back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Rubin nga mozaiku i qytetit të lashtë (Nexhmi Bushati, in memoriam) nga Ben Zajmi & Bora Bushati, Astrit Bushati e Qamil Xhurreta

Gazeta

Shkodra, Kafja e Madhe
Shkodra, Kafja e Madhe
Rubin nga mozaiku i qytetit të lashtë
(Nexhmi Bushati, in memoriam)
nga Ben Zajmi

Tipik shkodran. I gjatë e i thatë në trup, i ngadaltë në lëvizje si tuj mendue në pesë pista njiherit. E folmja e ngeshme, me pauza kajherë të gjata, por me fraza të sakta, të përkora e pa vend për korigjim. Modest, por i bindun në ato qi thotë.
Nexhmi Bushati asht qytetari qi i pati vû vetes detyrë me i shkundë pluhunin e harreses vlerave shkodrane e kombëtare, ashtu pa bujë, pa kërkue lavde e merita. Me durimin e nji milingone dhe kompetencën e nji eruditi inteligjent, nuk ndalej. Mbaronte nji projekt, fillonte nji tjetër; punonte njikohësisht në disa. Mutacion gjenetik? Ndoshta. I ati, studiuesi i rrallë, Hamdi Bushati, i pati sjellë kulturës shqip visare të pazakonta dhe voluminoze në shumë fusha: histori, ekonomia në vend, etnografi, toponimistikë, folklor etj.
Zotni Nexhin e kam njoftë gjithë jetën. Prindët e mi dhe çifti Bushati, Nexhmiu me Valdetin, ishin miq e kolegë prej dekadash dhe familjet tona ishin të vetmet qi vazhdonin të banonin në shkollën e Trushit, ku zilet ndërmjet orëve dhe gugatjet e pëllumbave të sjelluna dikur nga nji ish-drejtor ishin bâ zhurma të zakonshme shpie.
Kur isha 10 vjeç atje në Trush, filloi t’m’mësonte frângisht. Mâ vonë, do të isha i pranuem në bibliotekën e tij. Disa mësime korrektese shkonin paralel me qasjen në fondin e huej të bibliotekës. Skrupuloz siç ishte, do të mësoja se pa sjellë librat e huazuem mâ parë, nuk mund të merrje libra të tjerë. Por biblioteka e Axhi Nexhit do të ishte gjithmonë e hapun për mue. E ai do të ishte ndër mentorët e mi, ashtu me stilin e tij gjoja t’shkujdesun, jodeklamativ.
Në fillim të viteve ’90, emnat tonë do të shfaqeshin shpesh në të njajtin numër të gazetës “Shkodra” ku mâ në fund kishim gjetë lirinë qi as mund ta guxonim mâ parë. Shpesh do të shiheshim e bisedonim, e kjo për hir te lidhjeve familjare, e po ashtu interesave të përbashkëta. Kishte kujtesë të admirueshme dhe njohuni enciklopedike.

Nexhmi Bushati (5 maj 1930-26 mars 2024)
Nexhmi Bushati (5 maj 1930-26 mars 2024)

Pak biografi
Nexhmi Bushati lindi në Shkodër me 5 maj 1930. Mësimet e para i mori në shkollën fillore të Tophanës, pastaj në atë të Parrucës.
Tetë vitet e shkollës së mesme i kreu në Gjimnazin Shtetnor. Ndër mësuesat qi ndikuen në formimin e studentave të brezit të tij ishin Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Petraq Fundo etj. E konsideronte ndér dhe fat të madh të ishe student i këtyne figurave të kulturës e arsimit. Mbresë në mendjen e Nexhmiu adoleshent do të linin gjithashtu personalitete që u shquen si profesionistë të shkëlqyeshëm, por qi mâ vonë do të binin viktima të bishës injorante qi po vinte në pushtet mbas 1944-shit. Kol Margjini, Kol Prela, Mirash Ivanaj, Safet Butka, Mustafë Dervishi, Prenkë Kaçinari, Gjergj Kokoshi, Qemal Draçini, nuk u pajtuen me diktaturën dhe regjimi nuk tregoi asnji mshirë kur e zhduku këtë grup elitarësh në mënyrat mâ barbare.
Në edukimin letrar të Nexhmiut ndikoi shumë biblioteka e të atit – nji bibliofil i rrallë. Qysh në moshë të re i ranë në dorë “Lahuta e Malcisë” e Fishtës, “Juvenilia” e Mjedës dhe “Bagëti e Bujqësi” e Frashërit. E konsideronte veten me fat qi në bibliotekën e familjes kishte veprat e poetëve të mdhâj të Italisë, gjâ qi i ngjalli kureshtjen dhe dëshirën me i lexue në gjuhën origjinale. Mbasi përvetësoi italishten, oreksi me ditë e shtyu drejt frângishtes e, mâ vonë, drejt gjermanishtes.
Kuriozitet: Mbasi doli në pension, në moshën 83-vjecare, mbrojti në Austri Çertifikatën e Gjuhës Gjermane për të Huej në Nivelin A1.
Mbas maturës, Nexhmiu 18-vjeçar do të fillonte si arsimtar në landët e gjuhës e letërsisë shqipe në katundet e zonës së Shkodrës, Bushat, Barbullush, e Vrakë.
Me 1958, mbaron studimet pa shkëputje nga puna në degën e Gjuhës e Letërsisë, Fakulteti i Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës.
Karrierën si arsimtar do ta vazhdonte në shkollat e qytetit të Shkodrës për shtatë vjet. Për punën me përkushtim e kompetencë, lavdohet vazhdimisht në instancat profesionale, por, për arsye politike, do t’transferohet mâ vonë si mësues në fshatin Trush. Në Trush do të sillte të shoqen, Valdetin, e mbrapa do të lindnin edhe Ledina e Bora. Trushianët do ta konsideronin si të tynin për 25 vjet rresht, deri në daljen në pension në vitin 1985, e padyshim gjithmonë edhe mbas asaj date.
Përkushtimi i Zotni Nexhit si arsimtar dhe edukues i brezave të nxânësave u vlerësue zyrtarisht me dhanien e titullit “Mësues i Merituem” mbas rânies së komunizmit.
Por, as me daljen në pension, nuk e braktisi mësimdhânien.
Pasioni për gjuhët e hueja e nxiti në ushtrimin e aktivitetit si mësues i gjuhës italiane në kurse private. Kurset ndiqeshin nga të vegjël e të rritun, nxânës të të gjitha moshave, niveleve shkollore, përfshi edhe studentë universiteti e profesionistë të fushave të ndryshme. Kët aktivitet e vazhdoi me të njâjtin pasion deri në moshën 80-vjeçare.

Hamdi Bushati - i ati
Hamdi Bushati – i ati

Studiuesi
Shpirti i trashëguem si qëmtues dhe studiues skrupuloz do të shfaqej në kumtesa të mbajtuna në sesionet e Seminarit “Shkodra në Shekuj” me tema kushtue jetës e veprimtarisë së personaliteteve te anatemueme nga regjimi komunist. Mbas mbylljes së këtij aktiviteti, bashkëpunimi në fushën e publicistikës përfshiu, veç shtypit lokal, edhe organet kryesore në kryeqytet, gjithmonë në funksion të nxjerrjes në dritë të kontributeve e vlerave intelektuale e atdhetare. Si publicist, ka dhânë kontribut me shkrime në faqet e shtypit lokal dhe atij kombëtar si, gazeta “Shkodra”, “Drita Islame”, “Perla”, “Buletini Shkencor i Universitetit”, “Kumbona e së Dielës”, “Universi”, “Njeriu”, “Etika”, “Lemba”, “Shqipnia Etnike”, “Drita e Dijes” etj.
Nuk mungojnë kumtesa e ligjërata të shpërndame në botime tematike kushtue promovimeve të ndryshme për libra e përvjetore (“Daut Boriçi”, “Zani i Naltë”, “Integrimi Evropian dhe Intelektualët” etj.)
Ka botue “Në kujtim të brezave”, libër qi pasqyron veprimtarinë fetare, patriotike, botuese etj. të 40 personaliteteve muslimane, klerikë e laikë të Shkodrës, në bashkautorësi me studiuesit Islam Dizdari dhe Faik Luli.
Bân përshtypje, jo vetëm saktësia, transparenca e studiuesit dhe plotësia e realitetit të hulumtuem, por edhe gjuha e zhdërvjelltë e plot shije si në gegnisht, ashtu edhe Standard. Qè si shprehet në nji studim me format të shkurtë për poetin, intelektualin, patriotin dhe disidentin gjatë komunizmit, Hamid Gjylbegaj: “Shpia ku lindi, ndodhet nën hijen e nji çinari qindavjeçar, qi edhe në ditët tona, qindron hijerândë, tuj ngacmue fantazinë e nji mikut tim, qi fatin e atij rrapi krenar ta përqaste me kalvarin e stoicizmin e Hamid Gjylbegajt”.
Në nji studim tijin për jetën e veprën e patriotit Tahir Zajmi, Nexhmiu do ta përshkruente kështu publicistikën e këtij të fundit: “Ai asht (publicist) patriot i ndjeshëm dhe nëse u dha rrugë ndjenjave të âmbla për rastet e bukura, nuk di të simulojë kur faktet e hidhuna flasin vetë dhe kështu shfaq edhe keqardhje e zhgënjim. Asht fjala për ata njerëz të shquem e talente të afirmuem, që ndonëse me origjinë të mirëfilltë shqiptare, i shkrijnë energjitë e tyne intelektuale e krijuese për kombe të hueja, ndoshta pa i dalë zot as origjinës… Këto shkrime mbyllen me mllef të sinqertë, ku nuk kursehet as ironia, as sarkazma.”
Pesë vjet pune do t’i merrte Nexhmiut botimi i librit “Qemal Draçini (njeriu, intelektuali, martiri)”, kushtue mësuesit të tij të letërsisë, të cilin e adhuronte pa masë. Nuk ishte vetëm përkushtimi ndaj nji figure të tillë martire qi ra viktimë e kthetrave të pabesa komuniste, por edhe amaneti i t’vllaut të Qemalit, Enverit, qi e shtynte ish-nxânësin e t’vllaut të punonte pa prâ deri në botimin e librit për meteorin e letrave shqipe.
Pa punën vigane të Nexhmiut, as veprat madhore të të atit, Hamdi Bushati, nuk do ta kishin pa dritën e botimit. Do ta sistemonte dhe redaktonte materialin prej qinda e qinda faqesh me disipline të lakmueshme shkencore e gjuhësore e do ta plotësonte veprën trevëllimshe “Shkodra dhe Motet” deri në atë pikë sa fitoi nji vlerësim të paparashikuem si nga publiku i gjanë, ashtu edhe bota shkencore. Qè si e përshkruen vetë Nexhmiu përgjegjësinë për veprën: “Dalja në dritë e këtij botimi, krahas kënaqësisë së ligjshme që më jep, më lehtëson edhe nga një lloj përgjegjësie morale. Autori i kësaj vepre, i ndjeri im atë, vdiq me “shpirtin e lënduar”, sepse nuk e shijoi vetë gëzimin që përjeton çdo krijues, kur vepra e tij bëhet e të gjithëve… Megjithëse para meje ishte një material prej 1500 faqesh të daktilografuara, nuk mund të hezitoja. Francezët kanë një thënie proverbiale “Kur do, mundesh” (Vouloir c’est pouvoir) që patjetër më kujtonte se si e pat kapërcyer vetë autori (dmth im atë) kontradiktën qi ishte mes volumit të madh të punës së tij studimore si dhe kushteve minimale të punës dhe kufizimeve të panumërta morale e materiale që ia vështirësonin së tepërmi përkushtimin e tij”.
Në vlerësimin e tij, Prof. Aleks Buda do ta quente veprën “unikale, sepse Shkodra është i vetmi dhe i pari qytet në Shqipëri që ka një vepër të tillë”. Botimi u përsërit tri herë brenda nji kohe të shkurtë. Nji skrupuloziteti të tillë prej botuesi rigoroz do t’i nënshtrohej edhe monografia “Bushatllinjtë”.
Viti 2001, shënon fillimin e nji përkushtimi të ri: krijohet shoqata e dashamirësve të historisë me emnin “Kara Mahmut Pasha”, kryetar i së cilës do të ishte Nexhmiu. Nji pjesë të mirë të kohës, ai do t’ia kushtonte promovimit të personalitetit të Kara Mahmut Pashës përmes veprimtarish të ndryshme, si eskursione historike e kulturore në Shqipni e trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, përfshi edhe vizitën tek vorri Kara Mahmut Pashës në Mal të Zi. Nexhmiu do të angazhohej gjithashtu energjikisht në fushatën për ngritjen e Monumentit të Kara Mahmut Pashës me takime, artikuj, promemorje, me ngritjen e komisionit, përgatitjen e konkursit përkatës me skulptorë e piktorë, intervista në televizion deri te realizimi i disa dokumentarëve në TVSh, TV Klan, Top Channel e Vizion Plus.

Përfundim
Jeta e Nexhmi Bushatit ishte jeta e nji burri të përkorë e qytetar të përkushtuem, e nji luftëtari qi merr frymë thellë mbas betejës së gjatë e të lodhshme, i mbshtetun diku, aty në trungun e nji lisi rrâjëtrashë. Ai shprehet i kënaqun me ç’ka ka mbrritë me bâ. “Ju keni me m’vlerësue. Unë bâna atë qi muejta,” thotë. Jeta e tij ishte jeta e nji bashkëshorti shembullor e prindi të ndjeshëm. Nexhmi Bushati asht nji ndër gurët e lashtë rreth kalasë qi zunë vend për mos me luejtë për shekuj. Atdheut sinor n’kufi, thotë Camaj. Asht mostër e nji brezi atdhedashës e vetflijues qi po i ikin Shqipnisë nji e nga nji, çdo ditë, atherë kur kemi nevojë mâ shumë se kurrë për urtinë e tyne. Por të paktën, po lanë nji vazhdë mbrapa qi mund t’na ndihmojë nji ditë me e gjetë rrugën e humbun.
Marrë nga Muri i FB, Ben Zajmi, 27 mars 2024

Hamdi Bushati "Shkodra dhe Motet"
Hamdi Bushati “Shkodra dhe Motet”

Bora Bushati
Babë, sot na ke mërzitë… vendose me na lanë përgjithmonë. U shuve duke lanë prapa trishtim e njikyt boshllëkun, nji boshllëk që dhimbka, që nuk di me i vu as emën. Të ishe ti, po ti kishe ditë me e shprehë dhimbjen në fjale. Po ti nuk je e unë nuk kam ke më pyetë ma.
Koha asht ndalue itash për mu, se për momentin nuk arrij e as nuk du me përfytyru ça do jetë pas ditës të sotme, pa babin. Kur të vi sonte në shpi, nuk kam me të gjetë te qoshja jote.
Mes lotëve e ngushëlloj vedin se ti ike i rrethuem nga njerezit e tu ma të dashtun. Ti kishe afër mamin, që të dedikoi shërbime me nji përkushtim pothuajse deri në vetëflijim – e ti me atë natyrën e mirësjelljen tande e falenderojshe, kajherë biles i thoshe: Ma ban hallall, se të lodha!
Ti kishe afër Ledin, e ajo bani të pamujtunën që ti, megjithëse pamundësisë fizike tanden të jetoshe deri në ditën e fundit në dinjitet, siç e meritoje. Ledi nuk e hupi asnjë ditë besimin tek ti.
Ti ishe i rrethuem me dashurinë e Erës e Korabit, mbesa e nipi, të dy kanë trashëgu fisnikërinë, mirësinë e rrezatimin tand. Ti kishe deri në momentin e fundit afër Eric, dhandrin që e vlerësoje fort për respektin e mbështetjen e tij.
E ngushëlloj vedin, se jo vetëm që jetove gjatë, po pate edhe një jetë të mbushun. Ti dite me i dhanë kuptim çdo dite në jetën tande, megjithë vështirësitë e vuajtjet. I dhe kuptim jetës me kureshtjen, vizionet e idetë për projektet që kishe, pasionin për punën e mësuesit, etjen për njohuri, për të mësue të reja, këmbëngulja prej çeliku do të thoja për të arritë ça kishe vu në plan (e paharrueshme mbetet për mu, kur ti në moshën 80 vjeçe mësove gjermanisht e dhe provim në Austri, duke e marrë pozitiv!)
Ti na ban krenarë për emrin qëkena! Drita jote ka me vazhdu me ndriçue për ne! Të jena mirënjohje në përjetësi!
Lamtumirë i dashtun babi!

Astrit Bushati
Një nga njerëzit ma të randsishëm të jetës time, sot u nda nga jeta. Nexhmi Bushati, la një boshllëk të madh jo vetëm tek ne, por për të gjithë ata që e njihnin ose personalisht ose nëpërmjet veprave e shkrimeve të tij.
Në jetën e tij të gjatë e të frytshme, megjithse përmes shumë peripecive, me qytetarinë e erudicionin e tij , arriti me lanë gjurmë në jetën e shumë brezave të cilët i mësoi dhe edukoi me përkushtim. Me po të njejtin përkushtim vazhdoi dhe nxori në dritë veprën e paçmuar të atit të tij, Hamdi Bushati, dhe nëpërmjet shumë monografive e studimeve, veprat e shumë intelektualeve shkodrane.
Qofsh i Xhenetit, Api!

Qamil Xhurreta
Mësues Nexhi ishte vërtet një personalitet. Dhe për me përshkru figurën e Tij të nderuar, duhet ma s’pari për me dijtë me gjetë fjalët që vërtet mësues Nexhi meriton, çka për mua është e vështirë, për mos me thanë e pamundun.
Por edhe sado që të shkruash në një koment facebook-u, dhe të mendosh se i ke thënë të gjitha; është njësoj sikur të mendosh se e ke mbushur Oqeanin duke hedhur në të vetëm një pikë uji. Por krejt shkurt dhe thjesht du me thanë, se mësues Nexhi ishte vërtetë një njeri i mrekullueshëm dhe një mësimdhënës shumë i përkushtuar; jo vetëm për t’u ofruar dije nxënësve të tij brenda klase, me libra shkollorë, por dhe të gjithë të interesuarve jashtë klase e shkolle, përmes librave të llojeve të ndryshme jashtëshkollore.
Sigurisht, askush nuk është i përjetshëm në këtë botë materiale; por unë shpreh keqardhjen time të madhe për ndarjen e mësues Nexhit nga jeta. Ndjehem krenar që pata fatin të marr dije prej tij! Krenarë që mësues Nexhi dhe pjestarët e tjerë të familjes së tij, ishin banorë të të njëjtit fshat me mua, Trush, për gati një çerek shekulli (aq kohë sa mësues Nexhi dhe bashkëshortja e tij e nderuar, mësuese Valdetja, punuan si mësimdhënës)! Shpirti i tij u prehtë në paqë.
Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve!
Mirënjohje të thellë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.