back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Rreth librit të ri me tregime “Rrëfenja”, i shkrimtares Gentiana Kone – nga Robert Martiko

Gazeta

Rrëfenja - Tregime nga Gentiana Kone
Rrëfenja – Tregime nga Gentiana Kone

Rreth librit të ri me tregime “Rrëfenja”,të shkrimtares Gentiana Kone 

nga Robert Martiko

Porsa ka dalë në qarkullim libri me tregime me titull “Rrëfenja”,
i poetes e shkrimtares Gentiana Kone. 

Kur arti i të shkruarit prek tema me rëndësi për vetë mënyrën e kuptimit të jetës, sidomos pas një periudhe diktature gjysmë shekullore, nuk mund të mos përshëndeten të tilla tentativa letrare. 
Mbizotëron në tregime ideja e një bote tjetër, krejt ndryshe nga ajo që e la shoqërinë në darën e mjerimit e pasigurisë së sotshme. Bien në sy përshkrimet prekëse të natyrës që të fusin në një tjetër botë, por edhe mrekullitë e kulturës europiane. Sa herë hapet tema e reflektimit mbi qenien njerëzore, letërsia e arti nuk mungojnë kurrë pa u futur në lojë. Në këtë mënyrë autorja e librit përpiqet të trajtojë të kaluarën e hidhur me mjetet dhe gjuhën universale të mjeteve artistike. 
Tingëllon e çuditshme e tashmja e Gentianës në letërsinë e saj. Buron nga të qenët i lirë. Këtu qëndron thelbi i gjithçkaje për ndryshim. Nuk është fjala vetëm për individin, por kryesisht për shoqërinë. Autorja përpiqet që me mendimet e saj të hapë një kohë të mbyllur, nëpërmjet asaj mrekullie të jashtëzakonshme që quhet “individualizëm i përgjegjshëm ndaj njeriut”. Vetëm në këtë gjendje njeriu arrin të zbulojë lirinë, duke u bërë i vlefshëm dhe për të tjerët. Zbulon atë që quhet: botë, njeri, kulturë, mendim, qytetërim, “tjetër”. Me materialet e së kaluarës ndryshimi nuk vjen kurrë. Lavdërohen e qarkullohen pa u thelluar figura të njohura letrare të së kaluarës që jo vetëm nuk e hapën kohën, por përkundrazi, e mbyllën keq. Një individ me logjikë nuk mund të mos bëjë pyetjen: “Me të vërtetë, si mund të ndodhë ndryshimi!” -Për fat të keq, gjendja në grup mban mendimin në trajtë uniforme. Gentiana nuk i përket kësaj kategorie. Në letërsinë e saj zbulon një botë të re, të lirë në mendim.
E tashmja e autores përmban hapjen e kohës, mbasi ofron për shoqërinë një mënyrë mendimi të re. Jeton me të kaluarën jo për t’u ndierë e shkëputur nga bota e gjallë. Përkundrazi. Të kaluarën e saj, të mbushur me kujtime të hidhura, përpiqet ta përdorë për të ofruar artistikisht një të ardhme që ndikon në ndryshimin e njeriut.  
Vepra të tilla vijnë në fondin letrar si për të ndryshuar një përjetësi fatale të bllokuar në të tashmen e ngurtë të kafeneve, vende plogështie e ëndrrash pa efekt, përjetuar me vet-mburrje, reagim, mendim absolut, zili, narcizizëm, asgjësim. 
Gentiana vjen me letërsinë e saj si për të ndryshuar një të tashme që mbahet rob, pa aktivitet, pa energji, me katatoní. Është një kohë statike që pengon ndryshimet me dëshirë për të mos ndryshuar asgjë. 
Sekreti është se gjërat marrin drejtim kur ndërgjegja krijon idenë e kohës, të historisë, kulturës, me autognozë, energji e dinamizëm. Vetëm atëherë ndryshon cilësia e jetës. Pra, këto gjëra me vlerë të madhe për hapjen e Kohës vjen të ofrojë libri “Rrëfenja”, i Gentianës shkruar me emocion e finesë artistike.

Marrë nga Muri i FB i Gentiana Kones, 7 nëntor 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.