back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Sfidë ndaj çdo humbjeje, tragjedie e frike n’emër të besimit… nga Emrije Krosi

Gazeta

Mri Dedja e Merrnacajve - Rrefime t'nji jete - Jozef Radi
Mri Dedja e Merrnacajve – Rrefime t’nji jete – Jozef Radi
Sfidë ndaj çdo humbjeje, tragjedie e frike n’emër të besimit…
nga Emrije Krosi
shënime për librin “Mrí Dedja e Merrnaçajve” e Jozef Radit

Në librin e rrëfimeve, “Mrí Dedja e Merrnaçajve, – Zonja e hekurt me shpirtin florini”, me rreth 400 faqe, sjellë nga Shtëpia Botuese “Jozef”, shkrimtari dhe gazetari, Jozef Radi, sjell para lexuesit, jetën e Mrì Dedes, një vajzë e mbetur jetime qysh pesë vjeçe. Bijë nga fisi i Bajrakatarëve të Vuklit, në Kelmend, e rritur nga gjyshja dhe martuar ende fëmijë në fisin e Merrnaçajve.
Mënyra e rrëfimit në vetën e parë/ tretë, përrok gjithë rrokadën e dy familjeve:
-së pari: asaj të familjes së Bajraktari (ku Mrìa lindi, e mbeti jetime pesë vjeçe)
-së dyti: asaj të familjes Merrnaçajve, (ku ajo u martua ende fëmijë, e më pas u arratis në Malin e Zi).
Rrëfimi i Mrìsë, për atë vajzën e vogël, që e detyruan ta braktisë shkollën, e të rritet nën hijen e gjyshes së saj, pasi ka parë me sytë e saj gjithë mënxyrat e fatit, duke kaluar mespërmes ferrit dantesk të komunizmit.
Mënyra si ajo rrëfen dhe si është ndërtuar ky libër, ku përmes kujtimeve të Mrìsë e bashkëshortit të saj, Marashit, “shihet” pejzazhi i atyre viseve të egra e të virgjëra, ku gratë për hir të zakoneve dhe rregullave të ngulitura, bënin një jetë të mbyllur e mbetën të pashkolluara, po që nuk “ia shterrën” dot gëzimin dhe mirësinë e jetës, tashmë të mohuara jo nga fati, por nga djajtë i zinj të komunizmit.
Martesa e saj tek Merrnaçajt, arratisja drejt Malit të Zi, më pas në Itali e së fundi në Amerikë, ku së bashku me vështirësitë e emigracionit e të përshtatjes me “zakonet” e reja, Mrìa ndesh në humanizmin e atyre njerëzve “të huaj”, duke mos harruar asnjëherë tmerrin, urrejtjen dhe përndjekjen e njerëzve të saj, në atdheun mjeran, të udhëhequr nga Luçiferri. Mrìja, përveç karakterit të saj të fortë si malësore kelmendase, jeton vazhdimisht me dhimbjen për familjet e saja, të ndara përjetësisht mes Shqipërisë komuniste dhe Amerikës si “toka e premtuar”.

Mri Dedja e Merrnacajve - Rrefime t'nji jete - Jozef Radi
Mri Dedja e Merrnacajve – Rrefime t’nji jete – Jozef Radi

Libri evokon shkatërrimin e kanunit dhe “bajraktarizmit”, si armiq për vdekje të pushtetit komunist, e ku shpërfaqet madhështore tradita e lashtë kanunore e bajraktarizmit, e ku vetë fjala bajraktar – nga turqishtja, do thotë flamurtar, {historike = kreu i bajrakut, organizmi fisnor në disa zona të Shqipërisë, që drejtonin bajrakun në bazë të kanuneve patriarkale}. Gjithnji harrohet se Bajraktarët ishin rregullatorë të jetës dhe organizimeve fisnore në Malësinë e Veriut, aty ku thundra e mushkës bënte xixa në strallin e fortë, ku pushtuesit nuk mundën të shkelnin e sistemi komunist, po kërkonte të shkulte edhe rrënjët e fundit të qëndresës malësore. Regjimi i qe vërsulë si bishë Kelmendit për të:
-thyer karakterin e fortë të malësorit edhe “kodet e vjetra” të jetës në Malësi,
-për ta çrrënjosur besimin në Zot e për t’i zhbërë doket e zakonet e tyre të lashta,
-për ta skllavëruar e gjunjëzuar qëndresën dhe për ta thyer besën e mikpritjen e malësorit,
-për të zhdukur çdo trashëgimi etniko-kulturore të rrënjosur në shekuj në ato male.
Sado e vështirë e tragjike ishte saga e dy familjeve të Mrisë, ajo e Bajraktarëve dhe ajo e Merrnaçajve, çastet kur familja qetohej nën amzën e âmël të dàshnisë, në atë strehë ku luluan sumbullat e vogla të buzëqeshjeve të Mrisë, në atë tokë të bekuar të Amerikës, ku familja e tyre e madhe përreth sofrës së mallit e ngjyente sa herë bukën në shllinën e lotëve, dhe ashtu e strukur nën krahët e Jezusit, mijra xixëllonja, ia mbushën netët e paqta si një peshtaf të madh malli e besimi, shprese e mungese, harrese e dhimbjeje, duke ia çelë derën e ardhmërisë me çelsin e zemrës, ndaj atij regjimi (të dreqit të mallkuem), ku siç shprehej Prof. Sami Repishti, se: “komunizmi si ide dhe praktikë vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre në qiell inferiorët…”, Mrìa do të sfidojë çdo humbje, çdo tragjedi e çdo frikë në emër të besimit, në emër të Atit të Birit e Shpirtit të Shenjtë, në emër të Jezu Krishtit!

N’ato çaste të jetës bashkëshortore me Marashin, nën mbulesën e hirëshme të kujtimeve: “diku jam me Marashin, tue kuvendë me të për tana t’kqijat e t’mirat e nji jete që i kem kalue bashkë, tue iu sjellë botës rrotull…”, me “t’folmen e venit”, apo siç ka shkruar dikur, Dante Aligieri: “vulpus populus”, Radi, ka shkruar më së shumti një roman se sa një monografi.
Të mahnit, jo vetëm rregullsia e shkrimit, por edhe struktura artistiko-letrare e këtij libri, ku herë-herë ngjason me librin autobiografik të Petro Markos, “Retë dhe gurët”. Por, shkalafitja e mijra copave të hijeve të zeza, plagët e nderura në diellin e tbanave të bjeshkëve, mbuluar me blegërima qengjash e cicërima zogjsh, nën mantelin përhim të kujtesës së tre brezave të Merrnaçajve, që janë krenarë për prejardhjen e tyre të lashtë të tokës Iliro-Dardane të Kelmendit, e sot një ndër vendet më atraktive për turistët e huaj. Një natyrë e mrekullueshme, ku ende jetojnë Orë e Zana si Mrìa e shumë Mrì të tjera malësore, që shpesh mbetën kampeve e burgjeve komuniste, apo rrugave të botës së madhe, që u rritën n’ato vende të bekuara me bukuri përrallore, njashtu si në Eposin epik të maleve shqiptare.
Urime, Jozef Radi!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.