back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Sa të poshtër dhe të ulët keni qenë, po aq edhe mbetët… nga Gramoz Xhaferri

Gazeta

Donkishoteske...
Donkishoteske…

Sa të poshtër dhe të ulët keni qenë, po aq edhe mbetët…

nga Gramoz Xhaferri

Bah, sa të poshtër dhe të ulët keni qenë!
Më rrokullisi tej, në kohën që shkoi, një letër lutjeje e përgjerimi e botuar në gazetën “Panorama”, ku M. Çollaku – dhëndri i ministrit xhahil Kadri Hazbiu, ia dërgonte diktatorit lugat, ndërkohe që vjehrrin e njëmijëe një te zezave e kishin arrestuar dhe ia shkulnin dhëmbët pa narkozë apo ia prisnin gjuhën.
Së pari betohej qyqari për dashuri e besnikëri të patundur ndaj partisë dhe “juve, shoku E…”, vazhdon pastaj me po aq be e rrufe se nuk kishte mundur ta diktonte vjehrrin ‘armik’…!! pastaj qahej e qurrepsej për atë ‘fatkeqësi të pamerituar… I kujton më pas kukudhit se si e kishin pyetur familjarisht e me dyshim Hazbiun për lidhje të mundshme me grupin e Xhevdet Mustafës: I biri, Petriti i kishte thënë se, nëse ishte e vërtetë, do ta mohonte si baba; letërshkruesi i kishte thënë së shoqes se do ta mohonte si bashkëshorte dhe se fëmijët do t’i mbante vetë “për t’i edukuar me frymën e Partisë”, ndërsa ajo, nga ana e saj, ishte shprehur se do ta mohonte të atin ‘armik’…
S’kisha se si të mos i kujtoja gratë heroina të të burgosurve politikë që me aq durim e nder i pritën burrat, që me shaminë e shtrënguar përgjysmë ballit i kërkuan me trasta krahëve në Burrel, Spaç e Qafë Bari… S’kisha si të mos kujtoja hallë Kajacen që zonjërisht nuk nxorri zë përballë policëve në Burrel kur i thanë se i vellai i kishte vdekur në birucë…
Si të mos i kujtoja takimet në burg me babanë, kur s’kishte ditë që të mos flisja me motërzën dhe vëllaçkon se cilin prej nesh do të takonte të parin babi, se, nëse do të ishte po aq i dobët si herën e parë, nëse këtë radhë do të mundte të na ngrinte të treve njëherësh në krahë, nëse do të kthente kokën nga ana tjetër për të fshehur lotët, nëse do ta kishte në kokë kapelen e shpifur ngjyre kafe, nëse këtë herë do të na lejonte pak më tepër kohë polici…
Do të kujtoja se si bëja gjoja se nuk dëgjoja kur babi i belbëzonte nënës një fjalë të vetme malli… Për pak nuk ju thashë se betoheshim ‘për kokën e babit’ edhe për gjëra fare të thjeshta.. E si të mos kujtoja se si nuk lodheshim se treguari e ritreguari me të gjithë të afërmit për ato pak çaste. Veçanërisht motërzën që gati mbytej kur tregonte se si babi e kishte puthur të parën dhe e kishte nuhatur gjatë në gushë, se si i kishte kaluar gishtat nëpër flokë, se si pastaj ajo i kishte thënë që të mos ta prekte te bulëzat e veshëve, për shkak se sapo ia kishte shpuar mami për të vënë vathë…
Ah po, m’u kujtua ehe një grua e re që nuk e lejuan të takohej, për shkak se burrin ia kishin dënuar në birucë. As ushqimet nuk ia pranuan. Me dy trasta të rënda në duar, ecte pak çapa e çlodhej.
Era e fortë ia merrte flokët dhe lotët që i shkonin curg…
Ç’mund të na thoni ju, trashëgimtarët e së keqes? Ja pra, sa njerëz të ulët keni qenë! Edhe akoma keni mbetur!!
Mjaft t’ju shohësh se si bëni politikë, se si vazhdoni ta shkatërroni kët vend të mbetur në duart tuaja…
Marrë nga muri i fb i Gramoz Xhaferrit

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.