back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Sa është normale një kamera në apartamentin tuaj, po aq normal është edhe “Vëllai i Madh” – nga Elona Caslli

Gazeta

Elona Caslli
Elona Caslli

Sa është normale një kamera në apartamentin tuaj,

po aq normal është edhe “Vëllai i Madh”

nga Elona Caslli

Nuk do të prek historikun e formatit të “Vëllait të madh” dhe nuk do të trajtoj librin nga i cili u frymëzua. Do të përpiqem ta shpreh mendimin tim për këtë format duke u bazuar tek situatat e jetës së përditshme të cilat janë të prekshme për çdo lexues.
Secili prej nesh ka banesën përkatëse ose e thënë ndryshe zgjohet, ha, pi dhe fle brenda një hapësire të caktuar.
Pranë banesës ku jetojmë, kemi edhe fqinjët me të cilët përshëndetemi herë pas here.
Imagjinoni për një çast sikur në apartamentin ku jetoni të instalohej një kamera në çdo cep dhe ju të ishit të filmuar 24 orë mbi 24 dhe filmimet të shfaqeshin tek televizorët e fqinjëve të të gjithë shkallës.
E thënë shkurt, 10 familje ju shohin çdo ditë teksa ngriheni në mëngjes, pini kafen, lani dhëmbët, dilni nga dushi, visheni, hani mëngjes, debatoni me fëmijën tuaj se u bë vonë për shkollë, ziheni me bashkëshortin tuaj se ka harruar si gjithnjë të mbushë gazin që keni dy ditë që ia keni thënë.
Imagjinoni të filmoheni teksa ktheheni në shtëpi nga një ditë e rënduar, të përplasni çantën në tokë, të uleni në divan dhe të shkreheni në lot sepse shumë gjëra kanë shkuar për dreq.
Imagjinoni për një çast që bashkëshorti juaj hyn në shtëpi dhe ju pyet se çfarë keni dhe të gjithë inatin e mbledhur gjatë ditës ia shfryni padrejtësisht atij dhe lind një debat krejt i kotë, ku ju vendosni të mbylleni në dhomë.
Në dhomë është ende kamera që ju filmon dhe janë 10 familje që ndjekin kyçjen tuaj në dhomë.
Imagjinoni që për një çast qetësoheni dhe e kuptoni se shfrytë kot ndaj bashkëshortit dhe vendosni të dilni nga dhoma.
Dilni nga dhoma dhe vendosni ta përqafoni dhe vijoni procesin në dhomën e gjumit. Imagjinoni që gjatë këtij procesi keni një kamera që filmon çdo prekje apo puthje tuajën dhe 10 familje që ju shohin.
Imagjinoni sikur në fund të javës 10 familjet e fqinjëve mblidhen dhe diskutojnë filmimet e jetës suaj. Nga këshilli i fqinjëve përzgjidhen dy fqinj që janë analistë dhe diskutojnë;
Çastin kur i bërtitët bashkëshortit tuaj, çastin kur i bërtitët fëmijës suaj, çastin kur u mbyllët vetëm në dhomë e së fundmi çastin kur bëtë dashuri me burrin tuaj.

Big Brother - Albania Vip
Big Brother – Albania Vip

Sa normale do të ishte kjo për jetën e secilit prej nesh?!
Sa prej nesh do të pranonin një kamera në shtëpi?!
Askush prej nesh nuk do e pranonte dhe me të drejtë, pasi secili prej nesh ka jetën brenda shtëpisë dhe jetën jashtë shtëpisë.
Jeta brenda një shtëpie është private dhe jeta jashtë një shtëpie është publike.
Kamera në apartament e ekzekuton konceptin e jetës private dhe e shndërron gjithçka në jetë publike.
I gjithë ky proces e bën një njeri të mos ketë asgjë për vete, të mos ketë intimitetin e tij, distancën e tij të shëndetshme me botën. Gjendet i zhveshur lakuriq para një opinioni që gjykon gjithçka të tijën.
Ky është “Big Brother” ose “Vëllai i madh”!!
Ndonëse në “Top Channel” ky format serviret si mundësi e artë për çdo individ, nuk është gjë tjetër veçse një shkulje e përdhunshme e perdeve që ndajnë jetën private nga ajo publike për të cilën Kundera do të shprehej mjeshtërisht;
Jeta private dhe publike janë dy botë të ndryshme në thelb. Respektimi i këtij ndryshimi është kushti që njeriu mund të jetojë si njeri i lirë; që perdja e cila ndan këto dy botë, është e paprekshme dhe shkulësit e perdeve janë kriminelë.
Kam thënë së përhapja e intimitetit të tjetrit, sapo bëhet zakon dhe rregull, na fut në një epokë, basti më i madh i së cilës, është mbijetesa ose zhdukja e individit.
Nuk do ta kisha shkruar këtë artikull, nëse dje në kafenetë e Tiranës nuk do të kisha dëgjuar në tavolinën ngjitur një vajzë të bënte këtë pohim – “Dua të futem në “Big Brother” se bëhem e famshme dhe më hapen mundësi të mëdha…!”
Le të bëjmë një bilanc në retrospektivë. Cili personazh që ka qenë tek “Big Brother” ka pasur mundësi të arta për të ardhmen e tij?!
Nuk me rezulton askush me këto mundësi. Çdo personazh në “Big Brother” bën kurban dimensionin përkatës privat për një çast fame që zgjat shumë pak në raport me jetën e gjatë të një individi.
Jeta është e shkurtër, por e përditshmja është e gjatë dhe kjo e përditshme nuk mund të ngrihet mbi investime afatshkurtra alla “Big Brother”.
“Vëllai i madh” është thjesht një eksperiment televiziv ku jeta e personazheve fillon me pjesën e parë të emisionit dhe mbaron me pjesën e fundit të tij. Gjatë këtij procesi do të jetë ekzekutuar dimensioni privat i individit dhe si rrjedhim edhe figura e këtij të fundit.

Post ScriptumTop Channel një laborator i eksperimenteve të dënueshme televizive.
11 prill 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.