back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Rrëfimi i dëshmitarit: Si u eliminua Miladin Popoviçi – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Deponimi i z. Qazim Vula për Haki Tahën
Deponimi i z. Qazim Vula për Haki Tahën

Rrëfimi i dëshmitarit: Si u eliminua Miladin Popoviçi

nga Kastriot Dervishi

Miladin Popoviçi, njeriu që përzgjodhi dhe i la peshqesh shqiptarëve Enver Hoxhën, u shtri përdhe i vdekur 13 marsin e vitit 1945, nga një atentat i një organizate shqiptare nacionaliste. Mbi të shtiu Haki Taha, ish nxënës i Normales së Elbasanit. Popoviçi ishte sekretar i Komitetit Krahinor të Frontit Unik Nacionalçlirimtar dhe anëtar i Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Metohisë. Njëri nga pjesëtarët e kësaj organizate, u dënua në Jugosllavi dhe në Shqipëri për të njëjtën pjesëmarrje. Në Jugosllavi u dënua si: “shovinist shqiptar”; ndërsa në Shqipëri si: “agjent i UDB-së”!! Jugosllavët e dënuan dhe çuan në Burgun e Nishit. Prej andej mundi të arratisej. Vjen në Shqipëri duke hyrë në zonën e Hasit më 18.9.1949. Më 24.11.1949, u arrestua i akuzuar për pjesëmarrje në atentatin ndaj Miladin Popoviçit dhe “agjent i UDB-së”. Provat konsistonin në “pohimet indirekte” dhe dilej hapur në mendimin se prova për akuzat që ngrinin nuk kishin. Më parë, në Shqipëri komunistët kishin vrarë pas shpien pa gjyq më 27.3.1946 vëllanë e Hakiut, Qemal Tahën. Qazim Vula u dënua me 10 vjet burgim dhe u lirua në vitin 1956. U arrestua sërish më 8.10.1962 sepse tentoi të arratisej me një mjet të improvizuar nga vendi i internimit në Shtyllas të Fierit, së bashku me kosovarët Qazim Bllaca dhe Hazir Halimi. Me vendimin nr. 10, datë 25.03.1963, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim. U lirua më 6.12.1974. Përfundimisht vuajti në Shqipëri 18 vjet burgim. Pjesën tjetër të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe vdiq.
Dëshmia e Qazim Vulës për vrasjen e Miladin Popoviçit është bërë në dyja herët e dënimit të tij.
 
Hoxha midis Mugoshës dhe Popoviçit
Hoxha midis Mugoshës dhe Popoviçit

Dëshmia e Qazim Vulës për vrasjen e Miladin Popoviçit:

Aty nga muaji korrik-gusht 1944, më ka ardhë në Prishtinë, Haki Taha (sot i vrarë), që ish atëherë arsimtar në Kosovë. Ai më ka thënë se ishin disa njerëz bashkë me të, që bënin pjesë në një organizatë që synonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në rast se Kosova do tradhëtohej nga serbo-malazezët. Që të jemi me Shqipërinë, që të kemi gjithë të drejtat, në gjuhë, administratë, etj. Kjo gjë – thosh Hakiu, – do të bëhej kur të çlirohej Kosova e të vinin në fuqi lëvizja nacionalçlirimtare e Jugosllavisë, mbasi të shihej e të parashikohej për të ardhmen një gjë e tillë. Unë e pranova një gjë të tillë dhe i thashë se isha gati t’i ndihmoja. Hakiu më tha se kryetar i kësaj organizate është Sulejman Riza, avokat në Prizren dhe sot me sa di unë është në burg në Prishtinë, pasi ka qenë arrestuar në Tiranë e prej andej është sjellë në Kosovë. Hakiu më tha se anëtarë të organizatës ishin Alim Spahiu (i vrarë), Mustafa Hasi (Gjakovë), Qamil Ahmet Efendi (Gjakovë), Brahim Memini (Prizren, sot në burg), Enver Sudi (Prishtinë, i vrarë), Hilmi Dyle, për të cilin e kam marrë vesh më vonë se ky ish kryetar.
.
Haki Taha (1913-1945)
Haki Taha (1913-1945)
Pasi pranova të isha anëtar i kësaj organizate, Hakiu iku për Gjakovë. Mbas çlirimit të Jugosllavisë, në dhjetor 1944 ose janar 1945, jam takuar me Alim Spahiun në Prishtinë dhe kemi rënë në bisedë rreth çështjes së Jugosllavisë. Aliu ka folur se Miladin Popoviçi ishte kundër kosovarëve, se kishte thënë se nuk kishte pasur Shqipëri, etj. Këto mendime ia miratova edhe unë. Më 11 mars 1945, vjen Haki Taha për t’u takuar me mua. Pasi vajtëm në shtëpinë time tha se ishte ngarkuar nga organizata të vriste Miladin Popoviçin, pasi është i rrezikshëm për ne kosovarët. Hakiu do t’i jepte një letër të cilën e përgatiti në praninë time. Letra që ishte me shkrim të emër të palexueshëm ishte shokun që kërkonte të shtrohej në spital pasi ishte i sëmurë. Gjatë leximit nga Miladini, Hakiu do kryente atentatin. Me vete Hakiu kishte marrë një flamur shqiptar të qëndisur me shkronja ari: “Kosovës liri – bashkim me Shqipërinë” që ishte edhe parulla e organizatës. Gjysmën e flamurit e kam shkruar unë. Mbasi ndenji dy net në shtëpinë time, Hakiu u nis për atentat. Më 13 mars 1945, unë ika për në pjacë. Pas dy orësh mora vesh se ishte vrarë Miladini. Hakiu kishte lënë në shtëpinë time një peshqir, një kuti duhani dhe një qeleshe. Të gjitha këto i dogja për të mos m’i kapur. Atentatin e ka kryer Hakiu me anë të një revolveri “Beret” që e kishte me vete, bile bëri prova para se të nisej. Pas atentatin, Hakiu është larguar dhe është futur në shtëpinë e Rakip Xhinxhinës (magazinën e barit) në Prishtinë pa e diktuar të zotët e shtëpisë. Pas dy ditësh ka dalë prej andej, por kanë mundur ta diktojnë, e në mënyrë që të mos kapej i gjallë ka vrarë veten.
.
Marrë nga http://www.55news.al/dossier/item/209494
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.