Rrok Zojzi (1910-1995) – Përmes vlerësimeve
Themelues i sektorit të studimeve etnologjike shqiptare
Krijues i Muzeut Etnologjik Kombëtar
“Rrok Zojzi,
është i pari në historinë e etnologjisë shqiptare
që hartoi anketa e pyetsorë për probleme të veçanta
të etnokulturës dhe i shpërndau në tërë viset e Shqipërisë,
sidomos ndër arsimtarë,
duke marrë përgjigje sipas fakteve të terrenit.
Jo më kot e thërrisnin “Harusha e maleve”, apo “Alpinisti”…
Zojzi është i pari që ka mbledhur në mënyrën më të gjerë
të drejtën kanunore të Labërisë,
ai ka lënë një numër të madh studimesh
të botuara në revista shkencore…”
Mark Tirta.
Bep Çoba
Në nji takim që u zhvillonte në Kosovë për etnologjinë kombëtare tuj mos pasë asnji tjetër të fushës u detyruen me çue Rrok Zojzin, i cili mbajti nji kumtesë që i la me gojë hapë të pranishmit.
Në fund mori edhe komplimentet e të pranishmëve ku ma i spikatuni ishte “Të lumtë profesor, na knaqe!”. E Rroku me zanin e tij karakteristik ju përgjigjte: “Nuk jam profesor, jam maturant!”. (mos harroni, Rrok Zojzi ishte vetëm maturant jezuitësh…)
.
Kastriot Marku
Pa diskutim Rrok Zojsi asht themeluesi unik i etnologjisë shqiptare; kryemësuesi i kësaj disipline. Ky shkencëtar prodhim i shkollës gjermane nuk e ka merituar këtë harresë që e ka shoqërue thuejse në mënyrë konstante. Ka qenë ndër themelvënësit e Institutit të Shkencave, pavarësisht se ç’udhë mori ai. Duke e dijtë se ka pasë lanë nji monografi dorëshkrim për At Shtjefën Gjeçovin, me këtë rast po i baj me dije publikut se jam interesue vetë personalisht tek Instituti i Antropologjisë dhe Studimeve të Artit për ta konsultuar këtë monografi dhe për habi punonjësja e Arkivit më dha përgjigjen se ajo nuk është në listën e inventarit në fondet e arkivit përkatës. Habi e madhe!!
Nuk asht çudi e madhe se Ruzhdi Mata të ketë botue në vitin 1982, një kompilim plagjiat të kësaj monografie. Të tjerë mbas tij në kushet “demokratike” ta kenë zhdukë këtë punë të Zojzit?!
Dhashtë Zoti të mos jetë e vërtetë!!
.
Jozef Zamputti
Ka qenë njeri me shumë humor dhe zemergjanë. Kur ndigjoi se dikush ia kishte marrë punimin e tij dhe e kishte botue me emnin e vet, tha: “Hajt mor, s’ka gja, kam boll punime të tjera!”
.
Genci Hoti
Kush ka pasur fatin të jetojë pranë tij dhe të mësojë prej tij duhet ta ketë kuptuar se sa larg larg realitetit historik dhe realitetit jetësor është shkenca e historisë shqiptare; por edhe si u gjymtua ajo mbas 1945. Krahasimi i të drejtës zakonore të pashkruar ndër krahinat shqiptare është vepra më themelore e tij dhe në këtë pikë fshihet edhe sekreti i gjenezës biologjiko-shoqërore të shqiptarëve të sotëm. Të paktën ky ka qenë një ndër mësimet që kam pasur fatin të marr prej tij.
Ka qenë Prof. Rrok Zojzi që më ka shtyrë drejt studimit të gjenezës së shqiptarëve, të gjuhës dhe zakoneve të tyre, dhe pa asnjë diskutim është i vetmi shkencëtar që mund t’i rrijë përkrah Prof. Eqrem Çabejt dhe gjithë klasës së albanologëve të huaj që u morën me problemin e gjenezës së popullit tonë. Grabitja e punës së tij në lidhje me monografinë e Shtjefën Gjeçovit është krejt e saktë dhe kur i pata thënë ma preu shkurt: “Rëndësi ka që është botuar…!” – edhe pse me ndryshime. Aty e pata kuptuar që është tepër e vështirë të grabitet puna e tjetrit dhe të paraqitet si e jotja. Eshtë kjo arsyeja përse Historia e Shqiptarëve është e manipuluar nga fillimi deri në fund. Vepra fondamentale e Klerit Katolik Shqiptar u ka shërbyer manipulatorëve të historisë dhe vepra e Prof. Rrok Zojzit është ndoshta e fundit në historinë e mendimit shkencor shqiptar…
.
Niko Ljarja
Rrok Zojzi është padyshim etnografi më i mirë joni…
Në familjen time ishte mik i vjetër. Kur vinte në Korçë, kënaqeshim se ai kishte shumë për të treguar.
Rroku ishte njeri i ndershëm dhe fisnik. Kur është arrestuar Frano Illia, në Institutin, ku ishte edhe Rroku, kishte edhe një punim shumëvjeçar i tij… Rroku, që të mos ia përvetsonin punimin Frano Illias të tjerët, e mori atë e çoj dhe e arshivoj në Arkivin e Shtetit, gjithnjë në emër të Franit… Në vitin 1990, kur Frani doli nga burgu, Rroku i tregoi se ku e kishte punimin e pa prekun, të cilin Frani e gjeti dhe e mori…
.
Mira Koblara
Rrok Zojzi ka qenë e do të mbetet në zemrën dhe kujtesën time.
Ai ishte një kollos i etnografisë shqiptare. Rroku së bashku me gruan (Xhinen) kishin mbaruar studimet në Itali dhe jetonin ne Tiranë në rrugën Ali Demi, Pall. 6. Çifti Zojzi, ishin njerëz me intelekt, 50 vjet përpara të gjithë intelektualëve shqiptarë. Rrok Zojzi punoi me ndershmëri, korrektesë dhe sinqeritet edhe pse u mbështet nga komunistët e asaj kohe. Nëse rezistoi të punonte si etnograf, ishte vetëm ndershmëria, inteligjenca dhe dashuria për kulturën. Ata ishin një çift ideal, njerëz me mjaft humor dhe kishe dëshirë t’i dëgjoje barcaletat që tregonin. Lanë dy djem Tefin e Benin, që sot jetojne në Itali. Ndjehem e mallëngjyer teksa shkruaj dhe nuk e di nëse arrita t’ju tregoj diçka nga jeta e tyre.
Rroku në shtëpi e kishte vendin ku studionte e shkruante. Kur kishte kohë na tregonte ne fëmijëve tregime, histori po edhe barcaleta. Këto të gjitha ishin gëzimi dhe mirësia e tij. Ishte gjithmonë i qeshur me cigaren në gishta.
Marrë nga Muri i fb i Bep Çobës