back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

“Santa Semplicita!” – nga Fatos Lubonja

Gazeta

Fatos Lubonja
Fatos Lubonja

“Santa Semplicita!”

nga Fatos Lubonja

Jan Husi, teksa e ngjisnin mbi turrën e druve për ta djegur të gjallë, pasi e kishin zhveshur dhe i kishin hedhur rrobat në zjarr, pa një grua plakë që u afrua me një shkarpë në dorë për të dhënë edhe ajo kontributin e saj në turrën e druve dhe tha fjalët e famshme që kanë mbetur në histori: “O Santa Semplicita!”
Guximi i këtij heretiku të famshëm për të bërë humor edhe përpara turrës së druve, më ndihmoi edhe mua për ta marrë me të qeshur faktin se ndaj një shkrimi tim të botuar në Panorama, ku shpreh habinë, pikëpyetjet dhe ftoj për reflektim mbi histerinë kolektive që nxitën mediat me rastin e vdekjes së Vaçe Zelës (që kulmoi me varrimin butaforik që i organizoi Kryeministri dhe Ministrja e Kulturës), Gazeta Shqiptare, në vend të reflektimit, më fton me një shkrim të botuar në faqe të parë, të vras veten me plumb ose me litar dhe më siguron se në funeralin tim do të vijë vetë autorja e “ftesës”, këngëtarja Aurela Gaçe të këndojë këngën “Vare veten me litar… o Dino.”
“Santa Semplicita!”, Aurela!
“Santa Semplicita!”, Gazeta Shqiptare!
Gjendja është e rëndë, miq, shumë e rëndë. Më thonë, pasaj, pse ke shkruar se mënyra se si u qa dhe u përcoll Vaçja ishte një histeri kolektive që më shumë sesa për respekt, reflektim e dhimbje ndaj të vdekurit fliste për një debilizim të shoqërisë. Po a ka provë më bindëse se këta vajtonjës dhe vajtojca të shpërfytyruar. Tjetri shkruan se kjo histori kërkon një reflektim mbi atë se “sa” dhe “si” jemi ndarë ne me diktaturën, se nuk i pëlqejnë këngët e asaj kohe për një, dy, tre arsye, duke futur edhe atë që sot duhet të ishte bërë pjesë e ligjit: – pasi glorifikojnë një sistem kriminal që ka shkatërruar jetën e një populli të tërë, – e këta, që paradoksalisht janë vetë pjesë e këtij populli të shkatërruar, por në fakt pikërisht për këtë, pasi të thonë se ti je “i lik”, “i marrë”, “antishqiptar”, “i paguar nga serbi”, “greku”, se “duhet të kishe hyrë në burg që në 68-tën”, e të tjera si këto, nuk të lenë alternativë tjetër veçse të zgjedhësh mënyrën se si të vrasësh veten: me plumb apo me litar.
“Santa semplicita!” – çfarë gazetarie!
E përsëris, i inspiruar nga ai fatkeqi i madh mbi turrën e druve po e marr me të qeshur se, në fakt, kjo është për të qarë dhe, altro che “santa”, kjo është e frikëshme, kriminale. Këto janë shenja të rënda jo debilizimi, por dehumanizimi e kanibalizimi të shoqërisë. Në një vend normal të shtysh njerëzit në vetvrasje, qoftë edhe indirekt e jo më direkt, siç e bëjnë këta, mund të denoncohesh dhe dënohesh, kurse këtu s’e kanë për gjë të të nxjerrin thirrjen për vetëvrasje në faqet e para të gazetave. Dhe pastaj pyesim se nga dalin biznesmenët që paguajnë sinanajt për t’u venë tritol konkurentëve.
Por mos të kenë merak as Aurela as ata që botojnë e shpërndajnë shkrime si ai i saj se s’kam ndërmend t’i hedh në gjyq. Ne e dimë ku jetojmë apo jo. Kjo është një komedi e madhe që askush nuk e merr seriozisht, as vetë kryekomediani i rradhës, e jo më prokurorët tanë. Prandaj, meqënëse më kanë lënë kohë të zgjedh midis plumbit dhe litarit, po e shfrytëzoj kohën e zgjidhjes së kësaj dileme hamletiane “me plumb apo me litar/ kjo është çështja” për të reflektur edhe ca mbi këtë fenomen.

Djegia e heretikut Jan Husi - 1563
Djegia e heretikut Jan Husi – 1563

***
E para gjë që dua të them është një falenderim pasi më bënë një nder se më kujtuan një histori të lezeçme me një gardian burgu që e kisha harruar. Në fakt ma kujtoi një bashkëvuajtës që kishte lexuar edhe ai, i çmeritur, titujt e Shqiptares dhe më tha: “A të kujtohet historia e Gjin Zefit me altoparlantin në Spaç? Këta janë më keq se Gjini!”
Po jua tregoj historin e Gjinit. Siç e kam thënë edhe në shkrimin “Valsi i Lumturisë” të burgosurit kishin brenda kampit altoparlanët që s’pushonin gjithë ditën me të cilët dëgjonin me përdhunë Radio Tiranën, (edhe këngët e Vaçes) sepse ky dëgjim bënte pjesë në procesin e riedukimit dmth. të vuajtjes. Sipas këtyre vajtonjësve edhe Vaçja ka vuajtur, teksa i këndonte, pasi këto këngë qenë “zgjedha” e saj jo “zgjedhja” e saj. E them edhe unë që kanë qenë zgjedhë, por problemi është se s’më rezulton as t’ia shoh shenjat e vuajtjes në filmimet e interpretimeve e asaj kohe dhe as që ta ketë shprehur këtë vuajtje kur mbaroi regjimi, përkundrazi shoh që ne vazhdojmë të mburremi me ato këngë e t’i mburrim. Nejse, kthehemi tek Gjini. Një ditë në kamp ndodhi një gjë e pazakontë. Ushtari që ishte në qendrën e zërit, kushedi se për çfarë gabimi, kishte luajtur sumbullën e radios dhe altoparlanti filloi të fliste në gjuhë të huaj. Në fakt ishte Radio Tirana në gjuhë të huaj. Të burgosurit u mblodhën për të dëgjuar. Dhe e dini se ç’bëri Gjini për ta ndaluar sa më shpjet këtë infiltrim të armikut në rradhët tona: meqënëse nuk e arrinte dot altoparlantin, mori një bisht lopate dhe filloi t’i bjerë me forcë derisa e bëri copë dhe ky pushoi.
Atëhere ne ngritëm edhe pyetjen se pse e bëri Gjini këtë, – përveç faktit që ishte gdhë, kuptohet – nga frika e papërballueshme se mos i thonin “po ti ç’bëre?” apo nga besnikëria e papërballueshme ndaj Partisë. Është pyetje që s’ka përgjigje të lehtë. Ashtu sikurse s’kanë përgjigje të lehtë as pyetjet që ngre sot edhe unë për këtë histeri. Jo për atë pse shumë njerëz pëlqejnë këngët e Vaçes, sepse këtë e kam më të lehtë ta kuptoj, dhe as i fajësoj për këtë, por për atë që s’e kuptoj dot tamam se pse, edhe pas mëse njëzet vjetësh demokraci, s’kanë as kuriozitetin më të vogël të dëgjojnë se ç’thotë një gjuhë e ndryshme nga e tyrja dhe, ç’është më e keqja, pse marrin kopaçen dhe godasin për ta vrarë atë që flet një gjuhë tjetër? Një përgjigje për një kategori syresh ta jep edhe mirëkuptimi i Jan Husit për plakën e shkretë: “Santa semplicita!”; “Falua zot se s’dinë se ç’bëjnë!” – ka thënë edhe inspiruesi i tij i parë. Por nuk jam i sigurt se të gjithë vajtonjësit dhe vajtojcat që pamë në skenë dhe prapa skenës janë kaq shenjtërisht të thjeshtë. Ka nga ata që e shpërndanë me gaz autodafenë kundër meje të Shqiptares që i kanë thënë derrit dajë dhe dajës derr, sipas thirrjeve të kuletës jo të zemrës, aq shpesh, sa s’mund të mendohet se kanë një ide të vetme tek e cila besojnë verbërisht dhe dëshpërimisht, përkundrazi që e lenë trurin bosh, pa asnjë ide, kastile që ta mbushin pastaj, sëbashku me kuletën, me çdo lloj bajge, për ta derdhur pastaj, sipas kërkesave të padronit të rradhës, në gazetat WC të tyre.

***
Të gjesh arsyet e këtij lloj reagimi, pra, është një punë më e ngatërruar sesa gjetja e Jan Husit teksa ngjitej mbi turrën e druve. Unë po vazhoj si altoparlanti i Gjinit, që u çmend e filloi të flasë në gjuhë të huaj, të përpiqem të them aq sa kuptoj, edhe ngaqë jam i bindur se ka shumë shqiptarë që e njohin gjuhën që flas, dhe, ashtu si unë, kërkojnë një kuptim. Dhe ky kuptim nuk ka të bëjë me të kaluarën. Ka të bëjë dëshpërimisht me të tashmen e kësaj shoqërie. Është kuptimi që kërkonte një lexuese e shkrimi tim që më shkruante: “Po si shpjegohet mor zoti Lubonja që edhe sot ne rrimë gjithë kohën duke rrotulluar “sumbullën e radios” për të kapur stacionet e botës, sepse këta tanët janë vulgarë e bajatë? Apo përsëri e ka fajin Enveri?… kur do të pushojmë së fajësuari 50 vjetët e Enverit…!”
Sipas meje ky “vulgaritet” dhe “bajatllëk” i sotëm kanë edhe faktorë që lidhen me të tashmen: psh. me trushpëlarjen që bën edhe konsumizmi për interesat e tij, por problemi në thelb nuk qëndron tek boja e trushpëlarjes, por tek truri i ndërtuar jo për të menduar e prodhur mendim kritik, por për t’u shpëlarë e lyer me bojë. Dhe ky tru, sipas meje, vazhdon të ndërtohet sipas modelit të asaj kulture prandaj dhe vulgariteti, edhe kur e gjejmë të ndryshëm në bojë tani në kapitalizëm, rrënjët i ka në kulturën e bojës të kohës së Enverit. Ai është i lidhur fort edhe me faktin se pushteti politik dhe kuluror që dominon sot buron prej asaj kohe, jo thjesht si trashëgimi biologjike, por si trashëgimi e të njëjtit model kulturor. Madje pikëpyetjet e mija lidhur me histerinë e varrimeve si ai i Vaçes më ndihmon t’i kuptoj pikërisht varrimi i Enver Hoxhës. E kam fjalën për faktin se ka shumë që dëshmojnë sot se në atë varrim kishte shumë që qanin dhe nuk e dinin pse qanin; apo se qanin edhe ata që thellë thellë e urrenin. Po pse qanin atëhere? Sipas shpjegimit që i jap unë – nuk pretendoj assesi se po jap shpjegimin e vetëm të mundshëm e shterrues – kjo ndodhte për shkak të trushpëlarjes. Pra, sepse ai “tjetri” që kishte ngjizur brenda njerëzve trushpëlarja (e ndihmuar nga frika, sigurisht) ishte bërë pjesë organike e njeriut, ishte bërë më i madh sesa vetë uni i vërtetë që qëndronte i strukur diku e nuk i lejohej as të zhvillohej e as të shprehej publikisht dhe kështu, tek një pjesë jo e vogël, ishte atrofizuar e zhdukur krejt. Pra, qante maska e lyer me bojë në fakt, por maska ishin vetë ata.
Problemi është: mirë se të vjetërve u qan maska që kanë veshur që në atë kohë e që nuk e zhveshin dot, po pse qajnë të rinjtë atëhere. Sepse pushteti politik dhe kulturor, që jo rastësisht e kanë në dorë të njëjtët njerëz që kanë krijuar në atë kohë, vazhdon të prodhojë tek të rinjtë shqiptarë tjetrin/ maskën sipas kallëpit të vjetër me metodën e ndërtimit të një truri që s’është i aftë të prodhojë bojë, por vetëm të lyhet me bojë. Njerëzit vazhdojnë të manipulohen që të adhurojnë punën dhe kujtimin e baballarëve të djeshëm kulturorë pasi kjo konsolidon pushtetin e tyre të sotëm. Këtë e ndihmon edhe fakti se, sipas kallëpit tonë kulturor, identifkimi me familjen vazhdon të jetë shumë herë më i rëndësishëm – dhe më i lehtë – në shoqërinë tonë sesa krijimi i individualitetit dhe personalitet – dhe shumë nga të rintë që shkruajnë sot e kanë nga një të afërm nga ajo armatë e soc- realizmit të asaj kohe. Ilustrimi më i mirë i kësaj që po them është kryekomediani i kësaj butaforije, Edi Rama, dora vetë! Mjaft t’ju kujtoj se në vitet ‘90, atëhere kur ishim të gjithë pak më të vërtetë, apo kishim mundësi të bëheshim të tillë, pasi ende të patjetërsuar keqas nga pushteti dhe paraja, ai tallej me veprat e shkrimtarëve dhe artistëve të kohës së komunizmit (duke përfshirë edhe Kristaqin); mjaft t’ju kujtoj se një herë e një kohë, kur sapo kishte ardhur në pushtet, u tall me brekët e një aktoreje “të madhe” aq sa iu vërsulën ta hanë nostalgjikët inkoshientë të komunizmit. Pastaj ç’ndodhi? Duke parë se këta ishin shumica dhe se këta i duheshin për votë, ky tipi, mori maskën dhe u vu në krye të tyre. Këtë bojë maske duan këta, me këtë bojë po e lyej edhe unë trurin. Ja pse them se kuptimi i kësaj ceremonie e tejkalon thënien e Husit: “Santa semplicita!”. Në këtë histori ka ca që janë të shenjtë dhe ca që janë më të shenjtë se të tjerët e që, prandaj, u lejohet çdo lloj profanimi; ca që të vrasin se besojnë vërtet se je heretik dhe ca që të vrasin si heretik që të sundojnë të patrazuar mbi turmat syleshe.
Dhe kështu arrijmë e organizojmë varrime groteske si ai i Vaçes (apo edhe si ai i Sokol Olldashit), që për mua janë një lloj karnavaleje e kthyer për së mbrapshti. Në ç’kuptim? Në kuptimin se në karnavale njerëzit veshin maska për të mos u njohur dhe në këtë mënyrë i lejojnë vetes të shprehin vetvehten e fshehtë, atë që kanë turp nga të tjerët ta shprehin kur janë fytyrëzbuluar. Kurse në këto varrime njerëzit zhveshin edhe atë pak vete të veçantë që kanë (ata që u ka mbetur kjo e kam fjalën) dhe vishen njëlloj, me maskën që i bën identik me të tjerët, që të mos ndjehen jashtë, dhe qajnë njëzëri për diçka për të cilën ajo vetja e fshehtë as që do t’ia dijë fare. Dhe kur del ndonjëri që thotë se kjo është hipokrizi, se i ndjeri apo e ndjera s’ka qenë aq të mirë dhe ju që qani nuk jeni të sinqertë – bëhen keq dhe nuk ia falin që ka guxuar e ka ardhur në varrim pa maskë.

Vaçe Zela (1939-2014)
Vaçe Zela (1939-2014)

***
Por përsëri pyetja mbetet: si shpjegohet qe edhe sot ne rrimë gjithë kohën duke rrotulluar “sumbullën e radios” për të kapur stacionet e botës sepse këto tonat janë vulgare e bajate?
Po jap edhe mendimin e një lexuesja të mençur që më shkruante:
“Unë kam ndjekur edhe ca intervista të Vaçes që kanë qarkulluar prej kohësh në Internet. Më bën përshtypje (ose më mirë nuk ka pse të më bëjë përshtypje) që nuk mund të gjendet aty asgjë tjetër – fare fare asgjë tjeter – përveç banalitet (psh.: malli për popullin – d.m.th. nostalgjia për lavdet, flamuri që nuk e harron asnjeherë ta vendosë në krye të vendit, dashuria për njerëzit…)
Natyrisht që Vaçja ka pasur vokal të mrekullueshëm, por vokal shumë të mirë ka bie fjala edhe X (është fjala për një këngëtare të re që s’po ia ve emrin FL) e megjithatë për mua si Vaçja si X janë artiste, të cilat nuk provokojnë dot shijet dhe interesat e mia si art-dashëse […] pasi u mungon vetëdija, autenticiteti, shtysa për reflektim dhe vetë-reflektim, arti përtej imitacionit, kreativiteti dhe guximi për të sjellë diçka të pangjashme e të padëgjuar më parë, përçimi i padrejtësive, konflikteve dhe problemeve të ditës, ngacmimi i mendimit dhe i ndjenjës.”
Me fjalë të tjera një dhunti e lindur – e në këtë rast ve në dukje se çdo njeri lind me dhunti të ndryshme – duhet të kultivohet. Pasi, po s’u kultivua si duhet, mund të shkatërrohet e të shesë broçkulla me ato që thotë e me ato që këndon. Sipas meje banaliteti dhe vulgariteti në shumicën e krijimtarisë sonë vazhdon pasi vazhdon në jetën tonë më së pari kultura shkatërrimtare e gënjeshtrës së imponuar, e manipulimit të njerëzve dhe jo e komunikimit të sinqertë e të vërtetë me vetveten dhe pastaj edhe me njerëzit. Sepse përmbysja e diktaturës nuk u shoqërua, fatkeqësisht, me një revolucion kulturor që do t’i bënte shqiptarët të mendonin me kokën e tyre, që do të mund të krijonte individualitete, personalitetete dhe jo një turmë të re trushpëlarësh që besojnë verbërisht, nga frika apo interesi, çfarë thonë më të mëdhjenjtë, çfarë thonë pushtetarët, çfarë thonë pronarët apo ndërkombëtarët.
Ja për shembull: në këtë proces trushpëlarje, kur vjen puna për të vlerësuar krijimtarinë e asaj kohe sot në mediat tona – që kanë një rol të pakrahasueshëm në këtë lyerje me bojë sistematike – gjen gati në mënyrë unanime një gënjeshtër të imponuar sipas të cilës ajo që quhet formë dhe ajo që quhet përmbajtje (apo “intentio operis” (qëllimi i veprës) do të thoshte Eco) ndahen sikur të jenë dy gjëra që s’kanë lidhje me njëra tjetrën. Flitet për artistë të mëdhenj të asaj kohe, këngëtarë, aktorë, regjizorë, shkrimtarë, poetë duke u nisur nga zëri, tingulli, ngjyra, fjala, ose thjesht fama e asaj kohe… dhe thuhet se kjo ishte vepra dhe vetja e tyre e vërtetë, “zgjedhja” e tyre, kurse “intentio operis” për të cilën i paguante Partia dhe u jepte edhe çmime e lëvdata quhet “zgjedha” e tyre. Harrohet vetëdijshëm dhe pavetëdijshëm se s’mund të ketë art pa harmoninë e intentios me formën, se në veprën e artit forma është edhe përmbajtje dhe përmbajtja është edhe formë e, të dyja, nuk ndahen dot nga konteksti nga kanë dalë. Ashtu sikurse edhe njeriu, për fatin e tij të mirë apo të keq, është ai që është jo ai që do të mund të ishte në një kontekst tjetër. Kjo është elementare, e di edhe një me shkollë fillore në botën ku ka mendim kritik, mirëpo ja që ka mjete lyerjeje me bojë me të cilat mund t’i bësh shumicën të mendojnë ndryshe. Janë mjetet e një kulture, pra që në vend se të kërkojë të zhvillojë individualitetin dhe personalitetin tek njeriu, mendimin e tij kritik, synon ta manipulojë atë duke i edukuar gënjeshtrën, hipokrizinë, shtirjen. Kjo kulturë shfaqet pastaj edhe në krijimtari duke bërë që edhe sot shumica a krijuesve, ashtu si shumica e njerëzve, të mos zhvillojnë ndërgjegjen e komunikimit të sinqertë me veten dhe me të tjerët, çka ngjall ndjenja, emocion, dashuri; të mos angazhohen në “përçimin e padrejtësive, konfliketeve dhe problemeve të ditës”, që vepra e tyre të mos ketë “vetëdije” “autenticitet”, por të jetë shtirje, simulim/ imitim aktorësh, shkrimtarësh e këngëtarësh të mëdhenj me qëllim manipulimin e njerëzve dhe jo komunikimin e sinqertë me ta. E kjo bën që pastaj të tingëllojnë pa ndjenjë, pa mendim, pa dashuri deri vulgare, banale të bajatëshme.
Për mua në thelbin e kësaj kulture kemi një fenomen dehumanizimi: njeriut i hiqen nëpërmjet kësaj kulture dy dimensione të tij që përbëjnë dy të drejta të tij themelore që janë dy anë të së njëjtës medalje: ajo për të qenë individ dhe për të qenë i lirë, që sikurse thuhet nuk janë vetëm të drejta, por edhe detyra të tij. Duke mos i pasur, apo duke i humbur këto të drejta e detyra themelore, ai çpërgjegjësohet, bëhet thjesht pjesë, por edhe skllav, i një turme të manipuluar dhe, pastaj, mund të arrijë që të çojë njerëzit deri edhe në turrën e druve apo në litar në emër të saj. “Santa semplicita!”.

(Marrë nga Panorama, 26 shkurt, 2014)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.