back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

“Rrushja e Rexhës, n’fund t’livadhit…” nga Agim Gashi (fb)

Gazeta

Rrushja e Rexhës - përfytyrim i Agim Gashit
Rrushja e Rexhës – përfytyrim i Agim Gashit

Balada e Rrushes së Rexhës…

nga Jozef Radi

Para disa ditësh, në faqen e Agim Gashit, ndër punët e shumta të tij që fut në fb, ma tërhoqi vëmendjen nji vajzë e re… Po ajo çka ma shumë më shtyu me u ndalë, ishin vargjet e nji Balade popullore, që edhe pse e paplotë më pëlqyen mjaft… E lexova dy-tri herë, dhe Balada edhe pse pak fragmentare më bahesh edhe ma e gjallë edhe ma bukur. Me nji fjalë, më bani për vete… Dhe unë gjeta rast së pari me e përgëzue Agim Gashin për kët shërbim, po edhe me m’sqarue për kët kangë që ai e këndonte vazhdimisht dhe me qejf ndër festa… Për t’u bà ma konkret, i kërkova leje nëse mund ta vendosja edhe ashtu siç ishte në sitin tim dhe nëse mundesh; dhe si rapsod që ishte me më sqarue: së pari nëse portreti i vajzës së paraqitun, asht ai i Rrushes së Rexhës, apo i ndokujt tjetër; dhe pse figura e heroit ishte me dy mbiemna diku Zekë Hajdari e diku Zekë Hajdini…
Ai ma pranoi me dëshirë kërkesën e vendosjes në sit, dhe më sqaroi se nëse e gjente ma të plotë kët kangë do të ma sillte… dhe se historia e kësaj Balade ishte e vjetër dhe diku e këndojnë Zekë Hajdini, e diku Zekë Hajdari; kurse portreti i vajzësh ishte nji përzgjedhje e tij mbasi atij e qe dukë si Rrushja, në Baladë theksohet bukuria e Rrushes  përmes vargut: “Rrushja e Rexh’s qafën tri pllamë…”
E falenderoj zotin Agim Gashi, për energjinë e tij pozitive dhe për disponibilitetin e tij…
19 gusht, 2013

Sqarim: Ndërsa po lexoja nji esse të gjatë të Tahir Kolgjinit “Shqiptarët në Jugosllavi dhe gjuha e unjisuar…” botue te “Shejzat” në 1974, aty ku ai i bante nji analizë kangve popullore të dashnisë në krahinën e Kosovës… gjeta nji pjesë ku vazhdohej kanga e “Rrushes së Rexhës dhe Zek Hajdinit”, nji prej poezive ma brilante të folklorit kosovar… Meqë kjo pjesë i mungonte kangës që këndon Agim Gashi, po përpiqem me ia trupzue këtij teksti me shpresë se nji ditë do të bahet edhe ma e plotë prej atyne që e njohin ma së miri kët kangë…
9 tetor 2013

Rapsodi Agim Gashi
Rapsodi Agim Gashi

Rrushja e Rexhës n’fund t’livadhit…

Agim Gashi (fb)

Kjo është Rrushja e Rexhës, qafgjatja për të cilën e la kokën Zekë Hajdarit.
Ja disa vargje nga kjo këngë të cilën e këndoja me ëndje në ditët e rinisë sime. Këngë me kthesa të theksuara dhe shumë domethënëse. Këngë, e cila mallkon vrasjet e të rinjëve që kishin guximin të dashuroheshin në vashat tona. Kërkoj nga miqtë të ma korrigjojnë këngën dhe nëse kanë ndonjë histori ma të gjatë, le ta përshkruajnë.
Kënga nuk është e plotë, por e mjaftë për me e përshkrue afërsisht si ka ndodhë tragjedia e dy të dashuruarve në kohrat ma të hershme. Ishte një dashuri e vërtetë, por edhe Rrushja ishte një vashë e veçantë me një qafë ma të gjatë se gratë tjera, po edhe me një bukuri të mahnitshme.
Po s’i thonin kot: “Bukuri që t’vret”!

Rrushja e Rexhën n’fund t’livadhit,
N’grykë po i merr lisat e malit.
N’grykë po i merr lisat e malit.
Fjalë po i çon o Zekë Hajdarit,
Mshehu o Zekë mbas trapazanit,
Se po t’vijnë burrat prej malit.
Ah pse po vijnë, o ardhshin t’zi,
Shumë martinat janë mbush për ty.
Don me vra Zekën o nji djal t’ri.
…………………………….

Rrushja e Rexhës po e çon drekën
Mirë zatet n’do shoqe t’veta,
-Ndalni moj shoqe t’ju kallxoj dertin
Na e ka vra Sadrija Zekën,
I madhi Zot, he e vraftë veten!
Qysh me vra Zekën njat djal të ri?
Me ja çart q’at bukuri!

Rrushja e Rexhës n’fund t’livadhit
Po i merr n’gryk lisat e malit,
Qan e i merr o rend me rend,
Kah jem kan çoban me dhen
Kah jem kan e kah jem shkue,
Hije m’hije o tuj pushue,
Tuj pi uj o krue m’krue,
Kem pas ba dashni pa frikë
Llug e m’llug tuj u gaxhumitë.

“Zek Hajdini nji zog sokoli,
Pak pá vdekë nji fjal’e foli:
– Amanet mori komshi,
Bajma vorrin n’at çeli,
Të vijë Rrushja, të m’qajë përmbi.
Qaj mori Rrushe, qaj me mend,
Emnin t’em mos m’a përmend,
Kah jem kanë çoban me dhen,
Kah jem’ kanë e kem’ kërkue,
Hije n’hije, krue n’krue…”

Zekë Hajdari burrë ish kanë
Rrushja e Rexh’s qafën tri pllamë.

ps. Pjesa e shkrueme me kafe asht marrë nga “Shêjzat”, 1974 (XVIII), n. 1-10, fq. 56-67.

Modigliani: Lunia Czechowska
Modigliani: Lunia Czechowska

Edhe nji shtesë per Balladen e Rrushes… j. radi

“Zeka Hajdari burrë isht kanë
Rrushja e Rexhës qafën tri pllamë…”

Kët kangë të sjellë nga rapsodi Agim Gashi, e çmoj dhe e vlersoj shumë. Edhe pse kjo balladë duket që asht e cungët, dhe sigurisht ka nevojë të plotësohet edhe me variante të tjera, të cilat rapsodë të ndryshëm i kanë këndue dhe i kanë plotësue përmes filtrimeve të tyne shpirtnore… Por, ajo çka deshta ta theksoj e t’ia shtoj kësaj ballade të mrekullueshme asht nji detaj në dukje i vogël, por në të vërtetë jo edhe aq i vogël… Bukuria e femnës shqiptare e pame nga qafa e saj… diçka jo fort e vume re prej poetëve… Në kët rast, meqë kanga e Rrushes asht mjaft ma e vjetër,  se pikturat sensuale të Modiglianit, mbetem i mendimit se piktori i shquem italian mundet ta ketë huazue kët detaj dhe kët vlerë sensuale femnore pikërisht prej kësaj ballade shqiptare…!!? “Rrushja e Rexhës qafën tri pllamë…” hyn ndër ato figura letrare krejt të rralla në poezinë shqipe, ndoshta asht ajo që i ka parapri edhe piktorëve si Modigliani, t’i shkojnë me ngulm këtij fakti që edhe pse në kushtet e izolimit e ka ba t’pavdekshme ma së pari letërsia gojore shqiptare e veriut…
14 qershor 2014 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.