back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Sara Blloshmi, kurtizane apo agjente e Mbretit Zog…?!?

Gazeta

Sara Blloshmi dhe e bija Vera
Sara Blloshmi dhe e bija Vera

Sara Blloshmi, kurtizane apo agjente e Mbretit Zog (panorama)

Sara Blloshmi, mbesa e Ismail Qemalit, femra që sillte vërdallë sallonet e viteve ‘40 Sara Blloshmi me të bijën Vera Blloshmi, kur jetonin në Shqipëri…

Për kushëririn e saj, Darling Vlora, Sara Blloshmi ishte vetëm një aristrokate shumë e bukur dhe inteligjente, që u sulmua nga regjimi komunist si “agjente” e shërbimeve të huaja. Ndërkohë që flitet se ajo ka qenë një lloj kurtizaneje, që përmendet si ish-e dashura e Mbretit Zog apo e Mit’hat Frashërit. Për të madje janë shkruar edhe romane me tirazhe të mëdha gjatë diktaturës. Prejardhja nga një derë e madhe dhe martesat, fillimisht me një ushtarak shqiptar e më pas me një anglez, e bëjnë edhe më të mistershme figurën e saj… Në ballot, darkat mondane të kohës së Zogut, Sara Blloshmi ka qenë më e spikatura. Përtej hireve të një femre joshëse e të bukur, thuhet se ka qenë kërcimtare shumë e mirë. Më shumë se kujtdo tjetër, afërmendsh, këto cilësi të sajat u binin në sy meshkujve. Të gjithëve! Kushdo fliste për Sarën, vetëm se, ato që dilnin nga gojët e lëngëzuara, herë ishin për mirë e herë për keq. Rrëfimet gojë pas goje thonë se të këqijat, ato që e bënë Sara Blloshmin të ashtuquajturën(!) “agjente” të të gjitha shërbimeve sekrete të kohës së Zogut, bënë që me sinjalet e para të ardhjes së regjimit komunist në Shqipëri ajo të largohej. Për mbesën e Ismail Qemalit (vajza e vajzës së tij) nuk ka shumë të dhëna. Ata që ia kanë njohur “famën” tashmë janë të paktë dhe të përlyer, mbase nga kujtimet e ëndrrave me shkëndija që dikur kanë thurur për të. Nën zë, pohojnë se Sara Blloshmi ka qenë e përdorura e Zogut, jo vetëm për shërbime sekrete, por edhe për kënaqësi fizike. Ka qenë e dashura e tij. Prej librit “Agjenti 333” i Dhimitër Karagunit, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” më 1970-n, lexojmë se Mit’hat Frashëri ka qenë një tjetër “lëvdonjës i heshtur i hireve të saj”. Por vargu nuk mbaron me kaq… gjithnjë referuar librit dhe thashethemnajave që enden deri sot, kur në tavolina bie fjala për të, ziejnë, sa e sa qeveritarë të kohës janë përkundur nën ojnat e Blloshmit. Për shkak se libri nuk gjendet më në treg, veçse në tezgat e librave të vjetër, ju kemi shkëputur disa copëza prej tij. Bashkëngjitur është intervista e kushëririt të saj, Darling Ismail Vlorës. Me kaq mund të krijoni idenë tuaj për këtë ikonë të viteve ’40, që i shpëtoi regjimit falë martesës me ushtarakun anglez, Vandeleur Robinson, por nuk u shpëtoi, ende sot, gati 45 vite pas vdekjes së saj, fjalëve që i vishen një kurtizaneje. Se cili nga variantet është i vërteti, këtë ne nuk e dimë. Dimë ama, që cilido burrë, i të gjitha varianteve të historisë, do kishte dashur të ishte në vend të Mbretit.

Ani Jaupaj bisedon me Darling Vlorën

Darling, na njihni pak me Sarën, kush ishte, nga vinte familja e saj? Sara ka lindur në Stamboll, në vitin 1904. Ajo ishte fëmija i tretë i kolonelit Vehab bej Serdar, djalë i gjeneralit të famshëm Abdul Kerim Pasha dhe i Mevedet H. Vlorës, vajzës së madhe të Ismail Qemalit. Pas shpalljes së pavarësisë, pasi kishte kaluar fëmijërinë në Stamboll, Sara u vendos bashkë me familjen në Francë e më pas në Shqipëri. Nga fotot që kanë mbetur, nga tregimet familjare e kujtime të ndryshme, Sara ka qenë një grua shumë e bukur dhe mjaft inteligjente. Sa herë diskutohet për Sarën, unë imagjinoj një ikonë të bukurisë dhe e krahasoj me ato femra që, falë inteligjencës dhe përgatitjes së tyre, këtë dhuratë të natyrës jo që nuk e shpërdoruan, por ditën ta vlerësojnë. Sigurisht një femër e bukur dhe shumë e civilizuar, rritur në ambientet e aristokracisë së lartë të Stambollit dhe Parisit, në Shqipërinë e fillimshekullit XX, nuk kishte si të mos kthehej në objekt adhurimi, por edhe diskutimi. Por Sara kishte një natyrë që s’u jepte fort rëndësi diskutimeve të kota.
Më të vjetrit, ata që e kanë njohur, tregojnë se ka qenë kurtizania e parë në Shqipëri, nga ato që kënaqte ministra të kohës e gjeneralë… A dini ju histori konkrete dhe a u largua ajo nga Shqipëria për të shpëtuar veten? Është folur për jetën e saj paksa liberale, në mund ta quaj kështu, por unë pyes: kush ka qenë ai person në Shqipëri që ka pasur ose arritur një shkallë të lartë shoqërore e të mos jetë përfolur. Sara u martua e re me ushtarakun Selahedin Blloshmi, i cili kishte kryer Akademinë Ushtarake franceze të Sent Sirit. Martesa u dha një vajzë, Verën (1923-1998), e cila më vonë do njihej për artin e bukur të saj, pikturën. Për një kohë të gjatë Sara jetoi në Bukuresht, ku Selahedin ishte ambasador i Shqipërisë, e më pas u kthyen në Tiranë. Sara, pas vdekjes së Selahedin Blloshmit, u njoh me ushtarakun anglez Vandeleur Robinson, i cili ishte atashe shtypi në Misionin britanik në Shqipëri, me të cilin u martua më 1945-n («Forthcoming Marriages/Major V.D.V.Robinson and Mme. Blloshmi», «The Times», Londër, 10 shtator 1945, f.7). Edhe këtu gojët e liga s’mbetën pa folur, duke e konsideruar këtë martesë për arsye interesi, me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria. Nuk është aspak e vërtetë pasi Sara mund të largohej kur të donte gjatë luftës, edhe pa qenë e martuar me Robinsonin. Ajo ishte e re, e bukur dhe e pasur. Asgjë nuk i mungonte dhe asgjë s’e pengonte, përveç dëshirës për të jetuar në Shqipëri. Nga ana tjetër, nëse kjo martesë do kishte qenë thjesht për qëllimin e largimit, Sara nuk do kishte jetuar me Robinsonin deri në fund të jetës e, aq më tepër, pas vdekjes së Sarës për Robinsonin vazhdoi të kujdesej Vera.
Si janë larguar nga Shqipëria? Thuhet se edhe Vera, e bija, u martua me një tjetër ushtarak anglez, falë të cilit mund të largohej edhe ajo… Di që në shtator të vitit 1945, një avion amerikan që vinte nga Sofja, ndaloi në Tiranë për të vazhduar më pas për Napoli. Midis pasagjerëve, përveç Sarës dhe Robinsonit, ishte edhe Vera. Se si arriti Sara të siguronte një leje kalimi edhe për vajzën, kjo nuk dihet. Gjithsesi, thuhet se Vera hipi në avion për t’u përshëndetur me nënën dhe, sapo u ndodh brenda, dyert u mbyllën dhe piloti u urdhërua të nisej. Në nëntor të po atij viti, Sara u kthye përsëri në Shqipëri, si shtetase angleze, dhe gjatë gjithë qëndrimit, Sigurimi i Shtetit i ndiqte të gjitha lëvizjet, duke raportuar rregullisht për çdo gjë, ku shkonte e me kë takohej. Sipas këtyre raporteve, Sara dhe Vandeleur Robinson takoheshin me miq të veçantë, “të gjithë bejlerë dhe personalitete në kohën e Zogut… simpatizantë të imperializmit anglez”, të cilëve “u ipnin revista dhe gazeta politike të së djathtës”. Midis emrave të përmendur në disa raporte që datojnë fundvitin 1945 dhe vitin 1946, ndeshim Qamil Vlorën dhe djalin e tij Ismail Qemalin, Xhemal Frashërin, Isuf Vrionin, Myqerem Janinën, Skënder Konicën, etj («Materiale agjenturalo-operativo mbi agjenten angleze Sara Blloshmi»/ AMB Dosja 102). Edhe pas largimit të Sarës nga Shqipëria, Sigurimi vazhdoi të kontrollonte korrespondencën e saj me Shqipërinë, me nënën dhe motrën që vazhduan të jetojnë në Tiranë. Fillimisht Sara me Robinsonin u vendosën në Romë e më pas në Londër. Vera, pasi u martua me një ushtarak anglez, James Avery Mellet, fillimisht qëndroi në Romë e më pas shkoi edhe ajo në Londër pranë nënës. Në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, ndër të tjera, gjenden edhe disa foto dhe një letër e Sarës dërguar nënës së saj, e cila vazhdonte të jetonte në Tiranë, foto dhe letra që nuk shkuan në destinacion, por mbetën në duar të Sigurimit.
Di që historia e Sarës, herë me pseudonim e herë jo, është përfshirë në libra të kohës… ç’dini për to? Duke qenë se Sara ishte një personazh shumë i njohur i shtresës së lartë në shoqërinë shqiptare të paraluftës, duke qenë se ishte martuar me një ushtarak dhe diplomat të njohur të periudhës së Mbretërisë shqiptare, duke qenë se më pas u martua me një ushtarak të misionit anglo-amerikan, e duke qenë se kishte frekuentuar ambientet e larta të shoqërisë shqiptare të asaj periudhe, ajo duhej edhe goditur, për të goditur kështu një shtresë të tërë. Aty-këtu personazhi i saj u përdor në propagandën që filloi kundër ish-shtresës së lartë shqiptare. Edhe pse jo në plan të parë, personazhi i Sarës zuri vende në role të ndryshme të filmave. Po ashtu edhe në librin e Dhimitër Karagunit, «Agjenti 333» (Tiranë 1970, 255 faqe, 14.000 kopje), personazhi i saj u vendos përgjatë gjithë romanit nën emrin Sava. Për të bërë sa duhet dhe si duhet propagandën e tyre, këta libra shtypeshin në tirazhe të larta, që sot do t’i kishte zili çdo shkrimtar. Fatkeqësisht kritikat më të egra i bëhen së bukurës dhe së mirës, aty keqdashësia ndien kënaqësi. Dhe Sara, me bukurinë dhe inteligjencën e saj, e tërhoqi pas vetes këtë keqdashësi. Mua më pëlqen ta kujtoj pikërisht të tillë, një ikonë të bukur të femrës aristokrate të shoqërisë shqiptare gjatë dy dekadave të paraluftës e më pas në diasporë.

Pjesë nga libri “Agjenti 333”

Sara Blloshmi është me pseudonimin Sava, Leci  agjenti 333

Sava vazhdoi: -Kam pasur rastin të dëgjoj për ty, mor djalë kavalier dhe i kënduar.
-Gjithashtu edhe unë. Ma ka folur Ibrahimi. Sava me një gjest plot shije dhe elegancë, e drejtoi Lecin për nga trapeza e rezervuar.
-Dëshironi, mik, ta kalojmë këtë mbrëmje bashkë? Dëshira për të qenë pranë kësaj gruaje u duk hapur në sytë e Lecit.
-Oh! Është një nder dhe një kënaqësi e veçantë për mua. Truri i Lecit në çast u fik. S’i mbeti pikë fuqie. “Unë të bëhem kaq shpejt i zgjedhuri i Savës? Gruas që lakmohet nga të gjithë? Mbretëreshës së ballove? Strumbullarit që i vërtitet e gjithë paria e vendit? Asaj që zë vendin e parë në pallat, që preferohet nga vetë Mbreti? Trëndafilit të Ambasadës italiane dhe mikeshës së Jakomonit? Krenarisë së Ambasadës angleze? Simpatikes së ambasadorit turk? Engjëllit të Mit’hat Frashërit?!”
Lecit i dukej sikur ishte në një ëndërr. Të ulur njëri pranë tjetrit, ata të tre përplasnin vështrimet dhe buzëqeshnin. Sava nuk ia hiqte sytë Lecit. Dukej sikur donte të lexonte të gjitha mendimet e tij. Me mendje të kthjellët dhe zhdërvjelltësi, ajo fiksonte të gjitha lëvizjet, gjestet, vështrimet e Lecit. Mbi të gjitha, i dukej një djalë me mendje të mprehtë dhe finok. Tingujt e një melodie ritmike mbizotëruan sallën. Çiftet filluan të dansojnë. Sava u gjallërua.
-Mos doni t’ju bie në gjunjë për të kërcyer?
Ibrahimi, duke u çuar pak nga vendi, foli:
-Madam, ia lashë radhën mikut tonë. Leci i turpëruar i vuri krahun dhe hyri në valle. Kërcenin dhe në të rrallë shkëmbenin ndonjë fjalë.
-Nuk do ta harroj kurrë këtë natë,- i tha Leci.
-Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.
Që nga ajo ditë, Leci u bë miku më i afërt i shtëpisë së Savës.

Vera Blloshmi: “Tim shoq e kam njohur në Romë”

Pjesë nga intervista që piktorja Vera Blloshmi, e bija e Sarës, ka dhënë për Valbona Ismaili-Luta në shtëpinë e saj në Londër më 1996-ën.
Kur u larguat nga Shqipëria? Nëna ishte martuar në Shqipëri me majorin Vendler Robinson. Ai ishte në Misionin anglez në Shqipëri, por pastaj Enver Hoxha nuk i deshi më as amerikanët, as anglezët, as francezët, të gjithë të huajt u detyruan të largoheshin. Nëna nuk donte të largohej nga Shqipëria pa më marrë edhe mua. Pushteti i atëhershëm, duke më llogaritur si produkt të Shqipërisë, nuk jepte leje. Unë duhej të bëja art për Shqipërinë dhe të mbetesha këtu. Më kujtohet, një herë më thanë të bëja një portret të Leninit. Mirëpo, u thashë se nuk bëja dot portrete nga fotografia. Ma sollën një partizane me pushkë e me kapelë me yll, që ishte e moshës sime, dhe bëra një pikturë të cilën e mori shteti. Pastaj së bashku me nënën dhe burrin e saj shkuam në Romë, ku unë vazhdova akademinë.
Ku e njohët bashkëshortin tuaj? Xhimin e njoha në Romë dhe, ende pa e mbaruar akademinë, u martuam. Ai ishte kapiten i ushtrisë. Nëna me bashkëshortin e saj shkuan në Angli, kurse unë me Xhimin mbetëm në Romë. Mirëpo, së shpejti edhe ne u shtrënguam të shkonim në Angli, sepse ishte sëmurë nëna e Xhimit, e cila edhe vdiq sapo arritëm ne. Nëna ishte e lumtur që u bashkuam.
Ç’keni bërë gjatë kësaj kohe në Angli? Në vitet ’50 më lindi vajza, kështu filloi një fazë tjetër e jetës. Nëna ime jetonte këtu afër dhe vajza ime, Sonya, e adhuronte gjyshen. Ajo madje e pagëzoi me emrin Sara vajzën e bijës sime. Gjatë kësaj kohe në Angli kam pikturuar, kam bërë portrete, kam hapur ekspozita. Tashti bëj një çikë më pak, sepse Xhimi nuk punon.
Nëna juaj ka vdekur në Angli? Po, nëna më ka vdekur këtu, më 1975-n. Ishte kohë e tmerrshme, se kishte leuceminë. Para vdekjes, ndjeu lumturinë e fundit, meqë për vizitë na erdhi tezja, e ëma e Nermin Vlorës, së cilës mezi i kishin dhënë leje për të shkuar në Romë, prej nga erdhi te ne.
E dinit ç’po ndodhte me Shqipërinë? Po, merrnim letra nga disa miq, siç ishte Myqerem Janina. Ai më dërgonte edhe libra. Ne e kuptonim që njerëzit atje jetonin keq.
(Gazeta Panorama, 3 qershor 2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.