back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Rrethi kuq” i këpuctarit mbi intelektualin – nga nji rrëfim i Lazër Radit

Gazeta

Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij - Saver 1989
Lazer Radi dhe dorëshkrimet e tij –
Kampi i Savres 1989

“Rrethi kuq” i këpuctarit mbi intelektualin

nga Jozef Radi

nga nji rrëfim i Lazër Radit

Nga mesi i viteve ’50 e deri në fund të viteve ’70, qyteti i Lushnjes ishte shndërruar në kryeqendrën e grumbullimit të elementeve antiparti! (njerëz që kishin qenë në shërbim të Partisë, por që tashmë ishin flakur jashtë rradhëve të saj). Krahas kampeve të shumtë të internimit të shpërndarë së paku në 12 sektorë të ndërmarrjes bujqësore “29 Nëntori”, më e madhja fermë në Shqipëri, edhe vetë qyteti i Lushnjes po transformohej në një kamp të madh riedukimi me ndryshimin e vetëm se aty nuk bëhej apeli dhe nuk kishte riciklime të dënimeve: thjesht askush prej armiqve antiparti nuk mund të largohej nga qyteti! Familje gjeneralësh si Iliaz Ahmeti, Hulusi Spahiu, mjekësh si Prenjo Ymeri, Doktor Çabej, Qirjako Lezho, Mimoza Selfo, inxhinierë si Gaqo Mosko e Mërgim Korça, apo mjaft prej atyre që s’pranuan t’i ndajnë gratë e tyre ruse, bullgare, spanjolle apo çeke…
Shumë nga këta pësues që u shkarkuan në zemër të Myzeqesë, ishin prej atyre që në dhjetëvjeçarin e parë kishin qenë “të devotshëm të partisë”, por që ja… mbasi u qe vjelë nektari i vlerave të tyre, po degdiseshin sistematikisht aty në Lushnje duke u kthyer në ato punë të rëndomta, e profesione të dikurshme këta “bij heroikë të kllasës punëtore” të cilët Partia i kish pasur aq shumë për zemër në ditët më të hershme të saj!
Historia që do rrëfej është e thjeshtë. Një takim krejt rastësor midis dy njerëzish, që rastësia e fatkeqsisë tashmë i kishte vendosur aty në të njejtin qytet! Ata nuk njiheshin mes tyre, por mjaftoi një çast, një kryqëzim shikimesh, pak fjalësh dhe një mesazhi mes tyre, dhe më pas secili prej personazheve ndjek tragjedinë e tij të fatit! E vetmja enigmë që mbeti, është se kur një përfaqësues i diktaturës ushtron një ndëshkim mbi një viktimë të diktaturës, harron se mund të vijë nji ditë që ai vetë të jetë viktima, dhe pasojat e jetës që ai ka shkatërruar i provon në lëkurë të vet! E keqja që ai ka shkaktuar, nuk bie mbi nji viktimë të vetme po mbi një vargan viktimash të tjera të pafajshme!
 .
Krah per krah Pandi Kristo dhe Enver Hoxha
Krah per krah Pandi Kristo dhe Enver Hoxha

***

Në kampin e Savrës në fillim të viteve ’60, nuk kishte këpuctar të përhershëm, kështu që Lazër Radi, mbasi mblidhte dy- tri palë këpucë a çizme i çonte t’i riparonte në qytetin e Lushnjes! Ashtu veproi edhe asaj here!
Mbasi priti rradhën, ai i shpjegoi këpuctarit punimet që duheshin bërë, sa kushtonte haku i punës dhe koha që nevojitej për t’i pasur gati! Me zërin paksa autoritar por të rënë nga vakti, këpuctari i shpjegoi dhe Lazri ra dakort. Kur ai nxorri bllokun e faturave, vuri datën, numrin e faturës dhe shërbimet që do të kryheshin me syzat e trasha të ulura poshtë hundës e pyeti klientin për emrin!
-Lazër Radi – i tha krejt i qetë burri i thinjur që vazhdimisht tymoste duhan.
Këpuctarit fytyrëmprehtë, me shikimin jashtë syzeve, i ngeli maja e kopjativit ngulur mbi faturë!
-Ti Je Lazër Radi?! – dhe e pa gjithë habi klientin duke ia ngulur sytë pamjes së tij!
-Po, unë jam Lazër Radi!
-Mua, më njeh ti!
-Jo nuk të njoh! – i tha qetësisht Lazri, pa e prishur terezinë!
-Jam Pandi Kristo!
-Ou, Pandi Kristo je?! Nuk të njoh! Veçse e di fort mirë se kush je e çfarë je! Më bahet fort qejfi, që i je kthye zanatit të dikurshëm! Se nuk të len pa bukë! – ia ktheu jo pa ironi Lazri!
Këpuctari u përpëlit paksa prej asaj përgjigje dhe i shpjegoi datën se kur mund të vinte t’i merrte këpucët! Si duket, duke qenë se në dyqan nuk ishte askush, veç të dyve, këpuctari fytyrmprehtë e vazhdoi bisedën.
-Dëgjo Lazër! Ti e di se kush kam qenë unë. Po të them vetëm diçka! Unë të kam futur në një rreth të kuq, që sa të jetë jeta as ti e as të tutë, nuk mund të dilni prej tij!
Lazri shtrëngoi nofullat, e thithi edhe më me forcë duhanin duke e parë drejt e në sy këpuctarin!
-Dhe unë duhet me ju falenderue për kët gja!? – i pyeti ai!
-Jo, thjesht të tregova, sepse m’u ngarkua mua kjo detyrë! Dhe sot sinqerisht më vjen keq!
-Asht keqardhje që s’i vlen ma askujt! Ti sot ke peshën tande në kët kryq që po mbaj mbi shpinë!
-Për fat të keq, po! – i tha këpuctari dhe u zhyt në rrahjen e gozhdëve.
-Asht nji ditë që vjen për të gjithë! – i tha Lazri dhe i hypi biçikletes së tij dhe humbi rrugicave të qytetit…
.
Pandi Kristo mbas '90
Pandi Kristo mbas ’90
Shoku Pandi Kristo kishte qenë krahu i djathtë, i ministrit të brendshëm terrorist Koçi Xoxes kur u bënë krimet më të mëdha ndaj intelektualëve shqiptarë. Ata ishin përfaqësues të linjës së ashpër jugosllave në Shqipëri! Kuptohet pse fati i Lazrit dhe i krejt familjes se tij qe futur në rreth të kuq. E keqja është se kjo linjë edhe pse pati mjaft të ndëshkuar, funksionoi dhe vazhdon të funksionojë mjaft mirë!
Thelbi i këtij rrëfimi kishte për qëllim të nënvizonte faktin se mbi intelektualët shqiptarë kanë peshuar gjithnjë lopçarët, barinjtë, kovaçët e këpuctarët dhe së dyti: e keqja e shkaktuar ndër të tjerë, nis e ndjehet vetëm kur e pëson edhe vetë personi që e ka shkatuar atë! Ai “rrethi i kuq” i Pandi Kristos dhe shpjegimi i tij në një çast dëshpërimi, dëshmoi se e kuqja e lapsit të krimit komunist nuk kish kapur thjesht Lazrin si një prej Radëve, po krejt familjen dhe fisin e tij!
Bekuar qoftë kushdo që edhe me shpirt nëpër dhëmbë, e përballon me dinjitet krimin dhe kriminelët, në të gjitha kohrat…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.