back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Savra – Monamour! nga Jozef Radi (2012)

Gazeta

Savra - Monamour! nga Jozef Radi
Nji grup te rinjsh nga Savra, 1964

Savra – Monamour!

nga Jozef Radi

Të nderuem miqtë e mi,
Prej sot dhe herë mbas here ka me vazhdue nji rubrikë shkrimesh nën okelion “Savra – Monamour!” Ideja e kësaj pune nuk asht realizimi i ndonji qëllimi të përcaktuem qartë, po thjesht paraqitja e nji realiteti që nuk asht ma… nji realiteti që edhe ne vetë që e jetuem tashma po e harrojmë, e kjo asht e pafalshme… e pafalshme asht me u harrue magjia e nji seri personazhesh që rrallohen përditë e sot shumica e tyne nuk janë ma…
Kureshtja ime prej fëmije, shpesh më ka futë ndër botë dhe njohje aq magjike sa sot më duket sikur ajo çka kam përjetue, asht nji andërr… Prej kohësh jam në përpjekje me i shkulë prej shpirtit tim “kto andrra” që krahas dhimbjes dhe vuejtjes kanë mbrenda edhe mrekullinë e gjithë atyne njerzve që lanë gjurmë në jetën e shumë prej atyne që lindën dhe u rritën aty mes baltës së madhe të Myzeqesë së madhe…
Kjo ka ba, që shpesh me e pa Savrën time si Makondon e Garsia Markezit, apo si Orfalezen e Khalil Gibranit, me ndryshimin e vetëm se Savra ime ishte dicka e gjallë, e prekshme, i dhimbshme, e vuejtshme… po gjithsesi magjike… vërtet… gjithsesi magjike…
Sigurisht, shumë shpejt, për me i dhanë edhe ma seriozitet kësaj pune kam në përgatitje e sipër blogun “Savra – Monamour!” ku me ngjyra mjaft realiste, po edhe mjaft poetike kam me dhanë nji e vërtetë të madhe: të vërteta e gjithë atyne që lindën dhe u rritën nëpër kampet e dhunës së komunizmit shqiptar… E vërteta e gjithë atyne që i dhanë emën atij vendi të çelun midis baltës… (s’bahet fjalë për kthim tek nostalgjia, as për ndonji ndjenjë mazohiste e kthimit të njeriut tek e keqja e pësueme, e kundërta asht gjithë misioni i këtyne shkrimeve…)
Mbetem i pikpamjes se njeriu e ndërton vet lirinë e tij edhe midis dhunës, edhe nën presionin e burgut, edhe nën survejimin e shtetit, edhe në këputjen e gjithë rrugëve të shpresës… Simbas pikshikimit tim Savra përban emblemën e kërkimit të rrugëve të lirisë…
Savra ka gjithçka për me e dëshmue të vërtetën e saj si askush tjetër… Edhe pse Shqipnia ka qenë e mbushun përplot me Savra…
S’duhet harrue se aty në Savër kanë jetue personazhe të papërsëritshëm, figura brilante në gjithë kompleksitetin e tyne, që do të ishte fat për cilindo shkrimtar t’i kishte takue qoftë edhe nji herë te vetme në jetë, dhe po mjaftohem me përmendë veç disa prej tyne si Guljelm Deda, Vasilika Kote, Sava Kuqeshi, Pano Taçi, Lazër Radi, Fran Tinaj, Tahsin Spahiu, Gjosho Vasia, Nush Topalli, Zenel Prodani, Ahmet Kolgjini, Spiro Anastasi, Karlet Luka, Vehip Hoxha, Spiro Gjoka, Musa Sina, Sheriar Celo – Frashëri, Reshit Mulleti, Vocërr Sherifja, Sujejman Hoxha, Nul Konomi, Kastriot Bajraktari, Avdulla Nela, Kada e Palok Grizhaj, Irena Dukagjini, Sava Kuqeshi, Ligor Kokali, Xhevit Matjani, Ilir Biçaku, Pjerin Jana, Fatbardh Kupi, Viktor Dosti, Motrat Hoxha, Hatman Gashi, Fisnik Spahiu, Ali Dema, Drita Skrami e mjaft të tjerë, ku secili ka të veçantën e vet të pangjashme me askënd tjetër; po edhe familje fisnike me emër si Markagjonët e Mirditës, Dinejt, Demët, Kaloshët, Ndretë e Dibrës, Kupët, Merlikët dhe Bamët e Krujës, Dostët e Gjinokastrës, Spahijtë dhe Nelët e Kuksit, Mirakajt e Pukës, Kullët e Zëmblakut, Çapajt e Dukatit, Kokalët e Sarandës, Allajt e Biçakët e Librazhdit, Plasotët e Korçës, Nezët, Metaliajt dhe Hoxhët e Tropojës, Bajraktarët e Shkodrës, të Lekbibajt dhe Kukësit, Tashot e Sulit, Podët, Kalecët, e Kolonjë, Kuqeshët e Leskovikut, Plaku dhe Kalivjoti të Konispolit, Familjet e Pesë Kryeministrave Shqiptare…  e këtu më duhet me kërkue ndjesë për ndonji emën e familje që mund t’i ketë shpëtue vëmendjes sime…
Shpresoj që kjo përpjekje t’i afrojë të gjithë ata që tashmë janë pjesë e nji bote kaq të madhe, sa vetëm mjetet e sotme të komunikimit mund t’i bashkojnë qoftë virtualisht edhe për pak… pasi kohë ma parë kjo gja ishte e pamundun… e randsishme asht që gjithsekush të bajë çka sheh të arsyeshme…
Gjithsesi kërkohet mirkuptim dhe dashamirësi reciproke, pasi asnji e vërtetë e kësaj bote nuk shpëton edhe nga pjesa e hidhët të saj…
Me shpresë që kam me gjetë mirëkuptimin e gjithë atyne që kan me marrë mundimin me i lexue shkrimet e mia…

Savra 2008
Pamje nga Savra 2008

Vendvuejtjet tona – dhe Instituti i Kujtesës Kolektive

nga Jozef Radi

Me plot të drejtë, njeriu mund ta urrejë vendin e vuejtjeve të veta…
Vuejtja e sjell urrejtjen pa fort shtrëngesë, kurse urrejtja ka sjell shumë vuejtje përmes shtrëngesës…
Janë ligje të pashkrueme, të cilat bota kaherë po përpiqet me zbutë, po asnjiherë s’po mundet me ia mbrritë ndonji naltësie të admirueshme…
E megjithatë unë mendoj se vendi i vuejtjeve asht i pafajshëm.
Fajtor asht vetë njeriu, pse tuj qenë fort djallzor, ai gjithnji ia len fajin herë kohës, herë vendit e herë rrethanave; kështu që e keqja e ksaj botë asht gjithçka, veç ai njeriu që e shkakton të keqen: Jo!!
Edhe nëse nuk urrehet vendi i vuejtjeve, ai kurrsesi s’mund me u dashtë, ai rri i gozhduem në kujtesë të gjithsecilit vuejtës, dhe vetëm indiferenca o shpërfillja, mund t’u japë kujtimeve at mjegullën e domosdoshme që edhe pse duket sikur shprishet ndër kohna, s’harrohet në jetë të jetëve…
Gjithë vendvuejtjet e tmerrit rrinë të ngulituna thellë në kujtesën kolektive të njerzimit. A harrohen Bastijat, Mathauzenet, Lubjankat, Triblinkat, Bukenvaldet, Gulaget, Ustikat, Goliotoket, Burrelet, Spaçet, Savrat, Guantanamot… Kurrë!! Ato rrinë në kambë si fantazma jo veç në kujtesën e atyne që e vuejtën peshën e kriminale të shtypjes në këto vendvuejtjeve tmerri, po edhe në mbarë kujtesën kolektive të njerzimit… ato, sot e gjithë ditën mbeten nji obsesion kolektiv pse e keqja rri gjithnji gati në pritjen të dobsimit të kujtesës sonë… Pra, ajo s’asht trazim veç i atyne që vuejtën të keqen, po edhe i krejt atyne që jetojnë në kufijtë e njerzores e që befas nji ditë mund të gjenden në përqafjen e krahve të gjanë të vuejtjes masakruese…
Nëse ne s’e bajmë tonën vuejtjen e të tjerëve e ta shtyjmë atë thellë e ma thellë ndër kohna të pambrrituna, e keqja rrezikon me u përsëritë në përmasa gjithnji e ma tragjike, gjithnji e ma katastrofike… Që ajo të mos përsëritet duhet të tanë së bashku të ngremë mbrenda vetes Institutin e Kujtesës Kolektive, në mënyrë që çdo trajtë e përsëritjes dhe e përtëritjes së tmerrit të gjejë mbrenda nesh reagim kolektiv!
S’duhet harrue se e keqja jeton në apogje të mendjes njerzore…

Savër - Gusht 1984
Savër – Gusht 1984

Qysh në fillim e theksova se vendi i vuejtjes asht i pafajshëm, ashtu si asht i pafajshëm edhe njeriu i vuejtjes. Nji mendje kriminale e zgjedh me kujdes vendin e vuejtjes, po edhe njeriun e vuejtjes ajo e zgjedh me shumë kujdes. Sepse vendi i vuejtjes duhet të ushtrojë nji peshë sa ma të randë te njeriu i përzgjedhun me vuejtë…
Njeriu i vuejtjes e urren vendin e vuejtjes thue se ai asht krijue vetvetiu, për të keqen e tij… gja që s’asht aspak e vërtetë. Asht pjesa ma e keqe e qenies sonë që e ka zgjedhë at vend me shkatërrue pjesën ma të mirë tonën… Kjo s’duhet harrue kurrë… gjithçka nis nga mbrenda nesh, jashtë nesh gjithçka asht shumë ma e përsosun… e sidomos në Natyrë…
Të gjitha vendet e sipërpërmenduna, me gjithë skëterrat që kanë mbrenda tyne, janë të pafajshme, edhe pse ato e mbajnë me dhimbje peshën e së keqes. Shpesh sytë tanë, mendja shpirti jonë tjetërsohen përballë tyne dhe i japin çdo guri, çdo frengjie, çdo gardiani, çdo karakolli, çdo rrethimi ngjyrën ma të zezë të mundshme dhe harrojnë at mendjen njerëzore që rri mshehë aq bukur sa askush nuk i gjen kokërr gjurme kundi…
Kjo asht edhe tragjedia e këtyne vendvuejtjeve të pafajme, të cilat sot rrinë në kambë veç me mbledhë urrejtjen tonë kolektive e duke mshehë të keqen konkrete njerëzore që duket sikur ka vdekë o asht shue njiherë e përgjithmonë..
Unë s’mund të baj ma shumë se në emën të vendvuejtjes sime, t’u kërkoj ndjesë gjithë këtyne vendvuejtjeve të tjera të tmerrit, sepse nuk janë ato e keqja jonë, jemi ne e keqja e tyne… E keqja sublime asht ajo që ende nuk ka nji ndëshkim mbi ligje dhe denoncime…
Ndjesa ime ka me qenë paksa e gjanë në kët shtjellim, sepse e lodh prej lindjes mendjen time… Nuk due kurrsesi me anashkalue të keqen e madhe, por njiherit kam me i mshue sa të mundem së mirës… sepse siç thuhet shpesh ndër anët tona, jo çdo e keqe vjen për keq… ka edhe ajo të mirën e saj… po ne shpesh jemi të verbën…
Dhe e mira e vendvuejtjes sime s’mund të niste ndryshe, veçse: “Savra – Monamour!”

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Tre vite të shkueme më 14 mars 2013,
    si për Dite Vere, (lindur rastësisht në Qytetin e Elbasanit) hodha me droje shkrimet e para në sitin https://www.radiandradi.com...
    Prej asaj ditë kanë kaluar tre vite të nji pune të lodhshme,
    por e shpërblyer me vlerësime, mirnjohje dhe respekt
    e gjitha kjo më është shfaqur e palodhshme
    dhe si nji detyrim moral ndaj gjithë atyre
    që e duan letërsinë, kulturën, historinë dhe te verteten…
    14 Marsi mbetet për mua nji ditë falenderimesh reciproke…
    Nji nga shkrimet e mia te para me 14 mars 2013

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.