back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Sfida e një Shkrimtari të Madh* – nga Hysen Sinani

Gazeta

Shkrimtari Kasem Trebeshina
Shkrimtari Kasem Trebeshina (1926-2017)

Sfida e një Shkrimtari të Madh*

nga Hysen Sinani

Shënime kritike për vëllimin me novela
“Hijet e shekujve” të Kasëm Trebeshinës
 
E reja në letërsi i ka shtangur gjithmonë njerëzit. Ajo kurrë nuk është pritur menjëherë krahëhapur, as në vendet e qytetëruara, ku është ndeshur me traditën komode dhe as në ato të pazhvilluara, ku ka mbetur e vetmuar për shumë kohë. Për ne, që ishim mësuar të quanim novitet ato modele të gatshme që kurrë nuk i besuam si zbulime masa e shtangies arrin deri në mosbesim dhe, si pasojë, në heshtje. Kjo heshtje, do të ishte një dënim i pamerituar… Shqipërisë i ka mbirë sot nga dheu një gjigand i letrave, që na ka hedhur përpara këmbëve një libër dhe na ka kthyer shpinën, si për të na thënë: merreni edhe këtë sfidë tjetër, lexojeni dhe, po nuk ju pëlqeu, ma ktheni në të njëjtën mënyre siç jua dhashë!
.
Kasem Trebeshina - Pjesë nga vepra e botuar
Kasem Trebeshina – Pjesë nga vepra e botuar

Eshtë koha për ta ulur pak hundën

Sikur të përqëndroheshim pak në kujtesën tonë për
të sjellë në mendje ato episode që na kishin lënë shumë përshtypje, si jashtë klisheve të tematikës së porositur, prap, nga e gjithë letërsia e realizmit socialist nuk do të gjenim qoftë edhe një fakt të vetëm letrar që të mos përmbante të paktën idenë se në Shqipërinë socialiste punët shkonin mirë edhe kur vriteshin njerëzit. Kudo që të ndodhej e keqja, ajo nuk ishte gjë tjetër, veçse “mëmë e së mirës”. Nuk mund të publikohej përmbajtje tjetër. Ndërsa tek ky vëllim i ri me novela, të shkruara nga Kasëm Trebeshina nga prilli i vitit 1995 deri në mars të këtij viti (96), e keqja e racës sonë, veçanërisht ajo e mbjellur nga diktatura komuniste, është e theksuar nga faqja e parë tek e fundit. Nuk ka asnjë teprim. Kishte nevojë shqiptari për një pasqyrë ku të shikonte veten për ta ulur ca hundën që ia kishin ngritur aq përpjetë sa nuk shikonte ku shkelte… Po ç’thote konkretisht autori i madh?
Novela e parë: Nata e reptilëve të mëdhenj. Nëntitull: Endërr gushti. Natë doemos e nxehtë dhe në këtë natë një skulptor që ka vajtur në një fshat, i thirrur nga kryesia e tij, për t’u bërë udhëheqësve përmendore të kërkuara. Në endjet e natës, ku nuk pushojnë të ngrenat e të pirat, skulptori befasohet me një fakt: njerëzit therin e pjekin të ngjashmit e llojit të tyre dhe, sipas meritave, hanë edhe pjesët më të mira. Skulptorit nuk i mbetet gjë tjetër, ose të presë rradhën në vathën e njerëzve – bagëti, ose të arratiset përmes gardhit të ngritur me fjalë si një pengesë e pakalueshme.
Kur Floberi përshkruante të “Salambo” mercenarët që hanin njëri-tjetrin të rrethuar nga kartagjenasit dhe shpjegonte bazën reale të krijimit të simboleve filologjike, kritika e kohës e përbuzte me mosbesim këtë të vërtetë të natyrës njerëzore. Trebeshina bën të kundërtën; frazeologjinë popullore “njeriu ha njerinë” e shpie në një skenë të njohur për ne, në një sallëe të madhe mbledhjeje, ku bëhen premtime miqësie dha nga ku ne, lexuesit, marrim një ngarkese emocionale revoltuese. Deklaron kryetari i fshatit (nënkupto Enver Hoxha apo atë përbindësh që ke njohur më mirë):
“Shokë…!” Unë për vëllezërit tanë, Miladengun dhe Dushmugushin, jam gati të therr dhe të pjek në zjarr të pakët tre të katërtat e fshatit këtu dhe të atyre më tej!”
Skulptori merr arratinë nëpër natë dhe ndien lehtësim në shpirt vetëm kur ka zbardhur dita e ai është nisur në drejtim të stacionit të trenit… Një novelë mjeshtërore.
E dyta: Lëkura e djegur, dhe Një histori për dy shkrime të lashta të bëra mbi të njëjtën lëkurë. Asnjë raport kohor. E djeshmja me të sotmen ecin në të njëjtën orë. Tre djem shkolle, midis të cilëve edhe narratori, nisen në fshat për pushimet e verës. Heroi, nëpërmjet ëndrrave dhe zhgjëndrrave të tij, mëson histori të jashtëzakonshme që e lënë pa mend për mrekullinë e ligë dhe absurditetin e madh që mbartin brenda tyre.
Digjet një lëkurë e vjetër nga prifti i fshatit, sepse ka djallin brenda, domethënë shkrime heretike. Por tepron një copëz që lexohet nga një kalorës, i cili di latinisht dhe greqisht. Vdes kalorësi, narratori martohet me të bukurën Gylymser… Një subjekt i copëzuar për shkak të raportit të autorit me personazhet që mund të shkojnë ku të duan dhe për këtë arsye një subjekt mjaft tërheqës, dhe, sidomos, një e vërtetë letrare e paraqitur si nje e vërtetë jetësore, krejt e kundërta e asaj që bënte realizmi socialist, i cili të vërtetën jetësore e sillte si një kopje të
retushuar për të vërtetën letrare.
Novela e trete: Luc Apuleu kthehet në Korint, Një tregim për të gjitha kohët – si nëntitull. Në të vërtetë, as novelat para kësaj dhe as të tjerat pas saj nuk ruajnë kurrëfare disipline kohore, madje edhe kur përcaktohen me një datë. Por autori e zgjeron pa kufi hapësirën kohore për të na çuar nga trazirat e mbretërisë së qiellit, të perandorisë romane e osmane, për të ardhur e për të ikur nga epoka jonë sa herë të dojë e si të dojë. E tërë novela është një trajektore e shpejtë përmes një historie mijëravjeçare të këtij pellgu të botës antike e moderne, ku ndodhte një lloj dëshpërimi për gjendjen e qenies njerëzore që nuk është ajo që mund të ishte dhe sidomos asaj shqiptare, e cila është shumë më e katandisur nga ç’mund te ishte. Ka të drejtë.
E katërta: Ura e nëmur, që është një bisede incestine me djallin, shërben më tepër si një urë për të kaluar në dy novelat e tjera që vijnë mbas saj.
E pesta: Kisha e Shën Kristoforit që ka si nëntitull Legjenda e Konstandinit dhe Doruntinës. Kjo novelë nis e përcaktuar në kohë dhe vend, por vetëm sa për t’i dhënë një nxitje më të fuqishme imagjinatës së lexuesit në përqasjet aludive që do t’i duhet të bëjë.
Nuk merret autori me legjendën si objekt në vetvete. Thotë vetëm se Doruntinën e sollën nga Kosturi ushtarët turq që vinin në Shqipëri për të shuar sherret midis princërve shqiptare të ftuar prej këtyre të fundit, ashtu siç ishin ftuar edhe nga prindërit athiniotë. Veç pasazheve ku përshkruhen me tone të forta gjendjet e caktuara shpirtërore dhe intelektuale, si pasoja të shtypjes komuniste, janë edhe ato përshkrime aq ekspresive të disa çasteve historike që e paraqesin Ballkanin një mishmash të së djeshmes dhe të së sotmes, i cili mund të zerë karar vetëm nën mbrojtjen e mbikqyrjen e një fuqie të madhe ligjvënëse.
Novela e fundit e ka titullin Përtej jetës dhe na orienton me nëntitullin “Njerezit mes legjendave”. Edhe këtu rrëfen një djalë që shkon për pushimet e verës të dajoja e tij. Të tjera histori do të mësoje ky djalë, me një botë tjetër dhe më onirative do të përzihen ëndrrat e tij në netët e shkurtra dhe në ditët e gjata të verës. Historia e fshatit të braktisur dhe njeriut ose djallit me emrin Sifi, përbëjnë edhe shkakun kryesor të një morie postulatesh ironike, morale e filozofike me të vërtetë për t’u mbajtur mend:
“Por, për një gjë isha i vendosur deri në fund: kur të gjithë shtiheshin të mençëm, unë pse ta shfaqja sheshit marrëzinë time?!…”
Buzëqesh me zgjuarsinë e pacak te autorit dhe mendon për të tjera vlera të librit, madje edhe të veprës në tërësi të këtij shkrimtari të madh, të pavlerësuar në shkallën që meriton dhe nga ata që dinë të bëjnë një gjë të tillë.
.

Trebeshina i pakuptueshëm?!

Në letërsi mund të quhen dy lloj tekstesh të vështirë për t’u kuptuar: ai që është në dukje shumë i qartë dhe i thjeshtë në përshkrime konkrete dhe që, pikërisht për shkak të kësaj thjeshtësie, kalon pa u kuptuar dhe, i dyti është ai tekst që paraqitet i ndërlikuar, alegorik, simbolik deri ne vibracionet kuptimore dhe emocionuese e që, për këtë arsye, kërkon nga lexuesi vëmendje, por edhe kulturë të lexuari. Tekstin e parë nuk më duket se e kemi krijuar në letërsinë tonë, të dytin e kemi një dhuratë mahnitëse nga Trebeshina. Nëse dikush do të thoshte se prova e këtij autori është e pakuptueshme, kjo do të ishte me siguri ose sepse kritiku do të kishte parasysh një lexues të parëndësishëm të edukuar me një letërsi vulgare, ose do ta bënte këtë për qëllime që Trebeshina i ka kuptuar mirë dhe i shpreh në një intervistë dhënë gazetës Rilindja: “Teza e moskuptimit është ngritur nga armiqtë e mi.” Dhe më poshtë: “Jam shumë i kuptueshëm, megjithëse trajtoj gjëra shumë të veshtira!”
Kjo është e vërtetë. Le të marrim vetëm një shembull, madje nga ata shembuj që do t’i skandalizonin më shumë kritikët tanë të kohës së patateve:
“Jeta kishte pushuar së qeni jetë dhe ftohtësia e një vere që s’ishte verë, ia hiqte kuptimin çdo qënësie për të qënë…! Vetmia në atë vetmi të tmerrshme të Gjithësisë nuk ishte më vetmi, por një tmerr i mbushur me tmerret më të papara…!”
Nuk besoj të kërkojë dikush divulgimin me fjalë të tjera të kësaj gjendjeje të ngarkuar me kaq eksesivitet, sa në përmbylljen e saj të kthehet në një vlerë të fuqishme emocionale, pa pasur nevojë as për kontekstin parapërgatitës. Në nomenklaturën e objekteve që kërkon të përmendë, autori operon gjithmonë nëpërmjet dyshimit, domethënë vëzhgimit të të qenit dhe të të mosqenit, deri në sigurinë e plotë të ekzistencës së saj që është dyshuar pak më parë:
“Po! Ishte një gardh si të gjithë gardhet… Një si vathë!”.
Më pas, lexuesi do të mësojë qe ky gardh ku janë mbyllur njerëzit si bagëtitë, jo vetëm është real, por i rrethuar edhe me fjalë veç kallamishteve… A nuk ishte një vathë e tillë edhe Shqipëria dhe, jo për pak kohë, por për dyzet e pesë vjet rrjesht? Qartësia e prozës trebeshiniane duhet pranuar në të vërtetën e përmbajtjes së saj, sepse për t’u kuptuar ajo nuk paraqet vështirësi për një gjimnazist e jo më për një njeri të letrave.
 

Shkrimtari modern nuk hiqet si demiurg i gjithësisë

Letërsia shqiptare e realizmit socialist nuk ishte skematike vetëm pse e paraqiste jetën ashtu siç nuk ekzistonte. E meta e saj e pandreqshme ishte në konceptin krijues skematik si i domosdoshëm për metodën. Edhe pse më pak i suksesshmi, shkrimtari shqiptar, ende pa u bërë i madh, e quante veten një “kreator” të vërtetë të universit të tij. Shënonte emrin e heroit, i bënte portretin fizik dhe shpirtëror me fjalë përgjithësisht të varfra, dhe e shpinte të ngratin hero nëpër ca situata të sajuara me zor ku lexuesi kuptonte që në ndeshjen e parë se si do të mbaronte beteja. Të parën gjë që Kasëm Trebeshina e ka kuptuar si një erudit dhe mjeshtër i madh, është raporti që do të ketë ai me personazhet e tij. Për këtë raport, unë do të shprehesha vetëm me pak fjalë: një demokraci e pakufishme midis miqsh liberalë. Ata herë bëhen një me autorin e herë hazdisen aq shumë sa nuk pyesin as për kohëra e as për hapësira, kudo në harmoni të plotë dhe në pozita të barabarta. Për këtë raport është folur shumë në shkollat e prozës modeme të Europës dhe botës, me përjashtim të provincës sonë letrare.
Pra, nga ky konceptim krijues antiskematik rrjedhin edhe pasojat e tjera si nocioni i kohës që nuk njeh kufi. Eshtë shprehur vetë autori, që e shkatërron kohën qëllimisht për t’ia lënë në dorë lexuesit ta rindërtojë a risjellë sipas qejfit. Nuk më duket se ndodh një gjë e tillë dhe as nuk është e nevojshme. Madje, lexuesi shkon me kurreshtje dhe në mënyrë mjaft komode atje ku e shpie narratori. Aludimet, përqasjet me realitetin apo me përvojat e tij, i bën vetvetiu dhe pa asnjë sforcim. I mjafton vetëm të ndjekë zhvendosjet e rrëfyesit që mjeshtri di t’i japë me shumicë dhe pa kurrëfarë monotonie ose përsëritje. Për këtë zhvendosje e ndihmon veçanerisht ëndrra si një element bazë i kompozicionit, madje edhe si lëndë onirative për ndërtimin e subjekteve. Një perfeksion fantazie në ndërtimin e subjekteve nëpërmjet një preteksti kaq të vështirë për t’u materializuar deri në nivelin e së vërtetës, të së besueshmes. Sigurisht, për këtë ndikon shumë edhe përdorimi i gjuhës së folur rrëfimtare nëpër dialogët me “thashë unë, tha ai”, qe e afrojnë pranë lexuesin pa krijuar ndonjë lloj kontrasti me përshkrimin fantazist apo simbolik. Po ç’të thuash më parë; i gjithë libri është një lëndë krejt e re për studiuesit tanë të letërsisë që me siguri pas afirmimit të plotë zyrtar të autorit, do të mbushin faqe të tëra duke zbuluar edhe ato vlera që vetë Trebeshinës nuk i kanë vajtur në mendje. Mua më shtyn në mënyrë tunduese vetëm një dëshirë për t’i përfunduar sa më parë këto shënime.
 

E drejta legjitime e një propozimi

…Në Shqipërinë e kohës së izolimit, opinionet për njërin apo tjetrin, që kishin një relacion ndërkombëtar, krijoheshin a priori, mjafton të qarkullonte një thashethem, i marrë si i vërtetë nga një burim i sigurtë, sidomos nga shtypi i huaj. E njëjta gjë ndodhi edhe me Kadarenë kur u botua “Dimri i vetmisë së madhe në Francë. Ishte përhapur llafi që ai do të merrte çmimin Nobel dhe njerëzia e prisnin me ditë sihariqin e ceremonisë. Askush nuk të dëgjonte, çfarëdo që t’i thoshe. Askush nuk e vinte në dyshim meriten e shkrimtarit. I vetmi shqetësim që mund të prishte pune ishte xhelozia e mundshme e Enver Hoxhës. Fakti i asaj kohe ishte vetëm një mendim i shprehur në shtypin demokratik perëndimor nga një individ i lirë për të thënë një mendim, ashtu siç do ta them edhe unë. Alen Boske botonte një recension në gazetën Le Monde ku, midis të tjerash, shprehte edhe një konsideratë: “Nëse një ditë, Shqipërisë, për arsye politike, do t’i akordohet një çmim Nobel, njeriu që do ta meritonte, do të ishte sigurisht Kadare…” Ky ishte propozimi që s’kishte të bënte fare me vendin dhe jurinë që i jepte këtë çmim. Ndaj edhe unë, duke parafrazuar Boskenë dhe, si shqiptar që jam me të drejtën më legjitime për ta shprehur një mendim të lirë, them se: kur një ditë, më në fund, juria e çmimit Nobel do të kujtohet për një dhuratë edhe për Shqipërinë, jo më për arsye politike, njeriu më me merita për këtë nder, do të ishte Kasëm Trebeshina.
.
*Gazeta Rilindja, Tiranë 13 gusht 1996

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.