back to top
4.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

Rreth Njësimit të Gjuhës së shkrueme nga Martin Camaj

Gazeta

Martin Camaj (1925-1992)
Martin Camaj (1925-1992)

Rreth Njësimit të Gjuhës së shkrueme

nga Martin Camaj

“Lexues të dashtun, âshtë e para herë që shprehem botnisht mbi këtë problem tejet të kapërthyem e të randuem nga faktorët gjuhësorë e jo gjuhësorë, d.m.th. shoqnorë e politikë.
Askush prej lavruesve e letrarëve tanë sot as në të shkuemen nuk âshtë as nuk ka qenë kundër njësimit të gjuhës së shkrueme. Mosmarrëveshja nis me pikëpamjen se si duhet bâ normalizimi. Metoda e ndjekun prej 1952 e këndej ka krijue probleme thelbësore në lamën teorike e metodologjike. Normalizuesit nuk janë nisë prej bazës së traditës gjuhësore të dokumenteve, dmth. nga autorët e vjetër, nga baza kur shqipja ende nuk ishte aq e coptueme si sot në dialekte. Si shembull, le të krahasohet Gjuha e Bogdanit me të Folmen e Hasit sot në mënyrë strukturale, dhe do të shihet se çka ka ndodhë mbrenda treqind vjetëve.
Në fazën kur u nisi normalizimi i gjuhës në Tiranë, gjuha e autorëve të vjetër (gegë, arbëreshë e toskë) nuk ishte e studjueme në sistemin e saj fonologjik, morfologjik e sintaksor. Kjo mungesë nuk i justifikon normalizuesit, përkundra. Ata shpesh flasin për normalizimin e gjuhës së kulturave të përparueme tue u përpjekë me gjetë paralelizma. Tek italishtja, për shembull, apo anglishtja, ka pasë nji kontinuitet zhvillimi qysh nga fazat e lashta deri më sot; format e soçme të shkrueme, gjuhët letrare, janë rezultate të fazave gjuhësore tradicionale. Përkundra ndër ne i âshtë sjellë shpina traditës, shqipja e lashtë e dokumentueme nuk âsht marrë si komponente në këtë njësim gjuhësor. Normat për standardizimin në disa anë jane farkue nga nalt në mënyrë autoritare, jo demokratike. Ato mbështeten në një formë sinkronike të gjuhës shqipe në një variant toskë. Në këtë formë “gjuha e njësuar” e sotme mund të quhet thjeshtësim por jo njësim, mbasi në tê nuk janë integrue komponentët historikë dhe kategoritë gramatikore bazore të trungut dhe trevës kryesore të shqipes. Këtë trung indoeuropeistët e quejnë tash mâ se 100 vjet “allgemeinalbanisch”. Pra âshtë e provueme shkencorisht se shqipja e ka një bazë të vetën themelore.

Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku
Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku

Historia e gjuhës shqipe, si dhe lânda dialektore që po mblidhet e shtohet dita ditës janë tue na bindë se asnji variantë e shqipes (as gegënishtja veriore, dialekti mâ i pasun e me traditë mâ të gjatë) nuk i përmbledh në vetvete të gjitha kategoritë ose fenomenet gramatikore të shqipes së përgjithëshme. Për deri sa mos të sqarohen aspektet e ndryshme përmes studimeve mâ të thella të komponenteve të ndryshme të gjuhës, në këto kushte, edhe për të mos kriijue ma tepër pshtjellim, do të ishte e përshtatshme lânia e lirë e varianteve gramatikore në gjuhën e shkrimit së paku në gjuhë artistike. Kjo duhet bâ edhe për hir të klasikëve tanë, arbëreshë, toskë e gegë, që ata mos t’u [86] bâhen të huej gjuhësisht breznive të reja. Ndryshe nuk do t’i lêhej shteg i hapët gjuhës letrare për zhvillim të gjithmbarëshëm, tue ruejtë cilësitë themelore të gjuhës shqipe.”
M. Camaj, “Pjetër Bogdani, mjeshtër i gjuhës e i stilit”, Albanica, nr. 1, 1990, faqe 80-89.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.