back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Sabri Hamiti: “Rugova – monument kulture dhe historie”

Gazeta

Dr. Ibrahim Rugova (1944-2006)
Dr. Ibrahim Rugova (1944-2006)

Sabri Hamiti:

“Rugova – monument kulture dhe historie”

Intervistë e shkrimtarit Sabri Hamiti,

mik e bashkëpunëtor shumëvjeçar i presidentit Rugova

Zoti Hamiti ju e keni njohur Dr. Rugovën për një kohë të gjatë dhe për një kohë të gjatë keni qenë ndër miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Si do ta portretizonit sot Dr. Ibrahim Rugovën? Hamiti: Është vështirë në këtë moment kur përzihen edhe emocionet për shkuarjen e tij edhe koha është shumë e shpejtë që të bëhet portreti total i Rugovës – total e kam parasysh edhe njeriun si qenie individuale, edhe krijuesin letrar, më tej edhe prijësin politik të Kosovës, sepse janë tri vija që e karakterizojnë Rugovën dhe pa u analizuar bashkë të trija, është vështirë të nxirret portreti total i tij.
Por, një gjë është shumë e sigurt, që është një nga figurat më të mëdha të shekullit XX të shqiptarëve. Kur them figura, them duke i lidhur këto tre aspekte të Ibrahim Rugovës – njeriun, krijuesin dhe prijësin politik.

Zoti Hamiti, ju e keni njohur zotin Rugova qysh nga koha e studimeve, besoj që ai të ketë qenë ndoshta një vit a dy para jush. Çfarë mbani mend nga ajo kohë, domethënë si do ta përshkruanit një detaj nga ajo kohë? Hamiti: Unë Rugovën e njoh që nga viti 1968, me ardhjen në studime në Prishtinë. Asokohe Prishtina i ka mbledhur të gjithë talentet e botës shqiptare në Kosovë dhe rreth Kosovës.
Ai ka qenë në shkollë një vit para meje në fakultet, por asokohe kemi qenë breza që shumicën e lëndëve i kemi bërë bashkë dhe faktikisht ne jemi një brez studimesh me Rugovën. Jemi njohur si njerëz që e duan letërsinë, edhe të artikuluar publikisht.
Asokohe ai shkruante tekste estetiko-poetike te Fjala kryesisht dhe unë botoja poezi. Dhe, mund të them menjëherë dhe kjo s’ka pse të mos thuhet, jemi bërë miq shumë shpejt, miqësi, e cila ka vazhduar tërë jetën dhe nuk ka pasur kurrfarë ndryshimesh, veçse është thelluar. E kemi njohur njëri-tjetrin në imtësi, aq në imtësi sa që veç ata që merren me letërsi, e dinë se çfarë afërsie është kur njeriu me dikë shkruan libër bashkë. Ne kemi botuar një libër të përbashkët dhe mendoj se kjo i thotë të gjitha.

Pikërisht në aspektin e studimeve letrare zoti Hamiti, si do ta karakterizonit punën e Dr. Ibrahim Rugovës? Hamiti: Është specifik, edhe kjo është mirë të thuhet edhe me këtë rast, se Ibrahim Rugova ka kaluar në kritikë letrare si poet. Këtë e di pakkush. Ai shumë herët ka shkruar vjersha me një sensibilitet të veçantë, ka shkruar edhe për fëmijë, edhe vjersha që nuk kanë destinim të literaturës për fëmijë. Dhe, përnjëherë ai ka kaluar në kritikë letrare.
E them këtë për arsye se gjithmonë, edhe në nivelet më të mëdha të mëvonshme të abstragimit teorik të letërsisë, të interpretimit të saj, të analizave dhe edhe më vonë kur është bërë një sistematizues i madh i ideve letrare shqiptare, por edhe i ideve të modernitetit të literaturave të tjera, kurrë diskursi i tij kritik nuk është larguar nga një sensibilitet i krijuesit imagjinativ, ta quaj kështu.
Dhe, kjo e ka çuar tekstin e tij kah natyra e esesë. Dhe, sidomos unë do të thosha në librin e tij tashmë shumë të përmendur për Bogdanin, edhe pse tendenca është që të merret me nocionet, me klasifikimet e diskurseve, të ideve, të problematikës së veprës, në esencë kur e lexon tekstin, ai është plot figurë dhe sensibilitet.

Studiuesi Sabri Hamiti
Studiuesi Sabri Hamiti

Zoti Hamiti, në fund të viteve ’80, kur Qarku Kulturor i Prishtinës jo vetëm që ishte konsoliduar përfundimisht, por kishte nisur edhe të prodhonte pasardhës të tjerë, zoti Rugova e la studimin e shkencës së letërsisë dhe iu kthye politikës. Çka ishte përcaktuese për këtë? Hamiti: Këto janë probleme që duhen diskutuar shumë më thellë sesa kemi shans ne tash, por unë po i skicoj shpejt – Rugova ka ardhur në studime si njeri i formuar. Pse e them këtë, dhe si i diferencuar nga brezi. Unë ju thashë se kemi qenë në një vit të studimeve, por na kanë ndarë gjashtë vjet moshe. Unë kam qenë ai i riu i adhuruar në atë mes, sepse i riu është gjithmonë më i dashur, më interesant.
Në këtë raport ai ka ardhur si njeri që ka hyrë në shkollë pak më vonë, e ka kryer normalen me pesë vite e të tjera dhe ka ardhur si një tip i formuar në një kulturë, unë do ta quaja nacionale. Dhe, atëherë Ibrahim Rugova ka qenë, po them tash qartë, nacionalist i kultivuar shqiptar, domethënë i kultivuar dhe i përpunuar në kulturën dhe literaturën shqipe.
Në brezin e njerëzve dhe rreth tij, në këtë pikë, në kultivimin nacional sigurisht e ka pasur më të lartin dhe moshën më të madhen dhe atëherë kush e ka njohur, më 1968, për të është krejt normale Ibrahim Rugova i 1987-it që ka hyrë në politikë, në kuptimin e prijësit nacional.
Tek ai ka ndejtë “cuc” do të thosha ambicia e prijësit që është mbjellë shumë herët. Dhe, për ata që e kanë njohur masandej si njeri publik, si kritik shumë të madh dhe kjo duhet të thuhet menjëherë si vlerësim se është kritik shumë i madh i letërsisë, momenti kur jeta ka diktuar rrjedhën e kolektivitetit, Rugova unë mendoj se vetëm është çelur dhe ka hyrë në ambientin e vet.
Prijësi shqiptar tek Ibrahim Rugova ka ndejtë “cuc” unë mendoj prej fëmijërisë së tij dhe kjo duhet të arsyetohet pak më thellë me problem të familjes, por rastësi nuk është. Për mua nuk është paradoksale që Rugova është cilësuar si njeri i tërhequr kushtimisht, në ato që unë i quaj llafologji politike se ato ndihen gjithmonë më shumë e veprimin e kanë më të vogël, kjo nuk do të thotë se tek ai nuk ka qenë brenda ajo që unë e quaj tharm i prijësit.
Pak naimian ka qenë, nëse ju kujtohet Naim Frashëri, sepse nuk ka qenë më pak prijës i Lidhjes së Prizrenit Naimi sesa Abdyli. Në këtë rast, Rugova i ka pasur të dyja brenda, pasi ky dysh nuk ka ekzistuar në një rreth të tillë familjar për shembull.

Dhe, për fund, profesor, po mundët të na thoni shkurt, se cila është përmasa e humbjes me rastin e vdekjes së presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova? Hamiti: Përmasa e humbjes është e jashtëzakonshme. Unë po them vetëm një gjë, që ai ka qenë një dhe i papërsëritshëm. I tillë ka qenë për shkak të vetvetes dhe për shkak të rrethanave – këtu as që do të përsëritet vetvetja e tillë dhe as që do të përsëriten rrethanat.
Ai ka qenë një pasuri nacionale, do ta quaja unë, ndryshe një monument kulture dhe historie shqiptare. Jam unë vetë që para shumë vitesh e kam quajtur kryetarin historik të Kosovës dhe ajo tash është bërë një formulë dhe është e vërtetë që mbetet kryetari historik i Kosovës.
Kur i mblidhni të gjitha këto që nuk janë fraza, por janë artikulime të një njohjeje dhe një përfundimi, atëherë mund ta merrni me mend se çfarë do të thotë shkuarja e tij. Shkuarja e Rugovës është humbje e madhe për Kosovën, absolutisht është e pamundur që Kosova të jetë njëlloj si me të, si pa të.
Pa marrë parasysh se është e vërtetë që ka krijuar trashëgimi politike dhe kulturore, por personi ka shkuar dhe nuk do të jetë njësoj Kosova pa Rugovën në mesin tonë, si me Rugovën në mesin tonë. Shkurt është një humbje e madhe – ka shkuar shumë i ri, ka pasur 60 vjeç, në kulmin e fuqisë, por ky është fati, fat a fatum, që nuk varet nga individi as nga dëshirat e tij.
(Marrë nga http://www.trepca.net/2006)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.