back to top
8.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Rrém Vogli, alias Araniti: Një dhurues i gazit Vedat Kokona

Gazeta

Vedat Kokona 1913-1998
Vedat Kokona 1913-1998

Rrém Vogli, alias Mithat Araniti: Një dhurues i gazit

nga Vedat Kokona

Parathënia e Librit

“Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rashbulle…

Ka shkrimtarë që i bien fyellit në Fushat e Elizit dhe qw na ndjellin kënaqësi të veçantë me tingujt e tyre magjepsës dhe të pavdekshëm. Ka edhe nga ata që edhe në gjallërinë e tyre, sado fort që i bien daulles dhe zurnasë, nuk dëgjohen fare…
Ja, kjo është mrekullia e artit!
Një çast, në kalërimin e Kohës, Pegasi i bie me thembër tokës dhe nxjerr burimin e Hipokrenit, ku shkojnë e shuajnë etjen të frymëzuarit. Të tjerë, sado etje paçin, nuk i afrohen dot këtij burimi, sepse ai është vetëm për të “zgjedhurit”. Sikush vjen në këtë botë i tërhequr nga një thirrje qiellore që e bën atë pushtetar, apo ëndërrimtar; këtë që baret në tokë duke sokëllisur dhe vringëlluar skeptrin shkrepëtimtar dhe atë që fluturon me retë, i dehur me tingujt e një melodie hyjnore.
Një nga këta ëndërrimtarë ka qenë, pa dyshim, edhe Rrém Vogli, “katunar pri Rrashbulle”, alias Mit’hat Araniti.
E kam njohur pak aty nga mesi i viteve ’30: djalosh i pashëm, me borsalino, me syze, fytyrëqeshur, hokatar dhe, pastaj, më shumë në muzgun e asaj nate ku do të ngryste rininë e tij. Nuk dija se bënte pjesë në kohortën e legjionarëve të pendës: i ri, siç isha, shikoja vetëm si e hidhja çapin unë. Një ditë, e njoha dhe u bëmë miq. Pastaj vorbulla e ngjarjeve na ndau. Ai u fut prapa hekurave, që i ka kënduar aq dhimbshëm në ata vargje që i bëjnë një jehonë edhe më të fortë atyre të Migjenit, që e mbyti, pa të drejtë, (por jo për faj të tij), atë të Mitatit në rrjedhën e viteve zullumqarë. Dhe emri i tij u shua gjatë gjysmë shekulli në zhangëllimën e teneqeve të potershme. Muza e tij këndoi në ato pesë poezi që janë perla të poezisë shqipe, që nuk njihen nga vargëzuesit e sotëm dhe që janë të denja për çdo antologji.

“Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle... Phoenix
“Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle… (skica Lek Pervizi)

***
Për të shijuar skicat e Rrém Voglit, na duhet të kthehemi prapa në fluturimin e kohës. Jemi aty nga mesi i viteve ’30.
Një jetë e amullt, si qull veshtullor, ronitet ngadalë dhe në heshtje në kryeqytetin e Mbretërisë. Dy-tre karroca, me kuaj shpirraqë dhe gjysmë ngordhalaqë i bien Sheshit të Ministrive për të çuar një deputet apo nëpunës të lartë për një lek në Tiranën e Re, apo në fund të Rrugës së Kavajës, ku e ka shtëpinë. Në verë, në Kafenë e Kursalit, jashtë në kopsht, janë nxjerrë tavolinat dhe karriket. Aty klientët rrinë me orë duke bërë muhabet. Tema e ditës: lufta e Abisinisë, kryqëzorët e Duçes që janë parë në radën e Durrësit. Në Kursal mblidhen “intelektualët” që kanë studjuar apo vazhdojnë ende studimet në Itali dhe Francë. Ata të tjerët që kanë studjuar në Austri, mblidhen në kafenë tjetër që është në Rrugën Mbretnore dhe që e quajnë “Bella Venezia”, apo “Bela Vilecja”, siç e quan Rrém Vogli. Duket se sëmundja e emrave të huaj të lokaleve të dëfrimit qenka atavike në truallin e Arbërit, sepse, po t’i bini pak rrotull kryeqytetit, edhe sot pas 60 vjetëve, do të shihni sa besnik i qëndron shqipua traditës së bukur të emrave të huaj dhe limontisë së orëve të kafepijes dhe të dërdëllisjeve. Gazetat “Besa” e qeverisë, “Arbëria” dhe “Minerva” e Nebil Çikës, “Demokracia” e Vangjel Koçës, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, “Vallja e Yjeve” e Lasgush Poradecit, “Hija e Maleve” e Ernest Koliqit, janë disa rrema që rrjedhin në shkretëtirën e arteve të bukura, shumë pak lule të brishta gati për t’u venitur. Dy tituj që qarkullojnë shpesh në shtypin e kohës: “Rri të rrimë” dhe “Shterpësi letrare”. Ja dhe një lule tjetër që çel plot guxim në kopshtin e varfër: numri i parë i së përjavshmes “Illyria”, me drejtor A.Jakova dhe kryeredaktor E. Koliqin. Në numrin 22, shtator 1935, një skicë” “M’bôjat m’Nurrës”. Firmuar: Rrém Vogli. Një zbulim. Si do të ishte, pak më vonë, edhe ai i Migjenit.
Ky ishte një shkrim i veçantë: në të folmen e Tiranës, aq karakteristike sa edhe toskët e vendosur në Tiranë e përvetësojnë shumë lehtë dhe e flasin si tiranasit. Provë: Rrém Vogli, katunar pri Rrashbulle, via Araniti. Rrém Vogli do vazhdojë të shkruajë dhe të botojë në “Illyria” dhe pastaj te “Bota e re” të Korçës, ku dëgjohen frushullimat që lajmërojnë stuhinë. Kalojnë vitet. Vjen viti 1944. Me Kutelin, Spassen dhe Hakiun themeloj “Revistën Letrare”. Bleta e Aranitit i afrohet kësaj luleje, thith nektarin dhe bën mjaltin me emrin “Pa nrefim parti”, një kryevepër e vogël e llojit të vet, flori në baltë, që shkëlqen edhe sot pas gjysmë shekulli dhe është aq i kohës kur në vendin tonë të sakatuar gëlojnë nekrofagët qe ushqehen me ngordhësira. Lexojeni me vërejtje dhe keni për të parë se do të qeshni përmes lotëve.
***
Në fushën e letrave autorët që të bëjnë të qeshësh janë shumë më të paktë se ata që të bëjnë të derdhësh lotë. Ndër të parët, të qeshurit buçitës i të madhit Rabelais, është një dukuri e pashoqe në letërsinë e të gjitha kohërave, aq sa, pranë tij, Aristofani, Bokaçio, Molieri duken të zymtë.
Thonë se ajo që e dallon njerinë nga kafshët është të qeshurit dhe, me të drejtë, i ati i Gargantyasë dhe i Pantagruelit ka thënë se të qeshurit është në natyrën e njeriut.
Gjatë më shumë se gjysëm shekulli, në ato orë ligështie kur, siç thotë Poeti, melankolia të ngul në ballë flamurin e saj të zi, kur gënjeshtra sundonte mbi të vërtetën, i hipja Pelës së Gargantyasë, ose pija raki me rosat e rosakët e Mitrushit dhe, pse jo, dhe me “gamôren” e Rrém Voglit. Dhe i harroja për ca kohë brengat. Dhe atëherë kuptova se qenkish lehtë të shkruash gjëra për të qarë dhe rëndë “gjepura” që t’i bësh të tjerët të qeshin dhe të harrojnë sadopak mjerimet.
Një mjekim për të cilin ka kaq shumë nevojë ky popull buzëpaqeshur.
(Phoneix, 1996)

Vedat Kokona i ri
Vedat Kokona i ri

Skeda e Vedat Kokonës

Vedat Kokona lindi me 7 gusht të vitit 1913
Vendlindja e tij ishte pranë Karshijaka (rrethinat e Izmirit)
Mbaroi Liceun e Korçës
Studioi Jurisprudencë në Francë
Para lufte ka punuar si arsimtar në shkolla të ndryshme, ndërsa ka dhënë dorëheqjen për shkak të bindjeve te tij
Përkthyes në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”
Profesor i gjuhës frënge në Fakultetin e Histori-Filologjisë
Përktheu mbi 20.000 vargje dhe 1000 volume në prozë
Autorët që përktheu ishin Volter, Balzak, Viktor Hugo, Alfred de Musset, Dante, Shakespeare, Pushkine, Tolstoi dhe Gorki.
Autor i Fjalorëve themelorë “Frëngjisht-shqip” dhe “Shqip-frëngjisht”
Mbante titujt “Doktor Honoris Causa” nga Ministria e Arsimit të Republikës së Shqipërisë
“Chevalier de l’Ordre des Arts et Lettres” dhe “Officier des Palmes academiques”, tituj të akorduar respektivisht nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Arsimit të Republikës së Francës.
U nda nga jeta më 14 tetor të vitit 1998.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.