“Jozef Radit,
ia dhuroj me kënaqësi këtë dorëshkrim,
duke e ditur se kjo kopje e vetme, është shkruar nga dora e babait të tij,
shkrimtarit Lazër Radi, si kujtim i një pune të tij të madhe, në një kohë të trishtë…”
Genc Pecnikaj, 4 dhjetor 2019
.
“Sekreti i Anglisë”
Rikthimi i një dorëshkrimi, mbas 75 vitesh…
rrëfim nga Jozef Radi
***
Një buzëmbrëmje nëntori, nën një shi të lehtë mbi gjethet bërë qylym, shetisja i përhumbur nëpër një Tiranë plot dritë, që s’di pse më dukej më shumë dritë e rremë se të vërtetë. E ndjeja atë stinë që s’më kish qenë aq e paqshme… mbasi prej ditësh më kishte kapur një kollë që ma merrte frymën…
Asaj paradite Bregu i Lanës, më qe shfaqur si një stacion i pafundmë librarish në qiell të hapët. Duke filluar prej Lulishtes “1 Maji”, te bordurat e SHQUP-it, të rrethuesja e Taivanit, në tri urat mbi Lanë, te oborri i ish Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, te gardhi i Shtëpisë së Diktatorit, te Stacioni i Trenit… në të gjitha ato “ndalesa” ndjeja “kryqin e librit” mbi shpinë. E ndalja hapin, kqyrja me kujdes mos gjeja ndonjë libër, qoftë prej atyre të realizmit socialist, jo për ndonjë nostalgji, thjesht si vepra që mund t’më hyjnë në punë, pse i quaj si vlera që duhet t’i kem në bibliotekën time…
Ajo “bordurë librash” e gjithandejshme ma kishte bërë më të trishtë vjeshtën e kryeqytetit… E mendoja libri tashmë të pastrehë! Kishte lënë etazherët dhe kishte zbritur rrugëve. Ndoshta protestonte për braktisjen, o ndoshta jepte shpirt…! Janë me dhjetra bibliotekat të prindërve të ikur (të vdekur e të ikur), që boshatisen prej trashëgimtarëve apo të afërmve të tyre… Një ankand në qiell të hapët i një periudhe të trishtë, ku libri në pamundësi për ta riprodhuar vetveten në formë vlerash, shfaqet si një pamundësi komunikimi me brezat e rinj… Me këtë frymë të vdekur librash që theken në diell e mpaken nën shi, që trishtohen në vjeshtë dhe vdisnin dimrave, nën shpërfilljen dhe heshtjen e kalimtarëve, isha edhe unë…
Zhytur ndër këto mendime, m’erdhi cërrima e një mesazhi, që ma shkëputi fillin e mendimeve. Kqyra në qelq të celularit se kujt i kish rënë ndërmend për mua…
***
Në faqen e bardhë të Mesangerit ishte një fotografim ku shkruhej: Sekreti i Anglisë, – Leo Ferrero (Daktilografim/ format A4/ Përkthyes Lazër Radi/ 1944/ Hyrja nga Guglielmo Ferrero) Libërlidhja me kapakë të fortë/ në faqen e parë, në faqen e titullit, dhe në faqen 31, ka vulë me të kuqe: “Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme – N/Kolonel Halim Xhelo”
Dërgues ishte një mik i mirë, me të cilin prej kohësh shkëmbenim mendime pozitive, një djalë prej Nikaj-Mërturi, avokat e mbiemër i njohur… I rilexova ata pak rreshta të fotografuar, dhe shënimin e mikut tim dhe ndjeva një habi. Befas erdhi e m’u bë dehje. Një vepër e re nga fusha e përkthimeve…!? S’më bëhej ta besoja! Mendova mos ishte ndonjë vepër e dalë nga burgu i Lazër Radit, prej gjithë atyre që kishin përkthyer në repartin e famshëm të Mesagjerisë… Kushedi!!
Rëndësi kishte që diçka e mirë ishte…
***
Në vitet e para mbas çlirimit, ku pjesa më e madhe intelektuale shqiptare ishte në pikpjekje me burgjet, mbas të famshmit “Gjyq Special”, e gjyqeve pafund në krejt vendin, qe krijuar Reparti i Mesagjerisë. Ishte koha kur shteti i ri komunist, për nevojat e veta imidiate (shumica e drejtuesve ishin pashkollë), ngarkoi një numër të konsiderueshëm intelektualësh poliglotë, me dënime afatgjata, të shërbenin si përkthyes nga gjuhë të ndryshme, kryesisht prej atyre sllave si: rusisht e serbisht e bullgarisht po edhe prej gjuhëve të tjera si: anglisht, italisht, frëngjisht e gjermanisht, me materiale kryesisht për tri ministri: Ministrinë e Brendëshme, Ministrinë e Arsimit e më pak për Ministrinë e Kulturës.
Numri i këtyre përkthyesve, simbas rrëfimeve të disa prej dënuarve, ka lëvizur prej 30 deri në 100 përkthyes…
Kjo veprimtari, u shtri përgjat një 10 vjeçari, prej 1945 deri më 1955. Kontribuan mjaft emrave të njohur e të ndritur si: Mirash Ivanaj, Mihal Sherko, Mihal Zallari, Akile Tasi, Jusuf Vrioni, Lazër Radi, Mit’hat Araniti, Nedim Kokona, Mark Temali, Abdulla Rami, Ali Erebara e plot të tjerë. Sot askush nuk posedon një vepër të kësaj periudhe e të këtyre njerëzve, që të ketë emrin e përkthyesit…! Asnjë titull vepre prej kësaj morie dorëshkrimesh s’është shfaqur gjëkund, të kishim qoftë edhe një të vetme dëshmi, o thjesht një model…!
Mendimi i parë që ma pushtoi shpirtin prej atij lajmi të shfaqur në ekran të celularit ishte: Mos ishte gjetja e parë e një dëshmie të asaj pune…!!
***
Gjithçka eci me shpejtësinë e haresë.
Të nesërmen në mbrëmje, me njeriun që e kishte gjetë librin te bankarelat e rrugës e lamë të takoheshim te Kafja e Teatrit… Erdhën së bashku me mikun që më kishte sjellë lajmin.
Binte nji vesë shi kur u përshëndetëm. Në çastin kur mora librin në dorë, m’u duk sikur ndesha sytë e tim eti, krrusur në atë Olivettin, ku derdhte orë e dashuri pafund. Ndjeva çaste të vullnetit dhe përkushtimit të tij në kohë të largëta.
E ledhatova. Ishte një libër gri, i lidhur me kopertinë lëkure. I punuar hollë e me kujdes. Titulli ishte me gërma të thelluara. Libri kishte 86 faqe në A4, punuar bukur në makinë shkrimi. Një estetikë e përsosur, një përkujdesje shembullore. Në kopertinë ishte viti 1944!! Eh, thashë, s’qenka libër i përkthyer në burg! Në faqen e parafundit qe shënuar: Përkthyes – Lazër Radi.
Nisa ta shfletoj, dhe u përhumba. Gjithçka më ishte e dashur, veç në tri vende, ishte një vulë e kuqe, me emrin e atij që e kishte poseduar në bibliotekën personale për 75 vite. Nënkolonel Halim Xhelo!! Kur ishte arrestuar Lazër Radi, dhe nxjerrë nga shtëpia, gjithçka e tij, e bashkë me to edhe biblioteka ishin sekuestruar.
Mbas 75 vitesh, kishte dalë në dritë e vetmja gjurmë e krejt asaj sekuestroje: një dorëshkrim!!
Një mrekulli që s’e kishte vrarë dot diktatura…
Megjithatë, libri ishte i tjetër kujt! Vetëm gëzimi ishte i imi, po ishte i madh! I shkova prej fillimi në fund, e prej fundi në fillim! E shfletova çoroditshëm, pa e ditur se çfarë kërkoja në të. E falenderova njeriun që më kishte dhuruar atë sodisfaksion të pakufi… Më dukej sikur po më ngjiste në duar… Ai më pa me një buzqeshje dashamire! Çfarë t’i thoja më tepër se: Këtë libër s’ka para që e paguan…! Së paku një kopje e tij më duhet! “E kuptoj se ç’është për ty ky libër! – më tha… Kopjen do ta marr unë, se ky libër të takon ty! u përqafa ne atë djalosh malsor, që kishte bërë diçka, që jo gjithkush mundet ta bëjë…
U ndamë vonë, vjeshta vazhdonte të rrëzonte fletë… unë vazhdoja të shfletoja fletët e një ëndrre të bukur…
***
Mbas tri ditësh u takuam me Genc Pecnikajn, inxhinjeri prej Nikaj-Mërturi. I kisha sjellë diçka nga vepra e botuar e Lazrit, ndërsa ai më dhuroi dorëshkrimin me shënimin: “Jozef Radit, ia dhuroj me kënaqësi, duke e ditur se kjo kopje e vetme, është shkruar nga dora e babait të tij, shkrimtarit Lazër Radi, si kujtim i një pune të tij të madhe, në një kohë të trishtë…”
Genc Pecnikaj, 4 dhjetor 2018
Librin e lexova qysh atë natë. Deri në të zbardhur, me nji frymë i kisha dalë në fund. Ishte përkthim i një vepre, që përbëjnë thelbin e Njeriut Lazër Radi: kulturë, histori, psikollogji, sociologji, letërsi, esseistikë… Të gjitha bashkë, për të kuptuar thelbin e shpirtit të njerëzve të ishullit britanik!
S’duhej të humbja kohë. Mbasi lajmërova motrën dhe vëllanë, mora në telefon botuesin dhe i rrëfeva për librin e gjetur. “Kur ta keshë gati, e fusim menjëherë në botim…” – ishte fjala e tij…
Nuk ishte fjalë… ishte flatër!
***
Mbas një muaji punë mbaroi zbardhja e dorëshkrimit “Sekreti i Anglisë” i Leo Ferreros. Dy redaktime të fillimit, më pas një trajtimi profesional, duke mbajtur parasysh edhe origjinalin në frëngjisht. Të shtunën mbasdite, me 19 janar të 2019, librin e konsiderova të mbyllur. E lashë të flejë ca kohë. Më mbetej t’i hidhja një sy të ftohtë, më vonë, për të parë çka i mungonte! Duhet të ishte sa më i arrirë, në atë ballafaqim me lexuesit, mbas 75 vitesh dorëshkrim i rrëmbyer!!
***
“Sekreti i Anglisë” erdhi si një libër i beftë, e iu shtua pasurisë së përkthimeve të Lazër Radit, ndërkohë që është në botim e sipër vepra e tij e plotë. E quaj fatlum, dhe ndjehem i përplotë jo vetëm për gjetjen e kësaj vepër, por që mbrritëm ta përgatisim në formën më të mirë të mundshme për botim.
Mendoja se kjo përcjellje, apo ky shënim shpjegues në hyrje, ishte i domosdoshëm. Në të vërtetë, libri ka dy shpjegime të shkurta në hyrje. I pari nga i ati i autorit Guljelmo Ferrero, i cili shtatë vite mbas vdekjes së të birit e përmblodhi dhe e botoi veprën, si dhe një paraqitje e shkurtër e autorit Leo Ferrero, që më pas kishte vdekur aksidentalisht, në moshën 31 vjeçare.
***
Gjatë leximeve, më habitën disa fakte.
E para më habiti përzgjedhja. Libri qe shkruar gjatë vitit 1928, dhe ishte botuar 1941. Si kishte mundur të binte në gjurmë të këtij libri eseistik, i cili sapo qe botuar në frëngjisht…
E dyta që më habiti ishte gjuha e përkthimit. Afronte shumë me standartin e sotëm, dhe ishte tejet larg nga trajta e shkrimeve të tij në shtypin e Viteve ’30. Si ishte e mundur?! Ndjeheshin nuanca të lehta të gegnishtes, po edhe trajta të zonës juglindore, çka më linte të kuptoja, se përkthimi ishte një përpjekje konverguese ndaj dialekteve… Megjithatë, ishte një punë e largët në kohë, 75 vite të shkuara, e gjuha e përkthimit duhej të ishte një pikë force. Kishte mjaft fjalë të huaja e trajta dialektale! Kuptova gjithashtu se librin e kishte përkthyer direkt e në makinë shkrimi, në stilin e punës së Lazrit. Kishte fjali që vuanin kuptimin e parafinuar, e vende-vende leximi mbetej i errët. Me pak mundim e gjeta origjinalin në frëngjisht, po edhe një variant në italisht… Kështuqë vepra u rrafshua, u plotësua, edhe me gjithë shpjegimet e domosdoshme…
Kështu “Sekreti i Anglisë”, u kalua pesë herë në filtër. Vetëm mbas kësaj mbetem i bindur se lexuesi do ta çmojë e ta vlerësojë si duhet këtë vepër, të ardhur nga humbëtira e 75 viteve…
***
Një detaj i rëndësishmë që më shtyu të gërmoj, ishte edhe fati i njeriut që e kishte mbajtur për 75 vite librin në bibliotekën e personale. Ai ishte Gjeneral Halim Xheloja, një figurë e njohur e diktaturës, i cili aty nga mesi i viteve ’60, do të pësonte fatin e zi të “Armikut të Popullit”. Mbas shërbimesh të shumta në luftë, në Sigurimin e Shtetit dhe në Ushtri, ai kuptoi që jeta e popullit kishte mbrritur në kushtet e thella të skamjes. Duke protestuar për heqjen e gradave në ushtri, ai i shkruan diktatorit edhe për shumë të vërteta të hidhura, çka e shëndrroi edhe atë vetë në viktimë e asaj diktature, që ai i kishte shërbyer me idealizëm dhe zell.
Brenda një kohe të shkurtër, ai do të pësonte një vdekje misterioze në burgun e tmerrshëm të Burrelit.
Fate dhe tragjedi të pafundme njerëzish… dhe librash!
***
Në fund vlen të saktësoj se vepra është shkruar 90 vite të shkuara, diku rreth vitit 1928. Ndërkohë, autori i saj, Leo Ferrero ka vdekur aksidentalisht në vitin 1933, në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1941, prindët e tij botuan veprën e djalit të tyre të vetëm. Në vitin 1944, ajo u soll në shqip, dhe po atë vit ajo humbi së bashku me gjithë bibliotekën e Lazër Radit. Mbas një odiseje prej 75 vitesh, fati dhe rastësia deshën që ajo të shpëtonte. Nëse për veprën e Leo Ferreros ishte kujdesur i ati Gulielmo, që ta botonte mbas vdekjes së të birit; për sjelljen në shqip të Lazër Radit do të kujdesej i biri i tij, që ajo të mbrrinte te drita e botimit…
Diçka, në kufijtë e të pabesueshmes, ata nën të keqen e fashizmit, ne nën të keqen e komunizmit… Kjo është me pak fjalë historia e këtij libri që vjen edhe në shqip, me gjithë vlerat që ai përfaqëson… Një stafetë që udhëton prej 90 vitesh…
Jam i bindur, se kjo vepër e eseistikës sociologjike edhe pse i shkruar larg në kohë, jo vetëm vjen e freskët dhe koherente, por sjell një mënyrë tejet të veçantë leximi të psikës, kulturës dhe historisë së një vendi dhe një populli. Ajo është një model, si mund të lexohet kultura dhe vlerat e një prej popujve më të njohur në histori, gjurmët e të cilit janë të shpërndara në gjitha kontinentet. Falë vlerave kulturore që përfaqëson ky libër, bota bëhet gjithnji e më e vogël, kurse dëshira jonë për ta njohur atë, gjithnjë e më e madhe…
.
dhjetor 2018 – maj 2019.