back to top
3.5 C
Tirana
E martë, 18 Shkurt, 2025

Rreth Poetëve… – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu
Rreth Poetëve…
nga Artan Kafexhiu

Sipas eseistit, kritikut dhe poetit francez Roland de Reneville (l’Experience Poetique), ai i ndan poetët në dy lloje: poetin modern, i cili është i interesuar veçse me pasë një audiencë për me lexu vargjet e tij, e poeti mistik, i cili i është përkushtuar frymëzimit poetik nëpërmjet përcjelljes të mesazheve poetike, dhe e sheh të shkruarin e vargjeve si mision e detyrë.
Një tjetër poet, i panjohur në literaturën perëndimore, është një tip poeti i veprimit, aksionit, që nëpërmjet dishepujve (adhuruesve, ndjekësve) të tij, e në sytë e tyre konsiderohet poet, ai bëhet poet vargjesh. Në literaturë shfaqet, siç thotë vetë poeti: “Ai, kurrë nuk ka shkruar, por miqtë e tij, tradita, mbledh atë çka ai ka thënë, e shëndrron në trajtë poetike. Çka ai ka shprehë, nuk përfshin tërësinë e eksperiencës. Përsëri, duke e kapërcy egon poetike, tërësia çka shihet si eksperiencë e sjellur prej tij, nuk është e mundur me u shprehë nëpërmjet vargjeve…
Lloji i parë, poeti modern, gjendet me bollëk ditëve të sodit. Ai është poet i modernizmit. Ai është i interesuar në egon poetike. Në krijimin e tregut, e në të paturin e lexuesit. Niçe thotë tek “Kështu foli Zarathustra”, se ai është poeti falco. Ai shkruan (poezi) me kënaqë egon e tij. Më shumë se të jetë një krijues, ai është një ndërtues, një teknicien. Ai arrin të disiplinojë veten në një mënyrë të atillë, tepër të brishtë, sa që ngjan me një poet; ai bëhet specialist vargjesh. Ai është një pronar anije. Kopjon, rikthen, shperfytyron dhe armatos. Ai përdor njohjen/dijen filozofike dhe kulturore për me ndërtu vargje. Ai beson se ka shprehë një eksperiencë, një akt poetik, eksperiencën e tij, pa kuptuar se (çka shkruan) i përket një të kaluare që është mbledhur (para tij), nëpërmjet njohurive kulturore të tij.
Të shprehurit eliptik, e përplot me zhargonin e sofistikuar teorik, sot ka çuar në një lloj specializimi, aq të rafinuar e të kultivuar, sa që ka shkaktuar humbjen totale të pikave të takimit me llojin e dytë të poetit.

Pablo Picasso - Poeti
Pablo Picasso – Poeti

Mistiku është një poet cilësor. Ai nuk është i interesuar në asnjë tjetër, por veçse “gërmimin” e qenies së tij. Roland de Reneville, u përpoq të rindërtojë mjeshtërisht bashkimin e mundëshëm midis aktit pasiv poetik – mistikes – e aktives, të shkaktuar prej forcës së përqëndrimit të vetëdijshëm – poetit – që hap labirinthet e të mistershmes. Për Reneville, kur arrihet pika (e këtij konvertimi) kur (vet)vetja (vetëdija) arrihet për një çast me u braktisë, poeti dhe mistiku bëhen një, ata bashkohen.
Blake konsiderohet një poet pasiv, i frymëzimeve mistike, por ai veçohet prej Juan de la Cruz (poet spanjoll, një ndër më të mëdhenjtë), apo Rimbaud, apo Baudelaire, që dallohet si poet aktiv, e për poezi të vetëdijshme. Megjithatë, Blake, Rimbaud, Baudelaire, s’ishin poetë mistike në vetvete, por as të llojit të parë të poetëve. Megjithëse nëpërmjet metodave të tyre, ata arritën me zbulu një pjesë, të së vërtetës, vetë bukuria e vargjeve të tyre dëshmon për kontaktin e pjesshëm me të mistershmen; por në të vërtetë, e në thelb, ata nuk ishin mistikë; poetë që çelën hapsirën e mistikes në mënyrë pasive dhe aktive prej të frymëzuarit. Frymëzimi gjithmonë mbart vulën poetike. Poezia është frymëzim.
Reneville pohon: “Ndërsa poeti priret drejt Fjalës, mistiku priret drejt Heshtjes. Poeti e njehson veten me forcat e universit të shfaqur/atij të dukshmit, ndërsa Mistiku i kapërcen ato, e përpiqet të shkoj përtej tyre, drejt forcës së pandryshueshme, e të pakufishme të absolutes. Kështu poetët dhe mistikët, duke përdorur metodën aktive, apo pasive, për të mbrritë në përplotjen e shpirtit të tyre, përparojnë drejt mohimit të vetvetes, në mohimin e vlerave etike, arrijnë në realitetin e një vendi të errët intim, ku nata dhe dita reshtin së shtyturi (përzënuri) njëra-tjetrën.

Roland de Reneville -l’Experience Poetique
Roland de Reneville -l’Experience Poetique

Duke e konsideruar Juan de la Cruz, një temperament pasiv, ngatërrohet ndryshimi thelbësor midis poetit dhe mistikut. Siç edhe Shree Rajneesh (Osho) në “Desiderata” thotë: “Në të rrallë, një mistik mund të jetë edhe poet; kjo është thjesht një rastësi. Kur kjo ndodh siç janë rastet e Lao Tzu-së, Zarathustra-sës, apo Muhametit – atëherë kemi diçka të përtejme që na është ofruar. Por të qenurit mistik s’është e mjaftë për me qenë një poet; me qenë poet kërkon një lloj tjetër talenti. Ti mundesh me qenë mistik, pa qenë një poet, ti mundesh me qenë poet, pa qenë mistik. Me qenë mistik është në potencial të jeshë një poet i përjetshëm.
Me pak fjalë, në radhët e poetëve modernë, që është një lloj degëzimi potencial i poetit mistik, jeton poeti, që herë-herë arrin me gjetë rrugën për në truallin e mistikut. Me fjalë të tjera, poeti modern përdor faktet, objektet; eksperiencat e tij lidhen me burimet e një të shkuare tashmë të vdekur, ndërsa mistiku përdor kureshtjen, misterin, edhe vet jetën. Moderni është shkencori, e Mistiku është besimtari.
© Artan Kafexhiu
24 Janar 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Buy Me A Coffee
Dhuro per mirembajtjen