back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Rrugëtimi i gjatë i Zonjës Ivanaj me Flamurin Shqiptar, një shembull i përkryer – nga Pertefe Leka

Gazeta

Pertefe Leka & Drita Ivanaj
Pertefe Leka & Drita Ivanaj

Rrugëtimi i gjatë i Zonjës Ivanaj me Flamurin Shqiptar,

një shembull i përkryer (Gazeta Dielli)

nga Pertefe Leka

Nuk ishin rastësi martesat e një djali shqiptar me një vajzë të huaj dhe anasjelltas. Historia ka treguar se janë bërë martesa të largëta në nivele të larta të shoqërisë, për të krijuar miqësi të reja, për të bërë aleanca paqësore ose për të siguruar mbrojtje. Në kohët e reja koncepti i martesave ka pësuar ndryshime duke u mbështetur në barazinë morale dhe juridike, në ndjenjat e dashurisë, të respektit dhe mirëkuptimit. Duke u bazuar në parimet e funksionet e saj, në detyrat dhe obligimet, çiftet janë kombinuar në mendime dhe në lidhje shpirtërore. E tillë ishte edhe martesa e Dr. Martin Ivanaj me profesoreshën Giuseppina Pogliotti. Bashkimi i tyre qe një kombinim ideal.
‘Pina’ Pogliotti, vinte nga një derë e vjetër fisnike, siç ishte familja Nasi në Ghemme të Italisë, e cila datonte në shek.16. Kjo familje zotëronte prona të mëdha në Ghemme dhe ishte e përmendur, sepse nga gjiri i saj kishin dalë: doktorë, juristë, bile edhe Prelatë.
Nga ana e nënës, halla e madhe e Giuseppin-ës i përkiste familjes angleze Collins dhe ishte zotëruese e ishullit Caprera. Ajo ishte vajzë e nderit e Mbretëreshës Viktoria në Londër.
Po ashtu ishte edhe prejardhja e Dr. Martinit. Pema e fisit Ivanaj. është e dokumentuar që nga viti 1444. Doda, babai i Martinit, kishte një histori të pasur në luftën kundër okupatorit turk. Ky aktivitet i luftëtarëve Ivanaj u projektua më vonë me pjesëmarrjen e xhaxhait të Martinit, në Lidhjen e Prizrenit.
Prioritet i familjes Pogliotti, ishte edukimi shkollor i vajzave.
.
Lazёr Radi, Drita Ivanaj e L. Leka te varri i Mirash Ivanajt - Tiranё, shtator 1992
Lazёr Radi, Drita Ivanaj e L. Leka te varri i Mirash Ivanajt
– Tiranё, shtator 1992
Giuseppina, si edhe motrat e saj, vazhduan Shkollën Normale për Femra (‘Rosa Stampa’ College) në Vercelli dhe më pas studimet e tjera në Torino.
Motra e madhe, u gradua në Universitetin e Grenoble dhe tërë jetën e saj jepte mësime në frëngjisht në Novara. Ndërsa Giuseppina vazhdoi studimet në Torino, duke punuar njëkohësisht si Sekretare Ekzekutive në “Fashion House” në Itali, një pozicion jo i zakontë për femrat në ate kohë.
Kur Profesoresha Pogliotti pas studimeve në Torino, shkoi ne Romë për një garë konkursi për stenografi, (pasi ajo ishte një ndër 7 studentet e Prof. Vincenzo Cima, editor i “La Stampa” dhe shpikës i sistemit të stenografisë), u takua me Dr. Martin Ivanaj. Të dy vëllezërit Ivanaj, Martin e Mirash, ishin studentë në “La Sapienza” të Romës dhe jetonin së bashku në një shtëpi me qira, drejt së cilës ishte në kërkim edhe Zonjusha Pogliotti.
Atje u njohën rastësisht të ftuar në një darkë dhe prej aty njohja mori përmasa të tjera.
Ajo që i bashkoi, ishte dashuria e ndërsjellë, e cila i orientoi dhe i drejtoi kah njeri-tjetri. Dr. Martini iu drejtua një vajze që ishte e harmonizuar në vetvete me identitet dhe personalitet. Ishte e shkolluar dhe me një edukatë për punën, gjë që i bënte edhe më dinamike marrëdhëniet ndërpersonale dhe për vazhdimësinë në çift. Tashma Zonja Ivanaj, nuk e pati të vështirë të përshtatet më së miri në një bashkjetesë të re, duke e lënë Italinë ku kishin të gjitha mundësitë të jetonin atje dhe për të punuar në nivele të larta punësimi, pasi të dy ishin të shkolluar në Itali.
Zonja Ivanaj në tërësinë e saj, kishte aftësi të mëdha adaptimi që bëri hapin vijues, duke e njohur, pranuar dhe nderuar bashkëshortin me plot besim që: ne i takojmë njeri tjetrit.
Duke pasur fuqinë e dashurisë, ajo u drejtua kah tjetri, pa mohuar vetveten. Edhe pse vinte nga një vend me kulturë dhe gjuhë të ndryshme, e kapërceu atë sfidë me edukatë, dhe angazhim për të ushqyer harmoninë familjare.
Ata vendosen që ta ndërtonin folenë e tyre në Shqipëri, sepse vendi kishte nevojë më shumë për njerëz të shkolluar e sidomos në fushën e drejtësisë, për të cilën Dr. Martini kishte mbrojtur Laurën për Jurisprudencë në “La Sapienza” të Romës.
Zonja Ivanaj u përshtat krejt natyrshëm me traditat dhe zakonet e vendit. Shumë shpejt ajo arriti të fliste edhe gjuhën shqipe.
Në shtëpinë që ndërtuan vëllezërit Ivanaj, në Tiranën e Re, Zonja Ivanaj jetoi në harmoni të plotë edhe me kunatin, Prof. Mirashin, i cili nuk u martua pas vdekjes së të dashurës së zemrës, një vajzë romane, që ishte pasardhëse e familjes se Giuzeppe Mazzini, (politikan, gazetar, aktivist revolucionar për bashkimin e Italisë, antimarksist)
Këtë lidhje të fortë me vashën e zgjedhur, Mirash Ivanaj e ruajti deri në fund të jetës, duke mbajtur si kujtim deri në vdekje, Gërshetin e saj. (Për dijeni, pas vdekjes në burg të Prof. Mirashit, “Gërsheti” mundi të dilte jashtë burgut, vetëm pas viteve 90-të me Dr. Lazër Radin, i cili e kishte ruajtur amanetin e bashkëvuajtësit dhe ia dorëzoi Dritës, të vetmen relike të lënë nga xhaxhai i saj, Mirash.)
Ndërsa Dr. Martini po kalonte ditët më të bukura me Profesoreshën Pogliotti. Ai, duke parë përshtatjen e Zonjës në familjen Ivanaj i drejtohej asaj duke i thënë: Ju jeni Mbretëresha e kësaj shtëpie.
Ambienti, ku jetuan së bashku, nuk ishte thjesht një strehë, por ishte një shkollë, ishte një qendër kulture, ku gjeja më e vyer ishte biblioteka, e cila mbante mbi 16 mijë tituj librash.
Në dhomat-studio të asaj shtëpie, u projektuan nga Dr. Martini (atëhere Kryetar i Gjykatës së Kasacionit) dy kode të shkruara; kodi civil dhe ai penal, kurse nga Prof. Mirashi u projektua Reforma Arsimore që edhe sot mban po atë emër, “Reforma Ivanaj 1935.”
Pra, kemi të bëjmë me dy mendimtarë, studiues profesionistë dhe një Zonjë me të cilën mund të diskutonin për probleme të ndryshme sepse edhe ajo ishte e përgatitur në shumë fusha.
Gëzimin e familjes, e shtoi kur erdhi në jetë vajza e Martinit dhe e Giuseppinës, Drita, të cilët e pagëzuan me atë emër, si për të ndriçuar pemën shekullore të fisit Ivanaj.
Zonja në fjalë, edhe pse me origjinë italiane, nuk pati asnjë kundërshtim për emrin, por e shqiptoi me kënaqësi duke njohur simbolikën e asaj fjale të bukur shqipe, Dritë, që i dha ndriçim gjithë familjes.
Zonja Ivanaj, e krijoi familjen në Shqipëri në një shoqëri, ku ekzistonte familja patriarkale, por liria e mendimeve dhe qëndrimeve në atë familje i dha një shtysë të mëtejshme gjykimit, se suksesi në jetën familjare ka parakushte që të jetë i tillë edhe në veprimet e jetës shoqërore. Mekanizmi më i suksesshëm që lëvizte në personalitetin e Zonjës Ivanaj, ishte ekuilibri me veten dhe të tjerët.
Kështu marrëdhënia e re me vajzën, hapi dritare të reja duke iu përkushtuar asaj jo vetëm si nënë por si një edukatore dhe mësuese e mirefilltë.
Në një fletore kushtuar së bijës, ndër të tjera ajo shkruante: Çelësi i artë… Kur je e etur për diçka të madhe, qoftë ajo e natyrës materiale apo shpirtërore, mos harro se një çelës i vetëm mund të hapë të gjitha dyert, të hapë çdo kthinë,dhe të zhdukë si me magji, çdo pengesë. Ai çelës i artë quhet Besim!”
Këte bashkëjetesë lumturie në familjen Ivanaj, e prishi pushtimi fashist në Shqipëri, me të cilin vëllezërit Ivanaj nuk mund të përshtateshin kurrë, përkundrazi ishin gati të luftonin kundër okupatorit.
Pengesa e organizimit të rezistencës nga qeveria, bëri që vëllezërit Ivanaj të emigronin si azilantë politikë në Stamboll.
Zonja Ivanaj e mbetur me Dritën 6 vjeçare, e cila vazhdonte shkollën fillore në Tiranë, fillimisht rezistoi që të mos e linte shtëpinë dhe Shqipërinë, por kur fashistët pa mëshirë i sekuestruan pronën dhe çfarë kishte deri në kërcënim fizik, u detyrua të shkonte në drejtim të Italisë ku kishte prindërit, me mendimin se do të bashkoheshin së shpejti në Shqipëri.
Kjo Zonjë e fortë në karakter, me një inteligjencë të rrallë, nuk e humbi orientimin por me kurajo dhe besim mblodhi dokumentacionin më kryesor që zotëronte kjo familje dhe xhesti më fisnik i saj, ishte kur në pamundësi për të marrë plaçka, palosi Flamurin Shqiptar dhe e vendosi në vendin më të sigurtë për ta marrë me vete. Një veprim i rrallë që tashma i njohur, e lartëson moralisht Zonjën në fjalë.
Ajo kurrë nuk i harroi fjalët e Prof. Mirashit kur përsëriste citate nga Mazzini, ithtar i të cilit ishte: “Patriotizmi është detyrë dhe dashuria për Atdheun është mision hyjnor.”
Ajo e dinte se me sa dhimbje u larguan vellezërit nga Atdheu, prandaj nuk e la flamurin ta shkelnin pushtuesit, duke e konsideruar si simbol kombëtar dhe të historisë. Ajo e ruajti me fanatizëm atë pëlhurë të kuqe me shkabën dykrenare me të cilën udhëtoi drejt Italisë dhe më vonë deri në Amerikë, kur emigroi së bashku me Dritën.
Të dyja, nënë e bijë, kishin pasaporta shqiptare, prandaj qëndrimi në Itali ishte i vështirë. Nuk ishte i lehtë punësimi i Zonjës Ivanaj, tashmë si qytetare e huaj (shqiptare) dhe po ashtu shkollimi i Dritës me emrin shqiptar, që ajo kurrë nuk pranoi ta ndërronte, por e mbajti me krenari.
Drita në Shqipëri mundi të bënte vetëm një vit shkollor, pastaj shkollën elementare, gjimnazin dhe më vonë Liceun Shkencor e mbaroi me 1951, në Itali me rezultate të larta. Ajo hodhi poshtë mentalitetin e të huajve për shqiptarët, duke kaluar nga dy klasa në një vit shkollor, gjë që i solli të drejtën e përfitimit të bursës në ate vend.
Pas vdekjes së Dr. Martinit në Stamboll me 1940, nëna italiane, e mbetur e ve, e shtoi dy herë më shumë përgjegjësinë ndaj vajzës.
Ajo edhe pse jetonte tek prindërit e saj, nuk mund t’ia pengonte të ardhmen Dritës.
Ata të dyja, nënë e bij, me pasaporta shqiptare, kishin mundësinë të emigronin në SH.B.A. nën përkrahjen e Kombeve të Bashkuara.
Në ditarin e Zj. Ivanaj, ka mbetur i pashuar udhëtimi i dhjetorit i vitit 1951, në bordin e një anije ushtarake amerikane, përmes dallgëve të tërbuara oqeanike, ku ruanin me kujdes pasaportat shqiptare dhe Flamurin Kombëtar. Me këtë relike të vyer, simbol i qëndresës, ato bashkuan edhe vetëmohimin e tyre, duke lartësuar vehten si pjesë e këtij etniteti.
Zonja Ivanaj, duke njohur aftësitë e Dritës, pa u stabilizue mirë ekonomikisht, kërkoi shkollimin e saj, të cilin Drita e fitoi të vazhdonte në Hunter College të N. Y.
Në qershor të vitit 1960, Drita diplomohet në degën e ekonomikut në drejtim të biznesit, duke marrë disa dëshmi nga I.B.M. për kompjuter.
Drita i dha shumë kënaqësi nënës, megjithëse të dyja punonin rëndshëm për të mbijetuar dhe për të fituar progresin e nevojshëm që kërkonte koha.
Ndërkohë Zonja Ivanaj, nuk i shkëputi lidhjet me kunatin, Prof. Mirashin edhe kur ai u kthye në Atdhe, edhe kur Ai ishte në burg. (Ministri Ivanaj, i preu bursën Enver Hoxhës nga që nuk kishte dhënë asnjë provim)
.
Dr. Mirash & Prof. Martin Ivanaj 1930
Dr. Mirash & Prof. Martin Ivanaj 1930
Ajo e njoftonte për zhvillimet e reja të mbesës së tij të dashur, Drita.
Kunata bëri shumë, duke shkruar letra deri në organet më të larta të Italisë për pafajësinë e Prof. Mirashit, por regjimi i Hoxhës nuk njihte drejtësi, sidomos për njerëzit e ditur.
Ajo e njihte forcën e karakterit të Prof. Mirashit, si mësues erudit, si drejtor gjimnazi organizator, si Ministër Arsimi reformator, si kapacitet juridik deri në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku dha një kontribut shembullor, paçka se ishte kundërshtar i monarkisë. Ajo e njihte vetëdijen e tij, se i kishte shërbyer popullit të vet që kishte shumë nevojë për mësuesin dijetar e poliglot.
Ajo Zonjë e nderuar, kurrë s’e uli penën për të kërkuar drejtësi për kunatin martir, M. Ivanaj.
Znj. Ivanaj, përveç punës së përditshme që bënte në N. Y. shkruante në një revistë letrare italiane për qindra biografi të emigrantëve italianë në Amerikë.
Pas 8 viteve punë të pandërprerë, në janar të vitit 1960, ajo ndërroi jetë duke e lënë Dritën në pikëllim, por me porosi për ta vazhduar jetën me optimizëm.
Drita e ruajti në mendje dhe në zemër shembylltyrën e saj. Ajo nënë, e frymëzoi dhe vazhdon ta frymëzojë edhe sot për të jetuar me dinjitet dhe egzigjente ndaj vetes. Porositë e Nënës, për të qenë në shërbim të tjerëve si misionare, por pa mohuar vetveten, kanë gjetur zbatim të përkryer te Drita. Ajo edhe sot i kujton fjalët e saj, kur nëna i shkruante: “Unë vetëm lakmoj ata të cilët ‘japin’, jo ata që ‘kanë’ ose ‘marrin’. Kush jep, dhuron një gëzim dhe i jep vetvetës po të njëjtën ndjenjë, jo më pak të vlefshme. Gjithashtu, lehtësisht dhe me kënaqësi, ai ose ajo i siguron vetes lumturi të përjetshme”. Pina Pogliotti ved. Ivanaj.
Drita, si rrallë kush, ka përvetësuar në themel teknologjinë e kohës për t’i dhënë zgjidhje shumë problemeve, por çuditesh kur thotë: po konsultohem me prindërit. Ajo, me forcën e vullnetit, kapërcen të gjitha barrierat dhe këtë magji zotësie e ruan akoma nga urtësia e nënës, e cila i shkruante: “Kur, pra, dëshiron diçka, mos ju lut Zotit për ‘atë gjë’, por për Besim; jo një besim në dukje, por besim në vetvete. Me të, mund të arrish jo vetëm një pushtim, por mund të pushtosh botën tërë. Atëhere do të jesh një zot në tokë dhe të lartësosh veten mbi te, të shtrihesh në kohë dhe hapësirë pa kufi, jo vetëm si njësi e dijës dhe e jetës, por të fitosh fuqi mbi veten dhe njerëzit.” Pina Pogliotti ved. Ivanaj.
Shumë vite, Drita i kaloi e vetme në shtëpi, por pa krijuar boshllëk në jetën shpirtërore, sociale dhe profesionale. Ajo ishte gjithmonë në progres. Aftësia e saj menaxheriale dhe drejtuese në sistemin kompjuterik të Universitetit të Kolumbias, e bëri që të jetë e vlerësuar dhe e nderuar në atë dikaster dhe në jetën shoqërore.
Endrra e Dritës ishte, që eksperiencën e saj t’ia transmetonte rinisë shqiptare, nëpërmjet sistemit shkollor, ishte e pamundur ta ushtronte në sistemin diktatorial të Shqipërisë.
Pas shumë vitesh në pritje, për të ardhë në Tiranë, Dritës iu dha mundësia që ta prekë tokën shqiptare pas 54 vitesh, kur asnjë nga të afërmit e zemrës nuk jetonin më. Një ftesë nga drejtoria e Gjimnazit të Shkodrës në vitin 1993, për të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së dekoratatës “Martir i Demokracisë”, për Prof. Dr. M. Ivanaj, e bëri me krahë të fluturonte drejt Shqipërisë.
.
Drita Ivanaj
Drita Ivanaj
Ishte prekëse kur ajo zbriti nga avioni, duke u përkulur deri në gjunjë për të puthur tokën mëmë. Lotët e saj i pasuan të gjithë pritësit në aeroport. Ishte moment shumë emocional dhe lajmërues, se diktatura nuk do të kthehet më, për t’i përlotur shqiptarët.
Ardhja e Dritës në Tiranë, nuk qe thjeshtë një vizitë për të shuar mallin. Ajo erdhi me vizione të qarta për të vënë gjithë potencialin e saj intelektual në shërbim të Atdheut.
Fillimisht kërkoi të sillte në Atdhe eshtrat e të atit nga Turqia, duke përballuar një situatë shumë të rëndë psikologjike, pas një ndarje gjysmë shekullore me atin e saj.
Ajo i vendosi në një memorial të përbashkët të dy vëllezërit, Martin e Mirash Ivanaj me epitafin: “Së bashku në jetë dhe në vdekje, për Atdheun.”
Vendosmëria për të kapërcyer të gjitha barrierat burokratike, e bënë më konseguente drejt kërkesave të drejta të saj.
Vetëm për të marrë shtëpinë e okupuar, të shtetëzuar nga komunistët, kaloi përmes një kalvari të gjatë ecejakesh deri sa më në fund e realizoi.
Në atë shtëpi, Drita vendosi zyrat e Fondacionit “Martin e Mirash Ivanaj, Institut”, i ngjashëm me simotrën e tij në New York.
Projektet e fondacionit, që shprehin idealet e Vëllezërve Ivanaj për zhvillimin e kulturës shqiptare, do të rrezatojnë dituri për rininë, po nga ajo shtëpi.
Aty, në ballkonin e shtëpisë, Drita shpalosi Flamurin Shqiptar, të ruajtur nga nëna, Pina Poglioti Ivanaj.
Aty, Flamuri kuq e zi e ndaloi rrugëtimin e gjatë, Shqipëri, Itali, SH.B.A dhe më në fund në Atdhe.
Tani në Tiranë, Flamuri, simbol i historisë së popullit shqiptar, valon i lirë në ballin e Shtëpisë Ivanaj, për të treguar edhe një pjesë të historisë së dhimbshme gjatë diktaturës komuniste.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.