back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Sali Butka, poeti i majave të Gramozit – nga Bardhyl Londo

Gazeta

Familja e Sali Butkës
Familja e Sali Butkës

Sali Butka, poeti i majave të Gramozit

nga Bardhyl Londo

1.
Emrin e Sali Butkës, e kisha takuar shumë më parë se të kuptoja atë që marr vesh sot nga jeta, bota, letërsia, poezia, lufta dhe paqja, agresioni dhe mbrojtja kundër tij, atdheu dhe krahina, fqinjësia dhe shovinizmi, paqja dhe orekset grabitqare të pushtuesve. Sali Butka kishte ardhur tek unë ashtu siç vijnë gjithë luftëtarët zulmëmëdhenj: diçka midis realitetit dhe legjendës. Përfytyrimi im nuk besoj se ndryshonte nga përfytyrimi i të tjerëve: një burrë gjithmonë në lëvizje, të cilit nuk i zinte kurrë këmba dhè, siç thuhet. Një burrë me pushkën në krah, që nuk i ndahej kurrë dhe që i ishte bërë si gjymtyrë e re në trupin e tij. Një luftëtar që veshët i mbante ngrehur dhe sytë gjithmonë hapur nga kufjtë shqiptarë, sidomos nga kufjtë jugorë. Fati kishte dashur që Sali Butka të lindej pikërisht në skajin juglindor të kufjve tanë të sotëm, ku historia e marrëdhënieve tona me fqinjët grekë, në ato vite të turbullta të shpërbërjes së perandorisë otomane dhe të fillimit të luftës së parë botërore, jo vetëm që nuk ishte e paqtë dhe e qetë, por ishte tejskajisht e turbulluar, madje e përgjakur dhe e dhimbshme. Ishte fat për Shqipërinë që Sali Butka lindi në ato troje, jo vetëm për qumështin patriotik që thithi, jo vetëm për edukimin dhe kulturën tradicionale të atyre zonave me të cilat u ushqye shpirti i luftëtarit të ardhshëm, por edhe sepse atje gjeti një terren ku do të shpërthente gjithë gjenia e tij prej luftëtari, gjithë gatishmëria e tij për të sakrifkuar veten dhe familjen në emër të mbrojtjes së tokave shqiptare dhe të lirisë nga sulmet dhe pushtimet e huaja në momentet vendimtare të historisë së Shqipërisë.
Natyrisht, Sali Butka do të donte të mos ta kishte provuar kurrë këtë lavdi. Do të kishte pranuar të jetonte si fshatar i thjeshtë në Butkën e tij të dashur e të bukur, të shkonte herë pas here në Frashërin historik prej nga i kishte rrënjët, të rriste nipër dhe mbesa, të hapte sytë në mëngjes dhe t’i mbyllte në mbrëmje me hallet e përditshme njerëzore. Por fati i tij ishte krejt ndryshe. Historia i kishte paracaktuar fatin e luftëtarit, fatin e Perëndisë mbrojtëse të truallit shqiptar, të zakoneve shqiptare, të qenies shqiptare. Dhe Sali Butka e kreu këtë si rrallë kush në historinë shqiptare.
Ndërsa fati personal i Sali Butkës ishte gati fatalitet. Në luftë ai humbi dy djemtë, njërin kundër me xhonturqit në Frashër, tjetrin kundër haxhiqamilistëve në Pogradec, vetë humbi syrin në betejën e Nikolicës për të mbrojtur Korçën nga grekët, por ky fatalitet vetjak (duket shumë cinike edhe sot kur e shkruan apo përmend) ishte vërtet fat i ndritur për shqiptarët, sidomos ata të Jugut dhe të Juglindjes që kishin një mbrojtës si Sali Butka. Kushedi si do të ishte fati i atyre trevave të bekuara në rast se nuk do të ishte Sali Butka dhe homologët e tij. Ndoshta duket pak jo njerëzore, madje edhe makabre, të pranosh se historia e lirisë dhe e pavarësisë së disa krahinave, por edhe e vetë Shqipërisë, është e lidhur ngushtë me sakrifkim jetësh njerëzore: dy djem të rinj vetëm nga një derë, nga dera e Butkajve, pa përmendur të afërmit e tjerë po nga kjo derë, që janë aq të shumtë, syri i humbur i Sali Butkës në betejën e Nikolicës, privimet dhe tensionet e pafundme shpirtërore të krejt familjes dhe fisit nëpër vite. Por, sado që mund të ngjajnë të hiperbolizuara si në një film me superheronj, gjithçka është e vërtetë. Liria shqiptare i ka rrënjët në legjendën e Rozafës shekullore: as mund të mendohet dhe të parafytyrohet pa sakrifikimin e njerëzve më të afërt e më të dashur. E ndërsa ky imazh i Sali Butkës tashmë është tepër i njohur dhe familjar për gjithë njerëzit që e duan vendin e tyre, madje jo vetëm vendin e tyre por respektojnë edhe popujt e tjerë veçanërisht fqinjët, është i afërt për njerëzit që e duan lirinë dhe personalitetin e individit, që e duan paqen dhe bashkëjetesën mes popujve, ndërsa mua, pak më vonë, kur botën fillova ta kuptoj dhe ta ndjej më mirë, më erdhi një imazh tjetër i Sali Butkës, një imazh që më habiti dhe më mrekulloi njëkohësisht. Nuk e dija fare se Plaku legjendar i Butkës ishte edhe poet, madje kishte lënë një numër të konsiderueshëm vjershash, të cilat po i paraqiten lexuesit. Cili ishte, pra, imazhi i ri i SaliButkës që më shkrepëtiu në mendje “si nga i madhi Zot”, siç ka shkruar Naim Frashëri?
Krejt rastësisht (rastësia shpesh herë është nënë e mrekullive dhe çudirave), nuk e mbaj mend se ku lexova vargjet e mëposhtme:

Në kohë të pleqërisë,/ më erdhë plagë të rënda,
për shkakun e Shqipërisë,/ që s’u bë si ma kish ënda.

Është me të vërtetë një imazh sa befasues aq dhe tronditës. Një thjeshtësi depërtuese deri në shpirtrat më të ndërlikuar e më të sofstikuar. Po a nuk është arti i vërtetë një thjeshtësi e kulluar? Një humnerë zhgënjimi që të gëlltit brenda dhe s’të lë më mundësi veprimi? Po a nuk është zhgënjimi një mesazh i artit të vërtetë? Një dëshpërim njerëzor deri në kufjtë e vetëvrasjes, një dhembje e dëlirë, e pastër, që shfaqet pa asnjë pozë, pa asnjë pasthirrmë deklamuese nga ato që duan të tërheqin vëmendjen e opinionit dhe t’i thonë atij “shikomë mua sa po vuaj, vetëm për çështjen tuaj”. Një klithmë e thekshme për jetën e një njeriu, të një vendi, të një kombi, jetë që, përfat të keq, ka shkuar kot “është djegur si qiriri”, por e kanë shkelur pa mëshirë, me brutalitet të pashoq “derbederët, mercenarët…”
Imazhi i këtyre vargjeve ka vite që më ndjek. Madje them se jo vetëm mua, por shumicën e shqiptarëve edhe ata që nuk i kanë lexuar dhe nuk e dinë fare se ekzistojnë katër vargje të tillë. Janë vargje që riprodhojnë artistikisht të njëjtën gjendje shpirtërore që provon Shqipëria sot, kur zhgënjimi dhe humbja e shpresës janë ngjyra kryesore e peizazhit hallemadh shqiptar. Aq shumë më pëlqyen këto vargje sa edhe sot e kësaj dite i citoj shpesh me vete për të ilustruar gjendjen time shpirtërore. Jo rrallë ua deklamoj dhe miqve për të ndarë me ata diçka që mua më trondit sa herë e dëgjoj. Disa herë i kam cituar nëpër shkrime dhe ese të ndryshme.
Sali Butka hyri tek unë me këto katër vargje. Deri atëherë as nuk e dija që ai kishte shkruar edhe poezi. Është fat i madh për një poet kur hyn në botën e tjetrit me vargjet më të mirë të tij, sepse e ka më të lehtë komunikimin, por edhe pranimin, e ka të sigurt ngrohtësinë e strehëzës ku troket.
Poeti i Butkës hyri tek unë nga porta kryesore e zemrës dhe jo nga dyert dytësore, apo deriçkat e parëndësishme dhe shpesh herë të rastësishme. Hyri përsëri ashtu siç kishte ardhur vite më parë: luftëtar, gjysmë njeri gjysmëlegjendë, me gjysmën e poezive që vazhdojnë të jenë vazhdim i krismave dhe flakëve të pushkës së tij të paepur, dhe gjysmën tjetër që janë ofshama dhe dhimbje për zhgënjimin e madh dhe të pashoq shqiptar, për “malet e Gramozit që qajnë” dhe “Tomorrin që oshëtin”.
E, ndërsa Sali Butka luftëtar besoj se njihet mirë, çfarë mund të themi për të si poet tani kur kanë kaluar shumë vite dhe historia është paqtuar, ndërsa gjykimi është i ftohtë nga emocionet dhe dobësitë e ndryshme njerëzore, që të bëjnë nganjëherë të gjykosh me anësi?
Jam i sigurt: Sali Butka është po aty, është po ai që ka qenë. Syri i shëndoshë i tij, i cili në të vërtetë shikon sa dhjetëra sy të zakonshëm njerëzorë, vrojton si gjithmonë kufijtë e shenjtë, ndërsa shpirti ofshan përsëri “malet e Gramozit qajnë në moshën e pleqërisë së thellë… ”

Luftëtari Sali Butka
Luftëtari Sali Butka

Sali Butka lindi më 1852, dhe vdiq në Butkë më 1938. Pra, siç vetëkuptohet, veprimtarinë vjershëtore e ka shtrirë në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe në atë që në historinë e letërsisë shqipe njihet me “Letërsia e periudhës së Pavarësisë”. Megjithëse ka një prodhimtari të konsiderueshme vjershëtore, emri i Sali Butkës si poet asnjëherë nuk është përmendur zyrtarisht. Kam parasysh antologjitë që hartoheshin për shkollat, tekstet e letërsisë, të leximeve jashtë klase etj. Them zyrtarisht, sepse në popull, tek lexuesi, sidomos i viseve ku jetoi dhe luftoi poeti për të cilin po flasim, vjershat e tij njiheshin gjerësisht. Shumë prej tyre mësoheshin përmendësh dhe njerëzit i këndonin në gëzime apo trishtime të jetës.
Edhe sot e kësaj dite bëjnë jetë aktive këngë të tilla si “Të erdhi një letër nga një holandez, o Gani medet medet”, “Ke tre vjet në Komitet”, “Qëllimi“, “Abdyl Frashërit”, “Mësimi në çetë” dhe “Një natë dimri” (këngë e shkruar për Hasan Qinamin). Vetë vjershëtori i Butkës i shkruante vjershat në atë mënyrë që ato të kapeshin shpejt, të mësoheshin menjëherë, pa vështirësi, dhe t’u përshtateshin ritmeve muzikore të cilat gjallonin në krahinën e Kolonjës, Korçës, Skraparit, Përmetit, Beratit, Strugës e më gjerë.
I njohur dhe i pëlqyer masivisht në popull, zyrtarisht Sali Butka ishte lënë në harresë të plotë, ishte injoruar, për të mos thënë se ishte mohuar qëllimisht. Po vallë kaq e pasur me emra është letërsia shqipe e viteve të Pavarësisë sa të mohojë emra të tillë si Sali Butka? Përse vetë ne kemi prirjen ta varfërojmë sa më shumë letërsinë tonë, ashtu siç kemi prirjen të zvogëlojmë përmasat e historisë sonë, duke mohuar, dënuar e dëbuar personalitete të shquara, duke u rrekur me mish e shpirt për t’u ngjitur atyre ndonjë bisht apo përbaltje të padenjë, edhe kur shumica e jetës së tyre ka qenë thjesht një jetë për Shqipërinë?
Është vështirë t’i përgjigjesh pyetjes pse u injorua dhe vazhdon të injorohet zyrtarisht Sali Butka. Kushdo mund të mendojë se kur u duhej, apo kur nuk kishin si e fshihnin të vërtetën e bëmave të tij, e dekoronin. Por pas çdo dekorate, të cilën ishin të detyruar ta akordonin, autoritetet shtetërore mbanin gati dajakun. Dhe ky dajak kishte formën e injorimit, mohimit, mënjanimit. Natyrisht, Sali Butka nuk është një poet elitar (në periudhën e letërsisë së Pavarësisë të tillë ka shumë pak). Ai nuk mund të studiohet as për “mrekullitë” artistike, dhe as për “personalitetin” e madh krijues. Por ai është, ekziston, frymëmerr, jep e merr me lexuesin, shumë e dinë përmendesh, një shumicë edhe më e madhe këndojnë me ritmet kolonjare tekstet e tij patriotike, nganjëherë pa e ditur se ato vargje kanë rjedhur nga qenia dhe shpirti i Poetit të Butkës. Mjaft prej tyre kanë vlera të mirëfillta artistike.
Çfarë ka më tepër, fjala vjen, Mihal Grameno, publicistikën e të cilit ne e kemi mësuar nëpër shkolla dhe kemi bërë shumë mirë? Ashtu siç është bërë shumë gabim që na është fshehur, mohuar dhe vjedhur Sali Butka. Për të respektuar të vërtetën dhe historinë duhet të themi se veç përhapjes spontane në popull që ishte për t’u konsideruar, përkundrazi, poezitë e Sali Butkës janë shkruar dhe përmbledhur edhe në një libër të veçantë me titullin “Ndjenja për atdhenë” në vitin 1920, në Korçë nga shtypshkronja Dhori Koti. Bazë e kësaj përmbledhjeje është edhe libri që i japim sot lexuesit. Ndërsa Andrea Varfi ka botuar prej vjershëtorit të Butkës, një libër me poezi të zgjedhura të marra nga libri i mësipërm, por edhe nga shtypi i kohës.
Duke prekur një temë të tillë kaq të ndjeshme dhe që ende plaga nuk i ka zënë kore, (mënjanimin apo mohimin e poetëve) m’u kujtua një ngjarje e fundviteve gjashtëdhjetë gjatë praktikës pedagogjike mësimore në shkollën e mesme të Kuçovës (atëherë Qyteti Stalin). Isha pothuajse në moshën e maturantëve, të cilëve më qëlloi t’u shpjegoja një prozë të Mehmet Shehut, me të cilën fillonte antologjia letrare e maturës. Kur mbarova shpjegimin ose më saktë leximin e pjesshëm, se çfarë mund t’i shpjegoje atij teksti fare të zakonshëm, një djalë i gjatë, i hequr, simpatik, u ngrit dhe pa iu trembur syri fare, tha gati me revoltë: “E çfarë ka ky tekst që hap antologjinë e letërsisë për maturën e shkollave të mesme? Apo e kanë futur në antologji vetëm se autori i tij është kryeministër?!”
Ktheva kokën dhe shikoja nga dritaret peizazhin kuçovar të sterosur nga gazi dhe nafta, që digjej. U interesova për djaloshin, e quanin Shpëtim Gina. Dy-tre vjet më vonë u fol gjatë për talentin e tij si dramaturg (arriti të botojë disa drama, madje, në mos gaboj, ndonjëra mund t’i jetë venë edhe në skenën e Teatrit Popullor (kështu quhej atëherë).
Por behari i lulëzimit të Shpëtim Ginës ishte i shkurtër. Dimri i tmerrshëm e priste me një kosë të pamëshirshme në dorë. Nuk vonoi dhe u përhap lajmi se dramaturgu i ri i talentuar nuk ishte mirë mendërisht dhe ishte mbytur në një nga kanalet e Myzeqesë. Natyrisht, këtë nuk e besuan edhe vetë ata që e kishin përhapur: përkrahësit dhe sponsorizuesit e letërsisë kryeministrore. Edhe atëherë, edhe sot njerëzit mendojnë ndryshe: Shpëtim Ginën e vranë pikërisht ideatorët, përkrahësit dhe sponsorizuesit e letërsisë kryeministrore.
Përse atëherë të mos mendojmë që Sali Butkën vjershëtor e mënjanuan apo mohuan pikërisht këta përkrahës? Ky lloj mënjanimi Sali Butkës nuk i është bërë vetëm në kohën e diktaturës komuniste. Ai ka filluar herët sepse ai ishte qemalist (mbështetës i Ismail Qemalit), fanolist dhe antimonarkist. I lidhur ngushtë me atë që ndodhte në botë, poetit nga Butka i vinte rregullisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gazeta “Republika” në të cilën ishte abonuar. Mjaftoi ky fakt i thjeshtë që në një shkresë ndalimi drejtuar Zogut nga ministri i brendshëm i asaj kohe për të gjithë ata që lexonin këtë gazetë, emri i Sali Butkës të ishte në krye. Ndërsa kur poeti Lasgush Poradeci, shkroi në vitin 1938, një nekrologji për vdekjen e poetit të Gramozit, gazeta “Drita” e kohës ia refuzoi shkrimin me arsyen se luftëtari dhe poeti Sali Butka ishte kundërshtar i mbretit Zog.
E pra, hallet, ndalimet, privimet, mohimet dhe mënjanimet e poetëve janë shumë të lashta dhe gjithmonë të zymta, të errëta si një hapsanë.

Sali Butka - Përfaqësues në Kongresin e Lushnjes (1920)
Sali Butka – Përfaqësues në Kongresin e Lushnjes (1920)

2.
Nuk është e vështirë të dallosh shqetësimin poetik të Sali Butkës, të identifkosh rrënjët e tij poetike, frymëzimin dhe tokën mbi të cilën ka hedhur rrënjë dhe ka rritur shtatin muza e tij poetike. I rritur në një familje dhe mjedis të lidhur ngushtë me Shqipërinë, hallet dhe problemet e saj, gëzimet dhe hidhërimet, shpresat dhe zhgënjimet, lotët dhe gëzimet, dasmat dhe vdekjet, fitoret dhe disfatat, Sali Butka qesh dhe qan bashkë me Shqipërinë, lind dhe vdes bashkë me të. Poezia e tij nga fillimi në fund ka vetëm një kryefjalë: Shqipërinë, atdheun të cilin jo rrallë herë e quan edhe mëmëdhe, shqiptarët, Kosovën e Çamërinë, por dhe vendlindjen, Kolonjën.
Rrallë gjen një vjershëtor t’i këndojë kështu vendit të vet, popullit të vet. Ky burrë që prej kohësh jeton në kufjtë e legjendës për trimërinë dhe sakrifcat që ka bërë për lirinë dhe mbrojtjen e tërësisë tokësore shqiptare, përpara Shqipërisë ndjehet një fëmijë i pafuqishëm, një burrë i dorëzuar pa kushte, pa rezistencën dhe lëkundjen më të vogël. Ai që nuk u dha kurrë para breshërisë së plumbave, nuk u dorëzua para dhembjes, kur pa dy djemtë e tij shtrirë pa jetë nga plumbat e armiqve, që nuk nxori asnjë tingull ankimi kur i operuan pa narkozë në Bari (e kërkoi vetë) syrin e dëmtuar nga një plumb në Betejën e Nikolicës, është gati të kthehet në një qenie delikate dhe të pambrojtur para bukurisë së vendlindjes, është gati të “digjet për bukurinë”:

Burime, ju vijmë pranë/ në të mira e në të liga;
neve dhembjen për vatanë/ dhe ju lotët pika – pika.
(Burimet)

Cila antologji poezie do t’i rezistonte për ta përfshirë në gjirin e saj këtë strofë të kësaj vjershe?

Ujët që ju del nga shpirti/ nuk të ftoh, po të ndez gjinë;
të digjesh për bukurinë,/ të shkrihesh për Shqipërinë.

“Të digjesh për bukurinë…” Kush nuk do ta kishte zili këtë varg? Kush do të mbetej i ftohtë dhe i paprekur nga imazhi që të zgjon ky varg? Naimi thotë “do të shtritem/ të venitem/ si kandili kur s’ka vaj”. Butka është më i prerë: do të digjem… Jo vetëm kaq. Nuk mjafton vetëm djegia. Në mënyrë paradoksale djegia shkaktohet nga uji, uji brisk i ftohtë i Gramozit, siç thonë nga ato anë. Nga uji që përdoret për të shuar zjarrin. Por poezia e Sali Butkës e përdor atë për të ndezur zjarrin në gji. Butka që na ka habitur me bëmat e tij prej luftëtari, tani na habit me imazhet e befta poetike:

Ujët që ju del nga shpirti/ nuk të ftoh, po të ndez gjinë:

Aq e fortë është lidhja e Sali Butkës poet me Shqipërinë, vendlindjen, atdheun ose mëmëdheun (i përdor të dyja format, si për të na treguar se vetëm “atdheu” apo vetëm “mëmëdheu” nuk e nxë dashurinë e tij për Shqipërinë), sa pothuajse në çdo vjershë kryefjalë mbetet nga fllimi në fund Shqipëria, mëmëdheu ose atdheu. Një statistikë domethënëse. I shtyrë nga kureshtja numërova se në vjershat e këtij libri, Sali Butka përdor 103 herë fjalën “Shqipëri”, 32 herë fjalën “shqiptarë”, 29 herë fjalën “kolonjarë”, 64 herë fjalën “atdhe” ose “mëmëdhe”.
A nuk tregojnë këto statistika që mund t’i verifkojë kush të dojë se në zemrën e Sali Butkës poet rrihte vetëm Shqipëria, se zemra e tij rrihte vetëm për Shqipërinë?

“Për lirinë, për lirinë,/ Lum kush vdes për Shqipërinë!”
(Lirija)

Ceta e Sali Butkës
Ceta e Sali Butkës

3.
Nganjëherë më duket se Sali Butka luftëtar i bie në qafë Sali Butkës poet. Duket sikur i pari përpiqet ta zbehë apo ndoshta ta lërë edhe në harrim të dytin. Natyrisht, pushka e Sali Butkës flakëriti aq shumë sa iu tregoi edhe miqve dhe armiqve, por edhe atyre që nuk shihnin mire apo që nuk donin të shihnin, se kush ishte Shqipëria dhe shqiptari, se kush ishin trojet dhe kufjtë shqiptarë. Por dihet edhe një diçka tjetër, saga heroike e Sali Butkës do të ishte më e varfër pa ditarin poetik. Them “ditarin poetik”, sepse kushdo i lexon këto poezi, kupton se ato janë shkruar pas betejave. E shtëna e pushkës është pasuar menjëherë nga e shtëna e penës. Të dyja janë të lidhura aq ngushtë, sa do të ndjeheshin keq pa njëra tjetrën.
Poezia është ditari i jetës dhe betejave të Sali Butkës. Por është edhe një pjesë e mirë e historisë sonë, e ngjarjeve kryesore të saj, e heronjve dhe personaliteteve historikë të saj. Kur u bë Shqipëria, u shkëput nga Turqia dhe u kthye nga Perëndimi, Sali Butka ringjall Abdyl Frashërin:

“Ngehu, Abdyl Bej Frashëri/ Se t’u mbarua qëllimi/ Hidh sytë nga Perëndimi”

Bajo Topulli, themelues i Komitetit të fshehtë në Manastir “Për lirinë e Shqipërisë” anëtar i të cilit ishte edhe Sali Butka, na flet nga poezia “Bajo Topulli” për historinë. Sali Butka poet nuk mund të heshtëte për asnjë ngjarje që lidhej me historinë dhe fatin e Shqipërisë. Në këto beteja, ranë qindra dëshmorë, të cilëve u këndon Sali Butka, për t’i bërë të pavdekshëm, si “Trimit Spiro Ballkameni, Gani Butkës, Jake Panaritit, Nasi Spiro Qafëzezit, Nuçi Trebickës, Qazim Panaritit, Iljaz Butkës e të tjerë, që “u ndrittë shpirti dhe varri”.
Të gjitha ngjarjet kryesore të Shqipërisë kalojnë në vjershat e Butkës si në një ekran. Përballimi i ushtrisë turke të Xhavit Pashës në frontin e lumit Vjosa (vjershat “Vlorës”, “Yjet e Shqipërisë”, “Ismail Qemalit” etj). Lufta për të mbrojtur kufjtë nga ushtritë greke: vjershat “Mbreti i Greqisë”, “Lufta e Qesarakës”, “Qaf’e Martës” dhe veçanërisht “Një përmendore” kushtuar betejës së Nikolicës, një nga betejat më të njohura ku luftëtari poet humbi njërin sy, të cilin e operoi pa narkozë në Bari, për të rrëfyer qëndresën e shqiptarit. Aq jehonë ka bërë kjo ngjarje sa tani ka kaluar në një bëmë që tregohet kudo dhe sa më shumë tregohet aq më tepër kërkohet, sa më shumë vjetërohet, aq më shumë rinohet. Ndodh që edhe ata që e tregojnë të shtojnë pa të keq diçka nga vetja. Kështu ndodh me ngjarje të cilat tejkalojnë protagonistin, fshatin apo krahinën ku kanë ndodhur dhe bëhen pronë e të gjithëve, e gjithë vendit.
Ngjarjet e mëvonshme në kohën e Princ Vidit, të Luftës së Parë Botërore, Republika e Korçës, Kongresi i Lushnjës, Lufta e Vlorës, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, Çamëria, Kosova apo gjithçka që vijoi pas viteve ’20 në Shqipëri kalojnë nëpër skanerin poetik të Butkës, ashtu siç kanë ndodhur, ashtu siç kanë qenë. Ato janë ndjerë nga një zemër që rrihte vetëm për Shqipërinë, janë mbrojtur nga një pushkë që qëllonte vetëm në emër të Shqipërisë dhe janë kënduar nga një shpirt i kulluar shqiptar.
Krahas përpjekjes poetike për të shënjuar ngjarje historike, shohim qartazi edhe portretizimin e personaliteteve historike, botën e tyre të brendshme, arritjet, zhgënjimet, gëzimet dhe hidhërimet, të shkrira edhe me ndjesitë e vetë poetit.

Fjal’e tij, fjal’e një plaku,/ Zemr’ e tij si zemër djali.
Na u ngroh dhe na u ndez gjaku,/ për mendimet që na fali.
(Dhëmbje)

Si çdo poet, edhe Sali Butka e ndien dhimbjen dhe gëzimin e krijimit poetik dhe të këngës, nga marrin jetë vjershat e tij:

Ç’është o ç’është këngë e shkretë:/ është gaz e është dehje,
është duf nga zemra vetë,/ është dhëmbje, është prehje.
(Ç’është kënga)

Ja sesi në dy vargje bën portretin e Shahin Kolonjës, si rilindës, si pionier i shtypit shqiptar:

Ësht’i gjallë Shahin Kolonja,/ i derdhur në ato shkronja…

Poeti e përfytyron pavdekësinë jo në bronx, por të derdhur nëpër shkronja, një imazh i papërsëritshëm në letërsinë shqipe.
Ndërkohë që në poezinë e Sali Butkës, gjejmë, krahas epikës, edhe ndjeshmërinë lirike, krahas bukurisë njerëzore edhe bukurinë e natyrës, veçanërisht tek vjershat: “Në mëngjes dola pa gdhirë”, “Dit’e verës”, “Frashërit”, “Fshati im”, “Kolonj’e bukur Kolonjë” etj.
Nuk e di pse në mbyllje të këtyre shënimeve m’u kujtuan fjalët e Luigj Gurakuqit kur e vizitoi bashkë me Mihal Gramenon Sali Butkën në spitalin e Barit, pas operimit të syrit të dëmtuar në Betejën e Nikolicës. Bejtes së Gurakuqit “ku je lulja në lëndinë”, butkalliu iu përgjigj po me bejte: “Nuk jam lulja në lëndinë/ po guri në rrokullimë!”.
Nuk ishte frika nga vdekja. Ishte pezmi se kishte mbetur pa njërin sy që i duhej aq shumë për pushkën, por edhe për penën. Edhe pse mbeti me një sy, ai deri në fund të jetës pa aq qartë sa nuk shikojnë as ata që kanë sy shqiponje, siç thuhet. Sepse pa dhe ndjeu vetëm Shqipërinë, pa dhe ndjeu në emër të saj.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.