Rudyard Kipling dhe “Nëse…” e tij e famshme
sjellë në shqip nga Artan Kafexhiu
Kjo poemë e Kipling, e stërcituar nga shumë, ishte krejt e panjohur para post-totalitarizmit të ‘90-ës.
E kisha përkthyer e mbajtur të fshehtë me vite. Pa dritën e botimit në një të përditëshme të Tiranës, vetëm në vitin 1990.
Ky është varianti im i shqipërimit.
Inteligjenca Emocionale, për këtë e kishte fjalën Aristoteli mbi 2000 vjet më parë. Cilësi e atyre që natyrshëm janë njerëz dhe udhëheqës.
Poezia e Kipling na e sjell të plotë IE-në (përkthimi është i imi).
Rudyard Kipling, shkrimtar anglez, i lindur ne Bombei (1865-1936). Poezitë e novelat e tij me të njohura janë dy Librat e Xhunglës 1894-1895; Kim 1901, që kurorëzojnë superioritetin a imperializmit anglo-sakson.
Nëse…
Nëse arrin të ruash mendjen, kur të gjithë përreth e
kanë humbur atë, duke të fajësuar ty;
Nëse arrin t’i besosh vetes, kur të gjithë të tjerët
dyshojnë për ty, pa harruar dyshimin e tyre;
Nëse arrin të presësh, pa u lodhur së prituri,
i përgojuar, të mos përgjigjesh me përgojime, i urryer,
të mos hidhesh në krahët e urrejtjes, e të mos
tregohesh as shumë i mirë,
e të mos flasësh së tepërmi si mendimtar;
Nëse arrin të ëndërrosh, pa i bërë ëndrrat padronin tuaj;
Nëse arrin të mendosh, pa i kthyer mendimet në qëllimin tuaj;
Nëse arrin kur ndesh triumfin dhe rrënimin, t’i
trajtosh këta mashtrues njëlloj;
Nëse arrin të durosh të vërtetën e thënë prej teje, të
shpërfytyruar prej rrencakësh për të kurthuar të
marrët, e të shkatërruara, të poshtëruara, t’i shohësh
gjërat, që ja kushtove jetën e të kërkosh të rindërtosh
me atë që të ka mbetur;
Nëse arrin pirgun e fitoreve të tua, ta rrëzosh në
një çast të vetëm – kokë a pilë, të humbasësh, e të
rifillosh ku e nise, pa thënë kurrë një fjalë për
gjëmën tënde;
Nëse arrin ta detyrosh zemrën tënde, nervat e tua, të
mbahen edhe pas shumë kohë kur nuk i ndjen më, të
rezistosh kur brenda teje nuk ka mbetur më asgjë, veç
vullnetit tënd që i thotë: “Mbahuni!”
Nëse arrin të jetosh me fundërrinat, pa humbur
ndershmërinë tënde e përballë të tjerëve të mos
humbasësh arsyen e thjeshtë;
Nëse miqtë dhe armiqtë të mos mundin të lëndojnë;
Nëse të gjithë njerëzit për ty vlejnë, por askush me tepri;
Nëse arrin të mbushësh minutën e pamëshirëshme me
një çast prej gjashtëdhjetë sekondash,
e jotje do të jetë bota e gjithshka e saj;
E ajo çka vlen më shumë, do të jeshë Njeri,
bir i im!
.
©AK