back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Sënduku i Kujtimeve – Rrëfim autobiografik – nga Anissa Markarian

Gazeta

Korrik 1963 - Anisa 1 vjeçare me prinderit e saj.
Korrik 1963 – Anisa 1 vjeçare me prinderit e saj.

Sënduku i Kujtimeve – Rrëfim autobiografik –

nga Anissa Markarian

Tim eti…

Në shtëpinë tonë të madhe, secili kishte sëndukun e tij të kujtimeve. Ne i thërrisnim “baulë”. Bauli i babit, i mamit, i Anisës, i Markut. Ku secili kyçte atë që nuk duhej humbur kurrësesi. Kujtimet, më të shumtën e rasteve, por edhe sende të tjerë, pa histori, në pritje t’u vinte, herët a vonë, çasti i lavdisë.
Bauli i tim eti, me tri brava, ishte më i rëndësishmi. E quanim “bauli i madh”. I vetmi që më kishte kërshëritur gjer në atë pikë sa të vidhja një ditë shenjat e çelësave mbi plastelinë e t’u bëja një kopje. Gjë që nuk do të ndodhte me baulin e mamit, sepse ajo më ftonte vetë, me shumë kënaqësi, t’i zhbiroja përmbajtjen.
-E sheh këtë basme me trëndafilë? Është “cotton d’Egypte”. Ma pati dërguar Gajzi, ndjestë pastë. Ta kam ruajtur për fustanin e 10-vjetorit.
-Po tek bauli i babit, çfarë ka?
-…Këta çarçafë linoje, që nuk arrita t’i qëndis sa isha beqare, t’i kam lënë ty t’i përfundosh. Ja dhe mulinetë ku janë, edhe modeli në letër kalk…
-A ta hapim edhe baulin e babit?
-…Te kjo kutia ka një parfum rus, “Krasnaja Moskva”. Do të thotë: “Moska e Kuqe”. Hidhet vetëm 1 pikë prapa veshit, dhe i ndihet era 100 metra larg.
-Ouu?!
-Është parfum me famë! Ta kesh kur të martohesh.
-E kush tha që do të martohem?!
-Qyqja?! Mos ma ngrej sheqerin, të lutem!
-Martohem vetëm po të më thuash çfarë ka te bauli i babit.
-Ohuu, s‘ta kam ngenë me këto shantazhe tani!
-O mam’, ti e di çfarë ka mbyllur babi te bauli i vet. Përse nuk ma tregon?!
-Jo! Mos u bëj e bezdisur. E di vetë ai kur duhet të t’i tregojë ato që ruan aty brënda. Vetëm ai e di!

* * *
“Bauli i babit”.
Herën e parë që mësova për ekzistencën e tij, duhej të isha pothuaj 6 vjeç. Një mbrëmje, ndërsa po shkoja të flija, pashë prindërit që tërhiqnin nëpër korridorin e katit të dytë një arkë të stërmadhe druri, që duhej të ishte shumë e rëndë. Aq e rëndë, sa nuk guxova të hipja mbi të, (siç bëja kur zhvendosnin minderët e kuzhinës, për shembull), për të mos i lodhur më keq, ose për të mos ngrënë ndonjë të sharë. E shtynë arkën në fund të korridorit dhe e ngjitën pas murit. Ime më i hodhi përsipër një mbulesë të blertë me qëndisma dhe afroi dy karrike. Arka ishte po aq e lartë dhe e gjerë sa një tryezë buke.
-Çfarë ka aty brënda? – e pyeta.
-Shsht! Është bauli i babit. – m’u përgjigj ajo e më tërhoqi nga dora, si për të më shqitur fizikisht e mendërisht nga ai zbulim drusor.
Të nesërmen, që pa gëdhirë, mbërritën bojaxhinjtë. Stukimi i mureve, lyerja, tharja, rilyerja, ritharja, heqja e tallashit dhe pastrimi përfundimtar, zgjatën tri ditë. I lënë përkohësisht në korridor, bauli sikur u përkiste të gjithëve, por natën bëhej i imi.
Prisja t’i zinte gjumi të gjithë, dilja nga dhoma në majë të gishtave, e i afrohesha kureshtare dhe e paduruar, si të hapja letrën varak të një dhurate-surprizë. S’kisha nevojë të ndizja dritën. Aroma që shpërndante druri me të cilin ishte bërë, apo përmbajtja e tij e panjohur, ishin busulla më e saktë për t’u orientuar në errësirë.
Oh, ajo erë ndjellëse! Ëngjëllore, brëndësore; e mistershme e lodërtare!
Hiqja mbulesën e pështetja faqen mbi kapakun me nyje. Nuhasja, thëthitja, hamendësoja… Sikur më kujtonte paksa atë erën e kishës ku shkoja të dielave bashkë me teta Itën, që atëherë banonte tek ne. Megjithatë, jo, nuk ishte saktësisht e njëjta erë. Sa më gjatë e nuhatja, më tepër bindesha se atë aromë nuk e kisha ndjerë kurrë më parë, ndonëse tundimi për t’i dhënë një emër qe shumë i fortë. Një zë i butë brënda meje më fliste papushim: “e njeh, e njeh; jam i sigurtë që e njeh, por tani nuk të kujtohet ku e ke ndjerë”. Por nuk njihja as zërin…
Veprimi i dytë pas thithjes së aromës ishte hetimi i bravave, me shpresën që im atë t’i kishte harruar hapur. Sikur ime më të më qe përgjigjur, thjesht, “është bauli i babit”, do të isha mjaftuar me aq e do të kisha fjetur. Por ajo kishte thënë edhe “shshsht”! Përse vallë?! Çfarë më fshihnin? Për çfarë arësye nuk më lejohej ta dija edhe unë?!
Kontrolli i bravave dha tri netë rresht të njëjtin përfundim: të mbyllura me çelës. Bauli, pra, mbetej i pahapshëm. Atëherë vija syrin në të çarën e kapakut e mundohesha të shikoja ç’kishte brënda. Ndoshta diçka do të kisha mundur të dalloja, po të kisha pasur një elektrik dore. Ndërkohë, imagjinata prej fëmije, e përndezur nga ai amësim i pazakontë dhe pamundësia për të shtënë në dorë çelësat, bënte punën e vet. Disa ditë më parë, bashkë me tim atë, kishim shfletuar një album të vjetër me fotografi të paraçlirimit. Im atë në Korçë, kur shërbente në rradhët e Kryqit të Kuq Shqiptar. Im atë në Shkodër, me uniformë ushtarake, me gradën e nënkolonelit. Im atë në Klinikën e tij, i përkulur mbi gojën e një pacienti. Im atë në mes të një grupi gjuetarësh me çiftet në sup, në kodrinat e Saukut. Im atë dhe një femër nazike, me kokën lëshuar në qafën e tij, gjatë një pikniku në malin e Dajtit. Përsëri ajo femër, në makinë me tim atë, e veshur me sqimë. Pastaj ajo, vetëm, në makinën e tim eti. Më tej, ajo, im atë, dhe prifti ortodoks që sapo i ka martuar. Fustani i saj i nusërisë, me vellon pafundësisht të gjatë, që i fillon në flokët e zinj e i derdhet valë-valë mbi trup. Fustan ëndrrash! Unë e di kush është “Ajo”. Gruaja armene e tim eti, që vdiq pa mundur t’i jepte fëmijë. Edhe im atë është i bukur. I ri, i qeshur, i fuqishëm. Me kostum të errët dhe një karafil të bardhë në syth të xhaketës. Edhe një fotografi tjetër, me makinën e tyre, në Athinë, për muajin e mjaltit. Pastaj në Romë, në Marsejë, në Izmir, me prindërit e saj. Pastaj përsëri e përsëri të dy bashkë, gjer në fund të albumit.
Të ishte fustani i saj, që lëshonte atë aromë nga brënda baulit?! Ato lulet që mbante në dorë ditën e dasmës? Shtëllunga e vellos bardhëllore? Të linjtat e saj të mëndafshta? Çfarë tjetër?! Albume sekretë dhe erëmirë, që im atë nuk dëshironte t’i shfletonim?
Asnjëra nga hamendjet nuk më bindte. Befas, m’u kujtua makina. E pyesja shpesh ç’e kishte bërë, por çdo herë më përgjigjej kalimthi, si pa dëshirë. Për më tepër, nuk më shihte as në sy. (Sipas sime mëje, kur bashkëbiseduesi s’të shihte në sy, nuk ishte i sinqertë.) Pra, në lidhje me makinën, im atë më gënjente. Por tani, unë e dija ku ishte! E kishte fshehur aty brënda… Po, po, pa asnjë dyshim! Jo më kot bauli ishte aq i madh e i lartë. Sepse im atë ruante aty makinën e tij të dashur.
Gëzimi i atij zbulimi qe i papërshkrueshëm! Që nga ajo natë, fillova të bëja me mend dhjetra plane për t’i hipur fshehurazi makinës e për të bërë xhiro nga Liqeni…
Prej disa kohësh, (përafërsisht qëkur fillova të interesohesha për fatin e makinës së tim eti), kisha kuptuar se qarkullimi me automjete personalë ishte i ndaluar, ndonëse prindërit nuk më kishin folur kurrë për këtë gjë. Ishte nuhatja ime prej fëmije. Ashtu siç kisha kuptuar që nuk do të mund të shkoja më kurrë të dielave në kishë me teta Itën, pa qënë nevoja të më rrëfenin se i kishin mbyllur përgjithnjë. Dalëngadalë, do të mësoja të dalloja qartësisht gjërat e lejueshme nga ato të paligjshmet, duke vënë re me keqardhje se lista e këtyre të fundit shtohej më me shpejtësi se e të parave, sa më shumë rritesha. Siç thoshte mësuese Nimeti, “po diplomohesha në shkollën e jetës, për t’u bërë një qytetare e disiplinuar”. E varfra mësuese e dashur, e ëmbël! (Nuk e di në ishte për këtë shprehje, apo për ndonjë tjetër, që një ditë e internuan në një fshat të Lushnjës, dhe nuk e pashë më kurrë.)
Për shkak të asaj nuhatjes së pagabuar fëminore që po piqej brenda meje, planet e mi do të kryheshin në mënyrë konspirative. Mundësisht, pas mesnatës. Pa ngritur zërin. Pa ndezur dritat. Im atë do të nxirrte makinën nga sënduku, do t’i jepnim një të lustruar (për t’i hequr pluhurin e naftalinës), do ta zbrisnim në oborr (në majë të gishtave) e, si t’i kishim shtënë benzinë, do të dilnim në rrugë. Im atë do të ndizte motorin pa bërë as zhurmën më të vogël e, pastaj… Iaahuuuuuuu!!!
Isha aq shumë e sigurt që makina e tim eti ndodhej në baulin e madh sa, ditën kur mora vesh që ajo ishte shitur përafërsisht 10 vjet përpara se të lindja (oh, këtë herë babi nuk gënjente, jo!), gati sa nuk më ra të fikët nga zhgënjimi. Kokërdhokët e syve m’u zgurdulluan, qafa m’u bë shkëmb, duart më ishin paralizuar duke shtrënguar një timon imagjinar dhe nuk flitja, vetëm turfulloja: “ty-ty-tyt”! Dikush mund të thotë që këto nuk janë shenjat klasike të një të fikti, por më pëlqente aq shumë ajo shprehja heroike “dhe pastaj humbi ndjenjat…” (gjatë torturave çnjerëzore të nazistëve, për shembull), saqë me siguri do të kishte zënë vend në rrëfimin tim po t’ia kisha treguar ndokujt të nesërmen. Në atë kohë, të vetmet gjëra që kuptoja nga mjekësia ishin kokrrat e nikotibinës, që një djalë i klasës kapërdinte çdo pushim të madh tek zyra e drejtoreshës (për të qartësuar “hijet në mushkëri”) dhe krizat e “sëmundjes së tokës”, që i binin shoqes sime të bangës sa herë që bënim pastrimin. Shprehjet e tjera që dëgjoja andej-këtej, si “i ra i verdhëti”, “ka lijën e zezë”, “ka zënë ethen e kuqe”, etj., më ngjanin më tepër me biseda bojaxhinjsh sesa me diagnoza infeksionesh.
Pas rënies së hipotezës së makinës, zbulimi i përmbajtjes së baulit mori përparësinë absolute mbi çdo detyrë tjetër (edhe mbi ato të shkollës). Një obsesion i vërtetë! Me kalimin e viteve, (ndërkohë isha bërë pioniere), kisha vënë re se, më shumë se “sënduku i kujtimeve të babit”, ai ishte “sënduku i shqetësimeve të familjes”. Ndodhte shpesh të më dilte gjumi natën nga një zhurmë e çuditshme, nga një “fësh-fësh” i mbytur. Ishin prindërit që tërhiqnin nëpër sallon baulin e rëndë për t’i ndërruar vend. Të nesërmen do të kishim edhe një “vizitë” tjetër, siç dukej.

Tiranë, mars 1934 - Agop Markarian sapo ka mbushur 36 vjeç.
Tiranë, mars 1934 – Agop Markarian sapo ka mbushur 36 vjeç.

* * *
Tipa të veshur me pallto të gjata prej stofi ushtarak e kapele republikë të zeza, vinin rrotull shtëpisë sonë, kaherë. Zakonisht të shtunave pasdite; rregullisht në prag festash. Im atë i quante, me një frëngjishte të shqipëruar, “fonksionarët e kuartierit”. Ime më fillonte të dridhej sapo i shihte të jepeshin, grup, në krye të rrugës. Bënte rrëmbimthi kryqin duke mërmëritur një lutje, puthte ikonën e Zonjëmadhes, e vraponte t’i vinte çelësin dhomës së baulit. Unë përgjoja prapa grilave të dritareve. Tipat tregonin me kokë nga ballkonët tanë, këshillonin letrat që mbanin nëpër duar, diç i pëshpëritnin njëri-tjetrit në vesh, pastaj i binin ziles. Kur hynin brënda, njëri nxirrte një metër marangozi për të matur korridorët gjërë e gjatë, një tjetër studjonte vendhapjen e oxhaqeve, i treti interesohej të dinte sa banja kishim.
-Përse ju duhen, zotni?! – pyeste im atë, që kurrë nuk u mësua të thoshte “shok”.
-Studim i përgjithshëm, doktor. Çështje strehimi, urbanistike…
-Katin që ma shpallën të “tepërt” e kam dhënë me qera, siç më urdhëroi Qeveria. – përgjigjej im atë.
-E dimë, e dimë! Hajde, mbetshi me shëndet! – dhe largoheshin duke na përshëndetur me grushtin lart, si në ardhje.
-Do të na e marrin, o bab’!? – e pyesja me frikë.
Nuk më përgjigjej. Tërhiqte time më prej krahu dhe shkonin e mbylleshin në dhomën e baulit.
-Nëse na e marrin shtëpinë e na japin ndonjë nga ata apartamentët si kuti shkrepëse, një dhomë më vete do të na duhet për baulin e babit. – i pëshpëritja tim vëllai, kur shkonim të flinim.
-Po t’i shtrojmë një dyshek të mire, flej unë mbi të! – gëzohej im vëlla, sikur të shkonte për të buajtur tek Moma.
Më në fund, im atë vendosi të na fliste. Një mbrëmje, pas darke, në një seancë historike “këshilli familjar”. Them historike, sepse atë natë u ndërgjegjësova thellësisht, përfundimisht, pakthyeshmërisht, mbi armenitetin tim. Më saktë, mbi të qënit “ndryshe”.
-Ia kanë vënë syrin shtëpisë. E keni kuptuar, besoj. Duan të bëjnë zyra. – na njoftoi im atë.
Më kapi vaji, në çast, e kruspulluar në minder. Lotët më rridhnin vetiu, pa i ndjerë, pa i përmbajtur dot. Askush prej të treve nuk u orvat të më ngushëllonte. Më lanë të vajtoja hidhërimin tim.
-Shtëpi e madhe, në buzë të rrugës, në qendër… “Për nevojat e Qeverisë, doktor.” Hëm, nuk e kanë menduar keq, jo.
-Po kjo është shtëpia jonë! – klitha. – Është shtëpia jonë, apo jo?!
-Ajo, ajo, ahçigës! (Po, po, bija ime! – në armenisht.)
-Të ra qeleshja në derë të Qeverisë, ik me vrap, mos u përkul ta marrësh, thonin të vjetrit dhe nuk e kishin keq. – arësyetoi ime më. – Të pata thënë ta shisnim këtë shtëpi e të blinim një të vogël andej nga rruga e Elbasanit, por nuk më dëgjove. Të kanë në listë, Agop! Komunist jo e, për më tepër, armen! Na qërojnë kur t’u teket!
-Në qoftë se ma marrin shtëpinë, … në qoftë se vërtet do të na nxjerrin nga shtëpia jonë, nuk na mbetet veçse të ikim, të marrim rrugët përsëri, me sëndukët mbi shpinë. – deklaroi im atë, çehreprishur.
-Ti kujton se u iket “këtyre” siç u shpëtove turqve?!
-I kanë mbyllur rrugët. – tha im vëlla e hapi naivisht duart, si për të thënë: “S’kemi ç’të bëjmë”.
Me kalimin e viteve, çastet e trishtimit gjatë të cilëve im atë, i përvëluar nga malli për të vetët, qante si fëmijë, ishin bërë më të shpeshtë. Sidomos mbrëmjeve të dimrit. Ditët që shkurtoheshin, moti i ftohtë, meraku se mos sëmureshim ne kur shkonim të flinim në dhomat e pangrohura, shqetësimi se një mëngjes, papritur, mund të gdhiheshim pa shtëpi, ia helmonin edhe më pezmin. Mblidheshim të katërt në kuzhinë, rrotull sobës. Shuanim dritën, hapnim derën e vatrës që të kundronim flakët, e im atë tregonte diçka nga jeta e tij. (Rrëfente për të lehtësuar brengat, sepse flakëritja e gjuhëve të zjarrit i kujtonte djegien e shtëpisë së vet? Apo, ato çka tregonte nuk mund të rrëfeheshin veçse ballëpërballë flakëve, për t’i sfiduar që u kishte mbijetuar e ishte bërë edhe baba?) Thërriste prindërit, vëllain e vetëm, motrat… U fliste në armenisht, sikur t’i kishte pranë; përpëlitej, lutej, shtrëngonte nofullat, gëlltiste zaret e dëshpërimit të bërë gjyle, i pangushëlluar. Oh, sa më dhimbsej në ato çaste! Më dhimbsej si babë e si “bir” (më kishte vënë emrin e s’ëmës). E shikoja në sy e pafuqishme; ia merrja një dorë në të miat, ia puthja, ia përkëdhelja me faqen time, duke pritur të qetësohej. Ritualisht, mbrëmje të tilla mbylleshin me urimin: “O Zot, u hapshin rrugët sa më parë, që të takojmë njerëzit e gjakut!” Dhe shkonim të flinim.
-Po kur, kur do të hapen rrugët?! – pyesja veten.
Rrugët e zëna nga Kuçedra. I përfytyroja të mbyllura me porta hekuri shumë të larta. Porta aq të larta saqë, për t’i kapërcyer, duhej të shpoje qiellin. Portat që nuk ishin hapur asnjëherë, që kur kisha ardhur në jetë. Do t’u jenë ndryshkur drynat në atë farë feje, sa nuk u bën më asnjë kyç, mendoja. Megjithatë, nuk arrija të kuptoja përse njerëzit nuk provonin t’i këpusnin hallkat me darë, siç kishte bërë im atë, për shembull, për të më hapur sëndukthin e kujtimeve kur i pata humbur çelësin e vetëm. Ndoshta, sepse janë miliona dryna, i justifikoja. Ndoshta, sepse janë shumë të mëdhenj, nga ata që nuk i ha dot asnjë darë. Ose, më keq akoma, janë dryna të padukshëm, të maskuar në kushedi ç’pjesë të Portave, ku nuk ia merr mendja askujt. Ndërsa ata që shihen në bisht të llozave, në të vërtetë, as çelin, e as mbyllin gjë. Janë vetëm për t’u hedhur hi syve atyre që u afrohen për t’i hapur.
Në krahun tjetër të “rrugës” me siguri, pritnin mëmat, baballarët, motrat, vëllezërit, gratë, burrat dhe fëmijët e atyre këtej. Pritnin prapa Portave, të përvëluar nga malli. Pritnin të hapeshin një ditë e të takonin të dashurit. Të piqeshin ata që pritnin në të dy anët e Portave. Ndoshta im atë nënkuptonte pikërisht këtë kur thoshte të iknim. Të shkonim të pritnim pranë njërës nga Portat, për t’i dalë mallit përpara…
Oh, sa zili i kisha shoqet dhe shokët e klasës, që i kishin të gjithë të dashurit nga e njëjta anë e Portave. Të paktën, kur i merrte malli (por edhe kur nuk kishin mall fare; ashtu, vetëm për qokë), kishin mundësi të shkonin t’i takonin. Unë isha “ndryshe”. Nuk mund të takoja asnjë nga kushërinjtë e kushërirat nga fisi i babit. Nuk kisha njohur as gjyshërit, as hallat, as xhaxhain. Për më tepër, gjyshërit nuk i kisha parë as në fotografi. E vetmja mënyrë për “t’i njohur”, ishte t’i përfytyroja. Sa herë që im atë më lutej t’i thurja flokët gërshet, shtonte edhe: “që t’i ngjash Anisës së madhe”. Anisa e madhe, që nuk arriti të bëhej gjyshe. Në përfytyrimin tim, “ngjizja” e figurës së saj fillonte gjithmonë nga dy detaje; të vetmit që rrëfente im atë kur na fliste për të. Gërsheti pis i zi dhe e qeshura kumbuese. Gërsheti dhe e qeshura. Flokët dhe buzët. Gjithnjë të qeshura…
Më vonë, kur u rrita aq sa për të përballuar tmerrin e dëshmive fotografike të Kasaphanës së Madhe, elementi i parë që qëmtoja nëpër fotot ishin gërshetat. Fotot që më gjakosnin shpirtin; shpirtërat që më lypnin arësyen e gjakderdhjes së pafajshme. Karvanë të pafund marshuesish skamnorë, të shtyrë shtazërisht drejt humbëtirës. Marshojnë ditë e natë pa ditur ç’i pret; herë të tartarosur, here të përvëluar. Fëmijë jetimë në kurriz të motrave skeletike; pleq të uritur në prehër të nuseve-vejusha me gërshet të zi nën shaminë e kokës. Edhe të palindurit marshojnë; me placentën për pullaz e për qefin. Mungojnë djelmoshat dhe burrat. I kanë therrur në prag të shtëpive e flakur shkopacingthi nëpër hendeqe. Të vdekur gojëçapëlyer, bërë kapicë në buzëhumnerat. Trupa të plaçkitur, të përdhosur, të zgavëruar, në zbrazëtinë e pafund shkretinore ku lartohen trikëmbësha makabër. Kufoma të dekompozuara, të paidentifikuara. Kufoma grash e vajzash armene, të gërshetuara…

"Familja Markarian - Tirane, mars 1968"
“Familja Markarian – Tirane, mars 1968”

* * *
Falë nuk e di çfarë kombinimi fatlum rrethanash e arësyesh, “fonksionarët e kuartierit” e lanë pasdore atë idenë e zyrave, por gjithësesi, një pjesë e shtëpisë duhej t’u përkiste se s’bën. Dhe na urdhëruan t’u lironim bodrumet, sepse kishin nevojë për strehime antiatomike. (Po, po!!) Na u desh një javë punë për t’i boshatisur e për t’i pastruar. Pastaj sollën stola e tavolina, dritaret i zunë me perde të zeza, e na kërkuan t’u dorëzonim një kopje të çelësave, gjë që im atë e refuzoi pa i bërë syri “tërr”, për arësyen e thjeshtë që, në kohë paqeje, zot i shtëpisë (e për rrjedhojë, edhe i strehimit antiatomik) ishte vetëm ai! (Të lumtë goja, bab’!)
Më kujtohet fare mirë ajo kohë absurde, kur sirenat e montuara në çatitë e pallateve ulërinin rregullisht çdo të shtunë mbrëma, aty rreth orës 22.00. Banorët e Tiranës rrëmbenin trastën vetjake me ushqime të thata e një batanije dhe vraponin për në strehimin ku ishin caktuar. Vraponim edhe ne. Për të zbritur nga kati i dytë i shtëpisë në bodrumin tonë, me trastën në dorë dhe batanijen.
-Markarianët janë me fat. – komentonin ca komshinj ziliqarë. – E kanë rifuxhion mu te këmbët e krevatit. Ja, ç’do të thotë, të kesh shtëpi të madhe!
Seancat e simulimit të “goditjes atomike” përfundonin me sinjalin e dytë të sirenës, që ishte më i shkurtër se i pari e nënkuptonte: “rreziku kaloi”. Përgjegjësi i grupit të të strehuarve bënte apelin për herë të dytë (për të ditur në kishim pasur humbje njerëzore gjatë “sulmit”) dhe na lejonte të ktheheshim nëpër shtëpitë tona.
Një të dielë në mëngjes u dhanë në portë ca djem të lagjes me një pusullë nga kryetari i këshillit, që i autorizonte të merrnin tryezat dhe stolat se u duheshin për një dasëm, dhe nuk i kthyen më. Atëherë kuptuam që mund të rifutnim në bodrum drutë e zjarrit dhe rrangullat e tjera, që dergjeshin në një cep të oborrit që prej një viti.

* * *
-Eja më ndihmo të zhvendosim baulin e babit. – më foli me zë të ulët ime më, duke më tundur nga supet që të zgjohesha, natën përpara një dhunimi tjetër, të pafundmin, të intimitetit tonë familjar.
Si kishin shfrytëzuar pjesët e nëndheshme të shtëpisë, ata të lagjes lakmonin tani lartësinë e saj. Në mëngjes kishin ardhur të inspektonin ballkonet dhe tarracën. Ishte vigjilje votimesh. Që prej disa javësh, për të kursyer energjinë elektrike, pas orës 20.00 pritnin jo vetëm dritat nëpër shtëpitë, por edhe ndriçimin e rrugëve. Duke përfituar nga errësira e plotë, duar anonime kishin shkruar nëpër mure parrulla të pista kundër diktaturës.
-Do t’i gjejmë qelbësirat; horrat e horrave! Do t’i ndëshkojmë siç e meritojnë! Ju duhet të na ndihmoni, doktor. – i kishte thënë tim eti njëri nga të dy “fonksionarët”.
-Nuk e di se si, zotni.
-Shtëpia juaj është e lartë!
-Pallatet tuaj janë edhe më të lartë.
-Eeeee, por nuk i kanë ballkonet të përshtatshëm. Biem në sy menjëherë. Gjersa të kalojnë votimet, do të dërgojmë çdo natë dikë për të vrojtuar rrugën.
-Minjtë natën dalin, se dielli i verbon, shoku doktor! E kuptoni, apo jo?
-Jo zotni, pardon, nuk ju kuptova.
-Dikush nga ne, – dhe i kishte shkelur syrin si për t’i thënë “një nga ne të Partisë, pra,”- do të vijë natën të bëjë roje në ballkonin tuaj.
-Natën, në shtëpinë time?! Jo, zotni, unë kam grua, kam fëmijë që flejnë…
-Njeriu ynë s’do t’i japë shqetësime askujt. Do të qëndrojë në ballkon.
-Gjithë natën në ballkon?!
-Gjer në të gëdhirë.
Kur ma raportoi ime më bisedën, në vend që të shqetësohesha, këtë herë u dëfreva pa masë. Dikush i shtrirë në ballkonin tonë, i fshehur prapa gjetheve të hardhisë, në përgjim të disidentëve të pashpallur të lagjes. Ç’qyfyre! (Gjynah që nuk mund ta tregoja dot në shkollë.)
-Më mirë ta vëmë në dhomën tënde, se nuk komunikon me ballkonin. S’ma bën zemra ta lë në sallon. Hë, si thua? – më pyeti ajo, duke më ndriçuar udhën me një kandil.
I rënduar tashmë nga mosha, im atë nuk kishte fuqi ta shtynte baulin andej-këtej nëpër shtëpi.
-Çfarë ka mbyllur babi këtu brenda, o mam’? Jam rritur tani, mund të ma thuash.
-Gjërat e tij… Ato që ka sjellë me vete q’andej; ato që dëshiron t’i marrë përsëri me vete…
-O Zot! Edhe ti beson që do të rimarrim rrugët një ditë?!
-Nuk është e pamundur. Duhet të jemi gati për çdo rast. Më dëgjove? Lëri fotografitë e dashnorëve, lulet e thara, ditarët… Merr gjërat thelbësore.
-Ah, paske gërrmuar në sëndukun tim?! Më paske vjedhur çelësin!
-Jo, jo. S’kam nevojë. Kam qenë edhe unë në moshën tënde.
-Ç’të marr, atëherë?! Pallton e madhe? Librat? Biçikletën?
-Merr çfarë do të të nevojitet për të mos u ndjerë pa rrënjë e pa degë.
-Kujtimet!
-Tamam.
-S’po kuptoj gjë! Edhe më thua “lëri, janë budallallëqe”, edhe më këshillon “merri, që të mos ndihesh e humbur”.
-Merr ato që ia vlejnë!
-Çfarë ka babi në baul?… Të vërtetën, ama. Të lutem.
-Ti çfarë do të kishe marrë, po të kishe qenë në vend të tij?
-…
-Po të të shpërngulnin nga toka ku ke lindur e të të degëdisnin prapa botës… Po të të shfarosnin familjen, të ta bënin shtëpinë shkrumb e hi…
-Një grusht dhé?
-Vetëm kaq?!
-Dy grushta…, jo, një trastë me dhé të dheut tim. Gurët e djegur të shtëpisë sime… Fotografitë… Gërshetin e zi? Abetaren? Kryqin? Rrobat e shtatit të natës gjëmëmadhe?
-Është i rëndë plumb. M’u këput mesi…
E shtymë baulin brenda në dhomën time dhe e vendosëm pranë bibliotekës.
-Këtu më duket mirë. Si mendon? Në rast nevoje, mund ta kamuflosh në tryezë pune. Hajde, gjumë të ëmbël. – më puthi në ballë e zbriti shkallëve me kandilin në dorë.
Mirëserdhe, miku im! Obsesioni im i gjithëhershëm, tundimi im, ja ku të kam. I ke bravat të mbyllura? Unë kam çelësat që i hapin. (Kam kopjet e tyre, desha të them.) Por s’kam përse të ngutem. Për sa kohë që “hija” do të përgjojë në ballkon, ti do të flesh këtu me mua.
Në dhomë qe përhapur sakaq një parfum delikat; një puhizë përmallore që më rrëmbushte gjoksin, një erë e këndshme, e mirënjohur… Aroma e dheut tim!
Pështeta faqen mbi drurin erëmirë dhe qëndrova një copë herë ashtu, në errësirë. Unë dhe “Ai”. Njëlloj si atëherë kur isha 6 vjeç. M’u bë se pashë tim atë, adoleshent, në pragun e shtëpisë së tij. Shtëpinë që nuk do ta rishihte më kurrë. Shtëpinë që do ta ëndërronte, do ta kërkonte, do të na e përshkruante tërë jetën. Shtëpinë mes zjarrit dhe zallahisë. Duar kriminele që, nëpër natë, derdhin vajguri rrotull shtëpive armene. Ndërsa ata kujtojnë se kovat janë me ujë, për të fikur flakët…
-Prindërit i humba rrugës… I kishin faqet ende të kuqe kur i varrosa, – qante im atë duke na treguar ikjen e pahirtë. – I groposëm në varre të përbashkët, se vdisnin me dhjetëra, me qindra, çdo ditë. I kishin faqet të kuqe kur… Asdvaxës! (Zoti im! – në armenisht) Mos i kam varrosur të gjallë??!
Ky peng do t’ia brente zemrën e shpirtin tërë jetën. Më vonë (ah, tepër vonë, fatkeqësisht), kur studjoja për mjekësi, do të mësoja se të sëmurët nga ethet tifoide vazhdojnë t’i kenë faqet të kuqe e trupin të nxehtë, edhe për shumë orë pasi kanë vdekur. Por nuk bëra në kohë t’ia thoja. Iku përgjithnjë, me pengun të pashlyer…
Përfytyrova tim atë me sëndukun e kujtimeve në sup, nga një shtet në tjetrin. I zbuar, i çatdhesuar. Njëri, mes qindramijëra të shpërngulurve, të të dhunuarve. A nuk shpjegonte ky makth të gjithë filozofinë e jetës së tyre pas masakrave të gjenocidit? Frika e një dëbimi të dytë, të tretë, të pafund. Ndjenja e të qënit të përkohshëm gjithkund. Si një lis i shkulur dhe i rimbjellur gjetkë, kokëngulthi. Me rrënjët të kthyera përmbys. Rrënjë ajërore…
-Po ia ndërrove tokën pemës, nuk rrënjëson më. – më pati thënë një armene plakë. – Guxim të madh ka patur yt atë për të ndërtuar këtë shtëpi. Një shtëpi tjetër?! Marrëzi!

* * *
Shtëpia jonë me dhomat e mëdha, pothuaj bosh. Aq sa më dukej se ato pak mobilje e orendi të rrënuara, të ekspozuara aty-këtu, (si në një panair vjetërsirash që përgatitet të mbyllë portat dhe ul çmimet e objekteve të fundit që kanë mbetur pa shitur), ishin ato më të pavlerat. Ato që mund t’i braktisnim pa na u dhimbsur, po të qe nevoja. (Edhe shtëpinë?!) Ndërsa në sëndukët… Aty kishim kyçur ato çka nuk do të flijonim kurrësesi, po të qemë të detyruar t’i rimerrnim mbi shpinë.
Kujtimet, natyrisht…
A.M.© 1997 (Nxjerrë nga vëllimi me tregime me të njëjtin titull.©)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.