back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Rrëfimi i fundit tronditës i Lili Cingut… – nga Adriatik Riza Dosti

Gazeta

Lili Cingu (1953-2024)
Lili Cingu (1953-2024)

Ditën e hënë me 5 shkurt 2024, u nda nga jeta në moshën 70-vjeçare, valltarja Liljana Cingu, e njohur për të gjithë si Lili, valltare shqiptare, e cila krijoi një personalitet tipik të vetin jo vetëm në skenë, po edhe jashtë saj.
Lili Cingu ishte valltare e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore prej vitit 1967, shquar për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, dhe me një kulturë të veçantë muzikore. Për gjithë këto merita dhe kontribute në vallen popullore ajo mbante titujt “Nder i Kombit”, dhe nderuar me mjaft çmime, urdhra e medalje si fjala vjen “Çmimin e Republikës”, “Urdhrin “Naim Frashëri”. “Artiste e Merituar” dhe u nderua nga Presidenca e Republikës me titullin: “Mjeshtre e Madhe”.
Në jetën e gjatë artistike të Lili Cingut, rol të rëndësishëm luajtën edhe koreografët, që i besuan asaj perla të koreografisë, duke filluar nga Panajot Kanaçi, Agron Aliaj, Gëzim Kaceli, etj. Lili Cingu me kërcim e saj magjik plot hijeshi e bukuri interpretoi si vallet e Jugut, ato të Çamërisë, të Dropullit, të Korçës, të Kolonjës, të Shqipërisë së Mesme, ashtu edhe vallet epike të Veriut si “Shota dhe Azem Galica”, “Sup më sup me malet”, “Oshëtima e Maleve”, “Vallen e Rugovës” e mjaft të tjera. Në këtë interpretim dinjitoz e magjistral të saj s’mund të mos permendim edhe partnerët e saj si Besim Zekthi, Bashkim Braho, Rexhep Çeliku etj.
Lili Cingu do të mbetet një nga personalitetet të artit e kulturës shqiptare dhe më përtej.

Lili Cingu - Mjeshtrja e Madhe e Valles Shqiptare
Lili Cingu – Mjeshtrja e Madhe e Valles Shqiptare
Rrëfimi i fundit tronditës i Lili Cingut…
nga Adriatik Riza Dosti
…Për herë të fundit publikisht Mbreteresha e Valles Shqiptare, Lili Cingu u shfaq gati 1 vit më parë [prill 2023] në një intervistë tejet interesante e krejtësisht origjinale në Abc News në emisionin “Pas Mesnate”.
E pashë të arsyeshme miqtë e mikeshat e mija… si shenjë respekti për të e për ju… në nderim të gocës së lagjes sime (Ali Demi) e në përjetësim të figurës së saj, që pjesë të kësaj interviste njerëzore e profesionale t’i sjell sot tek ju në origjinal siç Lili u shpreh në ekranin e mësipërm…
“…Kur shkonim jashtë shtetit në turne me Ansamblin Shtetëror të Këngeve e Valleve Popullore… nga 40 vetë që ishte krejt grupi, 5 ishin punonjës të sigurimit të shtetit…
Po ç’donin ata me ju, do të pyesni ju… po ja na ruanin se mos iknim, mos arratiseshim… çfarë thonim, si reagonim në shtetin ku ishim etj etj…
Dhe si për inat të tyre askush nga ne nuk iku e nuk u arratis!!
“A kishim spiunë në TOB, më pyetet ju… Një dyzinë, me dhjetra… ndaj dhe kurdoherë aty në vendin e punës jemi ndjerë të trembur, të frikësuar e të kërcenuar pasi aty edhe muret kishin veshë…
Politika në art… Uffff kokë e këmbë… Madje neveritshëm fare…
…Shkonim, fjala vjen në Paris, e pasi ishim pritur e trajtuar në mënyrë të shkëlqyer, kur ktheheshim në Atdhe na detyronim të thoshim publikisht se… Parisi s’ishte gjë… vetëm se ka emrin e madh… Hëngrëm e pimë atje në tavolina të mrekullueshme po… kur vinim në Tiranë na detyronim të thoshnim se s’ka si buka jonë me gjizë… në daç besojini këto që po ju them në daç jo… Por kështu ka ndodhur.
…Me vinin Fletë-rrufe… Pse?! sepse ndërroja modelin e flokëve dhe kërkoja të vishesha disi më ndryshe se të tjerët… Sepse nuk më pëlqente uniformiteti banal!!
…Pantallonat e gjëra poshtë kur hyja e dilja nga TOB i kapja me paramandë a karficë, i ngrija deri tek gjuri e i mbuloja me pallto… ndryshe roja kishte urdhër të mos më lejonte të hyja…
O zot sa herë më kanë kritikuar… se ndiqja modën… po se kujt i prishte punë ajo moda ime këtë s’e mora dot vesh kurrë…
Çfarë nuk bënë që të më ndalnin… e të më denigronin… por s’ja dolën dot, pasionin tim s’e munden dot, talentin tim nuk e burgosën dot… e si vetja e tyre nuk më bënë dot kurrën e kurrës…
Kujtoj se sa herë arrija ndonjë sukses… baba e nëna më puthnin në ballë e më thoshin: “Bravo, të lumtë nderove veten, por edhe ne e familjen tonë…!”
Babai im ishte prej Gjakove e Nëna ime ishte shkodrane… unë vetë linda në Tiranë… ndaj gjithë jetën time Gjakova-Shkodra e Tirana mbetën Një në zemrën time…
Dy vëllezër kisha në shtëpi, por edhe dy vëllezër të tjerë kisha në skenë… Besimin e Xhepin… të dy ishin si dy kokat e Shqiponjës që në kemi në Flamurin tonë kombëtar… O Zot sa mirë jam ndjerë me ta që ditën kur fillova të kërcej krah tyre që në 1967 e deri ne 1997 kur në moshën 47 vjeçare dola në pension!!
Lil Cingu dhe Xhep Çeliku në vallzim
Lil Cingu dhe Xhep Çeliku në vallzim
…Ju nuk e besoni dot, por një çikë më shumë ta tundje belin e një herë më shumë se sa të kishte thënë Profesori ta tundje shaminë… të hiqnin, e fluturoje nga puna!
Arriti puna deri aty, sa një ditë vete Ministri i kulturës u tha Fletë-rrufe – vënësve: “Mjaft më! Mjaft u morët me Lili Cingun… Ajo është Një e si ajo s’kemi tjetër!”
Dy kanë qenë vallet që për mua do t’i kërceja me shpirt deri në frymën time të fundit… Vallja e Shqipeve dhe ajo e Rugovës…
…Panajot Kanaçi ishte e mbetet koreografi ynë i papërsëritshëm… si nga ana njerëzore po ashtu edhe nga ajo profesionale! Shqipëria e shqiptarët duhet të mburren me atë ç’ka ai ka lënë pas!
Pengu i jetës sime? Të realizoja një Recital me Besim Zekthin e Xhep Celikun dhe pastaj t’i thosha vetes… e po tani mjaft… Çdo fillim e ka një fund!
Sa njerëzore kjo intervistë në daljen tënde të fundit publike, o Lili Cingu… Sa origjinale… sa e thjeshtë po aq edhe madhështore, ashtu siç ti vetë ishe në skenë e në jetën e përditëshme… rrebele, e drejtë për drejtë, fisnike por edhe dinjitoze! Artiste profesioniste e klasit të parë… dhe shoqe, mike e qytetare model!
Lamtumirë e prehu në Paqe Lili Cingu ynë e pa përsëritëshme!
Marrë nga Muri i FB A.R.Dosti, 7shkurt 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.