back to top
11.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Sakrificë Prindi… nga Ilir Seci

Gazeta

"Bujtina Gjeçaj"
“Bujtina Gjeçaj”

Sakrificë Prindi…

nga Ilir Seci

Ndejtëm sa ndejtëm në Theth dhe të enjten e kishim planin me ba rrugën prej aty e në Valbonë…
Kah ora pesë e mjesit u çuem, bamë gati çantat e shpinës dhe u ulëm në katin e parë të kullës ku kishim bujtë atë natë, kulla e Ndoc Gjeçajt, qe vizitorët e Thethit e njofin edhe si “Bujtina Gjeçaj”…
Ndoci, i zoti i shpisë ish çue para nesh bashkë me të shoqen… dhe na kishin ba gati mjesin për tanë vizitorët e bujtinës… I gjetëm kafet e nadjes, shoqnue me nga nji gote raki rrushi, dhe i pime në oborr…
Folëm për njat rrugë që kishim njet me e ba… Ata që e banin për së pari at rrugë dojshin me ditë nëse ishte rrugë e lodhshme?!…
Mandej folëm për motin… “Athue po na nxan ndonji shi rrugës, burra?!”…
-Për shi as mos drueni kurrnji grimë! – na tha Ndoci, i zoti i kullës, duke kqyrë nga qielli rrethas, – Jeni ndore teme për qat punë se pika s’ka me ra! Veç se me ra shi në kët vakt… bahet sevap…!
Mandej heshti pak, dhe e mori prap fjalën
-Po ju, për kokërr të qejfit jeni tue e ba kët rrugë he burra! – qeshi Ndoci me ne, – e kurrfarë halli në ftyrë të Tokës s’po keni…! Shazotën, hall asht me e ba njat rrugë si e kam ba unë në vjeten 1984! – fshani Ndoci, – se harroj kurrë sa ta kem shpirtin gjallë…!
Dhe ndërsa ne kthenim kafen me raki, ia nisi me na kallzue rastin…
-Në vjeten 1984, ata të shtetit nuk na dhanë drithë për dimën si ishte rregulli asokohe për zonat malore që izoleshin prej bore! Merrshin të tanë do rezerva po ne nuk na e dhanë kurrnji kokërr drithi! S’na dhanë edhe pse ishim “të prekun” e me biografi të keqe e dojshin mos me na e nda mundimin…! Lekët i kisha po ku me gjetë drithin?! Fminë i kisha t’vogjël! Ma hall s’kish!? Dikur vendosa me dalë në Tropojë e me kqyrë… Fluturim e për tri sahat e kam ba qet rrugën që ju doni me e ba për qejf! Rashë në Rrogam të Shalës, te nji kumarë i shpisë, po ata s’e patën rodin e drithit! Për tërthuer rashë në Valbonë… As aty s’e gjeta kokërr drithi! Atëherë rashë në Dragobi të nji i njofshëm i emi, e njaty desht Zoti e kishin pasë! E bleva nji kuintal e gjysë… rrafsh 150 kile drithë moravi, bardh si bora!Shazotën kurr ma në gzim vedin se kom pa se njat dekik që jau sigurova bukën robve të shpisë…!
Mbasi fshani, tundi kryet, u ndal e gjerbi kafen, dhe Ndoci vazhdoi:
-Tash ishte halli tjetër: Qysh me e bajtë drithin!? Ishin tre thasë seicili 50 kilesh… Me pritë për makinë deri në Valbonë me nxanke java aty, se në at vakt njasajt rruge nuk kalojshin tri makina në jave! E sosa n’mendje, me i bajtë në shpinë! Nja ka nja, me tri rrugë i kam bajtë njata thasë prej Dragobie deri në Valbonë, ku i lashë te posta kufitare…!

Sizifi i Mitologjisë
Sizifi i Mitologjisë

Mandej, prej Valbone i kam bajtë prap nja ka nja edhe tri rrugë tjera deri në Rrogam të Shalës t’u Shpia e Kumarës… Aty kam pushue nji copë heret, kam hangër do bukë e u bana gati prap për rrugë! S’mund ndejsha se ishte fund nandori e ish drue se me ra borë e me u nxanë shtigjet marojshim! Mbandej prej Rrogami, nëpër Qafë të Valbonës i kam bajtë njata thasë 50 kilesh drithi, nja ka nja deri në Theth… Njiherë i ndala njaty ku ka ba tash Deda Stanin-Lokal e njiherë tjetër mbi Gjelaj… Tanë udhës bajsha njenin thes e u kthejsha e merrsha tjetrin me rend derisa kam mbrri tu kulla rreth sabahi…!
Shazotën, nji ditë e nji natë m’u desht me e bajtë drithin mbi shpinë prej Dragobie e dej në Gjeçaj! Mos me të besue kush!!
Heshtje… Të tanë ishim shtangë duke e imagjinu at stërmundim prej Sizifi të atij malsori shtatvogël! Eh, çfarë sakrificash ban nji prind i mirë për fëmijtë e vet…!
Ndoci na pa ashtu të mpimë, qeshi me at pamjen e tij të çiltër që vinte nga pastërtia e shpirtit dhe na tha:
-E ju burra sot, jeni ka shkoni për kokërr të qejfit! Veshë e mbathë për bukuri… e unë shazotën e kam ba njat rrugë me do galloshe të vjetra… Ehhh me i pa pasë njikto atlete amerikane që paskeni ju…!

Ilir Seci me shoke te Bujtina e Gjeçajt
Ilir Seci me shoke te Bujtina e Gjeçajt

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.