back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Rrekje për të hyrë në shpirtin piktorik të Arben Shirës… Jozef Radi

Gazeta

Piktori Arben Shira në ekspozitën e tij
Piktori Arben Shira në ekspozitën e tij

Rrekje për të hyrë në shpirtin piktorik…

të Arben Shirës…

nga Jozef Radi

Arben Shirën nuk e njoh, por bota virtuale na ka bërë miq, dhe rastësia e kureshtja ndaj artit më ka ndihmuar të kuptoj se ai ishte nji piktor…
Kështuqë herë pas here, kur isha i ngeshëm ndalesha për ta kuptuar artin e tij, derisa nji ditë, mbas disa shetitjesh në faqen e tij të fb, i thashë vetes: “Po ndalu dhe thuaje ndonji fjalë për të…” dhe e para gjë që më erdhi natyrshëm t’i shkruaj qe: Arben Shira, je nji piktor mjaft interesant…!
Në të vërtetë, në pikturën e tij nuk gjeta asgjë të jashtzakonshme, nuk gjeta as at përkujdesjen e veçantë dhe të domosdoshme ndaj dritës, ndaj efekteve dhe shkëlqimit, nuk e pashë as at përzgjedhjen skrupoloze të objekteve që fuste në kuadrot e tij… m’u duk sikur ai i linte aq shumë hapsirë rastësisë dhe së rëndomtës, kurse për heroiken apo monumentalen artistike, as që bëhej fjalë se mund të gjenin vend në penelin dhe telajot e tij… dhe kështu mbas gjithë këtyre mungesave, që në të vërtetë të shqetësojnë pak, më lindi pyetja: “Ku qëndron interesantja në veprën e këtij piktori…?!

Arben Shira - Portret Vajze
Arben Shira – Portret Vajze

Arben Shira, është nji shpirt i thjeshtë dhe hyn tejet thjesht në raport me pikturën dhe ngjyrat… hyn përmes nji dhimbjeje dhe nji dashurie të fshehtë, hyn aq zakonshëm dhe aq butë, sa të duket sikur s’dëshiron të bjerë në sy për asgjë… Sikur i merr nji hise krejt të pabujshme realitetit dhe e rrëzon pa shumë kujdes me penel ndër telajo, pa e vrarë mendjen se çfarë mund të thuhet për të… Dhe vetëm nëse ti ke përshkruar nji udhëtim disi të gjatë në punimet dhe pikturat e tij, e ndjen se ai të ka goditur me realizmin e asaj jete të thjeshtë nëpër të cilën ka ecur së pari ai vetë, pa pretenduar asgjë të madhe, dhe ca nga ca ti e ndjen se ky lloj arti ka diçka të thellë dhe njerzore, që të godet ashtu butë e qetë dhe mbetet gandull brenda teje, ka at thjeshtësinë e pakrahasueshme me askënd tjetër, që e bën Arben Shirën të veçantë dhe interesant. Veprën e tij do ta krahasoja me at bukën me djathë që merr nji shije të çuditshme kur ti ndjehesh i uritur, dhe ta ka ofruar nji nënë e lodhur nga hallet, po me shpirt sa deti…
Punimet e Arben Shirës afrojnë pak me pikturën “naif” me atë botën e ëndrrave, por pa ngjyra shkëlqimi, një “naif” krejt ndryshe, nji botë përplot dhimbje e varfëri, përplot sinqeritet e dashuri, përplot trishtim e vërtetsi… dhe kështu gjithë ajo dukja e dikurshme e hedhjes pakujdes të ngjyrave mbi telajo, papritmas zhduket dhe ti kupton se ajo ka marrë nji simbolikë të jashtzakonshme, nji fuqi penetruese dashurie e ndjeshmërie bashkë, që ta bën mjaft të afërt e të dashur kët piktor të veçantë, i cili prej dy dekadash përcjell edhe jashtë kontekstit shqiptar, shpirtin e fshatit shqiptar, atë dhimbje që aq natyrshëm i derdhet gjithkah ndër telajot e punës së tij…
Edhe pse nuk e njoh Arben Shirën, i nis përmes këtyre pak rreshtave Urimet e Mia më të mira dhe suksese të tjera Atij… mbasi u përpoqa ta lexoj ashtu si e “përtyp” unë pikturën, pa të njohur artistin dhe pa e parë si duhet nji kuadër të tij…
5 qershor 2014

Arben Shira - Fëmijët
Arben Shira – Fëmijët

Galeria e Arteve vetëm me piktura të realizimit socialist…

(Arben Shira intervistuar prej Julia Vrapi)

Piktori Arben Shira rikthehet në Muzeun Historik Kombëtar me ekspozitën e tij personale. Në 34 tablo pikture, piktori i cili prej shumë vitesh jeton dhe punon në Itali, sjell këtë herë natyrën e vendit ku ai jeton. Në intervistën dhënë për gazetën, piktori pohon se kjo krijimtari i takon një cikli me peizazhe që i takojnë viteve 1995-2000, dhe mes kësaj krijimtarie janë përzgjedhur 34 prej tyre. Piktori, i cili vetëm në vitet e fundit ka filluar të ekspozojë krijimtarinë e tij dhe për publikun në shqiptar, sepse deri më tani krijimtaria e tij më shumë ka qenë jashtë Shqipërisë, pohon se këtë herë janë peizazhe të stilizuara dhe në Itali kanë marrë vlerësime për individualitetin artistik. Në bisedën e tij ndërsa flet për artin dhe vështirësitë e jetës artistike, piktori Arben Shira pohon se jo vetëm në Shqipëri që ka jo pak problem, por dhe në vendet perëndimore duhet bërë më shumë për artin, duhen më shumë buxhete dhe vëmendje nga drejtuesit e institucioneve. Duke folur për Shqipërinë, piktori tregon se është një situatë e vështirë, nuk mund të flitet për një treg të mirëfilltë pikture, pasi çdo gjë kushtëzohet nga niveli ekonomik. I njohur në jetën artistike, piktori Arben Shira, i cili jeton dhe punon prej vitesh në Itali është diplomuar në Akademinë e Arteve në Bari. Piktori shqiptar falë krijimtarisë së tij artistike është një personazh i njohur për kritikën italiane. Punët e tij janë vlerësuar shpesh në shtypin e huaj dhe prej vitesh i është përkushtuar vetëm pikturës. Artisti që në fëmijëri ka pasur lidhje me pikturën, por duke ditur që ishte nga një familje e persekutuar edhe ai u bë pjesë e këtyre persekutimeve, ku nuk arriti dot të studionte në Liceun Artistik. Pas shumë vitesh emigracion, krijimtaria e tij nuk ka munguar edhe në qytetin e Durrësit, por ekspozitën në Muzeun Historik kombëtar e konsideron si një “urë lidhëse me zhvillimet e artit shqiptar”.

Arben Shira - Kater Tabllo
Arben Shira – Kater Tabllo

-Riktheheni me ekspozitën tuaj personale në Muzeun Historik Kombëtar. Pse e keni zgjedhur këtë krijimtari këtë herë që i takon cikleve tuaja në pikturë? Unë vij për publikun këtë radhë me një tjetër ekspozitë personale, një ekspozitë me peizazhe në përgjithësi. Është një cikël me peizazhe që janë punuar në vitet e para që unë kam shkuar në Itali, dhe fillon si krijimtari nga viti 1991-2000. Janë dy cikle që përbëjnë pjesën e dytë të krijimtarisë sime, e cila ndahet në tre pjesë. Pjesa e parë në pikturat e mia është realizmi si çdo piktor, ndërsa këtu kam sjellë një moment të dytë të stilizuar, dhe momenti i tretë është pikarritja ime e stilizimit si piktor modern, pra nga ana e konceptimit të pikturës moderne. Mendova të sjell këtë cikël pikturash, sepse kjo është piktura ime me të cilën unë njihem dhe në Itali, por dhe kudo si autor. Janë peizazhe të stilizuara dhe në Itali janë shumë të vlerësuara, sepse kam individualitet. Shpeshherë kritikët italianë janë shprehur që: “ekziston një lloj Shiraizëm në tablotë e mia…” Është një cikël prej rreth 34 punësh në peizazhe edhe nuk mungon ndonjë natyrë e qetë. Duke qenë se nuk i kam ekspozuar këto tablo, që i takojnë ciklit të tretë për mua si piktor modern, mendova të sjell këtë cikël pikturash para publikut në Tiranë.

Arben Shira - Ekspozita 2014
Arben Shira – Ekspozita 2014

-Ju i sillni për herë të parë për publikun shqiptar. Po në Itali e keni ekspozuar këtë krijimtari? Jo, nuk i kam ekspozuar në Italia këto punime, por këtë periudhë kjo pikturë e kësaj fryme është ajo që unë e ekspozoj vazhdimisht me ekspozita në Itali.
-Peizazhe dhe një kolorit i pasur në tablotë tuaja, kujt i takojnë këto peizazhe? Këto peizazhe janë të punuara në natyrë, Itali, ku unë dhe jetoj e punoj, që gjithashtu janë të stilizuara me mënyrën time, të interpretimit si piktor modern.
-Ju jeni larguar nga Shqipëria në vitin 1991 dhe vetëm tani vitet e fundit jeni rikthyer me krijimtarinë tuaj, ku keni hapur disa ekspozita. Pse? Në 4 vitet e fundit, kjo në Muzeun Historik Kombëtar është ekspozita e pestë. Për një periudhë shumëvjeçare nuk kam ardhur në Shqipëri. Unë vetë nuk e kisha vendosur më herët që të sillja punët në Shqipëri, por ishin dhe shumë artistë këtu që më thoshin: silli punët dhe ekspozoji këtu. Ekspozitën e parë e kam hapur në Shijak me një cikël pikturash të viteve 1995-2000, e dyta ishte antologjike që u çel në Durrës, e treta u çel po këtu në MHK, ekspozita e katërt ka qenë me natyra të qeta dhe akuarel, dhe kjo është ekspozita e pestë me peizazhe në MHK.
-Si ka qenë jeta juaj artistike në kaq vite, cilat janë vështirësitë që jeni përballur? Jeta e çdo artisti në shoqëritë e sotme është një jetë e vështirë nga ana ekonomike. Ndërsa të bësh jetë artisti është një nga kënaqësitë më të mëdha, sepse arti është një nga prodhimet më të këndshme të aktivitetit njerëzor dhe kush merret me art, merret me dashurinë e të bukurës dhe të mirës. Por vështirësitë shpeshherë janë ato që ju thashë më parë, ekonomike. Përballë shoqërive sot, që janë shoqëri konsumi, kanë pak interes për vlerat e artit. Që të “çash” përpara ka shumë vështirësi, edhe pse njerëzit e duan artin. Por që të bësh sukses duhet ndihmë dhe nga ana ekonomike, dhe kjo jo vetëm për mua, por për çdo artist.

Arben Shira - Portret plaku
Arben Shira – Portret plaku

-Ju folët për vështirësitë që përballen artistët. Edhe pse që pas ’90 jeni larguar nga Shqipëria, me aq sa ju jeni në dijeni mbi zhvillimet e jetës artistike, sa është përkrahur jeta artistike, arti pamor? Çdo qeveri bën sipas mundësive të veta ekonomike që ka, por dhe sipas nivelit shoqëror dhe kulturor që kanë vetë drejtuesit e institucioneve. Nëse flasim për Shqipërinë, vendi ynë ka probleme shumë të mëdha, me shumë probleme ekonomike nuk mund të pretendohet që të kërkosh një gjë të madhe nga shteti. E them këtë sepse dhe Italia apo vende të tjera perëndimore, që janë shtete të zhvilluara ekonomike kanë probleme dhe shpenzojnë pak për kulturën. Ndaj ju thashë që sot përballë shoqërive të konsumit ka pak interes për artin, pikturën, ndaj dhe Shqipëria nuk mund të jetë larg kësaj, kur e dimë që ka kaq shumë probleme dhe halle, dhe nuk shfrytëzohet aq sa duhet përkrahja ndaj vetë artistëve, si përshembull shteti duhet të blejë nga artistët vepra arti.
-E mendoni si një mënyrë që do të ndikojë shumë tek artistët, që institucionet të blejnë vepra arti nga piktorët? Edhe në Itali ekziston teorikisht, që çdo komunë ka të drejtë që një buxhet, rreth 3 për qind, ta investojë për kulturën, por kjo nuk ndodh shpeshherë edhe pse ligjet ekzistojnë. Nuk ndodh sepse varet nga dashamirësia që kanë drejtuesit e institucioneve me artin. Nëse vetë shteti ka interes për artin është pozitive. Pse ne njohim sot shumë piktorë të regjimit të kaluar në Shqipëri? I njohim, sepse ai regjim i kushtonte rëndësi artit, sepse e shihte si formë të edukimit, ishte formë e propagandës komuniste të shtetit shqiptar dhe investonte për artin. Vetë artistët i viheshin para publikut shqiptar dhe bëhej propaganda për vlerat e tyre, dhe kjo gjë sot nuk ndodh. Ndërkaq që institucionet nuk blejnë vepra arti. Edhe po të shikojmë GKA apo dhe në institucione të tjera, ka piktura vetëm të kohës të realizimit socialist, ndërsa në GKA nuk ka një sallë ku të ekspozohen piktorët pas ’90. Kemi sot dhe galeritë që kanë qenë dikur në rrethe dhe nuk funksionojnë si dikur. Një tjetër problem që vihet re sot tek ne, të gjithë mediat janë të përqendruar vetëm në Tiranë. Nëse bën një aktivitet në një qytet tjetër nuk e merr vesh askush, sepse nuk pasqyrohet. Unë jetoj në Itali dhe me kaq sa e shikoj, kjo gjë duket qartë tek ne.

Arben Shira - Pushaktimi
Arben Shira – Pushaktimi

-Me pasionin për pikturën ju jeni diplomuar në Itali, keni kryer studimet në Akademinë e Artit në Bari. Pse nuk mundët ti përfundoni studimet në Shqipëri? Gjatë kohës së regjimit komunist ne ishim të përndjekur politikisht dhe nuk kisha të drejta studimi. Vajtja ime në Itali me eksodin e vitit 1991, nuk ishte si emigrant, por për studime. Familja ime hyn ndër të parat që janë persekutuar nga regjimi, që kur hyri komunizmin Shqipëri. Ndërkaq që në kaq vite në Itali kam shumë aktivitet, mund t’ju them se kam mbi 50 ekspozita, personale dhe kolektive.
-Veprat e piktorëve shiten, dhe ju jeni pjesë e tregut. Po Shqipëria, çfarë shikon në tregun e artit? Niveli ekonomik është kryesori. Në Shqipëri mund të ketë shumë njerëz që duan të blejnë piktura, por është gjendja ekonomike që nuk ia lejon, sepse dhe kushtojnë pikturat.
June 24, 2014
http://www.sot.com.al/kultura-intervista/arben-shira

Arben Shira - Në plazh
Arben Shira – Në plazh

Vlerësime mbi Veprën e Arben Shirës

Zaim Elezi
Vepra e Ben Shirës në vetvete ka një grackë. të fton si një vepër realiste dhe gjendesh në një situatë shumë elegantë e moderne të ndryshme e të papërsëritshme nga njera në tjetër.

Zef Shoshi
Ti je një piktor me individualitetin tënd artistik. Ke peisazhe të bukura me vlera artistike, me dekorativitet dhe harmoni… po ashtu dhe natyra te qeta.

Lekë Tasi
E kam çmuar për gamat e kërkuara në çdo tabllo me kërkesa të veçanta si dhe volumet e thjeshtuara. Herë herë arrin efekte mjaft origjinale.

Arben Shira - Natyre e qete
Arben Shira – Natyre e qete

Agron Polovina
Një qëndrim krejt i veçantë. Thjeshtësia e veprave krijon një atmosferë estetike të një vizioni bashkohor dhe një pasion të madh.

Niko Sudari
Ekspozitat tuaja vlejnë dhe si shëmbull për artistë të tjerë larg Shqipërisë. (Marre nga muri i fb. Arben Shires)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.