back to top
9.5 C
Tirana
E martë, 1 Prill, 2025

Sabah Bizi (26 janar 1946 – 16 janar 2025) – nga Saimir Kadiu, Alma Liço, Adriatik R. Dosti

Gazeta

Sabah Bizi (1946-2025) - Bizi me Fanellen Kuqezi
Sabah Bizi (1946-2025) – Bizi me Fanellen Kuqezi

Sabah Bizi (26 janar 1946 – 16 janar 2025)
nga Saimir Kadiu

Shuhet në moshën 79 vjeçare Sabah Bizi, një nga më të mëdhenjtë e futbollit shqiptar…
Lindi më 26 janar 1946, në Shkodër, në shtëpinë e parë të futbollit shqiptar…
Padyshim një yll i shndritshëm i gjeneratës së tij ku luajti për Vllazninë, Partizanin dhe ekipin përfaqësues.
Një talent i madh që ka luajtur në të gjitha rolet, përveç portierit… nje “Beckenbauer” shqiptar.
18 vjet (1964-1982) në nivelin më të lartë të futbollit të luajtur.
Vrapim dhe hap elegant, klas i lartë në mbajtjen dhe përdorimin e topit, lojtar universal në të gjithë fushën, korrekt dhe gjithmonë modest…
15 ndeshje (1 gol) gjatë viteve 1967-1976 me përfaqësuesen kuqezi.
Debutoi me 8 prill 1967, në humbjen e thellë kundër RFGJ (0-6) në Dortmund.
Ndeshjen e fundit e luajti në një miqësore kundër Algjerisë (3-0).
Katër herë kampion kombëtar: 1970-1971 (Partizani), 1971-72 (Vllaznia), 1973-74 (Vllaznia), 1977-78 (Vllaznia)
Katër herë fitues i kupës së Shqipërisë: 1965, 1972, 1979, 1981 (të gjitha me Vllazninë)
Në një intervistë të disa viteve më parë mjeshtri shkodran ka rrëfyer:
“Përpara disa vitesh, erdhi dhe më takoi një bashkëqytetar dhe më tha se i kam bërë nder të madh. Djali i tij kishte punuar në një lokal, ku Beckenbauer ka shkuar si klient sëbashku me të shoqen. Gjatë shërbimit, aksientalisht ai ka derdhur një gotë verë mbi fustanin e gruas së tij. Beckenbauer ishte nxehur mjaft dhe ka debatuar me djalin, por kur ka vënë re se nuk fliste mirë gjermanisht, ka pyetur pronarin, por edhe vetë djalin nga ishte.
Djali i frikësuar se do të pushohej nga puna i është përgjigjur me gjysmë zëri së është shqiptar. Me tej, “Kaizeri” e ka pyetur sërish se nga cili qytet dhe ai i ishte përgjigjur se nga Shkodra. “Mos e njihni Sabahin? Bizin?” e ka pyetur sërish Beckenbaueri dhe djali i ishte përgjigjur se jetonte në një lagje me të. Më tej, gjithçka ishte normalizuar dhe i kishte lënë porosi djalit që të më dërgonte urimet e tij më të mira. Jam ndjerë shumë i vlerësuar që pas kaq shumë vitësh ai më mbante sërish mend!”
Kaq i madh ishte Bizi në fushën e lojës…
Një legjendë si Beckenbauer që ka luajtur kundër yjeve të tillë si Pele, Charlton, Cruyff, Dejna, Rivera, Riva, Mazzola, Van Himst etj., nuk harronte talentin e madh shqiptar që e kishte markuar në Dortmund, Tiranë dhe në Karlsruhe…
“Tenori” i fundit i futbollit shkodran prej vitesh kishte humbur shikimin… dhe sot fluturoi drejt parajses ku do të perqafohet me Loro Boriçin, Panon, Ali Memën, Din Zhegën, Ramazan Rragamin, Fatmir Frashërin, Mikel Jankun, Lin Shllakun, Bashkim Myhedinin, ndoshta edhe me Beckenbauerin apo Dejnen…
Sabah Bizi ka fituar përjetësisht dashurinë e madhe të të gjithë sportdashësve shqiptarë.
U prehsh në paqe Bizi i madh!

Sabah Bizi ne 70 vjetorin e tij
Sabah Bizi ne 70 vjetorin e tij
Lamtumire Sabah Bizi!
nga Alma N. Liço

Sot ka ndërruar jetë nje burrë i madh.
Nuk do ta kujtoj për talentin e jashtzakonshem dhe mjeshtërinë e paarritshme të tij, si futbollist. Atë e kanë bërë dhe do ta bëjnë në pafundësi mijra dhe mijra sportdashës, të cilët e kanë ndjekur atë plot emocion. E kanë ndjekur për shumë vite lojën e tij plot shpirt, në mbrojte të fanellës së qytetit të lindjes, por edhe asaj kombëtare.
Sabah Bizin do ta kujtoj si një të afërm të familjes, që nuk ngurroi asnjëherë të na vizitonte në fshatin ku ishim të internuar, ndërkohë që shumë të afërm të tjerë u ndruajtën të ndërmerrnin diçka të tillë.
E bëri këtë teksa ishte person me impakt të fortë publik, dhe vizita e tij nuk mund të kalonte pa lënë gjurmë për sigurimin famëkeq të shtetit. Me të shoqen dhe fëmijët e tij të vegjël mbi supe, në mungesë të mjeteve të transportit publik, bënte kilometra të tëra në këmbë për të mbërritur tek ne, për të na ofruar dashuri dhe mbështetje, pse jo edhe shpresë… shpresë… se nuk mund ta konsideronim veten të braktisur në fatin tonë.
Ishte një sfidë e hapur që ai i bënte kësisoj diktaturës, e cila nuk i kursente ndëshkimet e rënda për rebelime të tilla.
Faleminderit o njeri kurajoz, i thjeshtë dhe i mirë. Shpirti yt u prehtë në parajsë!
Lamtumirë!

Tiranë, 17 dhjetor 1967 - Shqipëri -R.F.GJ - 0-0, I Lin Shllaku, Koço Dinella, Josif Kazanxhi, Sabah Bizi, Medin Zhega, Frederik Jorgaqi, Ramazan Ragami, Ali Mema, Teodor Vaso, Frederik Gjinali, Panajot Pano
Tiranë, 17 dhjetor 1967 – Shqipëri -R.F.GJ – 0-0,
Lin Shllaku, Koço Dinella, Josif Kazanxhi, Sabah Bizi, Medin Zhega, Frederik Jorgaqi,
Ramazan Ragami, Ali Mema, Teodor Vaso, Frederik Gjinali, Panajot Pano
Lajmi tronditës nga Shkodra…
nga Adriatik Riza Dosti

Eshtë shuar në moshën 79 vjeçare një nga korifejtë, simbolet, ikonat, legjendat e bukuritë e përhereshme të historisë së futbollit shqiptar… shkodrani virtuoz: Sabah Bizi.
Për mua që e kisha shok e mik të mirë e shumë të hershëm lajmi ka qenë sa befasues po aq edhe tronditës… e gati i pabesueshëm pasi kur folëm për herë të fundit sëbashku duke i uruar familjarisht njeri-tjetrit Gëzuar Vitin e Ri, 2025. …kurrën e kurrës s’do guxoja ta çoja dot ndër mend se Sabahi pas dy javësh të këtij viti të saponisur… do t’i linte lamtumirën kësisoj… kësaj bote.
Absolutisht një nga Mjeshtrat më të mëdhenj të topkëmbës shqiptare jo vetëm të brezit të tij por të krejt historisë së futbollit shqiptar të të gjitha kohrave… një nga Meteorët e Vllaznisë së tij të zemrës… një nga yjet e Partizanit të kohës së Panos së madh… e një nga brilantët e Kombëtares shqiptare… aq sa edhe i famshmi Beckenbauer nuk e harroi kurrë.
Kam shkruar vazhdimisht, gjerë e gjatë për Sabahin… ndaj sot dua ta meditoj gjithë ditën për mikun tim të shtrenjtë…
Të shfletoj e rikujtoj ato qindra mijëra kujtime të bukura ndër vite që ti ke lënë pas… ndaj nuk po dua të ripërsëris ato çka kam thënë për ty më se njëherë publikisht…
Sot po dua t’i bëj nderimin e homazhin që i takon… profesional e njerëzor Ikonës Sabah Bizi! Mes lotësh e dhimbjesh këtu në Michiganin e largët e kallkan të Amerikës… por me shpirt e me zemër aty në Shkodralocën e tij të ngrohtë e fisnike.
Futbolli shqiptar sot ështe në zi!
Besoj e shpresoj se si në Shkodrën e tij të lindjes po ashtu edhe atje në FSHF e Tiranës po erdhe ne krejt Shqipërinë… shqiptarët do të dijnë se si ta nderojnë, respektojnë e t’i japin lamtumirën e fundit e ta përcjellin për në atë tjetrën botë… ashtu siç i takon dhe bash siç e meriton i madhi: Sabah Bizi!
Do t’i propozoja klubit shkodran të futbollit Vllaznia që në shenjë nderimi e respekti ndaj jetës, karrierës e figurës së tij… ta anullonte ndeshjen e rradhës në Superligë këtë fundjave… ndërsa me rizbritjen në fushë të luante me shirit të zi në krah e të mbante 1 minutë heshtje… sikurse njëjtë duhet të ndodhë me të gjitha ndeshjet e radhës së Superligës shqiptare…
Lamtumirë mik i çmuar, i rrallë e i shtrenjtë Sabah Bizi.
Ngushëllime të sinqerta krejt familjes e fare e fisit Bizi… Shkodrës dhe krejt komunitetit futbollistik shqiptar.
Prehu në Paqe virtuoz i papërsëritshëm.
Të siguroj se ke qenë, je e do të mbetesh përjetësisht nga ATA sportistë dhe njerëz të atij lloji që nuk mund t’i harrosh dot kurrë…
Adriatik R. Dosti, 16 janar 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Buy Me A Coffee
Dhuro per mirembajtjen