Sa herë më kujtohet ajo çadër…
nga Mark Simoni
Më kujtohet se çadra e cirkut u ngrit natën pranë vendvarrimit të Skënderbeut. Të nesërmen unë bëra një tekst për atmosferën që krijonte cirku ngado që shkonte. Fatmir Zeqja i bëri muzikën, dhe me ndërhyrjen e mikut tim Fatos Qerimi, (sot pedagog në Universitetin e Arteve të Bukura – dega klarinetë), ia dhamë këngën Françesk Radit, i cili e aranzhoi për orkestrën e cirkut. E gjitha kjo për një paradite. Pastaj këngëtari Bahri Rrustja e mësoi, që ta këndonte po atë mbrëmje në arenë. U dynd e gjithë Lezha për tek cirku. Frankoja e shoqëroi këngën me kitarën e tij. Atëherë vazhdoja vitin e parë të studimeve në letërsi. Kënga shkoi në çdo qytet ku shkonte çadra e cirkut.
E gjitha kjo ma kujton Frankon, këtë kantautor të këngëve të mrekullueshme “Biçikleta”, “Zera nga Bota” apo“Adresa”, që ne të rinjtë e asaj kohe i dinim përmendësh.
Kujtoj se atëherë unë pata bërë me muzikën e Ben Kaçajt, tekstin e këngës “Vajza me ski”, (fituese e vendit të parë të anketës së muajit mars), si dhe këngën “Stina e pestë ” (fituese në festivalin e pranverës), kënduar nga Z. Vokrri. Atëherë në Lezhë këndonin Roberta Kaçaj, Gent Demalia, Armenita Sula, Mimoza Selimi, Valbona Alia, Leonora Caka, bënin muzikë Agim Velaj, Gjergj Lacaj, Shpëtim Mezini, Fatmir Zeqja, Tonin Çobani, Besa Lami (Kaçinari), Flora Gjeçi, Gjokë Cari, Shkelqim Rrustja, bënin tekste Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Isaku, Shpresa Kapisyzi, Silvana Gjebrea, Alban Bala, Alfons Zeneli. Kishte mësuese shumë pasionante të muzikës si Jeta Kushta, Elvira Brati, Feliçeta Jakoel, Mimoza Jaupi, Aferdita Aliko, Keti Muça etj Çfarë atmosfere elektrizuese krijimi. Të gjithë të talentuar!
Frankoja vinte shpesh në Lezhë, madje tek Hoteli i Gjuetisë (ndërtuar në 1938 nga Konti Ciano-dhëndër i Benito Musolinit). Na frymëzonte me kitarën e tij. Madje dhe kënga e tij “Sharrëtari”, e kompozuar në kushte të vështira shpirtërore, në Fushë Arrëz (ku u internua 10 vite, pas Festivalit të 11-) kishte elemente të frymës moderne.
Franko, edhe atje lart, vazhdojmë të të kemi mik!
Marrë nga muri i fb i Mark Simonit, 22 qershor 2022