herë tepër të vështirë.
Në fillim të viteve ’70, lufta e klasave ishte pak e zbutur! Kthehem nga mbarimi i shkollës së mesme në Dibër me një teste rinie në xhep dhe merrja pjesë në atë organizatë. S’kisha as pesë muaj që kisha filluar punë në bujqësi kur një shoqen time dhe ajo me biografi të keqe, por ishte futur në kët organizatë e caktuan në aksion në Lukovë të Sarandës. Prindët e saj nuk e lejuan të shkonte në aksion, por ajo kishte aq shumë dëshirë të shkonte dhe më lutet mua: “Po të vish edhe ti ato do më lejojnë!” “Po tani sa kam filluar pune – i thashë – si t’i them babait do iki në aksion! Ama thellë në shpirt edhe unë e kisha dëshirën të ikja, ngaqë u mërzita shumë që s’vazhdova dot shkollën e Lartë… Isha vërtet keq, pothuaj çdo natë shihja në ëndërr vetëm shkollën. Atëhere thashë: Po i them babait se më kanë caktuar për të shkuar në aksion dhe duhet të shkoj, sepse ti e di pak s’jemi me biografi në rregull, e pak të neglizhojmë. Dhe kështu bëra. Ai më tha: “Po mirë moj bijë shko. Kështu me 4 janar të 1979 nisemi për aksion në Lukovë. Ftohtë… Rruga tepër e vështirë… Udhëtimi na zgjati dy ditë… Një natë flejtëm nëpër familje në Memaliaj. Kur mbrritëm në Lukovë vendi ishte një parajsë e vërtetë… Taraca plot me limona e portokalle… Një punë vullnetare e paparë nga rinia!! Atje të dukej se ishe në një botë krejt tjetër… e izoluar nga vendi. Stacionet e radios kapnin vetëm Greqinë…
Kështu filluam të punojmë për hapjen e tarracave të reja nëpër kodrat e atij vendi. Nji shoqja ime një vajzë nga Savra, e cila kishte qenë më parë aty në aksion, i kish dhënë një letër shoqes që ishim bashkë për t’ia dhënë një djali që kishte njohur aty në Lukovë dhe ajo mbasi e gjeti ia dha porosinë e letrës. Ai ishte vendali dhe brigadier i vullnetarëve të një rrethi. Dukej djalë i sjellshëm, dhe shoqja ime filloi ta takojë ndonjëherë, por unë jo. Mbasi kalojnë nja pesëmbëdhjetë ditë, ai vjen dhe i thotë: “Më pëlqen shoqja jote, a mund t’i thuash ndonjë fjalë për mua!! Po, i thotë ajo, i them por është pak e vështirë… Një ditë ajo më thotë… Ej, i them unë, ti je e re dhe s’e di që ne jemi si kantrabandë këtu… Ajo mundohej të më mbushte mendjen… Isha aq e zhgënjyer nga biografia, që s’më kishin dhëne shkollën e Lartë, e jo të më merrte ai djalë komunist mua!!! Megjithatë gjithmonë i kam pas qejf sfidat, edhe pse mund të vuaja thashë do ta provoj sa mund të bëj ky njeri për mua. Të nesërmen niseshim për në shtëpi, mbasi aksionit i kish ardhë fundi… I them shoqes i thuaj se sonte mundem ta takoj… Ajo e takoj dhe unë i them: Mirë jam dakort mund të vish të më kërkosh në shtëpi… mirë më thotë, posa të më jepet mundësia do të vij. Të nesërmen u nisëm. Mbas katër muajeve, një ditë para një majit, më vjen një telegram: “Vij me një maj, me trenin e orës nëntë, dil e më prit!” Oh sa keq e ndjeva veten… Si t’i them babait… po si ti them atij për biografinë, ku ta fus në këto baraka!!! Rashë në pikë të hallit ç’të bëja… më dridhej trup nga frika… se ç’mund të më thoshin të shtëpisë, po sikur ai të më pranonte kështu siç isha… Më duhej të shkoja atje në Lukovë në fund të botës. Me shumë dilema dhe frikë afrohem te babai dhe i them… O babë, kam njohur një djalë kur isha në aksion, por mos ki frike se unë nuk është se e dua, por ai do vij nesër dhe dua që t’i tregosh historinë tonë. Sido që të vijë puna mos të ngelet merak për mua se unë e di që ai s’më merr, se është me testë partie!! Eh… edhe tani që e kujtoj, them Kushedi sa keq duhet të jetë ndjerë babai i shkretë…
Të nesërmen dal dhe e pres te stacioni i trenit dhe nisemi për në Savër, e cila nga Lushnja ishte nja katër kilometra larg. Se di si e bëra atë rrugë… flisja për t’i treguar se diçka më pengonte në atë lidhje me të, por ai s’më kuptonte… Njiherë më pyeti: Mos ka qenë gjë babai me ballin! Jo, i thashë por s’arrita t’i shpjegoj asgjë pa ardhur në shtëpi.
Erdhëm në shtëpi mirë që s’ishte nëna, po vetëm babai… Mbas një bisede prezantuese, ai filloi t’i tregojë për historinë tonë. Në këtë kohë ai vetëm u nxi në fytyrë dhe s’foli asnjë fjalë… veç u ngrit të ikte. Dal e përcjell deri në xhade të madhe dhe gjatë rrugës nuk këmbyem asnjë fjalë të vetme. S’e di… çdo gjë m’u mblodh lëmsh në grykë… Ishte zhgënjimi i dytë nga biografia… E lashë të ikte atë djalë pa i thënë e pa më thënë asnjë fjalë…
E tillë ishte ajo jeta e jonë midis ferrit dhe dritës… Një komshie më kishte parë me të, dhe i kish thënë mamasë e pashë vajzën tënde me një djalë… sa i mirë që ishte… Ishte… por ai s’qe Kërkushi, sepse nga pas na ndiqte si hije biografia…
E tillë ishte ajo kohë që quhej komunizëm!!!

13 korrik, 2013
Puna në buqësi ishte tepër e rëndë…
Kishte punë që ishin shumë larg si në Sopez, te Klubi i Shoferit, në Goriçaj, te Ura Semenës, ose te 100 Hektarshi që ishin tokat më te largëta nga pesë deri në shtatë kilometra larg nga Savra… Pra ti duhet të ecje me orë në këmbë, dhe kur mbrrije atje ishe i lodhur pa filluar… dhe një punë më e lodhshme të priste. Në dimër të ngeleshin këmbët në baltë dhe sa nxirrje njerën të ngecte tjetra… Kurse në verë të piqte dielli dhe vdisje për ujë sepse shishja që merrje me vete s’të dilte… Binin ujë edhe me karrocë po shpesh herë edhe s’binin… Pastaj vinte darka dhe ti prisje me ankth të matej puna që kishe bërë, po ndodhte shpesh që at punë s’ta mirrnin as në dorëzim dhe gjithë dita e punës ku ti ishe rraskapitur të kishte shkuar dëm. Kështu në fund të ditës t’i ktheheshe drejt shtëpisë nëpër at rrugë të gjatë tepër e lodhur dhe e papaguar!!! Për gati një vit punova fushave të Myzeqesë, më pas u futa tek stallat e lopëve, po asnjëherë s’pata një grup lopësh timin, gjithmonë punoja sa te njera mjelse te tjetra si zëvëndësuese… Njëherë zëvendësova një grua që e përzunë nga puna nja dy muaj. Paguheshim mbas kileve të qumshtit që merrnim dhe për fatin tim në ato grupe lopësh e saj qene pothuajse të gjitha barse dhe unë nuk mora parà aq sa duhej, por edhe kur lopët pollën, 400 lekët e vjetra për lopë që duhej t’i merrja unë, i mori ajo, ose te paktën gjysmat e tyre meqë punova dy muaj te grupi i saj. Ajo pati një urrejtje aq të madhe që unë e presekutuar të punoja në grupin e saj sa bëri çmos që unë t’mos i merrja ato para… Nuk më vinte inat për lekët, por mënyra se si ajo më urrente për atë që unë isha. Një natë tek ktheheshim për në shtëpi me mamanë e një shoqes sime duke kaluar pranë zyrave dëgjoj një zë tek fliste në telefon tërë dashuri… më bëri përshtypje ajo mënyra tepër e ngrohtë e bisedimit në telefon… në atë kohë gruaja më thotë: Bedra e dëgjove at burrin që fliste në telefon, ai është jurist këtu në Savër, por është shumë i zoti, kështu thotë vajza ime. E di thotë ajo shko nesër te zyra, takoje dhe tregoi problemin tënd mbase ta zgjidh. Gjithë natën pothuajse nuk flejta, nuk dija ç’të bëja… ta lija me aq atë problem më vinte inat… Pse të ma hante djersën time ajo grua që s’e meritonte dhe të më përbuzte e të krenohej se unë dhe aq boll i kisha. Kurrë s’kisha hyre në Zyrat e Savrës dhe nuk e dija si do të përballesha. E kështu duke luftuar me vete shkoj tek Zyra e shoqes sime që kishim bërë tetëvjeçaren bashkë. Ajo ishte në dijeni të situatës dhe presim sa të vinte juristi… Mbas një ore ai hyn në zyrë. Athere shoqja ime më ndihmoi shumë, me prezantoi me të dhe ia tregon situatën. Ai kthehet nga unë e më thotë do interesohem për këtë problem dhe nëqoftëse është kështu gjysmat e parave të takojnë ty. Ika e shqetësuar, por me një ndjenjë çlirimi se sido që të vente puna, isha munduar të vija në vend diçka që më takonte. Dhe kur morëm lekët në fund të muajit ato që më takonin ishin hedhur në emrin tim dhe u morën prej saj. Vetëm ta shifje fytyrën e saj dhe urrejtjen që mbante në shpirt se si unë arrita dhe ia mora ato para që më takonin një kushërirës së sekretares së partisë…
Falë një njeriu të drejtë që njëherë e pashë e se njoha kurrë. Por që me mbeti në mendje për punën e drejtë që bëri, e ndofta ishte përballur edhe me ata që i nxisnin këto gjëra…

01 - Makina e Terrorit
01 – Makina e Terrorit

11 korrik, 2013
Natë vonë… Si çdo herë edhe at natë edhe pse ishte afër ora dy thashë po futem edhe njëherë në internet. Sa e hap shoh një mesazhe… “A mundesh të shkruash emrat e atyre familjeve që ke jetuar me ta në Savër??” Ndjeva një gëzim dhe mall… dhe fillova t’i merrja me rradhë të gjitha familjet që nga fillimi tek Sherif Nela, e duke dalë te baraka e fundit te Vasfije Dema. Dhe ndërsa me imagjinatë i vizitoja të gjitha familjet me rradhë, për t’u shkruar emrat e tyre, m’u duk sikur po jetoja sërish aty midis barakave të dhimbshme po edhe mjaft të dashura për mua. U mundova të mos harroj askënd, çfarë mbaja mend emrat e fëmijëve të tyre, e ndërsa bëja atë listë të gjatë, mendova: “Kush është ky njeri i mirë, që po interesohet për ne, sikur shteti që i kishte krejt emrat tanë… ta kishte bërë të njejtën gjë… kur dëgjoj zërin e vajzës time që ma prishi qetësinë e atij udhtimi imagjinar midis njerëzve të atyre barakave të mia… “O mà, s’e ke ndërmend të flesh sonte…?” “Eh, më duhet të shkruaj edhe diçka, po ti fli, dhe do me durosh pak…” Dhe prap me mendje hyra nëpër lagje, mos kisha harruar ndonjërin…?
Sa mirë do të ishte sikur një ditë… ky njeri i mirë që interesohej të ishte vetë shteti?? Për ata njerëz të barakave që lanë vitet më të bukura në kampet e internimit, duke punuar sa për dy, fushave të paana të Myzeqesë.
Kët ngjarje e shkrova se vërtet at natë u ndjeva mirë, duke menduar e kujtuar të gjithë ato familje fisnike. I përgëzoj dhe i përshëndes kudo që të jenë: Zoti i Bekoftë dhe i Ndihmoftë!! çdo gjë e vërtetë mbetet e vërtetë… gënjeshtra asnjëherë s’ka fituar kufij. Emrat s’i kanë me shkronja të zeza po me shkronja ari, dhe ato vezullojnë sikurse rrotullohet politika… po qe socialistja… ne nxihemi, po fituam… atëhere vezullojmë dhe drita e jonë një ditë do t’i verbojë sa s’do gjejnë dot udhën nga të shkojnë e do bien në humnerë… si shtriga e Borëbardhës.

10 korrik, 2013
Ishte vjeshtë… aty rreth vitit 1978, sapo kisha mbaruar shkollën dhe fillova të punoj në fushat e paana të Myzeqesë.
At ditë po vilnim pambuk tec Pularia kështu i quheshin ato parcela. Gjithë ditën e perëndisë me kurrizin të thyer, kur një çast kthej kokën dhe shoh se drejt nesh po vinte kryetari i Këshillit. Po drejtohej nga ne dhe se ç’pata një frikë se ai nuk vinte kurrë për mirë, dhe se ç’më jepnin një shije të keqe edhe të Mëdhenjtë edhe policët. Vërtet, ai u afrua te ne e duke marrë si gjithnji një pamje ironike me drejtohet mua dhe më thotë… Ti Bedrie nesër në orën gjashtë bashkë me vëllanë tënd duhet të paraqiteni në Degën e Brendshme… Po mirë. i them, po për çfarë më kërkojnë? Nuk e di!! m’u përgjigj dhe iku duke më lënë një shije edhe më të hidhur.
Nuk e di se si punova at ditë… S’dija ç’te mendoja, sepse çfarë mund të na bënin më tepër se aq… Kur vete në shtëpi i tregoj vëllait se më erdhi atje ku punoj Kryetari i Keshillit dhe më njoftoj se duhet te shkonim nesër në Degë të Brendeshme. E mos u mërzit, më thotë ai, do vemi e çdo na bëjnë më tepër…!! Të nesërmen shkojmë në Degë dhe presim aty derisa polici na tha të futeshim jo bashkë me vëllanë po veç e veç. Futem pak e trembur brenda por e vendosur për gjithçka që mund të më ndodhte. S’e kisha parë kurrë dhe as më kishte shkuar kurrë në mendje ai vend i mallkuar, por ai që na priti dukej njeri i mire. Më vuri përpara një letër ku unë duhet të shkruaja vetëm shkronja. Dhe pastaj më tha mund të ikësh pastaj u fut vëllai edhe atij të njëjtën gjë i kishte kërkuar!! Kurrë s’e morëm vesh përse na e bënë kët gjë dhe pse na e krijuan gjithë atë tronditje. Sigurisht ishte një provokim i hapur dhe një torturë e vërtetë psikollogjike sepse me pushtetin e athershëm s’mund të talleshe… Papritmas… pa folur dhe pa thënë asgjë e shihje veten në birucat e ferrit komunist, dhe s’kishte avokat që të shpëtonte nga kthetrat e tyre, sepse avokatë ishin vetë ata: pushteti popullor i Enver Hoxhës!!!

9 korrik, 2013
Ai jetoi atje me ne midis barakave pa jetë dhe plot jetë. Qe dikushi dhe mbeti dikushi me veprën e tij!! Kush e ka njohur Lazër Radin ka patur respekt dhe dashuri për të sepse edhe ai respekt dhe dashuri u fali atyre…

Savër 1984, Lazër Radi, Lekani e Spiro Gjoka
Savër 1984, Lazër Radi, Lekani e Spiro Gjoka

9 korrik, 2013
Të duash njerzit e gabuar dhe të vuash nga gabimet e tua… e tillë është jeta!! Ashtu si ta fal ëmbëlsinë po ashtu edhe hidhërimin e saj.
Dhe ti e strukur diku në thellësi të vetmisë tënde kërkon qartësimin e asaj mjegulle që të është krijuar në shpirt… Ndoshta forca e llogjikës të shkund, të qartëson dhe të bënë të reflektosh… Jeta nuk është lojë. Ndaj mos beso kërkund, se asnjë s’është si ti, beso në vetvete.. se është vetëm një…

8 korrik
Shumë interesante por tepër e dhimbshme është kur mbas shumë e shumë vitesh ti konfirmon dyshimin tënd… E megjithatë ndjehesh tepër e qetë se ajo s’ishte një hamendje, por një realitet që u mundua të të vriste ashtu ngadalë dhe pa u ndjerë…

3 korrik, 2013
E di çdo të thotë të vuash në shpirt, të jetosh në një vend të izoluar dhe të ndarë më dy pjesë… kë në njerën anë janë atë që quhen “të lirë” dhe në anën tjetër të ashtuquajturit “të interrnuar”!!?
Ja e tillë ishte Savra, vendi ku Enver Hoxha mblodhi gjithë njerëzit e ditur ata që kundërshtonin regjimin e tij, ata që u arratisej një pjestar i familjes, ata që kishin pasuri, ata që për një fjalë goje futeshin burgjeve e familjet u internoheshin, ata që për diktaturën ishin të rrezikshëm, e shumë kësi gjërash. Dhe ashtu jetuam për vite e vite, në barakat prej kartoni të ngritura enkas për ne, duke u treguar shpesh me gisht, pse ishim pjesa më e padëshiruar prej tyre, dhe duhet të punonim fushat e paana të Myzeqesë. Si eskavatorë punuan djemtë e rinj të lagjes tonë, vajza dhe djem me bukuri përrallore. Vajza të mbuluara me shami të futur brenda saj karton apo gazete, që mos t’i nxinte dielli përvëlues e ta ruanin at freski të fytyrave të tyre. Ato vajza dhe djem ishin vërtet të bukur dhe të edukuar. Mbrëmjeve i shihje të veshur edhe pse thjesht, në mënyrën më moderne të kohës, a thua se s’ishin ata që gjithë ditën u kishrënë bretku duke punuar me kazma e lopata mes baltës, të ftohtit të dimrin, apo zhegut të verës… Dhe ti vazhdoje të jetojë atje, me brengën në shpirtit për pamundësitë e tua dhe me ëndrrën e një ndryshimi…
Njëherë ishim në Karbunarë, një fshat fare afër Savrës, me motrën e nuses sëë vëllait për të blerë diçka… Kur kthehemi, në gjysëm të rrugës ishin disa stalla lopësh. Disa djem të rinj po na afroheshin dhe vajza që ishte me mua u frikësua… Ngadalë i them: “Mos ki frike di unë ç’tu them këtyre. Kur u afruan ata, u drejtohem duke u thënë: “Faleminderit që na ngacmoni, por ne jemi të internuara…! Ashtu thanë ata… epo ikni…!! Të tillë ishim ne… Mjafton t’u thoje se ku jetoje dhe ti s’vleje më, ishe një “armike e popullit”… Menjherë krijonin një urrejtje për ty, a thua ti se çfarë u kishe bërë. E megjithatë ti mësoje, punoje më shumë se ata, po ti nuk ishe si ata dhe këtë ti duhet ta dije mirë, e ta kishe vëth në vesh!!!

2 korrik, 2013
Ndoshta bota kishte nevojë për skllevër… dhe i duheshin gratis, pa asnji shpenzim, ndaj edhe u hapën ambasadat… në korrik të 1990.
Edhe mbas 23 vitesh ne akoma s’kemi hyrë në Bashkimin Europian edhe pse kemi përcjellë ne Europë gati dy milion njerëz…!

1 korrik, 2013
Vitet e ikura vërtet nuk kthehen, por rikthehen kujtimet duke na i kujtuar ato vite…. Dhe s’dua të ndryshoj asgjë prej jetes sime… sepse planifikimi i ZOTIT është më i bukur, më i saktë dhe më i drejtë se sa ai i Njeriut. Ndaj e falenderoj Zotin për gjithçka jam, për gjithçka kam, e për gjithçka do të jem e do të kem në kët jetë…

Magdalena Buzi & Bedra Kaba
Savra – Magdalena Buzi & Bedra Kaba

30 qershor,
Ato ishin shoqe në punë, por jo se e njihnin mirë njëra tjetrën… Kishin edhe diferencë prej pesë gjashtë vitesh mes tyre. Një ditë, tek shkonin për të bërë analizat për punë i gjithë kolektivi, ato rastisën të ishin bashkë. Ajo e vogla kish ardhur me biçikletë ndërsa tjetra me grate e tjera me karrocë. Meqënse ishin pushim të dyja, vendosën që mbas analizave të dilnin bashkë në qytet… dhe ashtu bënë… E madhja hipi mbas në biçkletë dhe e vogla e ngiste duke iu drejtuar drejt qendrës së qytetit për të shijuar pushimin dhe lirine e një dite…
Por s’ kaloj pak rrugë dhe një zë gati kërcënues dhe i egër iu drejtua atyre të dy vajzave. Me frikë dhe e shtangur nga kjo e papritur vajza mbrapa i thotë shoqes që ta ndalojë biçikletën dhe të shohin çfarë ka ndodhur, pasi ajo s’mund ta kthente kokën. Por ajo vazhdoi të ecte, duke e shpërfillur personin që ulëriste e bërtiste në menyrë skandaloze. Atherë vajza e madhe i thotë me ton: Ose ndale biçikletën, ose u hodha! Atëhere e vogla ndaloi dhe panë se ai burri që bërtiste ishte me biçikletë dhe tepër i madh për moshën e tyre.
Ato zbresin të dyja, edhe ai burri i panjohur i drejtohet së voglës duke e pyetur se “Nga e kemi kët vajzën?” “Nga fshati im… i tha ajo me qetësi… “Çudi, – thote ai – si s’e paskam parë asnjëhere…!” Eh, – i tha ajo – kjo nuk para del shpesh…
Pastaj biseda vazhdon duke ecur… “Ti – iu drejtua ai përsëri të voglës – përse nuk e takon filanin?” Dhe ajo nisi të justifikohet… duke ecur, derisa takojnë edhe një djalë nga fshati i tyre… të cilin vajza e madhe e kish pasur shoke klase, dhe kjo sikur e qetësoj pak nga që njihte mirë. Kështu ata vazhduan të ecnin e të bisedonin duke shkuar drejt rrugës për të takuar personin për të cilin kish folur i panjohuri. Kur po hynin drejt fshatit vajza e vogël thotë: Unë po shkoj me kët djalin të takoj atë, ndërsa i panjohuri ngelej me vajzën e madhe aty në rrugë duke pritur ajo të kthehej… Shumë pak fjalë këmbyen mes tyre… ndoshta heshtja e vajzës dhe ajo mënyrë komunikimi ndoshta e kishte bërë për vete atë… Në një moment ai kthehet e kap dhe e hedh në tokë… Ajo e hutuar, i kthehet mënjeherë dhe i thotë nëqoftëse do të kisha njohur do ta kisha bërë hallall, por në ato rrethana s’do të dëshiroja ta humbja virgjërinë time… ajo ngriti sytë nga qielli dhe u lut… “Në dorën tënde O Zot, dhe mbylli syte. Për, çudi mes asaj heshtjeje… hapi sytë dhe pa një dorë që u zgjat ta ngrinte. Pas pak u dukën, vajza e vogël me djalin që shkoi të takohej dhe ashtu bashkë nisen në rrugën drejt shtëpisë.
At ngjarje ajo kurrë s’ia tregoi shoqes së saj… Ajo i mbeti në shpirt u varrosur, por ajo gjendja që ajo kaloi qe tejet e vështirë për t’u harruar.

26 qershor, 2013
Në qetësinë e një nate, e lodhur nga një ditë e ikur, ora ecte dhe ti si nëpër mjegull dëgjoje murin që binte dhe një zë si prej thellësive thërriste: Bedrieeeee…. Ishte zëri i Vasilikës, me at theksin greqisht që më thërriste… S’vononte shumë dëgjohej edhe zëri motrës sime: Bedrieeeee!!! E pas pak edhe babai: Bedra, po i bie murit nusja e vëllait të thirrën: çohu!! Dhe unë ashtu e përgjumur ngrihesha me vrap t’i kapja ato, po shpesh ato iknin dhe unë ngelesha vetëm dhe frikesha sidomos kur kaloja te pjesa e banjove të përbashkëta të dy barakave përballë. Një natë… po binte një shi i paparë dhe vetëtonte… sapo kalova pjesën e banjove kur pesë qenë me rrethuan e unë mbeta midis tyre… as e zonja të ikja e as e zonja të rrija. Më duhej të nxitoja se më përzinin nga puna!! Athëre me kujdes fillova të hedh hapin e parë, duke u lutur në zot, dhe ashtu një hap tjetër, edhe një tjetër derisa mezi iu shkëputa qenve.
Më pas vrapova drejt stallave ku më prisnin gjashtëmbdhjetë lopë për t’u mjelë… dhe uën ashtu herë me sytë hapur e herë duke dremitur si ndër ëndrra deri sa zbardhte dita …

26 qershor, 2013
Çudi… Një ftohtësi, krejt e pa interesuar as që më bënë përshtypje fare se ç’ndodhi me zgjedhjet e këtij viti.

Në vitin 1990, në nëntor unë arrita dhe shkova në Belgjikë dhe për herë të parë atje kam parë Sali Berishën, që i pari merrte pjesë në rrëzimin e regjimit komunist… Duke e parë që andej… u them njerzeve të mi: “Shikojeni kët burrë: ky ka për t’u bërë i pari i Shqiptarëve!”
Dhe vërtet ashtu ndodhi… Kur erdhi për herë të parë në Berat në një miting madhështor pata një gëzim që s’mund ta përshkruaj… Kujtova se kështu po merrte fund persekutimi ynë prej shumë vitesh… Por kjo mbeti veç një ëndërr… asgjë s’ndryshoi, dhe dyert mbetën të mbyllura si më parë.
Të tjerë morën flamurin e presekutimit dhe unë u ndjeva sikur nuk kisha qenë kurrë e tillë. Kjo ishte habia dhe çudia ime më e madhe… bile edhe ata që kishin jetuar me ty, filluan të të mohojnë.
Video që realizoi Top-Chanal, ku paraqiste vëllanë tim te baraka edhe mbas 23 vjet demokraci as që i shqetësoi fare pushtetarët demokratë. Ata vazhduan planet e tyre, dhe s’kishin pse shqetsoheshin se ka akoma të persekutuar që jetojnë në gërmadhat e një kohe… gjoja të varrosur. Prej kësaj pakënaqsie të krijuar prej kaq e kaq vitesh arrita dhe thashë: Zoti s’ekziston nëse këta fitojnë prap.
Ndaj falem o Zot që arrita dhe e thashë kët fjalë pasi vetëm ekzistenca dhe prania jote është kudo dhe askush s’mund ta vere në pikëpyetje ekzistencën tënd!!!

16 qershor…
Një telefonatë… E hap… Alo jam filani, që do të merrja dokumentin te Arkivi i Shtetit për përfitim pensioni si e persekutuar politike… Më thotë një punonjës që punon te ky institucion, të cilin e kisha takuar para gati një muaji; Ju më dhatë numrin e telefonit… më thotë ai. Atherë kujtohem po unë të thashë e çu bë… Dëgjo, – më thotë – ju jeni filan familje e ardhur nga Dibra… po… familja e juaj babai dhe dy vëllezër kanë qenë të persekutuar… ju nuk jeni… Ashtu i them…! Po! më thotë ai. Sa vjeç ke qenë ti kur ke shkuar në Savër më pyet ai? Unë i them kam qenë dy vjeç! Epo dy vjeç nuk ishe e persekutuar, duhej të ishe 18 vjeç. Domethënë unë në Savër që kam jetuar që foshnje, mu mohua çdo e drejtë… dhe n’at kohë paskam vuajtur kot… Nuk e di më përgjigjet se po harxhoj lekë duke folur dhe e mbyll. Eh thashë me vete një kohë mundohet të të zhdukë, të të coptojë, të të shkatërrojë dhe kjo kohë të mohon. A thua koha na dënoj apo njerëzit… Në atë institucion kush janë… ata që jetuan me mua e të tjerë apo janë ato veglat e dikurshme të regjimit komunist…?!?

14 qershor, 2013
Ishte viti 1984, një vit para se të vdiste i pavdekshmi i gjithë kohrave: Enver Hoxha. Ekonomia kish marrë teposhtën dhe nuk po realizoheshin planet e prodhimeve pesëvjeçare që kishin caktuar të mëdhenjtë. Frika u kishte hyrë në palcë drejtuesve të ekonomive. Kjo frikë e kishte kapur edhe sekretaren e partisë, njëkohsisht edhe brigadiere te stallat ku punoja unë me motrën.
Një ditë brigadierja i thotë motrës “A mundesh të më ndihmosh se planin s’po e kapim dot. Kur të mjelësh lopët mbushe bidonin me ujë e pastaj hidhi qumështin… se vërtet jemi keq. Dhe motra e shkrete i thotë: Jo nuk mundem unë ta bëj ketë gjë, po ti ke vajzat e reja u thuaj atyre se ato me siguri të ndihmojnë. Kur dalim nga puna më thotë motra: “Bedra kështu kështu më tha brigadierja, s’e di a më provokoi apo është e vërtet ajo që tha… Dhe vajzat e reja e bënë vërtet at punë… Dhe populli hëngri qumësht me ujë, dhe jo ujë çezme po ujë lugu, ku pinin lopët me jargë e me alga jeshile…

Rrugicë midis Barrakave
Savra – Rrugicë midis Barrakave

***
Në vitin 1970, Enver Hoxha nxjerr një amnisti: “Kush s’i ka lyer duart me gjak dhe është arratisë nga Shqipëria mundet të kthehet!!” Si pasojë e kësaj thirrjeje shumë të arratisur iu gënjye mendja dhe nga malli që kishin për vendin, disa filluan të kthehen. Kët dëshirë pati edhe vëllai im, qe ishte arratisë 17 vjeç… Mbaj mend e vogël, se kur shifja se kalonte ndonjë aeroplan kujtoja se po vinte vëllai, por ai s’erdhi dhe tani vonë e mësoj arsyen.
Vëllai tjetër sa mori vesh dëshirën e vëllait për të ardhë niset menjëherë në Tiranë blen një vepër të Enverit dhe midis faqeve të saj i shkruan. S’mund të vish në Shqipëri, se kjo është veç një lojë. Dhe falë këtij shënimi ai nuk erdhi.
Po, ajo vërtetë kishte qenë një lojë. Në vitin 1990, kur shkoj te vëllai në Belgjikë, një familje nga Tropoja e ndarë për gjysëm prej 20 vjetësh atëhere u bashkua. Burri i kësaj familje i kishte kërkuar gruas që të ktheheshin. Por ajo nuk kishte dashur për arsye sigurie, atëhere i shoqi bashkë me dy fëmijë kthehet në Shqipëri. Ndërsa e shoqja ngelet në Bruksel me tre fëmijët e tjerë. Sapo i shoqi me femijët shkel në vendin e vet e strehojnë në Tiranë ku i japin shtëpi e fëmijët ia punësojnë. Për gjashtë muaj ata ishin mjaft mirë, por pas këtyre muajve burrin e arrestojnë dhe kështu fillon kalvari i vuajtjeve të tyre… mbas ca vjetësh i vdesin edhe fëmijët dhe mbetet vetëm: tashmë të ndarë e të harruar. Vetëm në 1990, ata mundën të bashkoheshin me nënën dhe fëmijët e tjerë. Rastisa atje, kur kjo familje u bashkua, dhe pashë me sytë e mi vuajtjen dhe mallin e atyre njerzëve, gëzimin e një bashkimi familjar, por tashmë pa babanë e tyre!

***
Një rrugë e gjatë ndante në dy pjesë sektorin ku jetoja prej vitesh… Nga njëra anë ngriheshin shtëpitë prej guri dhe me çati tjegulle, kurse në anën tjetër ishin barakat e gjata me tetë dhoma, nga një anë e tetë nga ana tjetër. Përballë njëra tjetrës ishte hapsirë rreth dhjetë dymbëdhjetë metra dhe ne mes ndodheshin katër banjo publike për familjarët e dy anëvë të barakave. Gjithesej ishin shtatë baraka të mbuluara me kartoserë, dhe quhej Lagja e të Internuarve dhe pjesa tjetër quhej Lagja e të Lirëve. Qysh dy vjeç erdha dhe jetova këtu… Pashë frikë në sytë e njerëzve dhe frikë pata edhe unë, pashë poshtërim dhe poshtrim ndjeva edhe unë, pashë qëndresë, dhe qëndrova edhe unë, pashë buzqeshje buzqesha edhe unë, të tillë ishim ne baras një!
Dhimbja dhe gëzimi i njeri tjetrit na bashkoj.
E kush ishte mëkati jonë që vuajtëm në at Ferr të diktaturës komuniste, unë për vëllanë që u arratis për një jetë më të mirë, dy gra nga Shkodra, pse iu arratisën burrat e tyre, njëra gjashtë muaj kishte ndenjtë me burrin dhe tjetra një vit e gjysëm, një tjetër grua pse iu arratis burri ajo në internim me dy vajza të vogla, një tjetër grua iu arratis burri dhe me dy vajza dhe shtatzanë… E shumë familje të tjera me historitë e tyre…..
Këto gra punuan dhe rritën fëmijët e tyre me dinjitet fushave të paana të Myzeqesë, duke ruajtur nderin për burrat e tyre, në një kohë kur ata jashtë u martuan dhe krijuan familjet e tyre ndërsa ato persekutoheshin nga rregjimi i komunist. A thua nuk meritojne këto gra heroina që sakrifikuan jetët e tyre kampeve të përqëndrimit të vlërsohen nga shteti dhe opinioni!! Mos është vonë që fëmija im, i joti, apo i tjetrit ta dijë historinë e vërtetë të një periudhe që duhet të na bëjë të reflektojmë dhe ta njohim…

***
Drejt fundit të një regjimi që shkroi vetëm vuajtje, skamje, mjerim, luftë klasash të papara ndonjëherë. E shikoje dhe s’besoje se vërtetë ishte drejt rrënimit kjo perandori e ngritur nga një diktator komunist. Aq thellë i kish hedhur rrënjët, sa zor ta besoje, sepse ideja e tij qe e rrënjosur që kur lindte një fëmijë dhe rritej me frymë Enveriane. Tek shkoja për në punë dikush pëshpëriti: vdiq Enveri dhe kështu filluan të pëshpërisin… por pa na thënë ne gratë që punoja me to sepse unë isha ndryshe nga ato… o sa herë ndjehesha keq. E dëgjoja dhe veshëve s’u besoja… vërtet vdiq ai Njeriu i Pavdekshem dhe thellë në shpirt nuk ndjeva asgjë… lotët më ngelën aty… u ngrinë, megjithëse të tjerat ulërinin se vdiq ikona e tyre!! Rrija e ngrirë mes syve që më shikonin me kuriozitet se si isha unë në ato momente, shoh motrën që ma bënë me shenjë që duhet të qaja!! E si mund të derdhesh lot për dikë që ta nxin jetën me doktrinën e tij… si mua dhe gjithë atyre njerëzve fisnikë që jetuan në kampet e internimit. Eh sa e lodhshme ishte ajo ditë, por tepër e lumtur me shpresën e një ndryshimi që mund të vinte…

Midis barrakave - Drita Skrame 1992
Savra midis barrakave – Drita Skrame 1992

2 qershor, 2013
Në vitin 1987, në tetor, mbas një jete në internim për gati 26 vjet, thashë shpëtova… duke u martuar dhe vajtur në një qytet të lashtë dhe të bukur si Berati. Por, edhe aty qysh në fillim nisën zhgënjimet e para… ftohtësia e njerzëve dhe puna tepër e rëndë me tre turne në kombinat. Atëhere u mërzita shumë dhe vendosa t’i shkruaja vëllait, ashtu siç i pata shkruar pothuaj 9 vjet rresht nga Savra ku jetoja si e internuar… Por atëhere i shkruaja bukur, që letrat të vinin, duke mos i treguar hallet tona. Tani e zhgënjyer nga jeta që m’u afrua gjoja në qytet vendosa t’i shkruaj se si kishim jetuar kaq vite, ndoshta do e ndihmoja për të krijuar imazhin e vërtetë të jetës që bënim në Shqipëri. Le ta provoja edhe burgun, të paktën vëllai do të merrte vesh të vërtetën që s’ia kishim thënë. E kështu e shkrova at letër duke i shpjeguar gjithë vuajtjet tona… Për fat ai e mori letrën dhe mbas një ankthi të pritjes së përgjigjes ajo më vjen. E hap dhe duart më dridheshin nga emocioni… më në fund e paska marrë letrën thashë. E lexoj me një frymë diku me shkruan: “Flm Bedra, letra jote më ka qartësuar dhe më ka hequr shumë merake që kam pasë. Motër ky është numri im i telefonit kurë ta keshë mundësinë mundesh me më telefonu. U gëzova shumë që vëllai e kish marrë letrën dhe fatmirsisht mua s’më ndodhi gjë. Ato vite lufta e klasave sikur ishte dobsuar pak, po edhe familja ku isha martuar unë, s’kishte nga këto probleme. Në at familje ku isha, s’kishim as radio për të dëgjuar muzikë që pëlqente dhe jo më televizor. U futa në një llotari me 1000 lekë të vjetra dhe për dy vjet me bëheshin 48000 leke dhe mbas dy vjetëve do merrja një tv. Kur një komshia ime kishte hallën në Amerikë dhe i kishte kërkuar 500 dollarë se do ta blinte tv me ngjyra, që atëhere sa po fillonin të futeshin në Shqipëri. Ne kishim shumë shoqëri me ta dhe një ditë ajo më thotë: nëqoftëse më vijnë dollarët nga Amerika po ja u jap tv juve e kurrë të merrni llotarinë m’i jepni lekët. Mbas ca muajsh asaj i vijnë lekët dhe ne u gëzuam se do të merrnim tv. I them burrit shko i thuaj… Ai vete dhe ata i thone duam 20 mijë lek kapar, po kush i kishte 20 mijë lekë atëhere. Kujt t’i thonim… atëhere i thashë thuaj dhe një herë dhe lëre. Burri u mërzit shumë, sepse ishte rritur në atë familje dhe nuk ia merrte mendja se do ia hanin fjalën si i thanë. Unë isha më e zhgënjyera nga jeta dhe nuk është se s’më ngeli merak, por me kaq e kalova ndërsa ai jo… I filloi një dhimbje koke dhe në një moment kur unë po bëhesha gati për të ikur në punë ai shtrirë më thotë shiko po kalojnë aroplanë… kthehem i ve dorën në kokë kishte temperaturë shumë të lartë! Atëhere në moment i them: ti u shqetësove për një tv po ngrihu, mos u mërzit! Edhe unë kam vëllanë jashtë shtetit do ta marr në telefon dhe do i kërkoj 500 dollarë dhe do e marrim tv. Hajt ngrehu, me vrap i jap një aspirinë filloj të bëhet më mirë. Por mbasi u bë mirë më erdhi zor… tani më duhet të flisja me vëllanë që s’kisha folur kurrë dhe për herë të parë më duhej t’i kërkoja lekë!!
Shkova me burrin dhe fola me të dhe ia kërkova lekët. Diku më dëgjoi njëra nga Savra, për herë të parë kishte folur me vëllanë dhe i kishte kërkuar lekë. Nuk më erdhi mirë… Ajo nga Savra, edhe unë nga Savra isha… Atëhere i shkruaj vëllait prap dhe i tregoj arsyen pse ia kërkova ato lekë dhe i them të më falësh, unë 31 vjet nuk kam parë tv me sy, për 7 muaj unë do ta blej se atëhere do t’i kem lekët, dhe ti mos u mërzit… mos m’i bjer lekët, se unë ti kërkova thjesht për të shpëtuar burrin nga një depresion që mund të kalonte. Atëhere vëllai e merr letren time dhe më çon telegram, ku më thoshte se në ç’orë të shkoja në postë dhe të flisja me të. Atëhere shkoj në postë dhe flas me vëllanë e ai më thotë: Bedra me trego datën e saktë të lindjes se do të sjell nji garanci për të ardhur në Belgjikë. E habitur dal nga posta dhe i them burrit këto që më thotë. Ai e nxjerr pashaportën menjëherë se nuk e njihte njeri për biografi të keqe. Vijne garancitë nga vëllai dhe ne çojme dokumentat në Jugosllavi për vizë… Prit e prit po ajo vizë nuk po vinte! Një ditë vëllai merr ambasadën dhe pyet përse nuk vinin vizat dhe ai i thotë nuk kanë futur lekët e vizës… Po sikur t’i postoj unë a u shkon viza atyre? Po i thonë tij! Mbas dy javësh viza erdhi dhe unë me dokumentin në dorë, dhe lotët që më rridhnin… Në atë moment më gjen nëna duke qarë e thotë: Po tani pse po qan? Thashë po ne s’kishim 20 mijë lekë për të marrë nji tv, tani ku do i gjejmë lekët për të ikur në Belgjikë. Telegram vëllai… prap shkoj në postë i them viza erdhi po thotë: Bedra, hajdeni me duar në xhepa… e prisni biletën se kur të vish do t’i jap unë lekët. Eh, thashë me vete… bëmë gjithë këtë mund po kot… hava… ç’ti thosha: S’kam lekët. Desh zoti… lekët arritëm t’i mbledhim, shkuam të presim biletat, por s’kishte… shkuam javën tjetër, na thanë hajdeni në aeroport se do ja u presim direkt. Shkoj e marr në telefon vëllanë i them nesër vijmë por biletë s’kemi pre, por ti do dalësh se ne s’e dimë ku vemi. Ai më thotë kam dy të premte që shkoj në aeroport. Atë ditë shkonte aroplani nga Shqipëria mos ki merak motër më thotë se unë atje jam. Desh zoti na bënë pak naze në aeroport, por unë isha me vajzën 20 muajsh në krah… Ju luta se kisha bërë gjithë atë rrugë e atëhere e premë biletën e u nisëm për në Belgjikë… Ishte 29 nentor 1990, kur vendi ishte në krizë. Duke pritur valixhet në aeroportin e Belgjikës të dilnin dëgjoj një zë hajde ke daja duke i thënë vajzës time! Kthehem dhe shoh vëllanë tim që më kishte lënë dy vjeçe e unë takoj me vajzën time dy vjeçe. Një mall i patreguar lotë që rridhnin nga dhimbja dhe emocioni. Ai kishte ardhë vetëm me fëmijët e vet për të më pritur pasi kishte frikë se nuk arrija të shkoja. Nisemi dhe shumë shpejt arrimë te shtëpia e tij unë u habita dhe u gëzova pasi ai jetonte shumë mirë.
Atë ditë u shplodhëm dhe shmallëm me njeri tjetrin. Të nesërmen vëllai mori një stacjon radioje dhe i njoftoj gjithë shqpitarët për mbritjen time… ishte tepër emocionuese. Të gjithë filluan të vinë dhe gëzoheshin që ne u takuam pas kaq vitesh e thoni o sa ngjankeni ju të dy. Por ajo kohë ishte e trazuar askujt nuk ia merrte mendja se do të shembej ajo perandori komuniste prej 50 vjetësh ndaj unë u ktheva për të mos pasur probleme vëllai im në qoftëse do mundte ta shkelte ëndrën dhe mallin e vetë Shqipërinë.

1 qershor, 2013
Gëzuar një qeshorin fëmijve në mbarë botën. Nuk e di pse kjo ditë më kujton jo vetëm fëmijrinë time, por edhe një vajze që s’jeton më. Ishte një vit më e madhe se unë, po kishim të njejtin emër… Kishte më shumë trup, dhe ishte më e madhja e klasës! Çdo një qershor e ngrinte zysha dhe ajo e këndonte me shumë pasion këngën “Erdh një qeshori…” Në moshën 16 vjeçe, duke punuar fushave të Myzeqesë, në kohën e vjeljes së pambukut, papritur koha nxihet dhe qielli filloj të shkreptinte rrufe… një prej të cilave e vrau edhe at vajzë të re, ndërsa një gruaje tjetër ia dogji trupin, por ajo arriti t’i shpëtojë vdekjes!!
Gëzuar edhe në emër të asaj vajze të pafajshme, një qeshorin të dashur fëmijë… dhe qofshi gjithmonë të lumtur.

Savra prej Google Earth 2003
Savra – pare prej Google Earth 2003

***

Në orën tetë të darkës, ne ktheheshim nga puna dhe ashtu bashkë me gratë e stallave, ku punoja dhe unë ktheheshim çdo mbrëmje drejt shtëpisë. Kur dikush nga gratë e theu heshtjen: “E dëgjuat çfarë u tha dje në diskriminimin që ju bë njerit nga të internuarit, çfarë s’i thanë, po i çuditshëm djali i tij si nuk e mohoj të jatin!! I biri i kriminelit…!! Dikush e përkrahu, dikush heshti… E unë si adoleshente përtypja në heshtje helmin që nxirrnin prej gojës së tyre… Brenda vetes ndjeva krenari për at njeri të madh, por që donin ta mposhtin duke përdorë mënyra çnjerzore të diskriminimit para gjithë njerëzve duke u bërë lavazh trurit të tyre me idetë absurde të komunizmit… E reagimi i të birit para gjithë popullit, ku ai e kishte përkrahur dhe s’e kishte përbuzur babën e tij i kishte tërbuar shumë nga ata që s’na donin dhe trufullonin me vete duke thënë se, se s’e kishim shumë të gjatë. E vështirë ishte të punoje në një vend ku ti s’ishe si të tjerët…
Shumë herë më thonin s’e meriton të punosh këtu dhe papritmas lotët më rridhnin nga sytë dhe thoja po ç’të veçantë kanë këta që punojnë këtu!? As mjelse lopësh s’e meritoja të punoja mbas një shkolle të mesme që kisha bërë. O sa keq ndjehesha kur të gjitha shkonin në zbor ushtarak, dhe unë nuk mund të shkoja bashkë me tre -katër të tjera dhe atëhere ndjehesha keq… Ti prap do veçoheshe, nga ti kishin frikë pse ishe një armike e popullit, dhe s’mund të të jepnin armë. E kur kthehesha në shtëpi babai, sikur ma lexonte mendimin dhe mundohej të më qetësonte disi, por edhe ai thellë në shpirt ndjehej shumë i plagosur. E kalonte kohën thuajse brenda… s’dilte kurrë e kur i thosha po dil o Babë atje para, te kinemaja ku dalin gjithë të moshuarit! Ai me kthehej: “Eh bre bijë, është kohë e keqe. Të diskreditojnë edhe për një fjalë që ti s’e thua dhe unë nuk kam moshë më…!! 

***

Çdo vit, qysh dhjetë vjeçe pothuaj gjithë ne fëmijët e kampit punonim muajt e beharit për të blerë diçka për t’u veshur. Ashtu kam punuar edhe unë.
Ishte viti 1974, kur unë mbarova tetëvjeçaren dhe si çdo behar at vit fillova punën, sapo motra të martohej në shtator mund të futesha në këmbë të saj si mjelëse te lopët… Për fatin tim të mirë atë behar erdhi vajza e xhaxhait nga Dibra dhe filluam të punonim bashkë. Asaj i erdhi keq që unë nuk mund të shkoja në shkollë të mesme dhe më thotë: Kur të iki unë hajde ti Bedra me pushime dhe të mundohemi se mos të regjistrojmë në shkollën e Peshkopisë. Ashtu bëra! Me dy rroba pothuajse behari dhe pa ju thënë prindërve, se po shkoja të vazhdoja shkollën. Nuk isha e sigurt se më regjistronin, pasi motra para meje ishte para një viti në Dibër dhe u regjistrua në bujqësore, por ata i kërkuan letër nga kryetari i këshillit dhe ai nuk ia dha, kështuqë mbas tre muajsh studime ajo u detyrua dhe u kthye në Savër në kampin e internimit. Ashtu me një pasiguri, por me shpresë adoleshenti dhe falë ndihmës së disa njerëzve të mirë arrita dhe u regjistrova në gjimnaz.
Unë isha rritur mes barakave dhe në një shkollë tepër të vogël fshati, shkolla në Peshkopi ishte tepër moderne dhe me profesorë të kualifikuar. Isha në një klasë me nxënës të gjithë nga fshati tepër të këputur, vetëm unë dhe një djalë tjetër që vinte nga Gradishta, edhe ai i internuar, por që kishte mundur të regjistrohej në shkollë, binim në sy, ndoshta nga mënyra e veshjes apo e sjelljes. Me 24 shtator më martohej motra dhe unë nuk shkova në dasmën e saj, pasi kisha frikë se s’do më lejonin të vazhdoja shkollën, kur xhaxhai shkoi në Savër, babai habitet pse s’më sheh mua dhe i thotë xhaxhait ku është Bedra, dhe ai i thotë që e kemi futur në shkollë atje, ai habitet… Fillova të mësoj shumë, të lexoj shumë edhe libra jashtëshkollor të adoptohesha me shoqërinë, por gjithmonë në shpirt ndjeja frikë se mos më ndodhte gjë. Mbas tre muaj studimi, kur një mësuese letërsie që ishte nga Korça iku dhe e zëvendëson dikush që ishte akademik, por që e njihte familjen time, ai filloi të më ngrinte pothuajse përditë dhe më pyeste deri edhe shumë mësime përpara dhe shpesh më thoshte: “ulu katër” fillova të shqetësohesha vërtet çduhet të bëja!!
Një ditë na vjen në klasë drejtori i shkollës për të dëgjuar një orë mesimi dhe profesori i letërsise me ngre në mësim dhe fillon të më pyesë për shumë mësime dhe unë i përgjigjem… në fund më thotë “ulu pesë!” Nuk e di, por vendi m’u bë jeshil nga sikleti dhe mezi ulem në bangë. Atëhere drejtori i thotë në mes të klasës përse i vure atë notë? Ai i thote ju nuk e njihni kjo është tepër moderne dhe shumë mendjemadhe, ashtu i thotë drejtori!! Në pushimet e vitit te ri shkoj në Savër por tepër e mërzitur pasi kisha frikë se do ngelja pikrisht në lëndën më të bukur që unë e doja. Eh, thosha me vete do thonë njerëzit shkoj deri në Dibër dhe atje te malokët se mori dot shkollën. Po ta shihni simestri i parë i vitit të parë letërsia është pesë dhe gjithë vitet e tjera janë dhjeta. Në fund të vitit na çuan në aksion dhe duke shkuar rrugës për në Brezhdan, takoj drejtoreshën e shkollës dhe bashkë filluam të ecnim dhe të bisedonim kur në një moment ajo kthehet e më thotë: E di ti Bedra se i nipi i Murat Kaloshit dhe pikrisht me këtë emër kishte qenë në shkollën tonë, por e përzumë dhe ai s’shkel më. Për një moment ngela dhe punë sekondash po thoja me vete… O zot kjo s’e di se edhe unë e kam vëllanë e arratisur në Belgjikë… Më erdhi shumë keq për atë djalë që e pata në klasë një vit… Ishte tepër i zgjuar sa i mahniste profesorët me mendjen dhe sjelljen e tij, por që s’do vinte më në shkollë…

Savër 1986
Savër – Lëmi – çveshje misri 1986

 

19 prill, 2013
Një mesazh: “Vij me datë 15, bëhu gati se kësaj rradhe do ta pres unë biletën dhe ti do vish me mua!” Me shkruante një shoqja ime apo motra pa hise që rri në Greqi… dhe vërtet ajo erdhi dhe unë nesër, më duhet të nisem me të.
U rritëm bashkë në kampet e interrnimit, ngjitur i patëm shtëpitë, veç një pëllëmbë mur kallamash na ndante. Familja e saj e ardhur nga Saranda dhe ne nga Dibra… ne mislimanë e ata ortodoksë, ata u rritën me ne dhe ne u rritëm tek ata. Kjo harmoni na mbajti gjallë ne dhe gjithë familjet e ardhura nga të katër anët e Shqipërisë aty ne kampet e përqëndrimit të kohës më të egër që ka kaluar njerzimi: komunizmit! Ajo u rrit jetime me baba gjallë… sepse babai i saj sa bënte 10 vjet burg kthehesh një vit pranë familjes dhe e arestonin prap. Nëna e saj një grua tepër e fortë, punonte tërë ditën për tre fëmijët e saj të mitur dhe për burrin që duhej ta ndiqte në burgjet e Spaçit, Lezhës a Sarandës. Por besimi i fortë në Zot e mbajti gjallë shpirtin e saj… Eh, thoshte nëna ime, si s’harroi ajo grua çdo të dielë të ndizte një qiri apo një filxhan me vaj e të lutej e të lutej në vetminë e saj ashtu e vuajtur por krenare… Mbas 22 vjetësh jam e gëzuar që shkoj të takohem e të çmallem me ata njerëz të mrekullueshëm…

1 shkurt, 2013
Oh sa me ka marrë malli të ec si dikur në këtë rrugë të pafundme të vuajtjes dhe trishtimit, e megjithatë sa mall për të gjithë ne që jetuam atje.
Dhe a e dini pse… sepse aty jetuan njerëz të përzgjedhur, njerez që ditën të duan dhe ta respektojnë njeri-tjetrin, njerëz me me mendje të artë dhe zemër të madhe.
Respekt të pafundëm për të gjithë ata njerëz që banuan në Savër dhe që jeta i shpërndau përsëri… s’e di se ku… por që shpëtuan nga skëterra e vuajtjes.

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. Rrëfimet e Bedrës kane fituar autoritet… sepse kanë nji thjeshtësi të jashtzakonshme, dhe njiherësh nji sinqeritet të pakrahasueshëm… Askush prej vajzave të rritura nëpër kampe, s’ka guxuar të rrëfejë të vërtetat e asaj kohe, ashtu thjesht dhe aq bukur sa Bedra Kaba… Keto jane shkrimet e fundit të saj, vertet pak të gjata, por mbesin ngjarje që japin thelbin e asaj kohe, at urrejtjen që shteti kishte edhe ndaj atyre që kerkonin t’i besonin asaj kohe dhe atij regjimi…
    Prandaj Bedra meriton nji mirnjohje te veçantë për ket sinqeritetin e saj të magjishëm… Ajo duket sikur flet dhe rrëfen për vete… në të vërtetë ajo flet për gjithë gratë dhe vajzat e kampeve, flet aq bukur dhe aq kuptueshem ne shumes
    … Bravo Bedra…!

  2. Bedra: i lexova shkrimet e tua dhe më pëqyen shumë.
    Më gëzon inisiativa që ke marrë, të shkruash për at jetë ferri që kemi kaluar. Veç të tjerash më pëlqeu mënyra jote e thjeshtë për të treguar disa gjëra, që kanë qenë tabu për ne. Vazhdo të shkruash Bedra, dhe më vjen shumë mirë i lexoj këto gjëra kaq të thjeshta po edhe njëkohsisht kaq interesante. Për më tepër kur dikush i brezit tonë, t’i sjell ashtu siç i ka përjetuar ai vetë, po që e gjejne veten edhe mjaft nga ne… Të uroj të shkruash më shumë!

  3. Flm Jozef për vëmendjen e veçante të shkrimeve të thjeshta, por tepër të vërteta të një jete që u shkruajt me dhimbje të thellë në shpirtin tim po edhe të shumë njerëzve që e jetuan at kohë qe quhej komunizëm… Ndoshta edhe të tjerë duhet të shkruajnë që të krijohet imazhi i vërtetë dhe absurd i asaj kohe të dhimbshme që vrau ëndrrat shpirtin e të gjithë neve. Për të lënë në breza vërtetsinë dhe realitetin e një kohe dhe për mos të lejuar të fshihet as të mohohet. Falenderime dhe respekt për punën që bëni.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.