back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Sampistat e Kadaresë nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci 2014
Ilir Seci 2014

Sampistat e Kadaresë

nga Ilir Seci

Në vazhdën e një fushate që ka ndërmarrë prej vitesh, për ta shitur veten si disident dhe viktimë të regjimit enverist, Ismail Kadare, shumë here “ka nxjerrë sytë duke dashur të vërë vetullat.”
Në një interviste të kohëve të fundit, dhënë një medie gjermane, shkrimtari Ismail Kadare, deklaronte se “regjimi diktatorial ia kishte bërë gati arkivolin…”, deklarim ky që shënonte një tjetër rekord mashtrimi edhe për vetë Kadarenë si krijues. Mashtrim, sepse një njeriu si Kadare, të zgjedhur dy herë deputet i Kuvendit Diktatorial dhe Nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqiperise, (zëvendës i Nexhmije Hoxhës domethënë), diktatura komuniste arkivolin mund t’ia bënte gati vetëm mbi një shtrat topi!
Po Kadare edhe pse ka kaluar të tetedhjetat nuk është se vuan nga seniliteti dhe po flet “mbarë-eprapë”. Kadare në këto vite jetë që i kane mbetur, po vazhdon përpjekjet për të retushuar të shkuarën e vet, po përpiqet të fotoshopojë faktet. Mirëpo mosha e madhe si dhe “Koha e Pamjaftueshme”, jo rrallë e bëjnë të humbasë fillin e mashtrimeve e të harrojë ato se çka thënë. Njëherë del e thotë se “Fishtën, Konicën dhe Koliqin i shau sepse donte që t’i përmendte”, herën tjetër thotë se “diktatura më ka përgjuar”, tani thotë si “ia kishin bërë arkivolin gati…”. Siç dihet mashtrimi dhe e pavërteta janë si puna e atij jorganit proverbial që “kur të mbulon kokën të zbulon këmbët”. Kështu edhe Malua i Enverit, nga nxitimi i fotoshopimit të së shkuarës ngatërron fillin e mashtrimeve.
Mbas intervistes së Kadaresë dhënë medies gjermane, publiçisti Ilir Demaliaj postoi në FB një letër që Ismail Kadare ia kishte dërguar Enver Hoxhës, letër ku shkrimtari i oborrit, Ismail Kadare i jepte të mynxët motrës së vet, motrës nga nëna dhe babai. Letra ishte origjinale, Kadare nuk e mohoi dot këtë letër, pra ishte e vërtetë. Ajo që më së shumti të bën përshtypje, është fakti se menjëherë mbas publikimit të kësaj letre, u angazhuan falangat e sampistëve të Malo Kadaresë që me një “yxhym” prej jeniçerësh nisën anatemimin e Ilir Demaliajt, vetëm pse tregoi një të vërtetë. Interesant kjo puna jonë, ka shumë mundësi që ne shqiptarët të jemi i vetmi popull në botë që nuk pëlqen të vërtetën! Shumë njerëz mbyllin syre para së vërtetës dhe me zellin e lakuriqëve të nates nxitojnë të gjejnë prehje në terrin e guvave të mashtrimit. E metë historike kjo për fat të keq, por një e vërtetë e hidhur. Përgjithësisht, në një përqindje të lartë si popull, i shmangen ballafaqimit me dritën e së vërtetës dhe po ndodhi që të ballafaqohen me të, mbyllin sytë që u lëbyren para shkëlqimit të saj. E metë kjo e manifestuar sa herë në këtë shekull mbas pavarësisë, që me ndjekësit dumbabistë të Haxhi Qamilit, me turmat e ndërkryera që shembën kishat e xhamiat deri te ndjekësit dumbabistë të “Vullnetarë të Enverit” në shkurt 1991… Sepse ata e urrejnë dritën e së vërtetës dhe adhurojnë terrin e mashtrimit. Për falangat e sampistëve të Malos, idhulli i tyre mund të mashtrojë sa t’i doje qejfi, asnjë problem nuk ka, madje gojëhapur admirojnë bufonatat e tij, gëlojne nga shendi si një fëmijë në cirk. Nëse dikush u tregon të vërtetën hidhërohen e kërcejnë përpjetë të pezmatuar m’u si ai fëmija që pezmatohet kur i tregojnë se pelivanët e cirkut janë të lidhur me litarë.
.
Letra e Kadaresë Drejtuar Hoxhës
Letra e Kadaresë Drejtuar Hoxhës

 Sampistët e Kadaresë janë falanga anonimësh që e kanë bindur veten se bëhen të vlefshem për shoqërinë duke i thurur lavde Malo Kadaresë. Mendojne se fuqizohen duke u bërë zero të shtuara mbas Njëshit – Malo. Ironia është se shumica syresh janë anonimë të dyfishtë, nuk i njeh publiku i gjerë dhe nuk i njeh as idhulli i tyre. Por të brumosur me idhujtarizëm ata nuk janë mësuar ndonjëherë që të vënë në diskutim ndonjë autoritet. Kjo është tragjike sepse një shoqëri e lirë, të parën gjë, alfën e qenësisë së vet ka pikërisht vënien në diskutim të çdo autoriteti. Dallimi themelor mes shoqërive të lira dhe atyre të nënshtruara nis pikërisht nga vënia në diskutim e çdo autoriteti. Treguesi i parë ky. Treguesi i dytë po aq i rëndësishëm është etja për të vërtetën. Shoqëritë e lira e duan të vërtetën! Edhe në këtë tregues shoqëria shqiptare dështon në testin e lirisë sepse siç e kemi përjetuar sa herë, shoqëria shqiptare e shmang të vërtetën. Prova më bindëse është reagimi i falangave Maloiste mbas publikimit të letrës nga ana e publiçistit Ilir Demaliaj.

Letra ishte fakt, provë, Malo Kadare vetë nuk e mohoi dot dhe në vend që të merreshin me faktin… i bishtnuan së vërtetës duke thënë:
“Pse e nxori pikërisht tani atë letër Ilir Demaliaj?!”, “Ku e ka hallin Ilir Demaliaj?!”, “Kush e shtyu Ilir Demaliajn?”, etj, duke mbushur portalet me folklor konspirativ, pse dhe tek. Këtyre konsipirativëve artizanalë, nuk ua pranon ndërgjegjia arsyen e thjeshtë pse Ilir Demaliaj e publikoi atë letër. Mbasi Ismail Kadare i deklaroi medias gjermane se “diktatura ia kishte bërë gati arkivolin”, i neveritur me këtë sagë mashtrimesh nga ana e shkrimtarit të oborrit, Demaliaj ia publikoi faktin se nuk është ashtu. Dhe shumë mirë bëri… Sepse në intervistën mbas publikimit të letrës, Malo Kadare u mbrojt se e shkroi atë letër “për të shpëtuar të motrën”. Në qoftë se Kadare e paska shkruar atë letër si thotë ai, për të shpëtuar të motrën, atëherë me të drejtë lind pyetja:
“Me çfarë pushteti, arriti Malua që të shpëtojë të motrën?!” Po ai Ismail Kadare që në mediet gjermane deklaron se “diktatura ia kishte bërë gati arkivolin”, mbas publikimit të letrës dërguar Enverit thotë se “arriti të shpëtojë të motrën” me anë të asaj letre?!. Nga një njeri të cilit “regjimi ia kishte përgatitur arkivolin”, Malua tani na doli si shpëtimtar i së motrës!?
Kundërthënie quhet kjo apo jo!? Të ziut Malo jorgani proverbial i mashtrimeve ia nxori prapë këmbët jashtë. Tashmë nuk mban dot as fillin e mashtrimeve që hedh në qarkullim…
.
Shkrimtari Ismail Kadare
Shkrimtari Ismail Kadare

 ***

Shumë nga truprojat, (badigardët letrarë) të Malo Kadaresë, nga ata që thirrur nën armë apo ata të vetërreshtuar vullnetarisht, pa i thirrur kush, sa herë që diskutohet idhulli i tyre, u këlthasin atyre që diskutojne autoritetin e Malos: “Kush jeni ju që të flisni për Kadarenë!?”, “Ju jeni xhelozë se ai është i famshëm!”, deri edhe në dalldi të tipit: “Ata që kritikojnë Kadarenë janë antikombëtarë!?”.
Kjo mënyrë diskutimi është tipike për mendësinë e një idhujtari.
Zotërinj Sampistë!
Ne nuk jemi xhelozë për famën e Ismail Kadaresë, as “antikombëtarë” s’jemi sepse kombi nuk identifikohet me asnjë individ të gjallë. Ne thjesht refuzojmë Gënjeshtrat dhe Mashtrimet. Refuzojmë mashtrimin e kujdo, “të madhi” apo “të vogli”.
Kadare është shkrimtar i njohur tashmë me një korpus veprash që i kanë dhënë emër. Kështu që Kadare nuk diskutohet si shkrimtar, vepra e tij ashtu si e çdo shkrimtari tjetër ka fatin e vet të pavarur nga autori. Kadare nesër ndërron jetë, por vepra e tij mbetet, ne sot nëpër iPhone lexojmë Homerin dhe Virgjilin. Veprën e tij ashtu si të çdo shkrimtari tjetër njeriu mundet ta pëlqejë ose të mos e pëlqejë, krejt normale kjo, sepse shijet janë individuale dhe krejtësisht subjektive, asnjëherë të imponueshme në një shoqëri të lirë. Por pikërisht në një shoqëri të lirë është edhe e drejtë elementare diskutimi i çdo autoriteti. Në rastin e Malos diskutohet autoriteti i tij moral, autoritet që ai ka 27 vjet që përpiqet ta restaurojë mbas ndërrimit të sistemit jo përmes veprave po përmes mashtrimeve. Me përmbysjen e sistemit, u vu në peshore edhe autoriteti moral i Kadaresë si shërbëtor i atij regjimi. Kaq e thjeshtë. Le të përpiqet sa të dojë vetë Malua dhe krejt zulma e truprojave dhe sampisteve të tij të ftuar apo vullnetarë që t’ia ringrenë atë bust. Kot e kanë, busti moral i Kadaresë si shërbëtor i diktaturës është rrezuar bashkë me rrëzimin e sistemit. Për veprën, ndryshon puna, si e thamë edhe më sipër vepra ka jetën dhe fatin e vet, të pavarur nga autori i saj.
Gusht 2017

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.