back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“…sepse jeta asht vërtet e bukur…” – Lekë Pervizi rrëfen për 20 vitet me Lazër Radin

Gazeta

Botuesi Lek Pervizi - Në kampin e Tepelenës
Botuesi Lek Pervizi – Në kampin e Tepelenës

“…sepse jeta asht vërtet e bukur…”

Lekë Pervizi rrëfen për 20 vitet me Lazër Radin

Të shpërndamë nëpër botë kemi humbë kontaktet me njerëzit tanë dhe miq e dashamirë, aq ma tepër me bashkëvuejtësit, me të cilët kaluem një jetë të humbun, por sidoqoftë të bukur, sepse jeta asht vërtet e bukur, siç ia vuni titullin filmit të tij Roberto Beninji “La vita e bella”, ku paraqiste jetën e një fëmijë në një kamp nazist.
Me këtë shkrim të Jozef Radit, rikthehemi në atë kohë mizore, ku me Lazrin kaluem 20 vjet bashkë në dënime, nga kampet e Shtyllasit, Radostinës, të Kuçit të Kurveleshit e në Gradishtë, Çermë, Savër e në Pluk të Lushnjes.
Unë isha thuej 15 vjet ma i ri, por në rastin konkret silleshim si bashkëmoshatarë, se Lazri asnjëherë nuk evidenconte këtë kontrast, ku unë figuroja si një nxanes i tij. Në fakt, jo vetëm Lazri, por të gjithë intelektualët e tjerë me diferencë vjetësh, silleshin me ne të rijtë si t’ishim të një moshe. Por me Lazrin ndryshonte puna, sepse ne qendruem të pandamë gjithë kohën, pothuej 20 vjet, në punët që na kishin caktue. Kjo si jetë e përbashkët, e imponueme, nga fakti se ishim të detyruem të punonim ku të na caktonin, në çdo lloj pune. Kryesisht ne njiheshim se piktorë e dizenjatorë, por na ngarkonin dhe me punë të tjera, si: marangoza e mekanikë, sigurisht edhe në bujqësi, kur u dilshim tepër Ne ishim lidhë edhe familjarisht e shkonim e vinim edhe për hir të shoqnisë. Çështja qëndron se gjatë kësaj jete të përbashkët, fatmirësisht ne të dy vetëm, bisedat tona ishin të lira, ku trajtonim probleme kulturore e letrare, po se po, por në dritën tonë, për të ardhmen, kur të shpëtonim nga kthetrat e diktaturës. Vërtet, ato dukeshin si andrra në diell, por në thelb pasqyronin dëshirat dhe idealet tona. Liria ishte ideali dhe dëshira jonë ma e naltë, ku ne do të mund të shpreheshnim lirshëm e pa asnjë pengesë. E gjitha kjo ishte në kundërshtim me pjesën tjetër të shoqnisë që e quente veten “e lirë”, që s’guxonin me thanë nje fjalë sipas mendjes së tyne, por ashtu siç i mësonte e i urdhnonte partia. Pra, nji jetë falso.
Punishtja e Parullave - skicë nga Lek Pervizi
Punishtja e Parullave – skicë nga Lek Pervizi*

*Baraka me llamarina, qe na kishin caktue si sektor pikture e pune te tjera. Ndërtue nga inxhinjeri i fermës që na njihte mirë, që të mos binim në sy. Pra, që të punonim në këto kushte primitive. Çudia asht se si nuk na kishte shkue ndërmend të banim ndonjë fotografi tonën e të barakës, e cila mbetet vetëm në këtë vizatim.

.
Lazri më thoshte ndonji herë, kur binte fjala.
“Shiko Lekë! Kur jam në shpi, me njerëzit e mi, çfarë nuk flasim pa ndroje, në liri të plotë. Kur nisem për në punë i them vedit: Lazër, dole prej shpie, je nji tjetër Lazër, nji aktor që duhet ta luejsh pjesën mirë…” Gjatë asaj periudhe, sigurisht se askush prej nesh nuk ia mbante të merrej me shkrime. Kështu Lazri ishte i bllokuem si gjithë ne të tjerët. Ja u ba nji kontroll e me na i gjetë ato shkrime?! Pasojat ishin të randa, e kjo e mundonte. Bile diku kishin shpëtue disa dorëshkrime të tij, në nji thes. Po ku guxonte me i marrë. E vetmja punë që bani, ishte një broshurë me nja 50 faqe për Migjenin në format A4, shtypun në makinë shkrimi, që e kishin në ndërmarrje. Shkrimet ishin të para vitit 1944, kur ai punonte si gazetar.
.
Lazer Radi - Nji vere me Migjenin - 4
Lazer Radi – Nji vere me Migjenin – 4
Lazri jo vetëm e kishte njoftë Migjenin, por edhe kishte pasë miqësi të ngushtë me të. Kështu i kishte kushtue atë shkrim.
Aty kah viti 1963, me 25 vjetorin e vdekjes së Poetit, iu mbush mendja e ia nisi nji kopje Enver Hoxhës. Kështu që përgatiti nji si broshurë me nji si kopertinë bojë roze, ku unë ia kisha shkrue bukur: “Migjeni”. E aq. Të dalë ku të dalë. Fakti ishte se ma mirë s’e Lazri s’e njihte tjetër kush Migjenin. E nisi broshurën me postë. A don ti, s’kaluen dy javë dhe broshura iu kthye prap me poste nga zyra e Enverit, pa asnji shënim. Veçse kur e hapi broshurën te nji faqe kah mesi, Enveri kishte vendos fund e maje faqes një vijë me laps të kuq. Pse? Në at faqe Lazri kishte paraqite Migjenin si nji intelektual e poet të shquem, përparimtar e demokrat, si nji patriot i vërtetë etj. pa përmendë asnji simpati të tij për lëvizjen komuniste…
“E dijsha, – tha Lazri se diku do të ngecte puna. Por nuk asht se pati ndonji trazim për kët ndërhyemje të Enverit.
Andej kah viti 1974, tri vjet para se me dalë në pension, Lazrin e hoqën nga ajo punë, mbasi më kishin sjellë nji djalë të ri i posaliruem nga ushtria, si ndihmes. Pastaj edhe na izoluen, kështu s’u takuem ma. Unë me familje u largova në Belgjikë…
Mbasi u përmbys diktatura, Lazri iu vu punës së shkrimeve me vullnet dhe botoi disa libra. Me 1997, pak para se me ndrrue jete, m’i çon librat që kishte botue, me nji njeri dhe me nji shënim. “Po t’i çoj k’to libra që t’i ruejsh e të shpëtojnë, se në Shqipni po vendoset prap diktatura komuniste…” Kur kujtoi Lazrin, kujtoj gjithë atë jetë që na shkoi kot, të mbyllun si në kafaz. Por edhe në atë kafaz ne luftuem me këndue si bilbila.
Tjetër për t’u thanë asht se në tanë at kohë sëbashku, ku shkonim për punë edhe ne Lushnje, nuk dolëm në nji fotografi bashkë. Edhe nji portret të tij në profil e pata ba, duke e paraqitë në forme medalioni… si duket ka humbë, se Nini do ta kishte paraqitë në sitin e tij. Kjo më ka mbetë merak prej asaj kohe.
Bashkë me librat, më dërgoi edhe disa fotografi, si kjo në shtëpinë e vajzës Adriana, në New York, 5 dhjetor 1996
.
Lek Pervizi: Zdrukthtar...
Lek Pervizi: Zdrukthtar…
New York duke pritur ambasadorin shqiptar të OKB. Dhjetor 1996
Në Rjeka, duke u nisë për në Tiranë, 1996
Këto fotografi si për me më thanë, ku ishim e ku dolëm, nga skëterra në parajsë. Por që parashikimet ne bisedat tona u realizuen, shumë vonë, por më mirës se kurrë. Së paku, disa vepra ia mbrritëm me i realizue.
.
*Ky koment është botuar në numri 162, i revistës “Kuqezi” dhe shoqëron shkrimin e Jozef Radit “Kur Lazer Radi mbushte 105 vitet”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.